E VËRTETA SHQIPTARE DHE GËNJESHTRAT SERBE PËR “GJENOCIDIN E SHQIPTARËVE NDAJ SERBËVE”

0
657
Albanian Genocide of the Serbs

Nga Ryzhdi Baloku

Lidhur me përmbajtjen e këtij shkrimi, në fillim u orientova që si temë të punimit ta shtroj çështjen e cila do të bënte fjalë për të vërtetën dhe gënjeshtrën si dukuri shoqërore, pa ndonjë prejudikim ndaj askujt. Mirëpo, këto ditë më rastisi ta lexoj një publikim ku flitej për botimin e një libri nga kisha serbe, me një emërtim më shumë se bombastik, të titulluar: “ŠIPTARSKI GENOCID NAD SRBIMA u 20 veku; dokumenti”, me konotacion përçmues “šiptarski” e jo “albanski”, i cili libër ishte përkthyer edhe në gjuhën angleze nga Kosara Gavrilloviq, ku shkruante se ka 951 faqe. Pos në serbisht, në të njëjtën kopertinë të librit të paraqitur, figuronte titulli edhe në anglisht: “ALBANIAN GENOCIDE OF SERBS in the XXth century; dokuments”, që nga serbishtja në shqip mund të përkthehet: “GJENOCIDI I SHQIPTARËVE NDAJ SERBËVE, në shekullin 20; dokumente”, andaj u detyrova që temën e nisur të këtij shkrimi ta ndryshoj dhe ta orientoj në raport me gënjeshtrën serbe, për të cilën gjë me nxiti ky botim, i cili bazohej në “dokumente nga arkivi i dioqezës Rashkë-Prizren”, e ku figuronte emri i redaktores, Sllavica Radomiroviq.

Për ta kuptuar lexuesi gënjeshtrën serbe më mirë, do të vazhdoj me shkrim, mu ashtu siç e kisha menduar temën që në fillim.
Është interesant dhe shumë i çuditshëm rrugëtimi i gënjeshtrës në raport me të vërtetën, e po ashtu edhe efekti i përhapjes së saj.
Nëse me një kujdes të shtuar e analizojmë rrugëtimin e njërës dhe tjetrës, mund të vërejmë se si gënjeshtra rrugëton në destinacionin e saj me një shpejtësi aq të madhe, saqë arrin ta lerë të vërtetën në gjysmë të rrugës.

Edhe pse e vërteta gjithmonë ecën në rrugë të drejtë, megjithatë ajo ngel mbrapa në raport me gënjeshtrën, e cila gjatë rrugëtimit të saj dredhon duke u futur në çdo skutë dhe përkundër shëtisë së saj, si për çudi, e para arrin në cakun e synuar.
Një fjalë e urtë thotë: “Fol e mbushma mendjen”. Në këtë kontekst edhe gënjeshtra sajohet, me qëllim që t’ia mbushë mendjen dëgjuesve apo lexuesve. Ka raste kur ajo sajohet aq “kojshëm”, saqë edhe autori i saj fillon t’i besojë.

Me qëllim që njerëzit t’i besojnë, gënjeshtra zbukurohet shumë, në mënyrë që ajo me qenë sa më e pëlqyeshme nga marrësi i informatës, andaj të painformuarit më shumë i besojnë gënjeshtrës së bukur, se sa të vërtetës reale.

Përhapja e gënjeshtrës është e lehtë. Ajo i ngjan një thesi të mbushur me pupla, e cila kur zbrazet, s’ka kush që mund t’i mbledhë pastaj ato. Në anën tjetër rrugëtimi i të vërtetës është shumë më i vështirë dhe me shumë pengesa.

Arsyeja pse e vërteta vonon në rrugëtimin e saj, është se gjatë rrugëtimit ajo has në shumë vështirësi. Njëra prej tyre është demanti i gënjeshtrës, e cila i ngjan mbledhjes së puplave nga thesi i zbrazur. Pra, duhet të mblidhen njëmijenjëqind argumente për ta demantuar një gënjeshtër që brenda saj ka një sajesë të thjeshtë.

Pra, për të arritur në cakun e duhur, e vërteta duhet ta nisë ecjen para gënjeshtrës, se përndryshe gjithmonë do mbetet mbrapa.
Mund të themi se në këtë drejtim janë bërë një mori studimesh, që zakonisht e shfrytëzojnë shtetet totalitare për qëllime të propagandës.
Jozef Gebels tashmë shumë i njohur si emër për publikun e botës, propagandën e ka trajtuar si art. Ndërsa serbët nga ky aspekt, duke e ditur se gënjeshtra është një armë shumë e fuqishme, e kanë trajtuar aq mirë, saqë ia kanë kaluar Gebelsit në arritjen e qëllimit.

Në mars të vitit 2017, në një intervistë për revistën “Vijenac”, të cilën e boton “Amza Kroate”, presidentja e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, zonja Sonja Biserko, ka thënë: “E gjithë historia serbe është një gënjeshtër e madhe”.

Nga ky aspekt, akademiku Dobrica Qosiç, i njohur për publikun si “babai i kombit serb”, i cili një kohë ishte edhe kryetar i Jugosllavisë post-Titiste, lidhur me gënjeshtrën serbe, ai pos tjerash thotë: Gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar tjetrin; gënjejmë nga keqardhja, gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë nga ndershmëria. Gënjejmë për shkakun e lirisë. Gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb dhe një konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë krijuese, imagjinare dhe inventive. Gënjeshtra është në vetë qenien e serbëve. Gënjeshtra është interesi serb i shtetit. Shumë herë në histori, gënjeshtra i ka shpëtuar serbët. Në këtë vend, secila gënjeshtër bëhet e vërtetë.

Edhe te popujt tjerë kemi citate në trajtë të fjalëve të urta lidhur me gënjeshtrën, si: “Kur e thua të vërtetën, përgatitu mirë, sepse të gjithë gënjeshtarët do të bashkohen kundër teje”, mandej: “Nëse një gënjeshtër përsëritet njëqind herë, e njëjta bëhet e vërtetë”, e që këtë thënie e dinë edhe serbët, andaj gënjeshtrën e tyre ata e përsërisin duke e trumbetuar me mija herë.

Është për t’u çuditur se si edhe në Kosovë, në periudhën pasluftës së fundit, një numër i konsiderueshëm i njerëzve që e kishin “mizën pas veshit” filluan me nxitim të shkruajnë libra autobiografikë dhe biografikë, qëllimi i të cilave ishte që ta shpërlajnë vetën, siç thotë Dobrica Qosiç: “Gënjejmë që ta mashtrojmë vetveten, e ta ngushëllojmë tjetrin” etj.

Ka raste kur i tërë qyteti apo fshati e ka ditur se personi i caktuar ka qenë spiun i UDB-ës, ngase në “kohën e Rankoviçit” e ka mbajtur revolen haptas, duke e ekspozuar që t’i shihet në brez, e që një veprim i tillë asokohe kishte për qëllim që të krijonte autoritet duke i frikësuar njerëzit, sepse dihej që armën me leje e mbanin vetëm ata që ishin të lidhur me pushtetin serb. Tani pas luftës, të njëjtit na dalin me monografi, si atdhetarë të rrallë dhe të pakrahasueshëm, madje me biografi më të pasur e më patriotë se shumë atdhetarë tjerë që e kanë sakrifikuar edhe jetën.

Shikuar nga ky këndvështrim mund të thuhet se këta njerëz me këto monografi, respektivisht me këto autobiografi apo biografi të shkruara nga vetë ata, ose të shkruara me porosi përmes njerëzve të penës që janë paguar goxha “majmë”, kryesisht janë përpiluar me fjalë odash, kafenesh e fjalë rrugësh, si argumente të vetme për lavdërim e bajraktarizëm. Sipas mendimit tim, librat si këta s’janë gjë tjetër veç një tentim që ta mashtrojmë vetveten, e t’i ngushëllojnë familjarët e vet.

Pos shembujve të cekur, paslufte kanë ndodhur edhe disa dukuri tjera të çuditshme. Shpeshherë nëpër disa portale janë publikuar artikuj me burime shumë të dyshimta informative, ku për qëllim kishin diskreditimin e personaliteteve të caktuara. Në këtë drejtim ishte rasti me Mandelen e Kosovës, shkrimtarin Adem Demaçin, i cili në listën e përpiluar me udbashë dhe spiunë të UDB-ës, ishte renditur me numrin 20.

Pra, në mesin e shumë të apostrofuarve, me qëllim e përmenda vetëm një, ngaqë është i shquar si personalitet kombëtar që e njeh e gjithë shqiptaria, kudo që janë në botë.

Sipas mendimit tim, këto apostrofime e kanë burimin në kuzhinën e shërbimeve inteligjente të Serbisë, e ndoshta edhe të Rusisë, të cilat pastaj, njerëzit naivë dhe të padijshëm i pranojnë ato si informata të sakta, e po ashtu edhe portalet që i shpërndajnë të njëjtat, pa asnjë verifikim të besueshmërisë së tyre.

A ka ma marri se ta konsiderosh “spiun të Serbisë”, njeriun që i ka vuajtur 25 vjet burg për çështjen kombëtare shqiptare, e për të cilin të gjitha aktakuzat janë ngritur nga serbët ?! Andaj konsideroj, se veprimet e tilla shpërfaqin turpin që nuk na falet, si për ata që i kanë shpërndarë ato shpifje, po ashtu edhe për ata që i kanë besuar asaj.

Deri më tash, serbët dhe Serbia nuk janë kënaqur e ndalur vetëm me kaq. Ata kanë shkruar shumë libra, por jo monografi personale e familjare, si te na në Kosovë. Librat e tyre janë shkruar kryesisht për qëllime kombëtare dhe shtetërore. Një nga ato botime është edhe libri “GJENOCIDI I SHQIPTARËVE NDAJ SERBËVE, në shekullin 20; dokumente”, të cilin e kam përmendur dhe potencuar që në hyrje të këtij shkrimi, ku në mesin e shumë rrenave të shkruara në të, thuhet si vijon: “…kolonizimi i tokave serbe nga shqiptarët ka filluar që në shekullin e XVII”, kur edhe kinse në atë kohë nisin “plaçkitjet dhe dhuna e përgjakur ndaj serbëve”, për çfarë abati “Serafidin Ristiq, në fillim të vitit 1859 e ka lutur carin rus Aleksandrin e II që ta mbrojë manastirin e Deçanit nga shqiptarët e egër dhe të pamëshirshëm, të cilët nuk i frikohen Zotit, ndërsa urdhrat e mbretërve turq nuk i përfillin.

Abati Serafidin, po ashtu, në vitin 1860 ia ka proceduar sulltanit Abdul Aziz dhe fuqive evropiane memorandumin e gjerë, ku deklaron shumë shembuj të dhunës së shqiptarëve myslimanë, të cilat në vitin 1864 janë publikuar në broshurën » Plač Stare Srbije« (Vaji i e Serbisë së Vjetër)”.

Përkundrazi, edhe pse shqiptarët ishin konvertuar nga feja krishtere në atë myslimane, megjithatë kishat dhe manastiret e tyre nuk i harruan aq lehtë, andaj tërë kohën i kanë mbrojtur dhe janë përkujdesur për to deri vonë.

Vlen për ta përmendur se në periudhën e cekur më lart, Rusia Cariste ishte në ekspansion, ku për synim kishte rrënimin e Perandorisë Otomane. Nën pretekstin e kujdesit ndaj popujve të besimit ortodoks, ajo vazhdimisht i bënte presion Perandorisë, duke i nxitur popujt e atij besimi që të bëjnë ankesa të vazhdueshme.

Nga frika prej Rusisë, çdo ankesë e serbëve dhe grekëve, te pushtetarët turq e reflektonte dhunën shtetërore ndaj popullatës shqiptare. Shqiptarët ishin i vetmi popull nën Perandori që me dekret iu ishte ndaluar përdorimi i gjuhës amtare, madje edhe në predikimet fetare, si myslimanëve ashtu edhe katolikëve dhe ortodoksëve.

Dëshmitë e cekura në këtë libër përmes dokumenteve nga arkivat e dioqezës “Rashkë-Prizren”, pos që janë subjektive, ato janë burim i njëanshëm, pa ndonjë peshë të veçantë shkencore për historiografinë, sepse qëllimi i serbëve të asaj kohe ishte që bashkësia ndërkombëtare t’i përkrahë pretendimet e tyre për shkëputje nga Perandoria, përmes kryengritjeve që vazhdimisht i nxiste Rusia.

Në periudhat kohore që këta i përmendin në atë libër si zullume ndaj serbëve etj., përkundrazi mu asokohe shqiptarët pësonin më së shumti. Shqiptarët ortodoksë asimiloheshin në serbë, malazezë e grekë, myslimanët në boshnjakë e turq, ndërsa katolikët emigronin në Kroaci e gjetiu, ku pastaj asimiloheshin gradualisht. Pra, që nga ajo kohë e deri me dje, shqiptarët s’kanë pasur fuqi, as t’ia prishin “tymin e duhanit” dikujt, e lëre më të bëjnë gjenocide mbi të tjerët.

Të gjitha këto burime serbe nga libri i cekur na përkujtojnë “Jogurt Revolucionin” e viteve të 90-ta nga koha e Sllobodan Millosheviqit, kur popullata serbe e vërshonte Beogradin me telegrame e dëshmi të inskenuara, për kinse “dhunën e shqiptarëve që ua bënin serbëve”, siç ishte rasti i njohur me shishen e birrës i “biseksualit Martinoviq”, ose të deklaratave të ndonjë vejushe serbe, të cilën pushtetarët lokalë e detyronin që ta akuzonte shqiptarin, të cilin ajo e kishte komshi apo kolegë pune etj.

Tashmë dihet që serbët janë të njohur për inskenime. Ata janë në gjendje t’i sakrifikojnë edhe fëmijët e tyre, vetëm që ta arrijnë qëllimin, siç ka ndodhur me rastin “Panda” në Pejë, ku vetë i kanë vrarë të rinjtë serbë, me pretendim që para bashkësisë ndërkombëtare ta legjitimojnë vrasjen masive të shqiptarëve.

Shqiptarët gjatë historisë së tyre, asnjëherë s’kanë tentuar të hartojnë plane për zhdukjen e ndonjë populli. Përkundër kësaj, serbët dhe politika e tyre zyrtare, vazhdimisht ka punuar në këtë drejtim:

– Në vitin 1844, Ilija Garashanin përpilon programin ekspansionist të quajtur projekti i madh “Naçertanije” ,
– Në vitin 1881, Serbia harton programin për dalje në det,
– Në vitin 1908, Vlladan Gjeorgjeviq harton programin për reformën agrare dhe kolonizimin e trojeve shqiptare,
– Në vitin 1920, Serbia harton programin për likuidimin e shqiptarëve,
– Në vitin 1937, Vasa Çubrilloviç harton elaboratin për zhdukjen e shqiptarëve me dhunë dhe terror,
– Në vitin 1939, Ivo Andriç (fitues i çmimit “Nobel”) harton programin për shpërnguljen e shqiptarëve, zhbërjen e Shqipërisë dhe kolonizimin e trojeve shqiptare,
– Në vitin 1941, kemi programin e Stefan Moleviçit, në të cilin parashihet zhdukja e Shqipërisë nga harta gjeografike dhe zhdukjen e shqiptarëve,

– Në vitin 1942, kemi programin e Drazha Mihajlloviçit për zhdukjen e shqiptarëve dhe boshnjakëve të sanxhakut.
– Në vitin 1944, Vasa Çubrilloviç harton përsëri edhe një program për zhdukjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës,
– Në vitin 1945, kemi “Masakrën e Tivarit”,
– Në vitin 1950, kemi programin jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë,
– Në vitin 1986, kemi Memorandumin e Akademisë serbe për “Kosovën serbe”,
– Në vitin 1998-1999, kemi gjenocidin e pandëshkuar të Serbisë kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Sipas librit “Akuza që ulërijnë” të dijetarit austriak Leo Freundlich, vetëm në veriun e Shqipërisë, gjatë vitit 1912 u vranë në mënyrën më mizore rreth 250.000 shqiptarë nga pushtuesit serbë dhe malazezë, me ç’rast shtypi perëndimor i kohës shkruante se Luma nuk ekziston më, ndërsa gjatë periudhës së viteve 1912-1913, kur aleanca ballkanike i kishte sulmuar trojet shqiptare, u vranë dhe u masakruan rreth 500.000 shqiptarë.

Si përfundim mund të them: Përkundër të gjitha vështirësive, ndoshta edhe me vonesë, por më në fund e vërteta zakonisht triumfon, sepse siç thotë një fjalë e urtë “Me rrenë nuk shkohet në parajsë”, ngase mjetet më të forta kundër gënjeshtrave janë argumentet, andaj kundër këtij libri ishte dashur të organizohet një konferencë shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtare, në të cilën do të demantohej ky libër me përmbajtje propagande për shpifjen e gjenocidit të shqiptarëve ndaj serbëve, ndërsa Ministria për Kulturë e Republikës së Kosovës, ishte dashur që menjëherë ta përgatisë padinë për t’ia dorëzuar UNESKO-s, kundër dioqezës “Rashkë-Prizren”, për fshehjen apo zhdukjen e figurave të trashëgimisë shqiptare nëpër freskat e kishave të Kosovës.