Serbia nuk e njeh Kosovën, deri në zhbërjen e saj!

0
283
Ambasadorja Ama Lama

Asosacioni si mekanizëm për çmontimin e shtetit të Kosovës

Shkruan: Alma LAMA

Para dy vitesh, gjatë kohës që isha me mision diplomatik në Itali, pata një përplasje verbale me përfaqësuesin serb, gjatë një dreke të organizuar nga ambasadori i një shteti europian, pikërisht për asosacionin dhe Kushtetutën e Kosovës. Pas argumentimit tim në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth kompetencave të asosacionit, ambasadori Serb e quajti justifikim pasi kushtetuta e Kosovës duhej të ndryshohej.

U desh ndërhyrja diplomatike e organizatorëve që debati të mos vazhdonte më tej, pas reagimit nga ana ime se është Serbia ajo që duhej të ndryshonte Kushtetutën, duke e hequr Kosovën si pjesë të saj. Psë paku prej dy vitesh për mua ishte e qartë kërkesa e Serbisë: Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj për të akomoduar asosacionin për komunat me shumicë serbe. Këtë kërkesë të Serbisë, që rezulton të jetë pjesë e strategjisë së tyre afatgjatë, me zë të lartë e tha në vizitën e fundit në Beograd, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak.

Madje ky i fundit shkoi më tej, tha se në Prishtinë askush nuk i kishte thënë se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet. Se sa e vërtetë është kjo, nuk e di, por që përfaqësuesit e Kosovës, para marrëveshjes së prillit të vitit 2013, ku  gjashtë pikat e para janë për krijimin e bashkësisë së komunave serbe (asosacionit) e kanë ndryshuar Kushtetutën e Kosovës për hir të kërkesave serbe. Dokumenti themeltar i shtetit të Kosovës është amendamentuar duke futur dhënien e amnistisë, gjë që hapi rrugën që në marrëveshjen e 19 Prillit, të bëhej e mundur falja e kriminelëve serbë në veri të Kosovës, që kishin kryer vepra penale për vite të tëra pas luftës.

E Serbia e di se Kosova mund të lëshojë pe, sa herë është para presionit ndërkombëtar, madje, presidenti i saj ka shkuar aq larg sa ka nxjerrë në pazar meVuçiqin edhe territorin. Por ndërsa projekti i shkëmbimit të territoreve, që në realitet ishte copëtim i Kosovës, dështoi, projekti i dhënies së autonomisë për serbët vazhdon të jetë gjallë dhe tashmë duket se këtë e ka përqafuar edhe BE-ja nëpërmjet përfaqësuesit të saj, i cili publikisht kërkon ndryshimin e Kushtetutës.

Dy ditë më parë edhe një organizatë me peshë në arenën ndërkombëtare , siç është Grupi Ndërkombëtar i Krizave, të cilën qeveria zgjodhi ta injorojë, doli me vlerësimin se Kosova i ka para vetës vetëm dy alternativa, ose shkëmbim territoresh, ose autonomi për serbët, nëpërmjet asosacionit.

Fakti që publikohen rekomandime të tilla, do të thotë se ideja e Beogradit se Kosova duhet patjetër të bëjë kompromis, pasi ata nuk mund “të mos fitojnë asgjë dhe Kosova të fitojë gjithçka” siç thotë shpesh Vuçiq, ka ecur shumë përpara.

Mes dy ideve, asosacionin që nënkupton autonomi, duket se e ka përqafuar dhe për të cilën po ecën me vrull edhe emisari europian. E në një tablo goxha të ndryshme gjeopolitike nga ajo e vitit 2013, shteti i Kosovës edhe njëherë po rrezikon të futet në një qorrsokak.

Ndryshimi i Kushtetutës për të cilën flet emisari i BE-së, do të thotë që Kosova të shkojë më tej me kompetenca për asosacionin, sesa ajo që ëhstë firmosur në marrëvshjen e Brukselit. Është e pritshme që kur bëhen marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet shteteve apo entiteteve shtetërore, të bëhen rregullimet ligjore përkatëse, mirëpo në marrëveshjen e vitit 2013, asosacioni është paraparë të themelohet sipas ligjit ekzistues.

Në marrëveshjen e 19 Prillit megjithatë, pikat nuk janë fort të qarta, të lëna të tilla me qëllim nga ndërmjetësuesit, pasi palët nuk kanë rënë dakord për të shprehur në mënyrë eksplicite kompetencat dhe mënyrën e funksionimit. Në këtë mënyrë ata mund të interpretojnë si të duan këtë marrëveshje.

Taktika e ambiguitetit, e stër-përdorur në çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, po rezulton të jetë problem vetëm për njërën palë: Kosovën, së cilës sërish i kërkohet të bëjë konçesione ndaj Serbisë, me gjithë lëshimet e mëdha që ka bërë në proçesin negociator të Vjenës.

Megjithatë në gjashtë pikat e para të marrëveshjes së 19 Prillit, shpjegohet se si do themelohet asosacioni, cilët do jenë anëtarët, ndërsa kompetencat që do të ushtrojë do të mbështeten në Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës. Qeverisja lokale në Kosovë është e bazuar plotësisht në parimet e Kartës Europiane, implementuar fillimisht nga UNMIK-u dhe më pas legjislacioni i shtetit të Kosovës. Por edhe të drejtat e minoriteteve që tashmë janë pjesë e Kushtettës së Kosovës janë të mbështetura në të gjitha konventat ndërkombëtare dhe ato europiane si dhe praktikat më të avancuara europiane, përfshirë nivelin lokal.

Tani duket se rrethanat kanë ndryshuar. Nga gjuha e përfaqësuesit të BE-së, ku në mënyrë eksplicite kërkoi nga Beogradi ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, është e qartë se në ç’drejtim po fryjnë erërat. Serbia vazhdon të luftojë për çmontimin e shtetit të Kosovës, pak e nga pak, hap pas hapi, kërkesë pas kërkese, deri në një autonomi për serbët, që do të jetë edhe fundi i shtetit të sotëm të Kosovës dhe krijimi i një Bosnje të dytë në Ballkan, modeli më i dështuar që ka prodhuar një marrëveshje paqeje në rajonin tonë.

Është e qartë se agjenda e ndryshimit të Kushtetutës, në lidhje me asosacionin është bashkangjitur gjatë rrugës, pasi edhe vetë BE-ja, siç e bëri me dije nëpërmjet një letre të përfaqësueses së lartë të BE-së Mogherinit, nuk parashihte kompetenca për një nivel të tretë të qeverisjes.

Ka gjasa që presidenti i Kosovës t’ua ketë premtuar në takimet e shumta, që ka pasur me Vuçiqin, disa prej të cilave edhe sekrete. Fakti që ai po flet me gjuhë të ashpër kundër asosacionit me kompetenca qeverisëse, e bën edhe më të besueshëm një skenar të premtimeve të tilla, duke pasur parasysh se gjithmonë flet të kundërtën e saj që vepron. Për më tepër që mbi të varet reja e Gjykatës Speciale, që nga dita në ditë mund të konfirmojë aktakuzën, që lidhet me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pranimi i kompromiseve të tjera në kurriz të shtetësisë dhe funksionalitetit do të thotë që atë që Kosova e fitoi me luftë dhe me gjak, po e humbet pak nga pak, për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm, që për të shpëtuar lëkurën e tyre, pranuan t’i hapnin shtigjet e kërkesave të Serbisë kur ato ishin mbyllur me pakon e Ahtisarit.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cilësuar si historike, që tejkaloi Pakon e Ahtisarit përsa iu përket të drejtave të Serbëve dhe akomodimit të tyre në institucione, duke dëmtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë ishte ahistorike.

Sot Kosova nuk ka asnjë alternativë përveçse të këmbëngulë dhe të mos lëshojë pe më tej, pavarësisht presionit të Serbisë dhe turravrapit të emisarit të BE-së.

I gjithë nxitimi për asosacionin, që ka shpërthyer ditët e fundit si një tajfun mbi Kosovën,është shumë i dyshimtë, pas vitesh zvarritjeje të këtij proçesi dhe gjithkush ka të drejtë të shtrojë pyetjen, pse tani?!

Përfaqësuesit Kosovës nuk duhet të harrojnë se me 17 shkurt 2008 e shpallën pavarësinë nga Serbia, duke u mbështetur në aspiratën e popullit shumicë shqiptar, jo duke menduar se çfarë do të thotë Serbia. Njohja e kësaj të fundit është e mirëseardhur, por jo e domosdoshme.

Problemet dhe destabilitetin e rajonit, për të cilin shtetësohen më të drejtë SHBA-ja dhe BE-ja,  po e shkakton Serbia, jo Kosova, prandaj presioni është mirë të drejtohet në Beograd, tek trashëgimtarët e Millosheviqit, që janë sot në pushtet.


Isa Mustafa:

Të nderuar qytetarë

Më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini e kam pranuar letrën me këtë përmbajtje:

Në konekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/ Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implemenrimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”.

Sot në diskutimin që e pata me z. Lajçak ia prezantova zotimin e BE-së që e kam marrë nga zonja Mogherini.

Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja.

Bashkëngjitur letra e Përfaqësueses së lartë të BE-së, znj. Mogherini e cila në atë kohë ishte Nënkryetare e Komisionit Evropian dhe Ministre e Jashtme e BE-së.