Intervistë me Mr. sc. Nue Oroshi – Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Gjithshqiptare “Trojet e Arbrit”

0
2003
Nue Oroshi, kështjellë

Intervistoi: Entela Binjaku

1. Z. Oroshi si fillim urime për detyrën e re në drejtim të shoqatës “Trojet e Arbrit”! Cilat janë pritmënitë tuaja nga ky angazhim?
Nue Oroshi – Fillimisht ju falënderoj për urimet që më jepni! Çdo angazhim kombëtar e shoh si një përgjegjësi që duhet kryer me punë konkrete. Tani më Shoqata “Trojet e Arbrit“ i ka kaluar dymbëdhjetë vjet të veprimtarisë aktive. Me plot sukses këtë Shoqatë e ka udhëhequr intelektuali dhe profesori Muhamet Shatri. Më 31 Korrik pas dorëheqjes së parevokueshme të profesorit, kuvendi më zgjodhi kryetar. Profesori u terhoq për shkak të moshës por ai sërish mbetet aktiv. Hapin e parë që bëra si kryetar ishte të propozoja profesor Shatrin për Kryetar nderi të Shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe kuvendi e pranoj me kënaqësi. Unë pres që të vazhdojmë punën që kemi bërë deri më tash në mbajtjen e sesioneve shkencore dhe botimin e librave enciklopedik që ndriçojnë me fakte shkencore historinë e vërtet të kombit tonë shqiptar.

2. Cili është aktiviteti i shoqatës suaj?
Nue Oroshi- Shoqata“ Trojet e Arbrit” ka pasë një aktivitet të ngjeshur shkencor dhe kombëtar. Ajo ka arritur që t’i grumbullojë në gjirin e saj 150 intelektualë nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare. Deri tash kemi mbajtur katërmbëdhjetë sesione shkencore, shtatë akademi dhe kemi botuar trembëdhjetë vepra enciklopedike me një vëllim të përgjithshëm prej rreth nëntë mijëfaqe. Duke qenë se ne jemi e vetmja shoqatë që mbajmë sesione shkencore në të gjitha trojet etnike shqiptare, si fazë afatshkurtër të punës sonë kemi planifikuar që sesionin e radhës ta mbajmë në Gjirokastër ku planifikojmë një sesion shkencor me temën bosht: “Shqiperia e Jugut përballë ekspansionit grek dhe qëndresa shqiptare”. Në vitin 2017 në Durrës kemi planifikuar që të mbajmë një sesion të veçantë shkencor për një ndër arkitektët e shtetit shqiptar, Imzot Nikollë Kacorrin, pasi është dhe njëqind vjetori i ndamjes nga jeta të Imzot Nikollë Kaqorrit, ndërsa në Mitrovicë do të bëjmë promovimin e trembëdhjetë veprave shkencore, ku do të vizitojmë edhe Boletinin e Isa Boletinit, heroit tonë kombëtar.

3. Cilët janë bashkëpunëtorët më të afërt që ju keni dhe me cilët këshilloheni për kalendarin e aktiviteteve?
Nue Oroshi – Bashkëpuntorë kemi shumë! I falënderoj të gjithë ata që na kanë përkrahur tash e dymbëdhjetë vjet me radhë! I falënderoj edhe të tjeët të cilët për një kohë të shkurtër kontribuan tek “ Trojet e Arbrit” por që e humbën kondicionin të japin kontribut më tutje sepse rruga e bashkimit kombëtar është një rrugë jo e shkurtër, që kërkon përkushtim të madh dhe seriozitet të mirëfilltë, pa harruar asnjëherë ata studiues që kontribuan shumë por që tash nuk janë në mesin tone. Ndiej një dhimbje të madhe por jam njeri me fat që pata rastin të punoj ngushtë me të gjithë këta studiues dhe atdhetarë. Kalendarin e aktiviteteve e ka bërë dhe e bënë kryesia e shoqatës “Trojet e Arbrit”.

Tash pas kuvendit kemi një kryesi të gjërë e cila në gjirin e saj ka njëzet e shtatë antarë të kryesisë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare. Në kryesi kemi të pranishme pjesmarrjen e femrës intelektuale shqiptare, ku nga njëzet e shtatë antarë të kryesisë, nëntë janë femra intelektuale. Një rëndësi te veçantë i kemi kushtuar edhe përfaqësimit rajonal, ku në kryesi kemi intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare, pa harruar edhe perfaqësimin e moshave të ndryshme, duke pasur një përzierje gjeneratash duke filluar tek ma e reja e cila është në moshën njëzet e katër vjeçare dhe vazhduar tek më i vjetri që ka kaluar moshën tetëdhjetë vjeçare.

4. Sa anëtarë ka shoqata dhe si keni menduar të afroni pranë edhe të rinjtë?
Nue Oroshi – Shoqata “Trojet e Arbrit” ka njëqind e pesëdhjetë antarë intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare. Ne ju kemi dhënë mundësi të ligjërojnë edhe të rinjve dhe të rejave që janë në fazën e parë të zhvillimit të personalitetit të tyre shkencor. Në një lloj mënyre kemi shërbyer si një institucion shkencor që ju kemi hapur rrugën kuadrove të reja. Ne këtë aspekt jemi sërish të hapur që të bashëkpunojmë me brezat e rinj. Pa harruar edhe veprimtarët e vjetër kombëtarë që kanë marrë pjesë aktive me herët nëpër organizata dhe parti politike dhe që aktivitetin e tyre kombëtar e kanë shprehur përmes paraqitjes së punimeve me fakte dhe të argumentuara shkencërisht! Në këtë rast aty këtu kemi pasë kritika nga disa historianë të cilët ende nuk kanë dalur nga gëzhoja e mentalitetit komunist të të shkruarit të historisë. Ata harrojnë se një intelektual veprimtar në Diasporë që tërë jetën ja ka kushtuar cështjes shqiptare, pavarësisht se jeton në Evropë apo Amerikë, ka mundësinë të vizitojë arkivat qëndrore, dhe kësaj t’i bashkëngjisë edhe letrat dhe dokumentet e veprimtarëve kombëtarë, që, dorën në zemer, kanë qenë intelektualë të vërtetë, duke njohur nga pesë apo gjashtë gjuhë të huaja.

5. Pasi të përfundojë ky tur i qyeteteve kryesore të trojeve shqiptare si mendoni të vijoni me aktivitetet shkencore? Për sa kohë keni menduar të zgjeroheni me këtë kalendar?
Nue Oroshi – Sa më shumë kalon koha dhe thellohemi në ndricimin e Historisë shqiptare, në pah dalin edhe shumë ngjarje dhe portrete historike për veprimtarinë kombëtare të të cilëve, ende nuk dihet asgjë ose kjo veprimtari është shtrembëruar aq shumë sa, që atdhetarët e vërtetë na i kanë quajtur me emrin „tradhtarë“, ndërsa tradhëtarët në të shumtën e rasteve na i kanë bërë atdhetarë. Por këtë mit të tyre e kemi rrëzuar për tokë. Për këtë arsye aktivitetet duhen mbajtur edhe në shumë qytete të tjera shqiptare, aty ku ende nuk kemi arritur të mbajmë sesione shkencore. Natyrisht që nuk do të lëmë mënjanë as Malësinë e Dedë Gjon Lulit, Prek Calit e Mehmet Shpendit. Edhe aty në një të ardhme të afërt do të mbajmë një sesion shkencor.

Këtë kalendar nuk do ta ndalim deri sa t’ja mbërrijmë bashkimit të kombit shqiptar. Jemi të detyruar të bëjmë një punë të tillë për faktin se në këtë rast po e luajmë rolin e dy akademive shqiptare, që fatkeqësisht asnjëra nuk është në nivelin e duhur ta luajnë rolin e tyre historik për përgatitjen e një koncepti gjithkombëtar shqiptar. Dhe këtë punë për momentin po e kryen Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë “Trojet e Arbrit”.

Përveç aktivitetit shkencor ne në të ardhmen do ta luajmë edhe një rol tjetër. Do t’ju shkruajmë kancelarive perëndimore që të na përkrahin konceptin tonë kombëtar dhe të bashkohen Trojet Shqiptare në një shtet të përbashkët, ku ky shtet do të jetë i fortë si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik, ndërsa disa aktivitete tjera do t’i bëjmë publike me kohën, pikërisht kur do t’ju afrohemi që t’i kryejmë këto cështje të nevojshme kombëtare.

6. Si do t’ua përcillni shoqërisë punën dhe kontributin e shoqatës suaj?
Nue Oroshi – Punën tonë që nga themelimi e deri më tash shoqërisë ja kemi përcjellë përmes mjeteve të shkruara, gazetave të ndryshme, televizioneve si dhe faqeve të internetit që sot janë duke e luajtur një rol mjaftë të rëndësishëm të informimit të shpejtë dhe të saktë. Personalisht nuk jam i kënaqur me përfaqësimin tonë në tv qendrore si në Shqiperi po ashtu edhe në Kosovë dhe vise tjera etnike shqiptare. Të mos e paraqesësh një sesion shkencor me tetëdhjetë studiues siç ishte ai që e mbajtëm në Krujë vitin e kaluar dhe së paku mos të bësh një lajm, kjo cështje nuk do koment. Të bojkotosh sesionin shkencor për “Atë Gjergj Fishtën” mund të pyesim shikuesin se në shërbim të kujt janë televizionet tona që paguhen nga taksapaguesit tanë?

Dhe nga ana tjetër pikërisht këto televizione shkojnë dhe i bëjnë reklamë një gjysëm poeti i cili në stilin e poezive ’’u rrit djali u ba burrë i thotë babës s’je kanë kurrë’’ bëjnë kronika të ndryshme dhe paraqitje spektakolare!

7. Cila është një ditë e zakonshme pune juaja?
Nue Oroshi – Të them të drejtën shpesh herë ditët më zgjasin jashtzakonisht shumë ndërsa netët i kam shumë të shkurtëra, për faktin se jam i angazhuar në shumë drejtime. Fillimisht duhet të bëjë jetën e mërgimtarit të zakonshëm për të siguruar të ardhurat jetësore familjare, si dhe një pjesë e mirë për t’i ndarë për aktivitete kombëtare. Për këtë fakt kam hapur një firmë të vogël ku bëj shpërndarjen e verërave dhe rakisë së Kosovës në Gjermani, ku falë kësaj pune për një vit e gjysëm kam arritur që t’i kem tetë artikuj të gazetave gjermane që kanë shkruar për vererat e Kosovës, por duhet edhe shumë punë e angazhime që të vihen në vendin e duhur, verërat dhe rakia e Kosovës në tregun gjerman. Për këtë më duhet të bëj edhe një punë të dytë, ku merrem me përkthime në Zyrën Federale të Migrimit, e ku vërtet më dhimbsen pa masë ato familje shqiptare, që po heqin të zitë e ullirit, duke marrë rrugëtime të gjata në Gjermani, por pa ndonjë mundësi që t’i njihet statusi edhe këtu në Gjermani. Më prekin thellë në shpirt sidomos femijët dhe vaji i nënave shqiptare!

Pjesën tjetër të kohës brenda ditës e kaloj duke kontaktuar me studiues nga të gjitha trevat shqiptare, dhe diaspora qoftë në përgaditjen e koncepteve organizative, qoftë në grumbullimin e punimeve të studiuesve por edhe duke degjuar këshillat dhe sugjerimet e shumta të tyre që në të shumtën e rasteve i marrë si këshilla serioze për aktivitete të mëtejme. Në mbrëmje shpesh herë më duhet të shkoj në takimet dhe mbledhjet e CDU-së, qoftë mbledhjet partiake, qoftë ato të Kuvendit Komunal të qytetit të Kielit ku ka tre vjet që jam deputet në këtë Asamble Komunale, njëherazi edhe sekretar i këtij Kuvendi që nga fillimi i mandatit tim në qershor të vitit 2013.

8. Sa jeni lidhur ndjeheni me komunitetin e shqiptarëve aty ku jetoni?
Nue Oroshi – Ka njëzet vjet që jetoj në Gjermani. Asnëjëherë nuk e kam lënë mënjanë lidhjen me komunitetin shqiptar në Gjermani, e veçanarisht në Kiel. Falë aktivistëve dhe veprimtarëve kombëtarë për këto njëzet vjet në varësi të periudhave kohore kemi organizuar demonstratat nëpër mbarë Gjermaninë, si dhe në qytetin ku banoj kemi mbajtur tri demonstrata. Më pas kemi mbledhur mjete për Luftën Çlirimtare, e pas luftës kemi themeluar shoqatën shqiptaro-gjermane “Jetullah Islami”, që e kemi pagëzuar me emrin e mikut tim që ka rënë dëshmor më 2 Qershor 1999. Jetullahu ishte mik i yni dhe kemi pasur dhe kemi për detyrim që emrin e tij ta vendosim aty edhe ku e ka bërë vendin më veprën e tij heroike.

9. A keni gjetur mbështetje nga partnerët gjermanë dhe cila është konsiderata e tyre për aktivitetin tuaj në drejtim të promovimit të kulturës shqiptare?
Nue Oroshi – Gjermanët kanë një konsideratë të madhe për popullin tonë shqiptar dhe për kulturën tonë shqiptare. Flas këtu më shumë edhe për intelektualët, politikanët dhe ushtarakët Gjermanë të cilët u angazhuan që trojet shqiptare të kthehën nga perëndimi. Edhe në aspektin kulturor kemi mbajtur dhjetra tubime të përbashkëta shqiptaro-gjermane, ku kanë marrë pjesë një spektër mjaft i madh i njerëzve të kulturës, artit dhe shkencës gjermane. Kjo nuk ka mbetur pa u regjistruar edhe në mjetet e informimit në gjuhen gjermane ku janë botuar dhjetra artikuj, në bashkëpunim me Shtëpinë Filmike “Dig Doc” kemi arritur që t’i bëjmë dy filma Dokumentarë për Kosovën: “7 Tage Kosova”, dhe “Herkunfsland Kosova”. Vlen të veçohet fakti se në këta dy filma dokumentarë, si edhe në artikuj tjerë gjithmonë kam qenë i vëmendshëm që fjalën Kosovë, ta shkruaj “Kosova”, e jo “Kosovo”, siç prezantohet në të shumtën e rasteve në shtypin gjerman.

10. Cila është dëshira juaj më e madhe, një ëndërr që qëndron e heshtur por të cilën nuk keni hezitim ta ndani dhe me lexuesit?
Nue Oroshi – Unë kam dëshira që do të bëhen realitet dhe jo ëndrra. Dëshira ime më e madhe është të shoh trojet shqiptare të bashkuara. Do të punoj me përkushtimin më të madh që Trojet tona të bashkohen, në momentin që ato të bashkohen do të punoj që ky shtet shqiptar të udhëhiqet nga të rinjtë dhe të rejat që kanë talentin dhe dijën për t’i vuar gjërat përpara. E të rinjë dhe të reja të talentuar kemi mjaft, por atyre duhet t’ju japim mundësinë të tregojnë diturinë e tyre qoftë në aspektin politik, qoftë në atë shkencor, ekonomik ,ushtarak dhe shumë lëmi tëtjera.

11. Një mesazh në fund të këtij bashkëbisedimi…
Nue Oroshi – Mesazhi im është mjaft i thjeshtë. Ta duam dhe respektojmë shumë më shumë njëri -tjetrin. T’i themi “ndal” orientimit të mbrapshtë politik që po bëjnë disa persona që në rend të parë e kanë vendosur interesin financiar, pa harruar se janë duke i shkaktuar shumë deme popullit dhe kulturës tonë kombëtare. Më shumë respekt për nënat dhe baballarët tanë shumë prej të cilëve janë tash të moshuar, sepse dhanë çdo gjë që të na përgatisin për jetë. Të kujdesemi për rininë tonë e cila në të shumtën e rasteve në mungesë të perspektivës po merr rrugën e gabuar! Mos të na kaplojë mendjemadhësia nëse arrijmë diçka në jetë, sepse sado i ditur të jetë njeriu, ai ka nevojë për këshillat dhe sugjerimet e miqve dhe dashmiëve që e rrethojnë!

Faleminderit!