Vrasja e At Zef-Leonard Tagaj – vepër kriminale e pushtetit jugosllav

0
484
At Zef-Leonard Tagaj

At Zef-Leonard Tagaj 1910-1945

Dosja: Krimet e komunizmit

(Me rastin e 75-vjetorit 1945-2020)

Vetëm personat me dinjitet dhe karakter sikurse ishte At Zef-Leonard Tagaj, u fliju me vetdije në emër të misonit të tij françeskan për të shpëtuar popullsinë e Malësisë, ndaj planëve djallëzorre të pushtetit komunist i instaluar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me pasoja të mëdha shoqërore e kombëtare  që janë të pranishme deri në ditët tona.

Nail Draga

Ndër personalitetet e nderuara të krahinës së Krajës së Shkodrës bën pjesë edhe At Zef –Leonard Tagaj, teolog, poliglot dhe humanist i dalluar në kohën e tij,  i cili u eliminu nga pushteti i komunistëve kur ishte në detyrën e meshtarit në famullinë e Trabonit në Malësi më 19.2.1945. Ai ka lindur në Ljare në vitin 1910, në një familje fisnike e njohur më virtyte tradicionale të populllit tonë pas shkollimit fillor, ka vijuar shkollimin në kolegjion françeskan në Napoli të Italisë(1926-1928). Ishte pikërisht viti 1928, kur ka veshur zhgunin për të parën herë e do ta mbajë deri në vitin 1945, kur vritet nga pushteti i komunistëve. Në vitin 1929, ka studiuar filozofinë në Nocera, ndërsa në vitin 1936 shugurohet meshtar.

Përveç diplomës së filozofisë e teologjisë, ai mori diplomë edhe në infermieri  dhe kirurgji misionare. Me këto aftësi kthehet në vendlindje, ku pasi caktohet më detyrë fillon punën si famullitar në famullinë e Traboinit me 25 gusht 1937. Në këtë famulli u vendos me nënën e tij dhe dy mbesat nga vëllau(Maria e Roza), ku u pritën me dashamirësi nga popullsia vendore. Ardhja e tij në këtë famulli ishte ngjarje e veçantë sepse dinte gjuhën, historinë, traditat dhe kulturën e tyre, sepse para tij këtu kanë qenë famullitar dy kroatë.Harmonia e krijuar me popullsinë e Traboinit, bëri që ai këtu të ndihej si në shtëpinë e vet, që është dëshmuar nga shumë dëshmitar të kohës.

Në mjedisin   e ri ku jetoj e veproj pater Zefi,  kemi të bëjmë me një zonë kufitare ku nuk ishte lehtë të përballoheshin rrethanat shoqërore. Sepse kemi të bëjmë me një kohë lufte qe ai ka ditur ti menaxhojë në sajë të zgjuarsisë dhe parimeve si misionar i devotshëm. Kemi të bëjmë me kohën e Luftës së Dytë Botërore, e cila edhe në këtë mjedis ka pasur keqperdorime e manipulime politike, por ai ishte i denjë një qendrimin e guximin e  tij me mision në mbrojtjën dhe ruajtjën e popullit, ku pati sukses të plotë.Ishte në favor të ruajtjës së paqës dhe marrëdhënieve të mira mes njerëzve dhe krahinave për rreth. Por, veprimtaria e tillë dhe autoriteti popullor ishte pengesë e qarqeve antishqiptare, që u dëshmu me rastin e ardhjës në pushtet të komunistëve nga fundi i vitit 1944. Ishte koha e ideologjisë komuniste dhe e bashkëpunimit jugosllavo-shqiptar që ishte fatale për popullin shqiptar, që u dëshmu në praktikë, ndaj të gjithë atyre që trajtoheshin si armiq apo kundërshtar të sistemit të ri.

U fliju për të shpëtu popullin

Më datën 19 shkurt 1945, shtëpia ku banonte At Zefi rrethohet, nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave, që udhëhiqej nga Bajo Stankoviqi. Në këtë moment ndihmësi i fratit Frano Mirashi, deshti të përdorë armën dhe të vrasë dy epror përgjegjës, për mos me e dorëzu fratin gjallë. Por, ishte  frati largpamës  që nuk e lejoj një veprim të tillë, sepse e dinte se ky do të ishte shkas, që ata të hakmerrën duke vra e masakru popullsinë e Hotit. Ndonëse frati ishte paralajmëru më herët se mund ta vrasin komunistat ai ishte i bindur se nuk  do të ndodhë diçka e tillë, sepse nuk iu  kishte bërë asgja kërkuj. Por, ishte e kotë se ata e kishin planifikuar ta likuidojnë, ku më pas e marrin fratin   dhe e drejtojnë jo nga Tuzi, por drejtim tjetër, të vendi i quajtur Lugje të Thella, ku e pushkatojnë së bashku me Vasel Marashin Camaj. Përveç se u pushkatu, sipas dëshmitarëve okular ai u plaçkit, ku vrasësit ia morën rrobat e trupit,  duke u lënë aty në ambient të hapur dy ditë.

Pushteti jugosllav masakron shqiptarët në Malësi

Duke njohur dhe përjetuar rrethanat shoqërore të kohës, frati e kishte të qartë se komunistat do të bëjnë çmos për të treguar pushtetin e tyre e ri, e sidomos kundër popullsisë shqiptare në Malësi. Dhe ishin pikërisht personat të veçantë që ishin në shënjestër të tyre ku përveç fratit kishte edhe të tjerë, që këtë pushtet e vlerësonin si të imponuar e jo i zgjedhur nga populli.

Por, kur nuk gjetën arsye për të masakrue popullsinë në Hot, atëherë vazhduan në Grudë  vranë Gjekë Çunin dhe maltretuan disa të tjerë.Por, këtu nuk u ndalën më kaq, sepse këtu vranë Zef Miliqin Lulgjuraj, kumarën e tij Losh Gjokun e Hotit dhe tre bijtë e Prekë Tomë Lulgjuraj: Lucën, Dodën dhe Gjergjin, si dhe Kolë Gjelin nga Trieshi.Po atë ditë që u vra At Zefi, nga ushtria jugosllve u pushkatua edhe Pjetër Zeka Camaj nga fshati Spi.

Ishin këto  vrasje nga ana e  pushtetit që po instalohej, kundër shqiptarëve e Malësië, duke dëshmuar moralin e tyre kriminal me urrjetje patologjike kundër  popullin shqiptar që vazhdoj me burgosje e vrasje edhe në vitët në vijim.

Nuk ka dielemë se po të kishte pasur rezistencë të armatosur nga ana e popullit kundër ushtrisë jugosllave,në atë kohë pa dyshim se popullsia vendore do të ishte masakru në përmasa të mëdha, sikurse frati dhe këto burra të tjerë. Sepse qellimi i pushtetit  të ri komunist, ishte vendosja e dhunës, më qellim për të eliminuar të gjithë ata të cilët nuk janë mbeshtetës të tyre, apo kanë autoritet në mjedisin përkatës dhe ndikim në popull.

Për malësorët në Malësi të Madhe, krimet e sllavëve nuk janë të panjohura, sepse ata ndonëse tash nën rrobat e pushtetit komunist, vazhduan  masakrat e mëhershme që janë bërë nga paraardhësit e tyre sikurse ishte ajo e 24.12.1919, kur u likuidunan  74 persona  në Drume, pasi i kishin marrë peng nga kisha e Traboinit në Hot.

Pse e vranë At Zefin?

Një nder dilemat që ende edhe sot ka mbetur e pa shpjeguar ka të bëjë me ate se cila ishte shkaku të eliminohet At Zef-Leonard Tagaj. Por, në rrethana të tilla në ndryshim të pushtetëve, jo rrallë herë janë eliminuar të pafajshmit, të cilët kanë qenë pengesë imagjinare për pushtetin e kohës. Deri më tash nuk ka asnjë të dhënë zyrtare në këtë aspekt, sepse vrasësit nuk kanë dashur të lëjnë gjurmë të dokumentura, andaj ekzistojnë vetëm të dhëna të besueshme nga qytetarët e Hotit e tërë Malësisë për meshtarin e famullisë së Traboinit.

Ka ekzistuar vlerësimi unanim si At Zef-Leonard Tagaj ka qenë meshtar i nderuar, më autoritet popullor, me qendrim e parime kombëtare, njëri i rrallë i kompletuar me virtyte njërëzore dhe së është vra tërësisht i pafajshëm. Ishin pikërisht këto vlera njerëzore që ishin pengesë për pushtetin e ri komunist, andaj vendosën për ta eliminuar pa proces gjyqësor, për të përhapur frigë e pasiguri  të populli i Malësisë.

Humbën gjurmët në bibiotekën e famullisë

At Zef-Leonard Tagaj ishte zotërues i gjuhëve klasike e moderne si dhe i retorikës. Ai ishte në rrjedhat intelektuale të kohës, shkonte shpesh në Shkodër, ku kishte kontakte me personalitete të nderuara, dhe atje merrte botimet e reja nga lëmia e teologjisë por edhe të asaj  kulturore. Bëhet më dije se duke qenë studiues i teologjisë e filozofisë është marrë edhe me shkrime. Por, mjerisht, armiqt e tij nuk kanë lënë asgjë prej shkrimeve të tij, duke zhdukur gjurmet në bibliotekën e famullisë së Hotit(1937-1945). Dhe një veprim i tillë të përkujton kohën e fashizmit, kur digjeshin librat dhe vriteshin autorët e tyre, si të rrezikshëm për pushtetin e kohës.

Nderohet jeta e veprimtaria

Më rastin e 70-vjetorit të vrasjës së At Zef-Leonard Tagaj,më 19.2.2015,në organizim të Misionit françeskan në Malësi dhe famullia e Traboinit, udhëhequr nga At Fran Dushaj, realizuan shtegtimin për të vendi i vrasjes së tij. Ishte ky fillimi i angazhimeve për të shënuar në mënyrë dinjitoze personalitetin e ndëruar fratin e Traboinit në këtë vit jubilar të vrasjës së tij.  Më pas u inicu nisma për të bërë zhvarrimin e mbetjeve mortore nga varri ekzistues pranë kishës, duke i vendosur në hapësirën brenda kishës së Traboinit, me 21 gusht 2015. Ndërsa më rastin e këtij përvjetori  me 30 gusht 2015,  Misioni françeskan në Malësi, Famullia e Trabonit dhe Arqipeshkvia e Tivarit  organizuan  veprimtari përkujtimore ku  para qytetarëve të pranishëm  u bë zbulimi i shtatorës së At Zef-Leonard Tagaj punuar nga skulptori shkodran Pjerin Kolnikaj si dhe u bë  bekimi i varrit të tij në lterin e kishës së Trabonit.

Po ashtu At Fran Dushaj, famullitar i Traboinit, ka botuar tre vëllime kushtuar jetës dhe veprimtarisë së të ndjerit At Zef-Leonard Tagaj, duke i ofruar opinionit  botime me vlerë profesionale, për shqiptarët jo vetëm në Malësi por në tërë hapësirën etno-gjeografike shqiptare.Me këto veprime nderimi ndaj figurës dhe veprimtarisë teologjike e shoqërore të At Zefit, dëshmohet  se ai nuk është harruar dhe do të nderohet vazhdimisht të populli shqiptar me pietet ashtu siç ishte ai me veprimtarinë e tij.

Përfundim

Ndonëse janë bërë përpjekje qe në lidhje me ngjarjet e ndodhura pas përfundimit të LDB në hapësirën etno-gjeografike shqiptare në përgjithësi e në ato shqiptare në Mal të Zi ende deri sot nuk janë hulumtuar me seriozitetin shoqëror e atë shkencor. Nëse në monizëm një përpjekje e tillë ishte e rrezikshme dhe me pasoja, në pluralizëm ekzistojnë mundësi praktikë në këtë drejtim.

Shqiptarët në Malësi të Madhe janë ekzemplar i veçantë në këtë aspekt, sepse ata u ndjekën, burgosën, internun e vrarë nga pushteti i ri komunist, për qëllime të tyre ideologjike.

Por me këtë rast duhet thënë se popullsia shqiptare e Malësisë në kuadër të Malit të Zi ishte në mes dy zjarreve (Mali i Zi dhe Shqipëria) sepse pushteti i instaluar komunist nga viti 1944 e më pas, në shënjestër kishte personat me autoritetet dhe familjet me ndikim shoqëror. Kemi të bëjmë me plane djallëzore të komunistëve për eliminuar kundërshtarët apo siç kanë cilësuar ata të armiqve të pushtetit popullor.

Në këtë kategori të personave bënte pjesë edhe djali i Shestanit e frati i Hotit, At Zef-Leonard Tagaj. Me qëndrimin dhe parimet e tia teologjike e shoqërore ai ishte i papërshtatshëm për pushtetin e ri. Si i tillë ai ishte pengesë në realizimin e objektivave të tyre kundër shqiptarëve në Malësi, përkatësisht në Mal të Zi. Ai u pushkatua pa gjyqë nga kriminelët e kohës nga njësitë ndëshkuese të ish Armatës Jugosllave. Dhe ky nuk ishte i vetmi sepse  kriminelët vranë edhe malësorë të tjerë, duke dëshmuar se e ardhmja e shqiptarëve në Malësi do të jetë e pa perspektivë dhe luftë për mbijetesë në trojet e tyre autoktone.

Lë të jetë ky përvjetor një nxitje për të hulumtuar e shpalosur para opinionit të gjërë martirizimin e shumë shqiptarëve në Mal të Zi të cilët u eliminuan  në forma të ndryshme nga pushteti monist nga viti 1944-1990, sepse kemi të bëjmë me dosjen e krimeve të komunizmit kundër popullsisë shqiptare.

Dhe në fund e them se është obligim moral, profesional e kombëtar i yni që të punohet sa më parë në këtë drejtim, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët!.

(Tetor 2020)