Poezia e poetes Luçia Marku

0
614
Luçia Marku - Shqiptari

Zymer Mehani

Emri i poetes Luçia Marku tanimë për lexuesit tanë është i njohur. Ajo te lexuesit njihet me vëllimet poetike “Ngjyrat e jetës” (2017), “Kthehuni, dallëndyshe” (Prishtinë, 2018) dhe “Bashkë ligjërojnë lahuta e pena” (Prishtinë 2019), me të cilat hodhi hapat e parë drejt shtigjeve të poezisë shqipe.

Luçia Marku tani lexuesve të saj të shumtë po ua dhuron edhe vëllimin e katërt poetik me vjersha lirike, të titulluar “Shqipëri, e mjera ti, lëngon nën plagë e vajton në zi”, ku na shfaqet edhe më e pjekur në të krijuarit e poezive, në të cilat ajo ka trajtuar tematika dhe motive të ndryshme, siç janë vargjet për atdheun, për prindërit, për vëllanë e motrën, për jetën në mëgrim, për shoqërinë, për jetën në tërësi me të gjitha karakteristikat e saj, për natyrën, botëkuptimet dhe zakonet e përditshme të njerëzve të atdheut etj.

Pra, duke u bazuar në këto fakte, konstatojmë se laryshia e motiveve dhe e tematikës së poezive të poetes Luçia Marku është shumëdimensionale dhe mjaft interesante. Këto janë poezi që poetja i ka ngjyruar me kolorit shqiptar, ngase kudo në vargjet e saj lajtmotiv është atdhedashuria.

Poezitë e poetes Luçia Marku, mund të themi se janë piktura të ngrohta lirike, në të cilat lexuesi mund ta shijojë ëmbëlsinë, mallin, dhembjen, por edhe lindjen e perëndimin e diellit me bukuritë e egërsisë së shkrepave të thepisura dhe të maleve të atdheut, si dhe me njomësinë e livadheve, por edhe vuajtjet, brengat dhe krajatat e mërgimtarëve shqiptarë nëpër rrugët e gjata, herë-herë edhe të panjohura të kurbetit.

Të gjitha këtyre tablove të jetës, duke mos i harruar as virtytet e arta shqiptare, por as veset, bukur dhe me stil të veçantë do t’u këndojë poetja e talentuar Luçia Marku, e cila ka arritur shpejt në një shkallë serioze të krijimtarisë letrare, ngase trajtat artistike të poezisë së saj ne i shohim si të plota dhe inventive. Ajo u ka vënë vulë vargjeve të veta me emrin e vet, duke i ngjyruar me një ngjyrë të veçantë, duke i evituar zbrazëtitë e çalimet, me rropatjet krijuese dhe shtytjet e frytshme.

Luçia Marku në vargjet dhe poezitë e saj, gjithmonë në planin e parë, do ta vëjë atdheun, ngase, siç u theksua dhe njëherë, lajtmotiv i poezisë së saj është atdhedashuria. Atëherë, duke e marrë këtë si motiv dominant, prej kësaj poeteje, me të drejtë presim dhe kërkojmë shumë, sepse na duket se ajo di ta pikturojë atdheun e saj, si brenda dhe nga jashtë. Po ashtu, kjo poete në vargjet e veta di ta shtjellojë edhe fatin e njeriut, marrëdhëniet e raportet, mendjeprehtësinë, bujarinë shqiptare etj., bashkë me paragjykimet dhe veset nga më të ndryshmet.

Poetja Luçia Marku tregon maturi dhe gjakftohtësi kundruall befasive të jetës. Nganjëherë ndoshta do të donte të rebelohej e të bërtasë, duke i dhënë hov të posaçëm vargut për të shprehur shqetësim ndaj kësaj a asaj dukurie, por rëndom të josh me të vargëzuarit si lajmëtare e bukurive të vogla të jetës.

Brengat, dyshimet dhe druajtjet në poezinë e Markut nuk përfundojnë asnjëherë me pesimizëm, por edhe ato janë si dëshirat dhe përjetimet e tjera, fryt i emocioneve të ngrohta, vërejtjeve dhe zbulimeve realiste.

Podujevë, më 28 shtator 2020, Zymer Mehani