Tritan Shehu dhe i ati i tij, Masar

0
582
Masar Shehu me të bijtë

Në foto Masar Shehu me djemtë.

Kastriot Myftaraj

Pas vitit 1990, asnjë nga shqiptarët me origjinë muslimane nuk ka qenë beniamin i Vatikanit sa Tritan Shehu. Ky Tritan Shehu nuk ka asnjë lidhje gjenealogjike katolike, që të sillej si arsye për qenien e tij beniamini i Vatikanit. Nga babai, Masar Shehu, ai është me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës. Nga nëna ai është me origjinë nga familja muslimane Bogdo, nga Libohova. As gruaja e Tritan Shehut nuk është katolike, ajo është me origjinë nga Himara. I ati i Tritanit nuk ka studiuar në Itali, por Francë.

Është e vërtetë se nëna e Tritanit ka studiuar në Itali, por kjo nuk është një arsye e fortë për statusin e posaçëm të Tritan Shehut. Nëna e Tritanit në Itali nuk ishte pranë rretheve katolike, por atje u bë komuniste. E vetmja lidhje speciale familjare e Tritan Shehut me Italinë është se në fillim të vitit 1943, babai dhe nëna e tij u arrestuan nga italianët si komunistë. Babai i Tritanit, Masar Shehu kishte qenë i pari sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Durrësin. Të dy u liruan shpejt në rrethana që mbetën gjithmonë të errëta dhe që Enver Hoxha do t’ia kujtonte 13 vjet më vonë Masar Shehut në Konferencën e Tiranës, kur ky i fundit iu bashkua korit të kritikave kundër tij.

Dy komunistë të arrestuar nga OVRA, shërbimi i fshehtë fashist, mund të liroheshin në rrethanat që u liruan prindërit e Tritanit, vetëm nëse firmosnin për bashkëpunim me të. Ndryshe do të qenë varur në litar, siç ndodhi me të tjerë, ose më e pakta do të qenë internuar në ndonjë ishull të Italisë. Kur italianët i liruan Masarin dhe të fejuarën e tij, ata u paraqitën tek Enver Hoxha, i cili i mbrojti ata, për arsye të lidhjeve familjare.

Babain e Masarit, Ramiz Shehun, Enver Hoxha e përmend në librin “Vite të Rinisë”, duke e quajtur mik të familjes, dhe që si i tillë mori përsipër detyrën e kujdestarit të Enver Hoxhës në kohën që ky i fundit ishte nxënës në Liceun e Korçës, sipas rregullit që çdo nxënës duhet të ishte nën kujdestarinë e një familjeje vendase. Por Enver Hoxha nuk përmend dy gjëra, se Ramiz Shehu ishte kushëri me të atin e tij, çka do të thotë se edhe Masari dhe Enveri qenë kushërinj, dhe se gjirokastriti Ramiz Shehu gjendej në Korçë se ishte gjykatës i emëruar nga Mbreti Zog.

Enver Hoxha mendonte se Masari do t’i ishte mirënjohës dhe do t’i qëndronte besnik, prandaj pasiqë e liruan italianët, e dërgoi komisar në Pezë, te Myslim Peza, duke e bërë kështu përfaqësuesin kryesor të Partisë Komuniste në Pezë. Kur Masari u ngrit dhe e kritikoi Enver Hoxhën në Konferencën e PPSH për Tiranën, në 1956, Enver Hoxha shpërtheu, duke iu bërë me dije delegatëve të habitur një fakt skandaloz:

– Harrove ti Masar se Partia (domethënë vetë Enver Hoxha – shënimi im: Kastriot Myftaraj) ta fali firmën që hodhe te Jakomoni, dhe ja sesi ia shpërblen ti Partisë të mirën që të bëri. Por nëse ti e harrove, Partia nuk e ka harruar.

– Por ti shoku Enver e di se në ç’rrethana firmosa unë! – Iu përgjigj Masari, duke aluduar se ai firmosi vetëm sa për t’u liruar nga burgu.

– E di, e di, por Qemal Stafa dhe Vojo Kushi kur u ndodhën në rrethana si të tuat nuk firmosën por zgjodhën tjetër rrugë, dhe sot nënat e tyre vendosin kurora me lule tek varrezat e dëshmorve – Ia ktheu Enver Hoxha.

Kështu, delegatët e habitur mësuan se komisari i Çetës së Pezës, e para dhe më e famshmja në Shqipëri, kishte qenë agjent fashist. Edhe pas kësaj që ndodhi në Konferencën e Tiranës, Masar Shehu nuk e pësoi si të tjerët. Atë jo vetëm që as nuk e burgosën dhe as nuk e internuan, por vazhdoi të jetojë në Tiranë, ku punoi si mësues në një shkollë të mesme. Arsyeja duhet kërkuar tek miqësia e madhe, që Enver Hoxha kishte me vëllain e Masarit, Talat Shehut, i cili jetonte në SHBA. Enver Hoxha e përmend Talatin në librin “Vite të Rinisë”. Talati ishte një nga njerëzit të cilëve ambasadorët shqiptarë në OKB (Neë York) u jepnin dorazi çdo vit telegramin e urimit nga Enver Hoxha, me rastin e datëlindjes.

Në gusht 1943, Masar Shehu, në cilësinë e Komisarit të Batalionit të Pezës (çeta në atë kohë ishte bërë batalion) bëri një vrasje shumë të bujshme për kohën. Forcat partizane të Pezës kapën dy ballistë të rinj, me origjinë nga Libohova, por që ishin banorë të Tiranës, Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo. Këta të dy u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan në një gjyq të drejtuar nga Masar Shehu. Ishte koha fill pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, kur edhe Enver Hoxha vetë nuk e akuzonte ende Ballin Kombëtar për bashkëpunim me pushtuesit, ndryshe ç’kuptim kishte që Enver Hoxha pranoi të dërgonte një delegacion në konferencën e përbashkët me Ballin Kombëtar, për bisedime për të arritur një marrëveshje.

As Besnik Çano dhe as Qeramudin Sulo nuk u akuzuan atëherë për pjesëmarrje në ndonjë aksion të armatosur kundër partizanëve, dhe gjatë gjysmë shekulli historiografia komuniste nuk ka përmendur diçka të tillë. Nuk dihet versioni që jep Masar Shehu në kujtimet e veta, të shkruara pas vitit 1990, se i biri Tritani nuk i boton ato. Një gjë është e sigurt, Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo nuk do të ishin vrarë, nëse kryetar i gjyqit partizan nuk do të kishte qenë Masar Shehu.

Masari i njihte mirë të dy djemtë e rinj që po gjykonte, se ata qenë edhe kushërinj jo fort të largët të vjehrrit të tij libohovit, Sulo Bogdos. Besnik Çano ishte djali i familjes që kishte në pronësi hotelin më të madh dhe më luksoz të Tiranës për kohën, “Internacionalit” (Hotel “Dajti” do të promovohej vetëm në 1943). Sigurisht se ashtu siç ndodh në të gjithë botën, shërbimet e fshehta italiane, OVRA dhe SIM-i mbanin dhoma të posaçme në hotelin kryesor të Tiranës, për punët e tyre.

Këtë e di edhe vetë Enver Hoxha prandaj në kujtimet e tij nuk thotë që ta ketë frekuentuar “Internacionalin”, që si çdo hotel i madh kishte dhe bar e restorant shumë të frekuentuar. Ndonëse nuk duket e besueshme që Enver Hoxha të mos ketë qenë klient i “Internacionalit”, ku miku i tij Esat Dishnica ishte një klient i rregullt. Besnik Çano, dashur pa dashur ishte bërë dëshmitar i ngjarjeve që, jo vetëm Masar Shehu, por edhe Enver Hoxha nuk donin që të kishin dëshmitarë. Kjo është dhe arsyeja e pushkatimit të Besnik Çanos dhe mikut të tij.