Prof. Dr. Gëzim Alpion, Frank Shkreli – Kopertina e librit në anglisht
Nga Frank Shkreli
Me kënaqësi e pranova ftesën e Kryetarit të Shoqatës Anglo-Shqiptare me qëndër në Londër, Z. Stepehen Nash, ish-i ngarkuari me punë në ambasadën britanike në Tiranë (1993-1995) dhe Ambasador në Shqipëri 1998-99 për të marrë pjesë (via Zoom) në mbledhjen vjetore të shoqatës, në të cilën folësi kryesor ishte Prof. Dr. Gëzim Alpion, i ftuar i posaçëm, për të folur mbi librin e tij më të ri në anglisht, kushtuar Nenë Terezës. Biseda e Prof. Alpion titullohej, “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nenë Terezës drejtë Shenjtërisë”, (“From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood“). Dr. Gëzim Alpion është i punësuar në Departmentin e Politikës Shoqërore, Sociologjisë dhe Kriminalistikës të Universitetit Birmingham të Anglisë. Libri më i ri i Dr. Alpion – që ishte subjekt i debatit via Zoom, nën kushte të kufizuara për shkak të epidemisë, organizuar nga Shoqata Anglo-Shqiptare – është: “Nenë Tereza: Shenjtëresha dhe Kombi i saj”, (Mother Teresa – The Saint and her Nation) https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/.
Në të vërtetë, ia vlen, që me këtë rast, të njoftohemi me Shoqatën Anglo-Shqiptare, me seli në Londër, e cila sponsorizoi fjalën e mbajtur nga Prof. Dr. Gëzim Alpion për Nenë Terezën – autor i librit më të ri në anglisht mbi jetën dhe veprimtarinë e saj. Kjo shoqatë ka një të kaluar të kahmotëshme dhe të pasur me një histori të vlefshme për marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërkohë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës dhe të historisë së Kombit shqiptar gjatë dekadave në Britaninë e Madhe dhe më gjërë.
Në portalin e Shoqatës Anglo-Shqiptare thuhet se ajo mban takime të rregullta gjatë vitit duke u përqëndruar në historinë, kulturën dhe muzikën shqiptare, por edhe shfaqë filma dhe sponsorizon promovime librash me subjekte nga historia e Shqipërisë ose libra mbi personalitete me origjinë shqiptare, si Nenë Tereza. Nepërmjet një gazete elektronike që botohet tre herë në vit, Shoqata Anglo-Shqiptare njofton lajme dhe zhvillime të ndryshme programore të shoqatës, ndërkohë që boton artikuj mbi fusha dhe aspekte të ndryshme të jetës, historisë dhe kulturës shqiptare, në përgjithësi.
Nga viti 2011 janë bërë përpjekje për të rigjallëruar Shoqatën Anglo-Shqiptare në Londër. Në historikun e saj, thuhet se kjo shoqatë e ka zanafillën në një komitet i themeluar në vitin 1912 nga Aubrey Herbert. Ish-Koloneli i nderuar Aubrey Herbert, ishte një ushtar britanik, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës i lidhur ngusht me pavarësinë e Shqipërisë. Thuhet se atij iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Nga 1911 deri në vdekjen e tij, ai ka shërbyer si anëtar konservator i parlamentit britanik. Qëllimi i këtij ish-diplomati anglez ishte të mbronte të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, thuhet në jetëshkrimin e tij.
Edhe enjohura prej shumë shqiptarëve, Edith Durham, e njohur si mike e madhe e shqiptarëve, ishte një artiste britanike, antropologe, e cila me shkrimet e saja vuri në dukje miqësinë e saj me shqiptarët dhe mbështetjen e saj për Shqipërinë due për shqiptarët. Ajo edhe si shkrimtare u bë e famshme për tregimet e saja antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit të 20-të. Edith Durham thuhet se ishte gjithashtu një anëtare e hershme aktive dhe Sekretare e Shoqatës Anglo-Shqiptare. Ajo është vlerësuar si korrespodente, shkrimtare, udhëtare dhe antropologe e interesuar për Ballkanin në fillim të shekullit të kaluar, sidomos për shqiptarët.
Pas Luftës së Parë Botërore, Shoqata ka monitoruar ngjarjet në Ballkan dhe ishte një kanal i rëndësishëm përmes të cilit lajmet nga Shqipëria i përcilleshin Qeverisë Britanike dhe publikun të gjerë. Pas Luftës së Dytë Botërore shqetësimi kryesor i saj ishte fati i shqiptarëve anti-komunistë të arratisur nga Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Që nga shembja e regjimit komunist në vitin 1991 dhe ardhja e demokracisë, Shoqata ka rivendosur lidhjet e saj me Shqipërinë, në një mënyrë më normale.
Shoqata Anglo-Shqiptare ka festuar më 2012, 100-vjetorin e thememlimit të saj me një seri ngjarjesh me atë rast dhe ka vazhduar me një program të pasur, përfshirë dy ceremoni të mëdha në kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, një në Kolegjin Pembroke në Kembrixh në vitin 2016 dhe një tjetër me 16 Nëntor 2018, në Akademinë Britanike në Londër.
Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare, Z. Stephen Nash, CMG dhe ish-i ngarkuari me punë në ambasadën britanike në Tiranë (1993-1995) dhe Ambasador në Shqipëri 1998-99, drejtoi takimin virtual në platformën video-zoom nga Londra, kushtuar Nenë Terezës
Ishte pra në këtë frymë e traditë veprimtarie që Shoqata Anglo-Shqiptare e Londrës sponsorizoi të martën një bisedë për Nenë Terezen me autorin, tani të njohur botërisht, si autor i librave në anglisht për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës, Prof. Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham në Angli. Në kumtesën e tij prej 45 minutash “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nenë Terezës drejtë Shenjtërisë”, duke u mbështetur në librin e tij të fundit “Nenë Tereza – Shenjëtorja edhe Kombi i saj” (Bloomsbury Academic 2020), Dr. Alpion theksoi se jeta dhe trashëgimia e Nenë Terezës duhet shikuar nga tri këndveshtrime, sipas tij: kombëtare, stërgjyshore dhe personale.
Në pjesën e parë të bisedës prej 15-minutash, Z. Alpion eksploroi me të pranishmit virtualë sistemin e besimit të shqiptarëve para ardhjes së besimeve monoteiste, përpara se të përqëndrohej në traditën e tyre të krishterë apostolike. Profesori Alpion nënvijoi pohimin e tij kryesor se në këtë aspekt bazat e qytetërimit evropian janë triadike, d.m.th. ilire, greke dhe romake, theksoi ai.
Në pjesën e dytë të bisedës së tij, Dr. Alpion identifikoi disa nga arsyet që qëndrojnë pas migrimit të brendshëm të shqiptarëve, të gjurmueshme që nga pushtimi romak i Ilirisë. Z. Alpion argumentoi se migrimi i paraardhësve të Nënë Terezës nëpër tokat e banuara shqiptare është një shembull modern i këtij fenomeni të përjetshëm që është parë më së fundmi më 1999 me dëbimin e rreth një milion shqiptarëve nga Kosova.
Në pjesën e fundit të kumtesës, Dr. Gezim Alpion foli për ndikimin e fatkeqësisë – vdekja e babait të saj nga helmimi dhe humbja e 8 të afërmve nga gripi spanjoll (1918-1920) – në thirrjen e Nënë Terezës, zgjedhjen e Indisë si destinacion dhe misionin e saj jetësor. Profesori Alpion arrin në përfundimin se, gjatë shtatë dekadave të jetës së saj misionare, besimi i Nënë Terezës – si për sa i përket të ashtuquajturës, “natës së errët të shpirtit” ashtu dhe raportit të saj me njerëz të besimeve të ndryshme në Indi dhe më gjerë – shfaq anët shpirtërore të kombit të saj, pohoi autori i librit të tij, më të ri në anglisht: “Nenë Tereza – Shenjëtorja dhe Kombi i saj” (Bloomsbury Academic 2020).
Kumtesa e Profesorit Gezim Alpion u pasua me pyetje-përgjigje nga autori dhe me komente nga disa prej pjesëmarrësve virtualë. Krenaria e Prof. Alpion për Nenë Terezën dhe për Kombin shqiptar ishte e dukshme gjatë gjithë prezantimit ku morën pjesë, virtualisht, një numër i madh të ftuarish të zgjedhur, të huaj dhe shqiptarë, nga mbarë bota. Madje, Profesori Alpion deklaroi se ishte krenar që është shqiptar. Duke e dëgjuar me vëmendje edhe unë e ndjeva veten krenar që kemi profesorë, akademikë e shkrimtarë si Dr. Gëzim Alpion, të cilët me punën e tyre na nderojnë siu shqiptarë, ndërsa me paraqitjen e tyre i shtojnë namin Kombit tonë, kudo në botë, ashtu siç ka bërë edhe Nenë Tereza — bijë e Kombit tonë — gjatë gjithë jetës së saj, në atë mënyrën e vet, si Nenë e tashti edhe si Shenjëtore e mbarë botës.
Sa bukur, thashë me vete duke dëgjuar kumtesën e Profesorit tonë të nderuar nga Dibra, që një akademik shqiptar ndonëse jeton jashtë Atdheut, ngrihet mbi të gjithë — që nepërmjet Nenë Terezës — t’i paraqesë botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato për të cilat fatkeqsisht na njeh bota, për arsye të historisë sonë të shekullit të kaluar due më mbrapa në histori. Në një mënyrë, Prof. Gëzim Alpion — duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre — ai po ben aq sa mundet për t’i kujtuar botës duke ri-përtërir, para syve dhe veshëve të atyre që ndoshta nuk i njohin sa duhet traditat dhe zakonet tona shekullore, e të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu, sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët, bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar. Gjithmonë qofshë faqebardhë, Profesor Alpion. Nderon veten, Dibrën dhe Kombin. Të lumtë!