ETIMONI SHPIRTËROR I MODERNITETIT POETIK SHQIPTAR

0
364
Ramadan Musliu

Fjala e Ramadan Musliut – fituesit të Çmimit letrar “Beqir Musliu” për vitin 2017

Të fitosh sot një çmim letrar, pos si një nder, është edhe një provokim, sprovim i ndërgjegjes. Ç’kuptim ka çmimi në këtë situatë në të cilën sot është katandisur kultura, krijuesi i saj dhe përgjithësisht inteligjencia, po ende edhe gjithë shoqëria?

E cila është kjo gjendja?

Kohë e rrënimit të vlerave, kohë e imponimit të mendësisë së komercializuar deri në banalitet, kohë që ka premisa të një revolucioni kulturor kur krijuesi i nënshtrohet kërkesës për shërbesa politike se ndryshe do të jetë i përjashtuar edhe nga procesi social.
A është arti një instrument i politikës apo formë e realizimit të ekzistencës së vetë artistit apo, si dikur, ndërgjegje e kohës?!
Pyetjet janë të pafundme.

Pra, çmimi a e ka atë peshë sa për të qenë një lloj mirënjohjeje për një mund dhe investim jetësor?!
Dihet se krijuesi nuk kërkon ndonjë shpagim për mundin e vet, veprën, përmes të cilës e ka realizuar ekzistencën e vet duke ndërtuar një lloj oponence me mendimin zyrtar sepse çdo vepër e mirëfilltë artistike e përmban një herezi të brendshme.
Por, ekziston edhe ana tjetër e medaljes : fakti që e bën të arsyeshëm çmimin letrar, emri i Beqir Musliut.

Në situata të caktuara historike ekzistojnë disa personalitete që janë referenca morale të së kaluarës, të së tashmes e po, ende edhe të së ardhmes. Këto referenca, jo vetëm artistike e letrare, por veçanërisht morale, ngase anticipojnë rrjedhën e historisë, janë krijuesit, ata që arritën të ndërtojnë një mendësi ndryshe dhe që hapën një perceptim tjetër për kohën e vet si fragment të historisë së përgjithshme të një kombi.

Kur flasim për këto figura referenciale, kemi parasysh gjithë një brez që identifikohet përmes disidentit të pashoq, Teki Dervishi, një potencial krijues dhe intelektual ekzpempël për të gjitha kohët, me gjurmët e tij më të fuqishme në dramaturgji; ekziston një Ymer Shkrel, me prozën romanore dhe veprat, që janë shembull i një origjinaliteti konkurrues për këtë zhanër në përmasa më të gjera; është një Ibrahim Rugovë, emancipues i mendimit kritik e teorik, po edhe politik ndër shqiptarët; është një Jusuf Buxhov dhe psikohistoria e tij romanore me faqet komplementare nga shkenca historiografike, përmes të cilave rizbululohet madhështia e historisë sonë, që është bazamenti i evropianizimit të sotëm. Mirëpo në këtë mozaik shkëlqen edhe etimoni shpirtëror i modernitetit poetik shqiptar, Beqir Musliu, emrin e të cilit e mban, pra, ky çmim.

Çmimi që e mban këtë emër e ruan kujtimin për njeriun, krijuesin dhe asketin e madh, i cili fjalën e shkruar e kishte një formë superiore të ekzistencës.

Gjithmonë në këto situate të trandjes së ndërgjegjes kolektive do t’i kthehemi shëmbëlltyrave të këtilla, të gjejmë atë qenësoren identitare nga ato vizionet e tyre për të ardhmen, nga bota e tyre imagjinative, që është kongruente me fatin tonë të ardhëm.

Po si do të ndjehet njeriu për një moment kur e kujton fatin e gjithsecilit, vendin e tyre në mbamendje tonë, po edhe margjinalizimin e tyre e veçanërisht fatin e gjithë atyre të tjerëve që janë në atë vazhdë të ndritshme, jo vetëm të artit, por edhe të shëmbëllesës se tyre morale?

E gjithë kjo vjen nga fakti se kemi humbur sensin dhe ndjeshmërinë për kuptimin e vlerës, kemi humbur vetëdijen për historinë dhe të ardhmen. E ai që e humb vetëdijen për historinë atij i përsëritet historia në trajtat më të shëmtuara.

Çmimi letrar, i cili e mban emrin e Beqir Musliut, në mënyrë të tërthortë na e kthen shpresën se vepra e tij është mes nesh, është në kujtesën tonë se e gjithë ajo pasuri e poezisë së tij, e prozës se tij, dramaturgjisë dhe e gjithë bota mendore e Beqirit është gjallë ndër në, është ajo pasqyrë që do ta reflektojë shëmtinë tonë ku kemi rënë dhe do të na japë shpresë së do të vijë një kohë kur do të ringrihemi.

Idetë e këtyre personaliteteve referenca ishin prijatarë edhe të proceseve të reja të historisë së shqiptarëve gjatë viteve të ’80-ta, dhe krijuesit e platformës politike për Kosovën shtet të pavarur, cili nga projekti ideor u konkretizua në mekanizma të shtetit dhe të projektit për një shtet evropian që gjeti një përkrahje të gjerë ndërkombëtare.

Përjashtimi i tyre nga kujtesa jonë e solli këtë krizë të ndërgjegjes, krizë që na ka vërshuar nga të gjitha anët dhe e rrezikon të ardhmen tone historike.

Janë këto personalitete referenciale, është vetë emri i Beqir Musliut, që më lehtëson ndërgjegjen se sot ky çmim letrar nuk mund të jetë një pamje për korruptimin e ndërgjegjes, dhe më bën të jem falënderues për atë që më nominoi si kandidat, për jurinë e çmuar, Antonin (Nikë Berishën), Sabitin (Rrustemi) dhe Xhevatin (Latifi) që ma ndau çmimin, për sponzorin e tij, që është kreu i kësaj komune, z. Lutfi Haziri, po edhe për pjesëmarrësit e angazhuar apostafat rreth këtij ceremoniali, Nexhat Rexhën, Prend Buzhalën , Xhezide Selimin e Diana Toskën.

Me Beqirin në kujtesë, me kujtimet e tij si mik dhe si krijues, me evokimin e ideve të përbashkëta që kishim, e ndjej veten të lehtësuar, për të mos thënë edhe krenar.

I falem kujtimit të Beqirit, shëmbëlltyra e të cilit na rri si një fanar drite duke na ndriçuar shtegun e moralitetit në jetë.
Ju faleminderit edhe juve të gjithëve që më nderuat me praninë tuaj në këtë ceremonial.

Ramadan Musliu
Gjilan, 24 qershor 2017

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet dhe shkrimtar