Përsiatje rreth vëllimit poetik “Aromë Shegëze” të poetit Hajdin H. Krasniqi

0
449
Hajdin Krasniqi - Aromë shegëze

Zymer Mehani

Shkrimtari dhe poeti i talentuar, Hajdin H. Krasniqi para lexuesit shqiptar tani po paraqitet edhe me vëllimin poetik “Aromë Shegëze”, në të cilin i ka përfshirë poezitë që i krijoi në periudhën shkurt-shtator të këtij viti (2020). Pra, këto poezi autori i krijoi në një kohë të jashtëzakonshme (të pandemisë) dhe i konceptoi në dy pjesë (1. Rrathë kujtimesh dhe 2. Satirika, ironika, humoristika).

Shqetësimet e natyrës psiko-sociale do t’i vërejmë kudo në poezitë e kësaj përmbledhjeje, e sidomos te vargjet që për tematikë kanë situatën e jashtëzakonshme të pandemisë, të shkaktuar nga virusi korona, e që në këtë vëllim për nga numri janë të shumta. Këto krijime, sapo të hasim në to, do të na trandin dhe do të na nxitin për të menduar për këtë situatë dhe për fatin, jo vetëm tonin, por të mbarë njerëzimit.

Harmoninë e ngjyrave, reflekset dhe idetë që i ndeshim në përmbledhjen poetike “Aromë Shege”të Hajdin H. Krasniqit, sikur i kemi ndeshur edhe nëse kemi kaluar andejpari nga vendlindja e tij, nga Breznica (Shegëza) e rrethinës së Kastriotit.

Atmosfera pandemike, sipas vargjeve të kësaj tematike është e frikshme, monotone, irrituese, e mundimshme, mjegulluese, e dyshimtë si vetë virusi korona, heshtake, por edhe tragjike, ngase po merr edhe jetëra njerëzish.

Poeti Hajdin H. Hajdini, sidomos te poezitë satirike-humoristike bën shpalosjen e përbrendshme të njeriut si karakter, me virtytet apo veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia; grindja, përçarja, tardhëtia, hipokrizia, kopracia, smirëzia etj.

E njerëzit me vese autori i ironizon dhe i satirizon (siç janë veç tjerash edhe dy figurat tona politike Edi Rama e Albin Kurti), që si karaktere kanë pësuar rënie dhe jo ngritje, prandaj mllefi i poetit Krasniqi shpërthen edhe ndaj tyre.

Krijuesi i denjë shpesh duhet t’i kthehet së kaluarës. Një gjë të tillë e ka bërë edhe poeti Hajdin H. Krasniqi, sidomos te poezitë e motivit atdhetar dhe të vendlindjes (poezitë: “Në Ditën e Madhe, “Pavarësisë”, poezitë me motiv të Shegëzës). Ai do të na rikthejë edhe në kohën e fëmijërisë së tij, e cila nëpërmjet vagjeve të poetit na parakalon si një shirit filmi me imazhet dhe protagonistët e saj karakteristikë (shokët e fëmijërisë).

Nga ky rikonstruktim i së kaluarës ç’mund të pritet prej poetit, veç mallëngjimit (nostalgjisë) dhe përmallimit për shtigjet e fëmijërisë së tij, për “Bunarin e Ahmatit”, për “Arën e Shpatit”, për “Lulet e Shegëzës” etj. Këtë rikthim në fëmijëri të autorit Krasniqi ne e marrim edhe si preteks për të rrëfyer një histori të dhimbshme e sociale të kohës së kaluar, kur babai rropatej me punë të rënda fizike vetëm për mirëqenie të fëmijëve dhe të familjes së tij (poezia “Drita e llambës”).

Imazhi për vendlindjen (Shegëzën) dhe për njerëzit e saj shprehet mjaft qartë te poezitë e motivit të vendlindjes, që është edhe lajmotiv i tërë përmbledhjes “Aromë Shege” të Hajdin H. Krasniqit. Duke i lexuar pezitë me këtë motiv (vendlindjen) na bëhet se rikthehemi në kohën e një jete, ku secili prej nesh do të gjejë në njëfarë mënyre vetveten.

Pjesa dërrmuese e poezive të vëllimit “Aromë Shege” kanë strukturë strofike katërvargëshe (katrenë) me rima mjaft strikte. Por hasim edhe ca poezi të parimuara dhe pa metër të caktuar ndërtimi. Kryesisht kemi vargje 4-6-8 rrokëshe.

Hajdim H. Hajdini është poet lirik, por lirizmi i tij karakterizohet edhe me tone satiriko-humoristike. Poezitë e tij janë tejet interesante, qoftë për figuracion, për fjalor të përdorur, për gjuhë të pastër, për ide, motive, tematika e çështje. Në poezinë e tij hasim nuanca të muzës së popullit (te satirika). Ngase poeti ndërton vargje me rima, s’do mend se vargu i tij prandaj është edhe muzikal dhe ka një fuqi të brendshme që e dëgjojmë me ëndje.

Ky poet na ka dhuruar poezi mjaft origjinale me laryshi temash, idesh e formash.

Zymer Mehani, Podujevë, më 20 shtator 2020