Nga Visar Zhiti
E pushkatuan në shtator të vitit 1944, në kulmin e forcave burrërore, 45-vjeçar, me shumë kulturë, i pashëm, elegant. Si fillim e torturuan egërsisht, më pas ia thyen eshtrat me porosi të diktatorit të ardhshëm, Enver Hoxha.
Por kush ishte Zai Fundo?
Pararendës i Bashkimit Europian, e quan Giovanni Falceta, profesor italian, hulumtues pasionant i jetës së tij.
… kthehej nga internimi në Ventotene, nga andej ku njeriu, në një farë mënyre, është i mbyllur dhe nuk bën dot jetë, nuk shpalos mendjen e nuk sjell bëmat që do të dëshironte, por edhe s’ka ku fshihet.
Ja çfarë shkruan bashkëvuajtësi i tij, prof. Safet Butka:
Në Ventotene ishte i internuar edhe një profesor korçar me emrin Llazar Fundo, pra ortodoks. Në fillim ky ishte komunist, sepse e quante komunizmin shpëtim të njerëzimit dhe model të barazisë e të humanizmit. Mirëpo, kur vajti në Rusi dhe e pa me sytë e tij se ç’ishte në praktikë komunizmi, i shkroi një letër Fan Nolit: “Pandeha se komunizmi ishte si Krishti, por ai qenka më i keq se djalli”. Qysh prej asaj kohe ai u bë një antikomunist i vendosur, po aq sa ç’ishte dhe antifashist i betuar. Në Ventotene u bëmë miq.
Një portret të Zai Fundos, dëshmi të shkëlqyer e të dhembshme, copëz jete, na jep një tjetër mik i tij, federalisti italian Altiero Spinelli, ideator i Europës së Bashkuar, në autobiografinë “Si provova të bëhesha i urtë”:
E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë të gjatë dhe komplekse politike, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, por edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist. Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë, dhe, kur Dimitrovi ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë, ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte krijuar lidhje me jo pak kundërshtarë të Stalinit…
Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Ndërkaq shëtiste i qetë, i bukur e i drejtë, me flokët biondë që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit, që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit, që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi…
Kur ra qeveria e Nolit, më 1924, Fundoja – 25-vjeçari me sytë që i prushërinin, që gëzonte respekt të tejmë, bashkëpunëtor dhe veprimtar me Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin etj., mërgoi në Itali, Austri, Gjermani, Francë, Rusi. Në Vjenë u lidh me Federatën Komuniste Ballkanike, ku bënte pjesë dhe KONARE-ja dhe Komiteti për Kosovën. Më pas shkoi në Bashkimin Sovjetik, u diplomua për filozofi në Moskë, dha leksione në Leningrad dhe u anëtarësua në Komintern. U interesua për krijimin e një partie komuniste në Shqipëri dhe punoi për grupin komunist të Korçës.
Më 1933 shkoi në Gjermani, i stuhishëm dhe i matur njëkohësisht, shok me Dimitrovin, dhe pas akuzës për djegien e Rajhshtagut, u largua për në Bashkimin Sovjetik bashkë me gruan me të cilën bashkëjetonte, znj. Maria Margaretha Stemmer. Ishte burrë i pashëm, i dashuruar vazhdimisht, elegant dhe në veshje, me një buzagaz të fshehtë.
Ndikoi shumë te vullnetarët që do të shkonin në Luftën e Spanjës. Pasi doli kundër Stalinit, Kominterni e dënoi me vdekje. Mbi fytyrën e tij ra hija e përzishme e mortjes. U kthye në atdheun e sapopushtuar nga Italia. Zai Fundo sikur kishte një fytyrë tjetër tani, vegimit qiellor iu shtua më shumë hije toke, ndërkaq ai i ndërpreu marrëdhëniet me Partinë Komuniste dhe Kominternin, u afrua dhe bashkëpunoi me nacionalistët shqiptarë. Nisi punën si mësues gjimnazi, por pas një viti e hoqën për shkak të veprimtarisë së tij antifashiste dhe e internuan në ishullin famëkeq Ventotene.
Atje do të ishte me bashkatdhetarët e tij, me intelektualët e njohur Safet Butka, Muzafer Pipa, Isuf Luzaj, me Kryezinjtë e Kosovës etj., por dhe me ideologët italianë të Europës së Bashkuar, Altiero Spinelli, Ernesto Rossi, me të cilët Zai, bashkë me mikun tjetër të tyre Stavri Skëndo, hartuan Manifestin e njohur të Ventotenes, “Për një Europë të lirë dhe të bashkuar…”, që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës. Zai Fundo tashmë ishte shqiptari europian, mbi supet e tij të brishta po rëndonte një ardhme tjetër, me prarime të bruzta.