HAKI STËRMILLI ME PENË E MALIHER NË BETEJËN PËR DIBRËN

0
350
Haki Stërmilli

Në Dibër, presidenti ynë zbrazi një “thes” me dekorata që nga më e larta akorduar “Gjeneralit me shajak” Elez Isuf Ndreu dhe të tjerë, figura të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si Ahmet Cami, plagosur rëndë në betejën për mbrojtjen e Peshkopisë së lirë dhe personalitete të kulturës e artit dibran.

Në “thes” mungonte Haki Stërmilli: historian, mbledhës i visareve të Dibrës, i syrgjynosur pas Revolucionit Demokratik 1924, i burgosur nga regjimi zogolljan, partizan  që me penë e maliher luftoi për Dibrën si askush, dëshmitari më i afërt i ngjarjeve të mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, veçanërisht për Dibrën, përshkruar në ditarin e tij “Shtigjet e lirisë”…

Në parathënien e “Shtigjet e lirisë”, shkrimtari i dy kohëve të mëdha, të kohës së Paraluftës dhe Pasluftës së Dytë Botërore; romancier, dramaturg, poet, historian… Haki Stërmilli shkruante:

“Ky ditar mba erë baruti dhe ka njolla të kuqe gjaku, pasi është shkruar në malet e përgjakura nga lufta çlirimtare. Asht pasqyra e vuajtjeve dhe e sakrificave mbinjerëzore të popullit tonë kreshnik, asht krijesa e heroizmit të rinisë sonë të artë. Ato që pashë, që dëgjova e që jetova gjatë përleshjes vigane të popullit tonë, formojnë landën e kësaj vepre, e cila fillon më 30 korrik 1943 dhe mbaron më 30 nandor 1944. E pagëzova “Shtigjet e lirisë”

Në 39 faqe parathënie në vëllimin e parë të veprave (1,2,3) të Haki Stërmillit shkrimtari Nasho Jorgaqi (Parathënie që autori e vlen ta ribotojë me dokumentet e gjetura gjatë këtyre 37 vjetëve nga koha e botimit) për “Shtigjet e lirisë” shkruan:

“Ditari “Shtigjet e lirisë” nuk është një kronikë e thjeshtë ngjarjesh. Vetë fakti se atë e ka mbajtur një shkrimtar luftëtar si H. Stërmilli, ka bërë që ngjarjet dhe njerëzit të jepen me një domethënie të qartë e të shëndoshë social-historike. Vlerat e veprës shtohen po të kemi parasysh këndvështrimin me të cilin e ka parë luftën. Ai nuk e ndan veten nga të tjerët, përkundrazi, duke lexuar faqet e ditarit, kuptojmë se ato i ka shkruar luftëtari për shokët e vet luftëtarë. Dhe duke qenë i lidhur shpirtërisht dhe ideologjikisht me ta ai bëhet zëdhënës i tyre, interpret besnik i ndjenjave dhe mendimeve të bashkëluftëtarëve të vet”.

Ngjarjet dhe njerëzit që përshkruhen aty, thekson studiuesi N. Jorgaqi, na çojnë në Tiranë e Martanesh, në Dibër të Madhe e në Peshkopi, në Berat e në malësinë e Elbasanit…

Autori nënvizon se kjo përpjekje vigane, që bënin vegjëlia, është lufta e saj finale mbi armiqtë shekullorë”…
Në pak faqe është e pamundur të përmbledhësh ngjarjet e 16 muajve fletë-fletë, shkruar “Shtigjeve të lirisë”, fletë që siç e thekson Stërmilli “Mbajnë erë baruti dhe njolla të kuqe gjaku”. Dhe “erën e barutit” dhe “njollat e kuqe të gjakut” më qartë dhe më me dhimbje ai na e jep në “Betejën për Dibrën”, të “Madhen” matanë kufirit shqiptaro-shqiptar dhe të “Voglën”, me Peshkopinë kryeqendër. Betejat, edhe e para, edhe e dyta, ishin të përgjakshme, beteja midis forcave partizane çlirimtare të dy qyteteve pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe forcave të Ballit Kombëtarë mbështetur nga pushtuesi i ri, nazistët gjermanë.

Në një konferencë shkencore zhvilluar në Peshkopi me rastin e 40 vjetorit të Çlirimit të Atdheut një historian hodhi pak dritë mbi operacionin gjerman mbi Dibrën e Madhe, koduar “EDELWEISS” …

“Operacioni i nazistëve gjermanë edelweiss «Lulja e Yllit» në qarkun e Dibrës (16.11.-7.12.1943) ishte i pari operacion i madh i pushtuesve gjermanë në shkallë qarku për të pushtuar qytetet e Dibrës dhe të Peshkopisë dhe për të spastruar zonën nga partizanët. Morën pjesë reparte të D 297, D 100, Regjimentit të 2-të «Brandenburg» me një efektiv rreth 7000 veta, si dhe mbi 1000 veta të bandave mercenare. Në Dibrën e Madhe dhe përqark saj kishte rreth 600 luftëtarë të UNÇSH (të Grupit të Dibrës, një batalion i Br. II S dhe një numër vullnetarësh të krahinës). Rreth 200 vullnetarë e partizanë të tjerë ndodheshin në Peshkopi e në Zerqan. Komanda e Grupit të Dibrës kishte marrë masa për t’i shkaktuar humbje sa më të mëdha armikut. Operacioni filloi në mëngjesin e 16 nëntorit. Pas 10 orë luftimesh të ashpra, komanda e Grupit, e ndodhur para një armiku me forca dhjetë herë më të mëdha, urdhëroi tërheqjen gjatë natës. Armiku pushtoi edhe Peshkopinë, ku bëri masakra, djegie e plaçkitje. Operacioni «Edelweiss» vazhdoi deri më 7 dhjetor.”

Po si na e përshkruan Haki Stërmilli në ditarin e tij “Shtigjet e lirisë” atë që është quajtur “Beteja për Dibrën”, betejë që shënon ballafaqimin e parë të forcave naziste dhe bashkëpunëtorëve të tyre me formacionet partizane në qytet, betejë që do të shërbente si përvojë për çlirimin e Tiranës.

FLETË NGA DITARI

11 shtator 1943.
Çlirimi i qytetit dhe dorëzimi i italianëve u ba me njëfarë rregulli. Më 9 të këtij muaji, një njësit partizanësh, paska hy në qytet dhe paska shkue në zyrë të gjeneral Acit, komandant i divizionit “Firence”. As rojat as edhe oficerët italianë, që i shofin partizanët të hyjnë e të rreshtohen në korridor të zyrës, nuk guxojnë me veprue. Hutohen e turbullohen nga befasia. Kur hynë në zyrë të gjeneralit, ai shtanget dhe tronditet kur shef brenda përballë partizanë të armatosur me automatik dhe me yllin e kuq në ballë.- Ma cosa succede? (Çfarë po ngjet) – pyeti mandej gjenerali me një za të dobët, tue shqyrtue me një vështrim të turbullt. Atëherë partizanët i paskan shpjegue se kishin ardhë si përfaqësues të batalionit partizan të Dibrës për ti propozue të dorëzohej pa kushte.

Gjenerali në fillim paska ngurrue dhe qenka mendue, Mbasandaj paska pranue. Atëherë qenkan lajmërue forcat partizane me hy në qytet. Lajmi i hymjes së njësitit partizan qenka përhapë menjëherë. Populli qenka mbledhë para zyrës së gjeneralit për me marrë vesh përfundimin. Kur mbërrihet marrëveshja dhe hyn në qytet batalioni partizan, populli i paska brohoritë me një gëzim të papërshkrueshëm dhe paska manifestue në rrugë tue këndue e vallzue. Mbas çlirimit, menjëherë, qenka vendos në qytet pushteti popullor, tue u zgjedhë Këshilli Nacionalçlirimtar…

14 shtator 1943. Sot erdhën këtu ballistët me Mithat Frashërin në krye…
24 shtator 1943 Ndodhem në qytet të Dibrës. Gjendja s’asht aspak e mirë. Krenët e Dibrës të nxitur prej Mithat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luthës, që kanë ardhë këtu, kërkojnë me e marrë sundimin e vendit bashkë me depot e materialeve ushtarake që kanë lanë italianët dhe që tash janë në duart tona…

9 tetor 1943
Bazi i Canes ka sjellë me vete një fuqi civile prej nja 300 vetash. Gjithashtu, edhe krenët kanë sjellë forca të konsiderueshme dhe i kanë vendosë në katundin Tomin, i cili asht nja pesë minuta larg Peshkopisë. Etanë fuqia e kundërshtarëve që asht mbledhë në Tomin, në Peshkopi e në katundet e afërme, llogaritet të jetë nja 3000 vetash. E tanë kjo fuqi asht tue na kërcënue. Por edhe neve po na vijnë në ndihmë fuqina civile të përbame nga anëtarë të Frontit Nacionalçlirimtar…

17 tetor 1943
Mbramë, mbasdarke, paska plasë lufta në Peshkopi midis forcave tona dhe krerëve reaksionarë. Ata paskan sulmue të parët te kazermat e Pollozhanit. Lufta paska vazhdue tanë natën dhe sot qenka egërsue edhe ma fort…

18 tetor 1943
Gjëmon Peshkopia nga lufta e egër që po bahet. Të gjithë krenët kanë shkue në Peshkopi me forca të mbledhuna përdhunisht e me kërcënime… Raporti i shtabit të ushtrisë tregon për akte heroizmi të kryeme prej partizanëve e vullnetarëve tanë tue përfshi edhe çetën e Sharit dhe atë të Lumës. Por mbi të gjitha vihet në dukje heroizmi i Ahmet Camit…

19 tetor 1943
Lufta në Peshkopi vazhdon me furi. Njoftohemi se edhe vullnetarët, miqtë e frontit, që kanë rrokë armët me luftue kundër tradhtarëve, shqueshkan në trimni. …Aqif Lleshi, me nji fuqi të përbame nga miq të Frontit, u nis për në Peshkopi.

20 tetor 1943
U shpartalluen reaksionarët në Peshkopi. Disfata e tyne ishte aq e madhe, sa mbas atyre humbjeve u përulën. Ata patën 74 të vramë, përveç numrit të madh të të shituemve kurse na patëm gjithsej 13 dëshmorë e të plagosun. Me sa mora vesh, Aqif Zeneli nga Bllaca, dhe partizani i Çetës së Sharit Vlladani nga Mali i Zi qenë dëshmorët tanë, për të cilët nesër populli shqiptar ka me thurë kurora lavdie…

24 tetor 1943
Lajmërohemi nga Tirana se komandanti i çetës së Gollobordës Ahmet Cami, paska ndërrue jetë në spital të kryeqytetit. Populli e paska përcjellë kufomën e tij për Dibër me një ceremoni madhështore tue i vu edhe shumë kunora…

26 tetor 1943
Dje pasdreke batalioni i rinisë “Nazmi Rushiti” u nis për Kërçovë për me luftue, krahas me partizanët maqedonas, kundër reaksionarëve të atjeshëm… Batalioni i rinisë “Nazmi Rushiti”, mbasi paska hy në Kërçovë, qenka tërheqë, për shkak se reaksionari Nefail Zajazi i paska sulmue me forca shumë të mëdha. Në këtë ndeshje paska ra dëshmor Petrit Strazimiri. Ishte i ri dhe kujtoj se ende s’i kishte mbush njizet vjetët… Ndërsa në Kërçovë zhvilloheshin luftime, Xhem Hasa nga Gostivari, një reaksionar i egër, paska sulmue Radostushin me forca të mëdha e ndeshet me fuqinë vullnetare të Frontit tonë… Baba Faja, komandant i batalionit partizan të Martaneshit, erdhi këtu me batalionin e tij.

28 tetor 1943:
Edhe partizani Halil Hasa, që u plagos në luftën e Peshkopisë, ndërroi jetë në spitalin e këtushëm. Në vorrimin e tij, përveç partizanëve, mori pjesë edhe Shtabi e populli. Mbi vorrin e tij, në emër të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Nacionalçlirimtar, mbajta nji fjalim. Çeta e Gollobordës, me qëllim që të përjetësohet kujtimi i komandantit të saj të ramë dëshmor, mori emnin “Ahmet Cami”…

Dje, në orën 13.30 paradreke, Haxhi Lleshi, me çetën e Grykës së Vogël dhe atë të Grykës së Madhe, u nis për Radostush për të ndalue marshimin e Xhem Hasës nga Gostivari, që paska sulmue e thye forcat tona vullnetare që udhëhiqen nga Aqif Lleshi…

31 tetor 1943:
Në mesditë, pikërisht në orën 12.30, papandehun plasi pushka në të katër anët e qytetit. Unë sa isha ulë në bukë dhe ende s’kisha hangër as edhe tri kafshata, kur ushtoi krisma e pushkëve që ranë si nji breshën i papritun.
– Dasmë asht, – ma bani i zoti i shtëpisë, ku isha grishë për drekë.
– Në qytet, sidomos tash që asht vendos pushteti popullor nuk mund të shprazen pushkë për dasmë. – u përgjigja dhe menjëherë dola jashtë shtëpisë.
Në rrugë të Dacajve dallova shokun Hasan Luma me disa partizanë të tjerë. Vrapova drejt tyne. Kur u afrova pyeta se ç’kishte ngja.
– Na kanë sulmue gjermanët dhe tradhtarët e vendit, tha Hasani. Ndërkohë u duk Baba Faja me nja 30 partizanë të batalionit të tij….

Dy topat dhe mortajat e randa e të lehta u vendosën në fushë të kazermës prej ku nisën me qëllue mbi anmiqtë…
Edhe mitralozët e randë po i gjuejnë vazhdimisht anët e ndryshme ku dyshohet se janë strukë anmiqtë…
Gjithkund luftohet. Mortja korr jeta njerëzish dhe mbyt shpirtra bishash me fytyra njeriu. Krisma e pushkëve dhe mitralozëve, ushtima e randë e bombave, të përzjemë me bubullimën e topave e të mortajave, përbajnë melodinë ma të vrazhdë të kësaj kange mortore…
Tash masdarke, kur lufta asht tue vazhdue me furi, na jemi tue këndue kangë revolucionare. Zani i Baba Fajës ushton me forcë…

1 nandor 1943: Tanë natën lufta vazhdoi pa u ndërpre…
Hamdi Lleshi, Zeqi Agolli e shokë të tjerë, që përdorin mitralozët e randë të vendosur nalt, nën pullaz, janë flliqë duersh e turinjsh si të ishin fakëtarë. Por ata, në realitet, janë farkëtarë të jetës së re dhe do të mbeten të tillë derisa të realizohet ideali i tyne…
Na thanë se fuqia e krenëve reaksionarë asht ma shumë se 2000 veta…
Na thanë se në Kllobçisht bashkë me krenët reaksionarë qenkan edhe oficerët anglezë Ridelli dhe togeri Lisl. Nuk më pëlqeu me e besue këtë lajm, se ata duhet të ishin këtu, me ne.

2 nandor 1943
…Pushka vazhdon të egërsohet. Shokët luftojnë tue këndue kangë revolucionare dhe tue brohoritë. Disa herë çeta të vogla të përbame prej 6-7 shokësh, dalin jashtë dhe i sulmojnë pozitat armike. Shokët Sul Baholli, Zeqi Agolli e disa të tjerë, dolën dhe bënë njifarë aksioni nëpër rrugët ku janë futë tradhtarët. Tipa të çuditshëm dhe të pamposhtun janë këta komunistët. S’e çajnë kryet për kurgja dhe s’e përfillin as edhe vdekjen!

3 nandor 1943
…Sulme të dëshprueshme po bajnë anmiqtë kundër ndërtesës së shtabit, ku asht ngujue Jashar Kola me dhjetë shokë si Oso Kuka me 40 veta në kullë të Vraninës… Mbërrini poshtë qytetit çeta e Sllovës dhe menjëherë hyni në luftë. Gjithashtu edhe forcat vullnetare të komandueme prej Aqif Lleshit hynë në veprim përkrah partizanëve… Njoftohemi se anmiqtë po hedhin shishe me benzinë kundër godinës së shtabit, për me i djegë mbrenda heronjtë që qëndrojnë e luftojnë tue këndue kangë.

Partizanët zjarrin e shuakan me truell që e marrkan nga bodrumet poshtë. Në këto kondita zhvillohet lufta, e cila tashma ka mbërri në kulmin e furisë. Duket sikur s’ka me mbarue kurrë. Në këtë potere ferri s’dallohet ma kurgja, veçse gjëmimi i topave dhe shungullimi i mortshëm i mortajave. Ç’po ngjet? Luftë: vriten njerëzit. Përse? Sepse nji palë duen të rrojnë në paqe, qetësi e liri dhe pala tjetër ngulmon të sundojë me poshtërsi, me tradhti.

4 nandor 1943:
Banorët e lagjeve na bien, pa u kërkue, ushqime dhe diftohen të gatshëm me u vu në shërbimin tonë. Disa gra e vajza, qysh në mëngjes herët u vunë në shërbim të shokëve të plagosun. Midis tyne asht e ama e Sul Bahollit, e Ibrahim Kasapit dhe vajzat Hibe Palikuqi, Sadosh Baholli e tjerë… Prej kaq ditësh e netësh lufta po vazhdon pa pra. Po tash masdreke ngjan sikur anmiku asht lodhë se nuk po sulmon më aq shpesh… Forcat tona morën urdhën të hidhen në sulm… Sulmi i shokëve partizanë jo vetëm që asht i vrullshëm, por edhe dërmues. Prandaj anmiqtë po zbrapsen dhe po i lirojnë pozitat. Ndërsa topat dhe mortajat tona po i gjuejnë me përpikeni pozitat e reaksionarëve, partizanët mësyejnë me tërbim… Anmiqtë po ikin të shpartalluem. Partizanët po i ndjekin…

5 nandor 1943
Qyteti u gdhini i lirë. I tanë populli asht në festë prej gëzimit të çlirimit… Të gjithë qytetarët janë të mbërthyem prej një habie që s’dijnë me e shfaqë dhe me e shprehë nga fakti i korrjes së fitores prej fuqisë sonë të vogël kundrejt forcës së madhe të anmikut. Kur i numërojmë forcat anmike të përbame prej ma shumë se 2000 burrash dhe fuqinë tonë prej 230-300 partizanësh e vullnetarësh të Frontit, mbeten me gisht në gojë. Të çuditun e shofin ndërtesën e shtabit të batalionit që asht ba shoshë prej plumbash e bombash dhe kur marrin vesh se aty nuk ka pas veçse 11 shokë, harlisen fare. Ata mahniten se s’dijnë nji gja. S’dijnë se nuk fiton as numri, as edhe mjeti luftarak, por ideali, vendosmëria e luftëtarëve… Në këtë luftë që zgjati katër ditë e katër net, ra dëshmor Jashar Kola nga Zerqani dhe një italian dhe u plagos Azis Asllani me nja shtatë të tjerë… Reaksionarët patën 53 të vramë dhe afër 100 të plagosun…

6 nandor 1943
U formue Komanda e vendit me komisar Jashar Menzelxhiun…
7 nandor 1943 Që të mjekohen ata që vuejnë nga dhembja e dhamëve hapëm një klinikë ku ka me shërbye nji doktor dentist italian, natyrisht pa u shpërblye prej klientëve, mbasi ai mbahet nga pushteti……Shoqet Sadosh Baholli, Hibe Palikuqi dhe dy shoqe të tjera vendosën me qëndrue këtu në kazermë e me marrë pjesë në ushtri si partizane.

14 nandor 1943
Batalioni i Çermenikës me komisar Miço Kallamatën erdhi këtu me na ndihmue, në rasë se shfaqet nevoja me luftue edhe njëherë me tradhtarët e Dibrës, për të cilët pëshpëritet se janë duke mbledhë forca…

15 nandor 1943
Lajmet që vijnë e forcojnë dyshimin dhe na bajnë me besue se me të vërtetë krenët e Dibrës do ta sulmojnë qytetin, mbase sigurohemi se kanë sjellë edhe topa të marrun prej gjermanëve. Njerëz të besueshëm thonë se sonte do të mësyhemi. Prandaj po marrim masa e po përgatitemi për luftë…

16 nandor 1943
Sot, në orën 10.30 paradreke, plasi pushka. Qyteti u sulmue nga të tri anët. Tash lufta zhvillohet e egër dhe sa shkon shtohet furia e saj rritet.. Tash, mbasdreke, anmiqtë filluen me përdorë artileri dhe mortaja të randa. Qëllojnë me përpikmëri. Kuptohet se janë gjermanët ata që gjuajnë me kaq saktësi. Artilerinë e randë e kanë vendosë mbi majat, tej urës së Spiles. Nji predhë e artilerisë anmike tash ra mu në strehën e dritares sime… Nji autoblindë, e mbetur prej italianëve, u riparue dhe u nis me krye aksione kundër pozitave anmike.

Partizanët Hamdi Lleshi dhe Irfan Qilafku u armatosën dhe hynë brenda. Të shofim se sa do të na vlejë kjo armë armike në luftën që po bajmë me ish miqtë e saj…Bashkia, shtabi i batalionit dhe kulla e Seit Dacit u gjuajtën randë dhe pa ndërpremje nji copë herë, prej artilerisë anmike. Qe e pamundun me qëndrue. Prandaj shokët që ishin ngujue në to ishin tërheqë….Gjëmon qyteti nga zhurma e armëve të ndryshme që vjellin zjarr e hekur. Artileria jonë s’po mundet me ba duele me atë të anmikut, se jona asht e kalibrit të vogël dhe s’e mbërrin…

Autoblinda nuk mundi me ngadhënjye. Ajo paska shku jashtë qytetit dhe paska ndeshë në pritat e anmikut. Gjithashtu qenka gjuejtë edhe prej artilerisë anmike. Hamdi Lleshi dhe shoferi paskan ra dëshmorë. Irfan Qylafku qenka plagosë…Konfirmohet se anmiqtë kanë sjellë edhe tanke… Para se të ngrysej artileria gjermane filloi me gjuejtë mbi qytet pa shënue pozitë e pa marrë shenjë. Herë pas here vijnë lajme për viktimat dhe numri i tyne po shtohet nga ora në orë… Në orën 10.30 para mesnate nisëm me u tërheqë, mbasi u bindëm se asht e pamundun me e shpëtue qytetin… Prej këndej, nga Okshatina, i lëshova sytë drejt qytetit dhe nji copë herëe kundrova me nji mallëngjim të përzjerë me dhimbje…

17 nandor 1943
Flaka e ndërtesave që u kanë dhanë zjarrin tradhtarët dhe gjermanët në qytetin fatkeq të Dibrës, si shtëllunga vneri e urrejtjeje, ngjitet në qiellin e heshtun para kësaj mënxyre. Pamja është me të vërtetë infernale (e skëterrshme) dhe jeta për ata rrezikzinj që gjenden në qytet, pa dyshim, asht ma se infernale. Sa ma shumë largohemi aq ma nalt ngrihen kah qielli krahët e flakës dhe të tymit, si duart e nanës së pikllueme, që, në kulm të dëshprimit, i zgjat përpara e përpjetë për t’u ankue, për të mallkue e për të shfry…

Megjithëqë jemi larg, dallohen, midis shumë të tjerave, shtëpitë e Haxhi Lleshit, të Haki Shehut, të Niko Tankës, të Shahin Kundraxhiut e të tjerat që po digjen e shkrumohen…

Haki Stërmilli është i vetmi shkrimtar që e përcolli Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare me penë dhe maliher duke u dhënë brezave në vetë të parë pamjen e saj. Haki Stërmilli (17 maj 1895-17 janar 1953) meriton në këtë përvjetor jubilar të 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë të ngjitet në piedestalin e lartë të njeriut që e shkriu tërë jetën e tij për Shqipërinë. Biografia e tij, persekutimi skajor zogolljan, vepra e tij letrare janë dëshmi janë unike. Haki Stërmilli, më tepër se kushdo sot duhet të vlerësohet me dekoratën më të lartë.

Haki Stërmilli është dhe do të jetë “NDER I KOMBIT”, me ose pa dekoratë.

Abdurahim Ashiku
Athinë, tetor 2019