Frederik Ndoci: Jeta artistike vetëm tallava gjatë verës, Ministria e Kulturës nuk ndihmon artistët më të mirë

0
921
Frederik Ndoci

Sot, 21/08/2016

Kantautori Frederik Ndoci me krijimtarinë e tij në këngë mbetet një nga emrat që publiku gjithmonë e ka vlerësuar. Këngët e interpretuara prej tij edhe pse janë krijime të realizuara para disa vitesh vazhdojnë të kenë vëmendje, por ky vlerësim vijon dhe me krijimtarinë që kantautori zhvillon sot si në muzikën e lehtë apo dhe atë popullore qytetare. Në intervistën e tij, kantautori tregon se ka kaluar një verë të bukur bashkë me familjen, por problem sipas tij është dhe fakti, që jeta artistike gjatë kësaj kohe nuk zhvillohet ashtu si duhet.

Kantautori flet për mungesë vlerash në muzikë, dhe sipas tij përgjegjësi kanë jo vetëm vetë artistët, por dhe institucionet. Buxhetet e pakta në jetën artistike janë problem, por kur flitet për Ministrinë e Kulturës, kantautori pohon se mungon vëmendja që duhet ndaj artistëve dhe institucioneve. Mbetet një nga artistët më të vlerësuar me krijimtarinë e tij, këngë që në skena brenda dhe jashtë vendit kanë njohur suksesin, dhe në këtë rrëfim në sezonin e verës, kantautori zbulon dhe projektin për albumin e ri, i cili do të përmbledhë 16 këngë.

Si po kalojnë për ju ditët e verës?

Si zakonisht vera është një stinë e lodhshme për ata që kanë fëmijë të vegjël, sidomos dhe ne që kemi dy fëmijë të vegjël. Por vera gjithmonë është dhe stina e stërmundimit me dashje, sepse artisti ka më shumë fruta në verë se sa në dimër. Kjo sepse vera është e lodhshme, por dhe e bukur. Por tashmë ne me familjen i kemi mbaruar pushimet dhe mendoj që kemi kaluar një verë të bukur bashkë me fëmijët. Kam qenë në plazhin më të mirë të Ballkanit, në Velipojë. Është një vend, që është shumë i mirë dhe për fëmijët. Por ne duhet të jemi sa më të kujdesshëm me turizmin, sepse Shqipëria nuk ka forcë prodhuese, duhet të ketë vëmendje te turizmi.

Po jeta artistike, si zhvillohet ajo në funksion të turizmit që ju pohoni?

Shqipëria vendi që ka prodhuar më shumë këngëtarë dhe jurist, vendi që ka më shumë superprodhim në këtë fushë, domosdo do të ketë këtë nivel, pra nivel mesatar drejt zeros në sistemin e shijeve të muzikës. Kush e shkatërron shijen? E shkatërron artisti, ai që e quan veten të tillë. Po a duhet ta quajë gjithkush veten artist? Nëse je artist i vërtetë duhet të debutosh në konkurrime të ndryshme dhe të tregosh që ke diçka me baza. Por tek ne treçereku që dalin këtu janë artist lokalë, amatorë.

Niveli i krijimtarisë dihet, nuk kemi pse të flasim. Tek ne krijimtaria është e lirë edhe pse në botë ka kontrolle për vlerat. Në Amerikë çdo ditë dalin 1 milionë këngë hip-hop ose rep, por një prej tyre ka sukses, të tjerat mbesin në lagje. Por në Shqipëri kemi me mijëra DJ, që venë një CD dhe e quajnë veten të tillë. I jep vetvetes të drejtë ta quajë veten DJ edhe pse nuk ka mbaruar asnjë shkollë muzike, vë kufje në vesh dhe vendos CD, por ai nuk është i tillë, në botë DJ është krijues.

95 përqind e DJ në vendin tonë nuk janë të tillë. Në verë unë shikoj thjesht vetëm disa organizime që bëjnë disa media të mëdha, por dhe kjo nuk mjafton. Por duke qenë se etja është e madhe njerëzit shkojnë sipas shijeve. Në veri dominojnë këngëtarët nga Kosova, sepse performojnë me një çmim më të ulët dhe fusin kulturën e tyre, por që është si ajo e amatorëve tanë. Kosovarët duan muzikën, që quhet tallava, muzika më e rëndomtë që i ka ardhur kohës në Ballkan. Gjatë verës në bregdet rreth 90 përqind vend zë muzika tallava, se sa ajo krijimtari muzikore e mirëfilltë. Kjo muzikë dëgjohet gjatë verës jo pak, madje dhe DJ amatorë në një dasmë muzikë tallava venë. Tallavaja është një muzikë e Azerbajxhanit, Pakistanit e futur me fjalë shqip. Kjo është shumë problem.

Kur është shumë problem, çfarë duhet bërë për ju si artist?

Tashmë Shqipëria me muzikën tallava gjendet në mes të oqeanit, është shumë larg brigjeve. Ndaj ne jemi shumë vonë. Kjo temë mund të ishte bukur në vitet ’95-’96 kur filloi të sillte frutet e para tallavaja. Atëherë edhe muzikantët e mëdhenj e kanë kultivuar këtë lloj muzike. Ideja e tallavasë është sepse është më pak e kushtueshme. Nëse shikoni një artist me emër nuk këndonte dot 5-6 orë në një lokal, ndaj merrte dhe disa artistë të tjerë amatorë që bënin muzikën e tyre. Ndaj kjo u bë domosdoshmëri, dhe artisti i mirë detyrohej ta pranonte këtë.

Mbetemi te kënga, si kantautor po punoni për një album të ri muzikor?

Unë kam dëshirë që shumë shpejt të dal me një CD, jam në fazën e mbledhjes së fondeve për të paguar studion muzikore. Unë i kam bërë vetë këngët, kam grumbulluar këngë shumë të bukura dhe me tekste shumë interesante. Shumicën e teksteve i kam shkruar vetë, por kam dhe bashkëpunime. Ndërkaq jam në një bashkëpunim dhe me kantautorin e njohur italian Mario Cestari për një këngë. Nuk është se nuk kam pasur mundësi ekonomike për të bërë një CD të re me këngë, por tek ne del në treg CD dhe fiton para ai që e shet, sepse unë nuk fitoj. Aktualisht CD e mia shiten në gjithë dyqanet e Shqipërisë, por unë nuk marr asnjë lek.

E drejta e autorit është shumë problem. E drejta e autorit tek ne është të bërit not në moçal. Tashmë unë duhet të gjej dhe një sponsor që të bëj një CD. Nga e drejta e autorit këtu jam dëmtuar shumë. Por më kanë dalë në Amerikë 100 milionë klikime dhe është një avokat që po merret me këtë për mua, dhe sigurisht që atje paguhesh. Tek ne nuk pyet kush, di që dhe këtu ka artistë që marrin para nga klikimet në Yotube, por unë për këtë deri tani nuk kam bërë asgjë.

Për një artist si ju që keni dekada që merreni me aktivitetin muzikor, sa shqetësues është dhe gjendja që kanë institucionet e artit. Në Tiranë çfarë mund të na thoni kur ju i shikoni çdo ditë se në çfarë gjendje janë, pa investimet e duhura, buxhete të pakta për aktivitete, etj?

Duke qenë se shumë gjëra janë mbrapsht në Shqipëri, edhe institucionet kulturore janë në hall. Ne kemi në opera artistë, por gjithmonë kam thënë se duhet audicion. Infrastruktura vazhdon të jetë me shumë probleme. Në monizëm infrastrukturën e ka mbajtur shteti, por në kapitalizëm nuk duhet ta mbajë vetëm shteti, duhet dhe privati.

Por janë institucione nën varësi të Ministrisë së Kulturës?

Kjo është gabim. Që kur kam ardhur në Shqipëri kam thënë pse institucionet e artit janë shtetërore dhe nuk vihet dorë mbi ta, nuk investohet? Ka buxhete për këto institucione normal, por rrjedhin, ikin ato para që duhet të investohen. Çdo vit ka para për mirëmbajtjen e një institucioni, ka një tarifë, por ajo ikën diku tjetër. Mendoj se ka probleme dhe abuzime me fondet ndaj janë sot në këtë gjendje institucionet e artit.

Në këto vite e fundit, në gjykimin tuaj sa ka bërë Ministria e Kulturës në zhvillimin e jetës artistike?

Unë nuk e di forcën e kësaj ministrie, por shikoni Frederikun. A është Frederiku për ti dhënë Ministria e Kulturës një fond sa për të paguar një studio? Është, por asnjëherë nuk ka dhënë fond.

Në ministri shpallen thirrjet për projekte të ndryshme, edhe ju duhet të aplikoni?

Edhe mendoni se do të na paguajë ne Ministria e Kulturës? Nuk e ka atë fuqi ministria që të paguajë ta zemë dhjetë artistët më të mirë shqiptarë. Buxhetet gjithmonë janë diskutuar në ministri, ose nuk ka buxhet, ose shkon diku tjetër.

Pohohet se kemi një skenë të pavarur kulturore të varfër. Në gjykimin tuaj, si duhet të jenë projektet dhe politikat e ministrisë në ndihmë të zhvillimit të saj?

Ministria, por dhe bashkitë në qytete të ndryshme kanë një buxhet të caktuar për një artist, për një koncert, ku mua më ka ndodhur që të bëj koncerte me bashkitë, por buxheti i tyre është shumë i vogël, për atë që duhet për një koncert. Nëse merr Pallatin e Kongreseve duhen miliona lekë për qeranë, dhe artistët e kanë të vështirë. E ripërsëris, që fondet ekzistojnë në ministri për artin dhe kulturën, por nga mosfunksionimi i rregullt ose nga ajo që quhet korrupsion qeveritar dhe ministria është pjesë e qeverive ka pasur mendoj shkelje dhe në këto fonde të artit dhe kulturës. Kur ka mjegull dhe anarshi përfiton gjithkush. Përfiton edhe ai i rëndomti.

Edhe pse ju folët për probleme në muzikë, në aktivitetin tuaj ju interpretoni këngët tuaja ku edhe ato që janë krijuar para shumë vitesh nuk harrohen?

Kjo varet nga interpretimi, muzika, teksti. Janë disa komponentë që e bëjnë një këngë të pavdekshme. Por për ti treguar njerëzve që vazhdoj të jem aktiv, për CD e re që po punoj kam bërë një zgjedhje me 16 këngë.

Përmendët tekstet në këngë, por që lënë për të dëshiruar jo pak tekste në këngët që interpretojnë këngëtarët sot?

Ata që shkruajnë tekste këngësh të bukura kanë mbetur pak, përmend këtu Agim Doçi, Jorgo Papingji, Sokol Marsi, ndonjë tjetër emër, por kemi dhe një autor të ri si Olti Curri, që shkruan bukur. Por kuptohet që në Shqipëri po tërheq më shumë vëmendjen fenomeni pse më le, pse më tradhtove, unë pa ty nuk jetoj, probleme aktuale të shoqërisë por të vërtetuara që muzika nën mesatare bazohet në këto tekste të rëndomta. Problemi sot në të shumtën e teksteve të këngës nuk ka mesazhe. Teksti i këngës ka humbur shumë, sepse e kam thënë kur të sjellësh sasi shumë nuk ke ku ta marrësh cilësinë në këngë. Arti ka probleme, muzika ka shumë, por kinemanë sikur e shikoj pak më të avancuar se sa artet e tjera në Shqipëri.

Çfarë shikoni në kinemanë shqiptare, ju dhe vetë jeni angazhuar me filmin?

Ka organizime më serioze për kinemanë shqiptare. Shikoj që filmi jonë po prezantohet në botë në festivale. Më gëzon fakti, sepse skena delikate e kinemasë është kuptuar pak më mirë nga profesionistët dhe nuk ka hyrë tallavaja në kinema, pra nuk ka hyrë filmi i rëndomtë. Në muzikë vazhdon muzika tallava, sepse është një art pak më i koncentruar dhe më i vogël, dhe është e thjeshtë të bësh çfarë të dish ti, dhe dija jote padrejtësisht quhet art. Por kemi dhe muzikën serioze që lëvrohet prej pak njerëzve në Shqipëri dhe ajo është në ujëra të mira, sepse zhvillohet në mënyra më të mira.

Muzika popullore, shikoj që kur organizohen disa festivale edhe aty vërshon pak vulgu, por njerëzit mundohen të ruajnë sistemin e një muzike që ka qenë në vitet ’50 dhe nuk kanë ngelur thjesht në një lloj orientalizmi, por që quhet krijimtari. Ndërsa vjedhja e një muzike të huaj të futur në sistemin e këngës popullore me tekst shqiptar quhet krim, është një fenomen që e ndehshim shumë fatkeqësisht. Largimi nga tabani kombëtar është vepra më kriminale që mund të bëjnë edhe artisti që është emër, edhe artisti që e quan vetën të tillë, si dhe kompozitori që është me emër dhe ai që bën një këngë.

Do merrni pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH këtë vit?

Nuk besoj, është një vend ku abuzohet. Nuk kam pse marr pjesë. Nuk mund të marrësh shputa nga i paafti.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/