Kirili dhe Metodi bullgarë, maqedonas, sllavë, grekë, apo e gjithë kjo histori është një rrenë e madhe?

0
371
Abdulla Mehmeti - Kirili dhe Metodi

Abdulla Mehmeti, 02 tetor 2020A-News24.com

Me shkas…

Çfarë strategjie? Fillimisht ishte besimi ortodoks, ishin shenjtorët (Shën Kontandini) dhe librat e shenjtë (Bibla Besika e dardanëve në themelet e këtij besimi dhe “kisha romake lindore” kanë qenë ilirët-dardanët), më vonë e shndërruar përmes propagandës në besim “pravosllav”, ndërsa në kohën më të re me tendenca të hapura të shndërrohet në besim, nga ai “pravosllav” në besim dhe kishë “pravoruse”. Ndërkohë asnjë argument bindës nuk e vërteton se kisha ruse dhe ajo bullgare janë krijuar nga këta popuj, sidomos ajo ruse, pas shek. XV. Çudi, apo jo?!

E njëjta situatë është edhe me shkrimin sllav (i krijuar nga kisha) dhe alfabetin kirilik të përhapur në viset e banuara edhe me popullsi sllave, por që nuk e ka krijuar asnjë autor apo dijetar sllav, grek, serb apo bullgar (alfabeti i Shën Hijeronimit ilir i modifikuar nga një autor armen, i përhapur edhe ndër banorët sllavë nga misionarët ilirë, Konstandin filozofi (Kirili) dhe Metodi (emri i saktë nuk dihet) dhe nxënësit e tyre, Naumi dhe Klimenti (i pari përmendet tepër sipërfaqësisht në botën sllave, për shkak të përkatësisë së tij të qartë etnike ilire-arbërore).

Dhe kjo “shkencë” sot u dashka të mbrohet dhe riafirmohet nga individë, që as vetë nuk janë sllavë as bullgarë, por ish-agjentë rusë me përkatësi etnike arumune (emrat janë të njohur për studiuesit)?!

KUR POLITIKA E HEDH SHKENCËN NË RËNIE TË LIRË

Trajtimi dhe sqarimi i kësaj çështje nuk duhet t’i preokupojë vetëm palën bullgare dhe maqedonase, por tërë opinionin shkencor dhe sidomos shqiptarët autoktonë në Maqedoni.

A kanë qenë Kirili dhe Metodi bullgarë, maqedonas, sllavë, grekë, apo e gjithë kjo histori është një rrenë e madhe dhe falsifikim ordiner i historisë, varësisht nga interesat politike ditore të popujve dhe shteteve përkatëse?
Duke pasur parasysh se kjo çështje në radhë të parë duhet t’i preokupojë shqiptarët vendës në Maqedoni, sa për fillim i njoftojmë përmes këtij shkrimi në gjuhën maqedonase, ndërsa anlizën tonë për këtë çështje do ta lexojnë të interesuarit tjerë gjatë ditës së nesërme.

Me këtë rast, sa për të nxitur debat dhe kureshtjen e lexuesve, sidomos të miqve të mi, ju përkujtoj se hallakama që po ndodh kohëve të fundit në qarqet shkencore dhe institucionet e pushtetit në Bullgarinë fqinje, kinse për pastrimin e të kaluarës dhe historisë mes tyre dhe popullit maqedonas (inekzistent për palën bullgare) na e përkujton çmendurin e të gjithë pushtuesve dhe sunduesve të mëhershëm; kur grekët kanë propaganduar se çdo ortodoks i mirë duhet të jetë grek dhe çdo shqiptar ortodoks sipas kësaj duhet të jetë grek; apo pushteti i dikurshëm osman, që ka synuar ta bindë çdo shqiptar, se për të qenë besimtar i mirë islam (musliman) duhet të jetë turk i mirë, përkatësisht vetëm si turk mund të jetë edhe besimtar islam, apo edhe çmenduri të tjera të predikuara nga pushtetet, institucionet dhe kleri fetar gjatë sundimeve pushtuese në viset shqiptare në të kaluarën (madje edhe sot).

Kjo sa për fillim…

(2.IX.2020)