KALLËZIMTARJA H

0
374
Mehmetali Rexhepi

Meti Rexhepi

Dora e vogël e Shikimit nën dorën me shpinë damarësh të fryrë të gjyshes. Koha i kishte lidhur e zgjidhur duart e Motit me Ngazëllimin dhe ato të Ngazëllimit me Shikimin. Herë-herë edhe Moti ia kapte ato duar me damarë krejt të theksuar plakës së përvuajtur. Kapja e duarve mes Motit, Ngazëllimit e Shikimit është kapje brezash… Por, në këtë lidhje degësh ndonjëra këputej. E këputnin të ngrehurat e forta të kushtëzimeve…

Njëri nga lastarët rritej i shkëputur prej tjetrit. Prekja e bashkuar përshkohej vetëm nëpërmjet një paterice e trajtës së kutisë, një cingërime celulari, një ose më tepër alo-sh dhe, pamja e dashur sa kutia e celularit, qindra-mijëra kilometrash ndërmjet asaj fytyre të habitur ose të zhytur në rrëfimet e lëvizshme, para syve të kutisë magjike i jepte impulse mallit.

Përrallat e Shikimit janë fare të dukshme, figura të vegjlish të guximshëm mes ujqish ulëritës, arinjsh të marrë, rinoqerontësh budallenj, elefantësh të ngathtë, drerësh të frikësuar, hienash tinëzare, derrash turinj-pistë, zebrash laramanë, shqiponjash shigjetare, gjarpërinjsh befasues, buajsh të përgjumur, gomarësh naivë, dhelprash dinake, luanësh sedër-mëdhenj e grabitqarë… Të gjithë “paqësorë”, tekanjoz ose lakmitarë në serinë e intrigave të kurdisura. Njeriu dirigjon të panatyrshmen aq sa t`i mbërrijë shkopi i tij. E tillë është mrekullia e përrallës moderne për fëmijët e sotëm.

Jo rrallë hasen skena të dhimbshme dhe qesharake njëkohësisht si: rropatjet e arushës për t`i futur turinjtë zgorreve të thella e të ngushta hojeve të mjaltës lisave… Pësimet e lakmisë dhe tundimi i shijes paguhen me kosto vurratash, gërvishtje të përgjakshme, pickime të tmerrshme bletësh punë-arta. Instinkti i tundimit të lakmisë, e kishte yshtur të ngjitej ariu në majën e hollë të lisit të lartë mbi malin shkëmbor… Lakmia dhe pamundësia të papërputhshme, do ta kenë një rënie dhe rrokullisje deri në fundin fatal të humbellës…

Moria e përrallave Shikimit i shprehej kësisoj, ashtu si nuk i kishte kapur veshi, as parë syri i Motit. Kishte mbetur naiv në atë që vijëzohej si globalizëm; nuk do ta tumirte me dashje një kurth të ri të botës; disi nuk i mbushej mendja se duhej të hynte nën një çadër sa vetë globi… Gjithnjë kishte diçka të frikshme brenda këtij sheshimi global? Rikthimi “paqësor” i fantazmave të “zbutura”, të cilat i kishin zhbërë të parët më parë; shthurje gardhesh të sintaksës tij, përzierje dhe humbje autoktonësh…

I dilte prej koke dhe i sillej rreth qafës dendur litari i mendimit, shtrëngueshëm i mbështillej derisa merrte trajtën e gjarprit të gjallë, që mund ta shtrëngonte deri në ngufatje të frymës! Ndonjëherë globalja i ngjante pandemisë globale të virusit “Covid 19”; herë tjetër si mundësi e përbashkuar për t`ia vënë kllapat fantazmës tinëzare, që fshihet në erë-ëndjen e lules… Nuk e nxjerr lulen e ballit që ta godasësh… Godet aty ku nuk e pret…

* * *

– Përrallat e gjyshes sime nuk ishin përralla të ekranit, as filma vizatimorë të luajtur – tha Moti.

E tëra ishte në kallëzimet e zërit, ndonjë herë të çjerrë, një ngjyrësh të kallëzimtares pa prokurorë, pa gjykatës, pa trup gjykues, pa avokatë… Për Motin prore kishte diçka të pa thënë, një gjëmë e varrosur për qindra-mijëra jetesa, por pa varre?!… Ai ishte shpirt tejet i ndjeshëm… Sikur e thërrisnin nga nëntoka zëra me lutje e përgjërime, vaje të ngufatur shtalpakësh… Përralla e thadruar në fundin e shpirtit tij, doli të mos ishte përrallë!… Çfarë?… Si e kishte ushqyer e rritur foshnjën e gjetur në pyll arusha?! Si mund të kishte aq amësi, aq mirësi ajo kafshë pylli për foshnje njeriu?!

Arusha e kishte ngrohur pa pelena, pa veshje të dimrit atë foshnje të gjetur pyllit… Gjithsesi merrej me mend dhimbja e asaj mamaje anonime për foshnjën e shkëputur prej trupit të vet!… Një copë e zemrës ishte ndarë dhe hedhur në pyllin e dimrit kallkan!… Kronika i bie ndesh përrallës… Ajo shqipton zhvendosjen masive të autoktonëve prej barbarëve me simbole drapërinjsh e sëpatash… Ec, ec e ec… Pa cak, asgjëkund… Ecje, ecje, ecje, ngjitje e rënie, ngritje… Nëna e re me dy foshnje në gjinj dhe tre për dore, do t`i ngrijë gjysma e trupit dhe, njëri krah do ta linte jashtë saj njërën foshnje në borën deri në gjunjë me vajin e ngopur!…

– Po babai, ku ishte ai? – Doza mllefi të Shikimit ishin drejtuar tek gjyshi.
– Mund të ishte vrarë nga barbarët që zgjeronin hapësira mbi të tjerët… – dhe kishte vijuar:
– Ose atë fat-prerë, mbetur i plagosur, do ta kenë ngrënë bishat e uritura…
– I dashuri Shikim! E di se nuk të pëlqejnë këto “përralla” trishtuese…
– Por, gjysh a nuk më dëftoje se këto nuk ishin “përralla” fantastike?
– E saktë. Nuk ishin sikurse “përrallat fantastike”, por është proza gojore e pashkruar e gjyshes.

Të pandërprera ishin luftërat këndej… Luftëra të pabarabarta, tej logjikës njerëzore!… Me bajoneta e bekimin e popëve të kishave, nënave u kishin nxjerr foshnjat prej barkut!…

Në këso rrëfimesh ndonjë herë nuk dukej fare agimi. Ditët ngjanin të hirta pa shkëlqimin joshës të agimeve, të zymta, muzgje të errëta të mbushura me keqbërës, kuçedra shumëkrerësh, përbindësh trajtash të ndryshme… Në çdo rrugë a rrugicë hasej leckamani, ose turma leckamanësh me kapele yll-kuqe në kokë, me pushkë në dorë, me të shara në gjuhën e tyre dhe, aty për aty të bënin gjyqin, dënimin kapital të ekzekutuar me vrasje…
Motit i ishte mbjellë në papirusin e kujtesës vetmia e plakës që hante gjunjët e vet! Si i atillë ai motiv as në valë gëzimesh nuk i tretej…

– Jeta thurë edhe fate të tilla… Jeta, jeta… – e përsëriste.
Plaka e verbuar, e vetmuar, fillikat vetëm afër oxhakut pa zjarr, me krande që nxirrnin jo flakë por, tym, kundërmim bloze. Ulur mbi një shkamë trekëmbësh, pa çati mbi krye, mallkonte jetën pse nuk ia binte vdekjen… I lutej sorrës për glasën në krah që t`i lëshonte edhe tjetrën dhe e bekonte:
– Pik sorrë të lumtë ajo bythë!…

Rrëfimi në gojën e gjyshes për plakën e verbër e të vetme, që lëpinte glasa sorrash, ishte shtresuar në shpirtin e Motit jo thjesht si një kallëzim i trajtës dëftore, as si ndodhi e kaluar… E tërë legjenda gojore ishte njëngjyrëshe, pa asnjë fije ngjyrash të ndezura… Pse ndodhia perceptohej pikërisht si e tillë? Pse nuk ishin derdhur ngjyra tjera mbi të? Ndoshta pse e rrëfente mosha e tretë dhe kënd-shikimi ishte i ngrystë? Moti nuk anashkalonte përbërësit autorial të rrëfimtares.

Andaj, i rikthehej portretit kallëzimtar të gjyshes, një arkivi të pa shpaluar, por e ndalonte diçka e papërballueshme për të… Nën ato hulli rrudhash, që ia kishin lëvruar me plugun e kohës dhimbja dhe mizoria, ajo ngjyrë e thinjur flokësh të lëshuar në shtratin e përhershëm, po të mos rridhte prej saj mirësia, butësia, qetësia të zgjonte përshtypjen e një shtrige përrallash! Në boshtin e fijeve të perit të kujtimeve mbështillej edhe dergja e gjatë e rrëfimtares së tmerreve…

– Mos ndoshta pikërisht jetëgjatësia e dergjës në shtrat i kishte përcaktuar rrëfimin e një ngjyrshëm? – i pohonte hamendshëm Ngazëllimit në njërin nga takimet e përmallshme.
Pothuajse kësaj rrëfimtare shija për ngjyra të tjera i kishte humbur, ose që të gjitha ngjyrat e saj ishin shkrirë në një, në ngjyrën e dergjës së pafund…
– Nuk muj mu shnoshë as n`vorr… – e thoshte gjyshja për të satën herë…

Secilën herë që i kthehej kallëzimeve të gjyshes H, Motit i sillej një sfond i zbehtë. Përse vallë të ishte i atillë sfondi njerëzor ngaqë gjyshja H e kishte marr me vete? Kush e di? Mbase ai shkak ishte sikurse një zog fluturues, që nuk ia përcaktoje dukjen gjatë fluturimit, por ai fluturonte drejt cakut dhe, e shihje kalimthi përmes shikimeve tua të zbehta. Të dukej si një pikë e zezë që fluturimthi të është drejtuar ty dhe, sakaq mbi ty do të shpërthejë, por ngritja pingulthi qiellit ta kishte lajthitur ndjesinë paragjykuese të goditjes.

– Me llambë vajguri mos prisje sfond të shkëlqyer ngjyrash?
Veta e zgjuar ia pohonte pikëpamjen tjetër Motit:
– Imzot Pjetër Bogdani në perin e një drite të zbehtë kandili lidhte miliona shkronja e kuptime, mirëpo, në ato shenja zhdavariste sfondin e zi me bardhësinë e vet.

* * *

Koha kohës i merr dhe i jep diçka të vetën… Kallëzimet gojore të H-s imagjinatës së Motit i kishin hapur një anames me shumë enigma, me shumë trajta të pashtjelluara për jetën e vrarë pararendëse dhe më pastaj… Në atmosferën e shpirtit të tij e shihte edhe vetën viktimë, sikurse Zuka… Ia kishte pohuar Ngazëllimit, por edhe këshilltares së besueshme të tij:
– Fatkeqësisht jam në rrjedhën e gjeneve të gjyshes H. – e konstatonte këtë identitet të gjeneve të tij.

Ajo me pëshpëritje i lutej kultit të padukshëm shpëtimtar; shqiptonte fonema bekimesh jo vetëm për vetën e saj. Shfaqej prore e trazuar, sepse mizoria ishte shtrirë në shtratin e shpirtit dhe nuk i shqitej dot. E kishte pushtuar dhuna e dimrave mizorë të “hyqmetit” dhe stinëve vijuese. Në të gjitha rastet, në të gjitha lëvizjet e Motit dhe të motakëve në hapësirën e dhënë, gjyshja H përqendrohej mbi ta me shikime pothuajse shteruese! Pse?

Të linte përshtypjen se nuk do t`i shihte më, se ishte hera e fundit që i shikonte dhe, ata i shikonte si të paqenë, viktima të ardhshme uraganesh, mllefesh… I avulloheshin sytë dhe pashmangshëm i lotonin, ndonëse shmangej t`i dukeshin kokrrat e nxehta e të njelmëta pjerrtësisë së faqeve e të çarave të rrudhave. Dikush i përvojës së pjekur ngrehu përkufizimin:

– Mosha e thyer e pleqërisë i ngjan zverdhjes dhe shirave të mërzitshëm të vjeshtës.
Foton e vendoste dhe e zhvendoste nga pala e njërës në palën tjetër të këmishës kur e fuste në kazanin e teshave të palara. Ajo foto, e vetmja foto, ishte thyer e zhveshur në katër cepat dhe mesi ishte bërë përrua shumë përroskash. Ishte njëra nga sendet e çmuara, më të çmuara se sa ari i nusërisë së harruar; ishte burimi i pikëllimit që rrjedh, ishte pamja e vetme jetike e djalit Zukë, të zhdukur… Fotoja ishte një copëz pranvere e djegur dhe dimër i ngrirë për sytë dhe duart e gjyshes H. Moti pak nga pak e zbërthente njëtrajtshmërinë e pleksjes së ngjyrave në një, në të hirtën e zjarrit të fikur…

Ai nuk kishte arritur ta kuptonte dhe Ajo nuk duhej t`ia thoshte, pse ia shikonte aq gjatë fytyrën, trupin, ecjen, uljen në sofër, qeshjen, tisin e vrerosur të fytyrës, shtrirjen e tij në shtratin e gjumit?… Shikimet e Asaj nuk kishin të ngopur. Deri ku mund të depërtonin shikimet e atilla, që ndonjëherë i bëheshin të bezdisshme Motit, aq sa largohej dhe dilte në oborr ose jashtë gardhit të shtëpisë?… Ai e dinte se po të ishte zgjuar gjyshja H prej shtrati, shikimeve të saj assesi nuk do t`u shmangej.

Vera që ndezte miliona koftorë mbushte qosh më qosh valët e ajrit të ngrohtë. Loja me gjësende të vogla lypte ombrellat e hijeve të gjetheve; sidomos joshte larja te lumi nën shelgjishte. Kërcimet dhe të hedhurit në stoqet e kamareve të kashtës, gjatë lëmes së korrje-shirjeve, ishte njëra nga kënaqësitë dhe mundësi paksa më e kursyer prej atyre syve të pangopur, të Asaj plake që dergjej. Moti e kujtonte vetëm si të tillë, tatuazhin e një gjysheje të lidhur përjetësisht për shtrati…

* * *

– Padyshim fëmijëria është thesar i pa rikthyer i jetës… – e përsëriste Moti në çaste dallgëzimesh të ndjenjave.

Vargu i fragmenteve të asaj bote të mbyllur i vinte dhe paqësohej. Ishte bota e virgjër e fëmijërisë, ajo që lojën dhe harenë e çonte përtej shtrëngesave zyrtare… Kënaqej në lumin e kthjelltë ku lahej dhe pinte ujin e lumit, nganjëherë pa dashje, kur zhytej në vorbulla dhe i hapej goja e qeshjeve të lajthitura e, uji priste shtegun e zbrazët për mbushje të tepruar të zgavrës së gojës. Pasonte frika dhe shtytja e beftë për dalje në syprinë. Ai mëtonte t`i kapte me dorë peshqit e rrëshqitshëm në ujë, e bezdiste gugatja e bretkosave frikacake.

Ndiqte fluturat ngjyrë-ndezura, ngjitej në shelgjet e stomit të lumit dhe kërcente kokë-poshtë në shtjellën më të thellë, dilte i gërvishtur buzëve lym-ngjyera… Koret e zogjve, guguçet e pëllumbave nga çerdhet majë shelgjeve, hijet i jepnin ritme e atmosferë verës… Laheshin shikimet mbi blerimin e lëndinave, livadheve lule-bardha, lule-verdha, lule-kaltra, drunjve, pemëve floktare me kurora gjethesh… Mpiheshin dhëmbët prej kafshimeve të kokrrave të papjekura, ethe virozësh…

– Pse babai të shumtën e herës në pikën e praruar të stinës dukej i vrerosur? – Meqë pyetja nuk i bëhej zëshëm atij përgjigja mbetej pa jehonë…
Ndonëse klasat e mësimit që ndiqte i mundësonin t`i lidhte shkronjat, të cilat formonin kuptime, në fytyrën e babait nuk ishte shkruar asgjë që të lexohej, pos vrenjtësirë e cila i bënte kontrast prarimit të natyrës. Një mbrëmjeje pas darkës, Moti kishte dëgjuar ca trokitje të forta në derën e drurit të plasaritur ngjitur për rrethojën e gardhit. E pa të atin e zbehur teksa shkonte drejt derës.

Trazimi hyri në tërë shtëpinë… Kthimin e babait ia largonte pesha tejet e rënduar e gjumit mbi kapakët e syve, mandej ca qenie të zeza dhëmb-mprehtë, dhëmbët më të mëdhenj se trupi i tyre!… Në gjumin e mëngjesit freskisë i kundërmonte athtësia e urinës, puthja e lagësht me disa pika shiu në faqe… Se si ndjehej Moti mes dy gjendjesh: sikur flinte në oborr përderisa mbi të rigonte shi… Shikimin e parë të zgjimit ia gëlltiste kaltërsia, por fajin e urinimit në shtrat kujt t`ia linte?… Lumit?…

Sikur herëve tjera, edhe kësaj herë, hisen e fajit do ta merrte gjyshja H. Ajo me ato shkarpa të tharë krahësh të kryqëzuar mbi kokën e kalamanit të dashur, priste ndëshkimet e thuprës së shelgut prej dorës nervoze të mamasë. Vijat e kuqe të mllefit krahëve e duarve të gjyshes, pas skuqjes ishin nxirë, si vija të zeza balte të rrotave të karrocierëve pas shirave. Roli i dorëzanës merrte edhe këso “shpërblimesh”…

* * *

Kujtimet jo të gjitha janë për tu nënvizuar. Por:
– Atëbotë dimri me dhëmbët e bardhë kafshonte fort pa derdhur gjakun.
– Strukeshim në dhomën e vogël prej qerpiçësh brenda shikimeve përkufizuese të gjyshes.
Ndonjëherë Ajo i lëshonte ato shikime të kullosnin edhe aty ku nuk kishte bari… Si dukej, nuk ia dirigjonin me saktësi reflekset e brendshme, por diçka e jashtme dhe e largët. Në periudhën e naivitetit të Motit, shikimet e tilla nuk zgjonin ndonjë peshë; porse ato shpesh i rrëzonin ofshamat…

Nipi dal nga dal i shtrohej prekjes për shkëputje sprovimesh, dëshmish të pathëna… Çfarë kishin ato shikime të Lokes? Po ofshamat e përsëritura tashmë në kohë “paqeje”? Si nip i dashur, që nuk mund ta linte pa mbështjellje shikimesh, megjithatë gjyshja H, atij nuk i hapi arkivin e dhimbjes së vet. As për të gjallë, as pas kalimit në amshim kur Ajo i mori me vete, me gjithë gërdallat e saj gjëmën, pikëllimin e trazimin e përjetshëm, Motit nuk i shqitej ajo rrjedh shikimesh me parandjenja gjasash për përsëritje të reja…

Ajo me shikimet e përqendruara mbi Motin lidhte dy periudha: periudhën e Zukës dhe të nipit. Ato shikime ishin shndërruar në bezdi, por shtyheshin nga instinktet ekzistenciale… Me ato shtytje instiktive, Ajo mëtonte të ruante vijimësinë e djalit te nipi, të atij djali të grabitur nga vatra!… Përsëritjet e ofshamës ishin përmbyllja e vajit dhe, vaji nuk është pus pafund, ai është ndjesi e ngopur. Çdo herë e kishte një fytyrë dhe kurdo herë njëshi i bëhej dysh e dyshi njësh. Me shikimet e pangopshme drejtuar Motit, dukej se zgjaste mandatin e ekzistencës së tre vetave… Më shumë se përkëdhelëse, pamjet mbi bijtë parandienin shtrëngatën dhe mosqenien e tyre! Dashuria e saj paralajmëronte kobin…

– Qesh gjithnjë i veshur prej pëlhurës së shikimeve të gjyshes – i thoshte Shikimit.
Instinkti i gjyshes H, i vijimësisë a shuarjes së trashëgimisë saj të gjallë, i solli paralizën e pashëruar, lidhjen për shtrati të asaj fisnikeje të dikurshme, të malësores, e cila me urtinë e ngërthyer i pajtonte zënkat e grave të qytetit.

* * *

– Gjysh pse nuk më ke folur kështu për gjyshen H?
– Nuk dëshiroja ta ripërtëritja dhimbjen e pafund edhe tek ti.
Pas pushtimit të heshtjes pasoi pohimi:
– Shikim i dashur! Në periudhën e dergjës gjyshja H më thoshte:
– Bir kur të des mos mi mshelni sytë, se due ta shoh edhe nji herë Zukën tem!
Ky dëftim ia turbulloi ditën Shikimit…

Gjilan, fillim-shtatori 2020