Nue Oroshi
Mirdita dalëngadalë po i kthehet identitetit kombëtar, me hapa shumë të ngadaltë por shumë të sigurt. Para disa ditësh u përfunduan punimet për restaurimin e Kullës ku ka jetuar dhe punuar një kohë Àt Gjergj Fishta. Kishin kaluar shumë vite dhe është shkruar në shumë gazeta dhe mjete tjera të informimit deri sa erdhi tek restaurimi i Kullës së Àt Gjergj Fishtës, ku një meritë të padiskutushme në këtë restaurim e ka historiani Paulin Zefi. Por restaurimin e Kullës së Preng Çokut ku lindi atdhetari i devotshëm i Shqipërisë Etnike, prifti i cili ishte krahu i djathtë i Kapidan Mark Gjon Markut në luftën antikomuniste Monsinjor Zef (Çoku) Oroshi i cili përveç që i udheheqi luftën antikomuniste ai e dha një kontribut të çmuar edhe në përpjekjet e pandërprera për ta rrëzuar regjimin komunist si dhe në ndërtimin e Kishës madhështore në Amerikë, u restarua në menyrë të shkëlqyeshme nga Preng Çoku dhe djemtë e tij.
Me këtë rast u jemi shumë falënderues Preng Çokut, i cili arriti që ta bëj restaurimin e kësaj kulle me vlera të mëdha e cila lindi dhe rriti Monsinjor Zef Çokun i cili në botën shqiptare është i njohur me emrin Monsinjor Zef Oroshi. Shoqata “Trojet e Arbrit” që tani më është bërë zëri i atdhetarizmit shqiptar në promovimin e vlerave kombëtare ka marrë vendim që në shenjë respekti për këtë atdhetar të madh në korrikun e vitit 2021 të mbanë sesionin e pestë të veçantë shkencor me temën mbi jetën dhe veprën e Monsinjor Zef Oroshit pikërisht në Kullën ku ai u rrit dhe u burrërua në Kaftallë të Mirditës. Në këtë sesion shkencor do të ligjerojnë studiuesit shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare. Do të bëhet edhe inaugurimi i kullës së restaurauar nga Preng Çoku dhe djemtë e tij.
Aty do të krijohet edhe një muze mbrenda kullës ku do të mblidhen gjerat personale të Monsinjor Zef Oroshit, duke filluar nga veladonët, e duke vazhduar me të gjitha botimet e librave, gazetave, fotografive të aktiviteteve të ndryshme kombëtare, ku do të punohet që të ndertohet po ashtu një bust i Monsinjor Zef Oroshit. Restaurimet e tilla siç është kjo e Kullës së Preng Çokut që e ka bërë ai me familje i japin nderë dhe krenari Mirditës. Edhe më krenar është fakti se mirditorët një pjesë e mirë kanë filluar të vetëdijësohen në përkrahjen dhe vendosjen në vendin e duhur të figurave atdhetare mirditore që luajtën rol të rëndësishëm në luftën antikomuniste. Pas restaurimit të këtyre dy kullave në Mirditë e ka radhën ndërtimi i Kullës së Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit.
Kjo kullë e cila u djeg dhe u shkatërrua nga pansllavistët komunist është ende ndër rrënoja.Këto rrënoja i thërrasin mirditorët se i kanë borxh që secili mirditor qoftë në Mirditën e sotme apo mirditorët jashtë Mirditës që ta ngrisin këtë kullë historike dhe ta shënderrojnë në Muze gjithëkombtarë ku do të vizitohet nga të gjitha viset etnike shqiptare si shenjë e rezistencës gjashtëshekullore të Mirditorve. Monsinjor Zef (Çoku) Oroshi hyn tash në histori si njëri ndër priftat e rrallë i cili i rezistoj ushujzës së kuqe komuniste edhe me armë në dorë luftoj e nuk u dorëzua asnjëherë.
Është për tu theksuarë fakti se fshati Ungrej ku ka shërbyer Monsinjor Zef (Çoku) Oroshi e shpëtuan priftin e tyre nga pushkatimi dhe ky veprim i Ungrejsve tregon se mirditorët atdhetar kanë qenë në përkrahje të nacionalistëve shqiptar. Nuk duhet harruar faktin se Monsinjor Zef Oroshi ishte krahu i djathtë i Kapidan Mark dhe Llesh Gjonmarku në luftën e drejtë të mirditorve kundër pansllavistëve komunist.Edhe fjalët e arta të Monsinjor dr. Zef Oroshit të thëna më, 24 dhjetor1969, për Krishtlindje në New York,kanë domethënie shumë të madhe ku thotë: “Mirëse u ka prue Zoti në shtepinë tuej. Kjo sot asht nji shkëndi e vogël, por që do bahet nji flakë e madhe nji ditë në Atdhe.
Sot të dashtun bashkatdhetarë, falenderja e mirënjohja mâ e thella u siellet të gjith bashkatdhetarëvet shqiptarë pa dallim, jo prej njajë, dy, tri a pesë krahinash të Shqipnisë, por prej “Tivarit në Monastir – Prej Preveze në Kaçanik”, prej të gjitha vendevet kû flitet gjuha e ambël shqipe, që aq vllaznisht na kanë dhanë zemër, ndihmue e përkrahë, dhe kam shpresë e deri diku jam i sigurtë se kanë me vijue me na ndihmue dhe në t’ardhëshmen, pse rruga e flijimevet asht ende e gjatë per ne per ta përmbyllë këte nisme me randësi kombtare. Gëzonju prá, o vllazen e motra shqiptare, pse çerdhen tonë me i sherbye Zotit e në të njajten kohë Atdheut të dashtun e të largët, e kemi krijue me flijime tona të shkelqyeshme. Ai Zot që na ka krijue, nuk na ka harrue, e u thaft e djathta e jonë, në qoftë se në jeten tonë, Atë osè Atdheun që na lindi do ta harrojmë.”
Nuk mund ta përfundoj këtë shkrim pa e dhënë edhe një vlerësim edhe për studiuesin e publicistin Tomë Mrijaj, njeriun më të afërt të Monsinjor Zef Oroshit në Amerikë, i cili për mbi katër dekada është duke punuar më një përkushtim të pashoq në vendosjen në vendin e duhur të figurës atdhetare të Monsinjor Dr. Zef Oroshit duke botuar disa libra me vlera të veçanta enciklopedike qoftë për jetën dhe veprën e Monsinjor Zef Oroshit por edhe duke mbledhur dhe botuar me përkushtim studime dhe artikuj që ka botur sa ishte gjallë Monsinjor Oroshi.
Është për t’u theksuar fakti se tradita atdhetare në Familjen Çoku është duke vazhduar me përkushtim këtë më së miri e dëshmon edhe Preng Çoku plaku, i cili ka pajtuar në Mirditë shumë gjaqe dhe ngatrresa dhe që e respektojnë shumë herë Mirditorët në pajtimin e problemeve të ndryshme kur kanë me njëri-tjetrin. Prandaj nuk është për tu nënvlerësuar asnjëherë fjala jonë popullore që thotë: “Ku ka rrjedhë ska qare pa pikë”, apo familjet që kanë lindur atdhetar do të vazhdojnë edhe në shumë breza të jenë djep i atdhetarizmit shqiptar.