SHKRIMTARI NË ‘RRATHËT’ E KRITIKËS LETRARE

0
516
Labinot Berisha - Ibrahim Kadriu

Ajete Zogaj

“Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” (Vëllimi III); Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha; botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan, 2020.

Leximi i kujdesshëm i këtij libri, dëshmon qasjen shumëdimensionale të autorëve shqiptarë dhe të huaj për librat e Ibrahim Kadriut, si dhe qasjen dhe përkushtimin e përgatitësit dr. Labinot Berishës në përzgjedhjen e këtyre punimeve.

Krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut vazhdon edhe më tej të zgjojë kureshtjen dhe interesimin e lexuesve dhe të studiuesve të letërsisë, për shumëllojshmërinë e veprave, qoftë në prozë, në poezi, për të rritur e për fëmijë, libra monografikë, veçmas për romanet me tematikë historike.

Në shtypin ditor dhe në revista letrare janë botuar vështrime të shumta kritike, nga autorë shqiptarë dhe të huaj, të cilët e kanë trajtuar veprën e tij nga këndvështrime të ndryshme. Këto punime i zgjodhi me përkushtim studiuesi dr. Labinot Berisha dhe i botoi në librin “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut ”. Vëllimi i parë u botua më 2015; i dyti më 2018, ndërsa i treti pak kohë më parë.

Punime që ndriçojnë veprën letrare të Ibrahim Kadriut

Vëllimit të tretë – “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” i paraprin fjala hyrëse “Vazhdimësi e leximit dhe e komunikimit të veprës së Ibrahim Kadriut” nga dr. Labinot Berisha, ku me pak fjalë njoftohen lexuesin rreth asaj që përmban libri dhe me metodologjinë e përdorur në hartimin e tij.

Leximi i kujdesshëm i këtij libri dëshmon qasjen shumëdimensionale të autorëve shqiptarë dhe të huaj për librat e Ibrahim Kadriut si dhe synimin e hartuesit të vëllimit në përzgjedhjen e këtyre punimeve, disa prej të cilave botohen këtu për herën e parë.
Libri është i shtjelluar në pesë pjesë, ndërkaq përmbyllet me pjesën “Biseda dhe shënime për shkrimtarin”.

Në pjesën hyrëse, është dhënë poezia “Prapë bëhemi mal” e poetit Sabit Rrustemi, kushtuar autorit Ibrahim Kadriu në ditëlindjen e tij, vargje këto që dëshmojnë se shkrimtari Ibrahim Kadriu, nuk është më vetëm krijues i “Kreshtave të Karadakut”, por i një hapësirë më të gjerë, përtej këtyre kreshtave (vepra e tij nuk është më pronë vetëm e letërsisë shqipe, ngase është përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja):

Sërish morëm udhë e u shkepëm
kush malit kush fushës e kush shehrit
“se duhej gjalluar mes mishit e thoit”
Tash një fjalor nuk i përthekon emrat
as një krahinë s’i nxë më lisat e plisat
e le më veprat…
(f. 7)

Në pjesën e parë “Punime për veprat në prozë” janë përfshirë 21 punime nga autorë të ndryshëm, në një hark kohor të gjatë (nga viti 1978 deri më 2019; punimi i Agim Devës, “Vilfrid Shtajner dhe tregime të tjera”, që e vështron vëllimin me tregime dhe novela për fëmijë me titull “Shpëtimtarët”), ku autori që atëherë vinte në spikamë aftësinë krijuese të shkrimtarit: “Ibrahim Kadriu është shkrimtar i urtësisë dhe çiltërsisë shpirtërore, i maturisë veprimore…” (f. 16).

Romani “Qerrja e dritës” botuar në vitin 1990, kushtuar nobelistes së shquar shqiptare, Nënës Tereze, siç mësojmë nga punimet e këtij libri, ka zgjuar interesimin e lexuesve dhe kritikës letrare qysh në vitin e botimit. Kështu, Sazan Goliku këtë roman do ta vlerësojë si librin e parë artistik shqiptar që bën fjalë për Nënën Tereze, kurse Makfire Hajdari Kurteshi në shkrimin e saj për të dhe ribotimin me dramën “Deri në Osllo”(2010) shkruan: “Romani për Nënën Tereze, si dhe drama, në mënyrën më të drejtpërdrejtë, intrigojnë për lexim dhe dëshmojnë bindjen se autori i ka shkruar me përkushtimin e stilistit…” (f. 48).

Studiuesi dr. Labinot Berisha në përzgjedhjen e punimeve për këtë libër, ka përzgjedhur edhe punimin e poetit turk Jahja Akengin, kumtesë e lexuar me rastin e përurimit të romanit “Gloria në mes” i cili u përkthye në gjuhën turke dhe u botua në Ankara në dhjetor të vitit 2014. Sipas këtij poeti turk, romani “Gloria në mes” paraqet vlerën letrare nga Kosova, të shkruar nga shkrimtari bashkëkohës i cili, siç u tha në përurim, parqet autoritet bashkëkohor letrar. Kjo vepër për herë të parë u jepet në dorë lexuesve të Turqisë.

Një vend të rëndësishëm në këtë libër zënë dhe punimet kushtuar romaneve të tjerë të Ibrahim Kadriut, të cilët trajtojnë artistikisht periudha të ndryshme historike dhe bashkë me to edhe fate dhe peripeci njerëzish të periudhave përkatëse kohore. Të tilla janë punimet për romanet: “Misioni rus”, punimi i B. Tahirit, A. Halilit. Rreth këtij romani i ka shprehur edhe disa përsiatje dhe vetë Ibrahim Kadriu në fund të librit.

Ky roman zgjoi interesimin e lexuesve dhe të kritikës për shkak të tematikës pak të trajtuar tek ne, atë të misionit rus të veshur në petkun fetar të një hoxhe rus të paraqitur si shqiptar.

“Të vdekurit e gjallë” ndër romanet më të lexuara

Romani “Të vdekurit e gjallë”, siç vërehet nga punimet e përzgjedhura për këtë vëllim, është ndër romanet më të lexuar. Janë disa autorë që e kanë bërë atë objekt vështrimesh të ndryshme si: E. Elezkurtaj, L. Vogliqi, M. Halimi, Sh. Maxharraj etj.

Në punimin “Dy antagonizma natyralë – një harmoni letrare- artistike”, duke iu referuar romanit të Ibrahim Kadriut “Të vdekurit e gjallë” Adil Fetahu shpalos disa nga veçantitë e kësaj vepre dhe thotë: “[…] në këtë roman autori nuk lë pa ngre edhe problemet shoqërore e konfliktet sociale aktuale në Kosovë, karakteret e njerëzve, ku në pozita të rëndësishme kanë ardhur njerëz pa merita, kopukë, maskarenj e horra, pa dije e pa përvojë, ndërsa bashkëpunëtorë të dikurshëm të okupatorit sot janë “transformuar në patriotë”(f. 91), apo në një pjesë të këtij punimi autori i bënë edhe disa vërejtje autorit Kadriu rreth disa datave që i quan dhe gabime teknike.

Autori Ardian Haxhaj për romanin “Të vdekurit e gjallë” thekson midis të tjerash: “Diskursi metonimik i romanit i kap teknikat narrative të romanit dokumentar”.

Në këtë libër hartuesi ka përfshirë dhe punimin e Sherafedin Kadriut për romanin “Ata dy të burgjeve” me titull “Mjeshtëria e transmetimit të mesazhit”, ku autori thekson se: “Ky libër është nga ato romanet që e kënaq lexuesin, i cili nuk mund ta ndërpresë leximin për ndonjë arsye […] cilësi e romanit është mjeshtëria për të transmetuar mesazhin e artistit në një mënyrë shumë të thjeshtë e të qartë…” (f. 139).

Nga punimet e këtij vëllimi kuptojmë se edhe romani “Varr i shitur në Damask”, ‘ka gjetur’ lexuesin e vet, që dëshmohet nga punimet e botuara në shtypin ditor dhe janë bërë pjesë e këtij libri (M. Halimi, A. Zogaj, Xh. Syla etj.).

Për poezinë e Ibrahim Kadriut janë zgjedhur punimet e Sinan Sadikut “Figura e Idriz Seferit në poezi” dhe punimi i Riza Sheqirit “Poezi e përjetimit dhe e revoltës”.

Në pjesën e tretë “Punime për vepra të tjera” janë përfshirë punimet e I. Ahmetit “Autoritetet para lexuesve” (Ibrahim Kadriu – “Buzëqeshje miqsh” 2014), N. Rexha me punimin “Komunikimi artistik në depërtim të mesazhit” (Labinot Berisha: “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut II”, “Beqir Musliu”, Gjilan, 2018, f. 269).

Kurtesh Devaja e Mehmet Halimi, në punimet e tyre shqyrtojnë vlerat e monografisë “Gjinollët, gjurmë nëpër shekuj” (2019).

Në punimin e tij “Vëllim që mundëson njohjen më të mirë të veprës së Ibrahim Kadiut”, dr. Labinot Berisha, sjell fjalën e lexuar në Gjilan në prill të vitit 2018, me rastin e përurimit të librit “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” vëllimi i dytë, botuar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”.

Në pjesën e fundit të librit “Përshtypje & Biseda” vlen të veçohet biseda që Teki Dërvishi e ka bërë shumë vite më parë me Ibrahim Kadriun.

Vëllimi “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut III”, i zgjedhur dhe përgatitur për botim nga dr. Labinot Berisha, dëshmon se librat e kësaj natyre i kanë munguar letërsisë sonë dhe si tillë ai e nxit dhe i mundëson lexuesit një komunikim më të madh e më të mirëfilltë me disa nga veprat e Ibrahim Kadriut të shkruara e të botuara kohëve të fundit.

Prishtinë, tetor 2020