NJË FJALIM HISTORIK NË KUVENDIN E SERBISË – ZBËRTHIM THELLËSOR I POLITIKËS SERBOMADHE

0
423
Shaip Kamberi

Mirënjohje publike deputetit Shaip Kamberit

“Njeriu në jetë duhet të ketë një ideal të lartë për të cilin punon dhe jeton.
S’ka ideal më të lartë dhe më të shenjtë se ç’është interesi, e mira e popullit,
lufta e vazhdueshme intelektuale për përparimin e tij të gjithanshëm.
Intelektuali këtë ideal duhet ta ketë jo vetëm detyrë të përhershme,
por edhe kënaqësi shpirtërore[1]”.
MARK KRASNIQI

Shkruan: Prof. dr. Anton Nikë Berisha

I dashur Shaip Kamberi,

As nuk të njoh as nuk të kam takuar ndonjëherë, po pas dëgjimit të fjalimit tënd në Kuvendin e Serbisë më 28 tetor 2020, fitova përshtypjen se jemi takuar me dhjetëra herë dhe se tashmë jemi miq të vjetër. Unë nuk merrem me politikë, nuk i dëgjoj as lajmet dhe as ballafaqimet e shumta politike. Merren me punën time krijuese artistike dhe shkencore (studimin e letërsisë); kam punuar mbi 23 vjet në Universitetin e Kalabrisë (Itali) si profesor i letërsisë dhe shpesh me ka dhimbur zemra e shpirti me veprimet e njerëzve tanë të politikës në Kosovë (e pse jo dhe në Shqipëri); ata shumë herë kanë menduar më shumë për përmbushjen e qëllimeve të tyre vetjake, të thuash private sesa për të mirën e qytetarëve e për përparimin e tyre.

Po përmend vetëm tri fakte se ata janë të shumta, po që janë bërë të njohura: kryetari i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli para mikrofonit të në sallën e Kuvendit i thotë deputetit tjetër: Ma hash k…; ish kryeministri, Albin Kurti, pasi shkarkohet me 82 vota të deputetëve, disa minuta më vonë e shkarkon zëvendëskryeministrin, Abdullah Hotin! (tani kryeministër); kryeministri, Edi Rama, thotë publikisht se nuk paska kufij midis Kosovës dhe Shqipërisë (Luaje mace kryet e buallit!).

Me veprimet e tilla politikanët tanë, jo vetëm i përbuzin ata që i kanë votuar e zgjedhur, dhe nuk mendojnë pse janë zgjedhur (si përfaqësues të tyre), po bëhen dhe të dëmshëm dhe neveritës.

Unë e shkela parimin tim dhe e dëgjova fjalimin tënd në Kuvendin e Serbisë për arsye se ma nisa miku im, prof. Sali Maqedonci. E dëgjova nga fillimi në fund. Dhe jo vetëm që nuk u zhgënjeva, po iu gëzova pafundësisht fjalimit tënd: një shqiptar flet si politikan i pjekur, që di çka thotë dhe si thotë në tubimin më të lartë të një shteti: në Kuvend. Nuk zgjodhe kafenetë, rrugët, grevën e urisë (ndonjëherë edhe këto të nevojshme), po ua the në sy përfaqësuesve më të lartë të Republikës së Serbisë, me gjuhën e tyre, me një gjuhë të pasur e më një shqiptim që edhe ata t’i kenë lakmi.

As nuk shave (që është bërë një mënyrë e rëndomtë veprimi në politikë, sidomos në shtetet e Ballkanit), as nuk fyeve askënd me zhargonin e politikucave, të puthadorëve e të mjerëve, po përdore argumentin, i përdore faktet që flasin me gjuhën e tyre të pazhbëshme, me fuqinë e tyre rrënuese, që në vështrim të parë duken të ashpra, po e vërteta gjithmonë është e tillë: e ashpër dhe e hidhur.

Pak a shumë nga 1966, kur iu pre hovi politikës rrënuese serbomadhe të Rankoviqit, sado pak i kam përcjell rrjedhat politike (sa mund t’i përcjellë një krijues dhe një hulumtues shkencor); disa politikanë të Kosovës i kam njohur mirë, fjala vjen, Remzi Kolgecin, Azem Vllasin, Qemal Hasanin, po asnjë fjalim që kam dëgjuar ose kam lexuar unë, s’ka shkuar aq thellë dhe s’ka prekur thelbin ashtu e politikës serbe, pra nuk e ka zhveshur aq bindshëm politikën serbomadhe sesa ajo që ti the në Parlamentin e Serbisë.

Me fjalimin tënd, nuk mbrojte vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore, nuk mbrojte vetëm të drejtat dhe lirinë e pakicës boshnjake e të pakicave të tjera në Serbi (që nuk janë pak), po mbrojte edhe të drejtën e vetë qytetarëve serbë të Serbisë dhe jashtë saj; udhëheqësve të sotëm serbë u bërë të kuptojnë se ka ardhur koha që të lirohen nga politika serbomadhe, të lirohen nga mitet e së kaluarës që janë bërë rrënuese për politikën e Serbisë që e largojnë atë nga rrjedhat dhe nga rrethanat e reja në Evropë dhe në botë, kur pakicat kombëtare nuk janë më ngarkesë (pengesë) dhe mangësi, po pasuri, një mundësi e re për të përligjur e forcuar bashkëjetesën, afrimin dhe përparimin e shumanshëm – për të mirën e njeriut, cilido qoftë ai dhe kushdo qoftë ai.

Me pak fjalë, ti fole dhe mendove për sot e për nesër. Mendove jo veten, për njerëzit që të zgjodhën dhe i përfaqëson, po mendove dhe për të tjerët, mendove për vetë serbët, të tashmen dhe të nesërmen e tyre.

Me këto qëndrime, siç do të thoshte Nëna jonë Tereze, tashmë e shpallur shenjtëreshë nga Vatikani, u bëre “simbol i dashurisë aktive” dhe “misionar i guximit të madh[2]”. Pra, ti fole me frymën e Biblës, që sublimohet në këto dy mendime: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37) dhe Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39), që janë ngushtë të lidhura mes veti.

Ti, si rrallë ndonjë politikan i yni, e kuptove atë që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhejms Buhanan, i tha pasardhësit të tij në Shtëpinë e bardhë, Abraham Linkoln-it, teksa i dorëzonte detyrën: “Nëse ju zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi jini po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jini njeriu më i lumtur në botë”.

Me fjalimin tënd në Kuvendin e Serbisë ti u mbajte mësim jo vetëm deputetëve të këtij organi më të latë të shtetit të Serbisë, ku jeton edhe ti vetë, po dhe të gjithë politikanëve në Kosovë, në Shqipëri dhe të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe më gjerë.

Dhëntë Zoti që zëri yt i denjë për çdo nderim, të mos përfundojë në veshë të shurdhër!

Prishtinë, 1 nëntor 2020

[1]Mark Krasniqi, “Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare”, IV, Prish-tinë 1995, f. 241.

[2] Shih Madre Teresa con Licinda Vardey, Il cammino semplice. Traduzione di Stefano Castelli e Bruno Osimo, Arnoldo Mondadori editore, Milano 1995, f. VIII dhe XI.