PËRBALLJA DINJITOZE E DHIMBJES TË SKAJSHME NGA FAMILJA ARIFAJ

0
353
Tragjedia - dy vëllezërit Arifaj

IDRIZ ZEQIRAJ

Lajmi i dhimbshëm se dy djemtë e Familjes Arifaj, nga Ratishi i Epërm të Deçanit, u aksidentuan për vdekje nga treni, në Bruckberg të Gjermanisë, shokoi shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë. Në rrugën për në shkollë, jeta e tyre u shua, në mënyrën më tragjike të mundshme. Madje, në prani të bashkëmoshatarëve, të cilët u shokuan, deri në hospitalizim!

Shuarja e djemëve njomëzakë, Hasanit dhe Blerjanit, u përjetua rëndë në Kosovë dhe përtej. Por, komuniteti shqiptar bavarezë, gjithësesi, e përjetoi më rëndë. Andaj, ngushëllime të gjithëve!

Ngado dhe kudo që të shkojnë mërgimtarët, strehën e përjetshme, duan ta kenë atdheun, tokën mëmë. Kështu ndodhi edhe me vëllezërit rinorë: Hasanin dhe Blerjanin.

Mediat në Kosovë, Shqipëri, Gjermani dhe gjetkë e pasqyruan, besnikërisht, këtë ngjarje-gjëmë të trishtme.

Ceremonia mortore ishte një organizim mbresëlënës. Pjesëmarrje masive, 4 – 5 mijë njerëz. Hapësirë e lirë, me pak varre, e bollshme për t`i zënë masën numerike të njerëzve, të ardhur nga anekënd Kosova dhe Mërgata. Arkivolët, me trupat e pajetë të Hasanit dhe Blerjanit, i shoqëronin nxënës, bashkëmoshatarë, duke bartur fotografitë e tyre dhe dhjetra kurora. Prapa vinin bota femërore, familja, kushërinj, bashkëvendorë. Ndërkohë që mijëra vetë prisnin në varreza, për t`u dhënë lamtumirën e fundit, djemëve jetëshuajtur tragjikisht.

Ceremonia e varrimt, solli elemente të reja. Një skenar i menduar mirë, në përshtatje të shumësisë së pjesëmarrësve, të ardhur edhe nga zona të largëta të Kosovës, reduktoi programin në pak folës. Një vajzë hapi ceremoninë mortore. Një nxënëse lexoi poezinë-elegji, të poetit të talentuar mërgimtar, Mentor Thaçi, kushtuar vëllezërve Hasan dhe Blerjan Arifaj. Zëvendëskryeministri Besnik Tahiraj, ngushëlloi Famljen Arifaj dhe popullin, në emër të qeverisë të Kosovës, zëvendës-kryetari i Bashkësisë Islame, ngushëlloi në emër të kryetarit të BIK-ut.

Veprimtari i hershëm, aktualisht, kryetar i Shoqatës kulturore “Bekim Berisha – Abeja”, Xhemajl Hoxha, në Moosburg të Gjermanisë, pjesë aktive e së cilës janë edhe Familja e nderuar Arifaj, solli ngushëllimet e Mërgatës shqiptare. Në fjalën e tij konstruktive e brilante, evokoi kujtime për fëmijtë shkollarë, aktivizimin artistik në Shoqatë, prindërit e tyre, mësuesen Nife dhe babain Arif, moderator në veprimtaritë e Shoqatës.

Përballë dy arkivoleve, me trupat e njomë të vëllezëve Hasanit e Blerjanit, dhe masës numerike të njerëzve të pranishëm, qëndronin të rrjeshtuar babai Arifi, në mes djali, tashmë i vetëm, Arigoni 15 vjeçarë, nëna Nife, me një nur bukurie e këthjelltësie unike, gjyshi (nga nëna) Riza Tahirukaj, personalitete zyrtare, qendrore e lokale, zëvendës-kryeministri Besnik Tahiri, kryetari i komunës të Deçanit – Bashkim Ramosaj, me stafet e tyre, përfaqësuesit fetarë, si dhe familjarë dhe të afërm. Një vetëpërmbajtje e dinjitetshme, madje, proverbiale, për një dhimbje skajore, pa vajë e lotë të Familjes, përjashto dy pika lotë të Arigonit, që kujdesshëm ia fshiu nëna tij. Ky rast përloti shumë qindra sy, njëherësh, të të pranishmëve.

Fjala falenderuese, drejtuar mijëra pjesëmarrësve në ceremoninë mortore, lamtumirëse, e babait të djemëve, tashmë, në amëshim, ishte ngushëlluese, lehtësuese dhe mbresëlënëse, për të gjithë shqiptarët e kudondodhur. “Me praninë tuaj masive, më bëhet zemra mal dhe na obligon, ne, si familje, të mos derdhim lotë, në shenjë mirënjohje e respekti për ju, që jeni bërë pjesë e dhimbjes tonë të madhe, për djemtë tanë të humbur”,- tha në, mes tjerash, prindi Arif Arifaj.

Hoxha i fshatit Ratishë, me mbiemrin Arifaj, duke falenderuar mijëra pjesëmarrësit, falenderoi në emër të familjes dhe të fshatit.”E pamja do të jetë dy ditë, me orar të reduktuar. Për arsye të shumësisë të njerëzve, ju lutem, filloni largimin me distancën e nevojshme të Pandemisë, ndërkohë që ne do të vazhdojmë me pjesën tjetër të ceremonisë fetare”, – tha imami i mençur Arifaj.

Edhe – e Pamja, – ndonëse masive, ishte përshtatur rastit. Pritësit e shumtë, të rrjeshtuar në hapësirën e jashtme, qendronin me dorën në zemër dhe po në këtë mënyrë kalonin vizitorët ngushëllues.

Në pritjen ngushëlluese babai Arifi dhe gjyshi Riza. Mërgimtari Xhemajl Hoxha, me kamerën e tij, bënte fiksimin e vizitorëve të shumtë ngushëllues. Secili syrësh merrte pjesë të dhimbjes nga familja Arifaj. Dhimbja e përpjestuar, gjithësesi, është lehtësuese për Familjen, fort të goditur, Arifaj.

Shpresojmë dhe besojmë se Familja e nderuar Arifaj, do të dijë ta menaxhojë dhe përballojë, dinjitetshëm, edhe tani e tutje, dhimbjen madhore, që e pllakosi, me humbjen e dy djemëve-engjuj! Premtojmë se do të jemi, me mendje dhe zemër, pranë Familjes Arifaj, duke ndarë dhimbjen dhe kujtimin e përjetshëm, për Hasanin dhe Blerjanin tonë të shumë dashur.