Bilal Kola, nacionalisti në krah të Abaz Kupit, ushtaraku dhe politikani model për të gjitha kohërat

0
488
Bilal Kola

Dugagjin Hata

Familja Kola e Macukullit të Matit, me rrënjë qëndrese për komb e atdhe

Shpejtësia me të cilën dekorohet sot shumëkush, me merita të dyshimta dhe pa lënë ndonjë gjurmë të dukshme në kohështrirjen e veprimtarisë së tyre, më bën të reflektojë për një pjesë tjetër, të rrethuar me heshtje e moskuptim, të cilëve nuk iu ofrohet asnjë titull, asnjë dekorim, asnjë vlerësim. Kjo është një mënyrë tjetër e të vazhdimit të një lufte të nëndheshme kundër tyre, këtë radhë jo me armë e propogandë jakobine, si dje, por me heshtje dhe anashkalim.

Kështu po ndodh me Bilal Kolën, kryelisin emblematik të qëndresës matjane kundër urdive pushtuese që vinin nga jashtë e nga brenda vendit.
Në Macukull, në këtë trevë nën këmbët e malit të Dejës, rreth një mijë e pesëqind metra mbi nivelin e detit, Kolajt në bashkëpunim me dyert e fiset më në zë të Matit, Dibrës e Mirditës, por dhe të trevave të tjera, iu dhanë kohëve dhe hapësirave të etnisë sonë kombëtare emrin dhe bëmat e tyre atdhetare.

Një luftë e përjetshme, brez pas brezi, dhëmb për dhëmb me të huajin. Një histori e ndërprerë brutalisht nga komunizmi, i cili këputi me kosën e luftës së mallkuar të klasave, burrat më në zë të derës së Kolajve, internoi e burgosi me vite e dekada të gjata pinjollët e kullës kështjellë të traditës e të nacionalizmit kombëtar.

Në një histori më shumë se dyshekullore, burrat e Kolajve u bënë flakadanë në qiellin e lirisë dhe drejtësisë, në një trevë thuajse njësh me qiellin, ku dukej sikur koha kishte ngrirë në hejet e përjetshme të akullit, që nuk shkrinte as verës honeve e shpellave të thepisura. Ata humbën nga vetja, nga malli e pasuria, nga koha për vatrën dhe familjen, për të fituar një dimension tjetër nga ai i njerëzve të zakonshëm: dimensionin e fateve të atdheu dhe kombit.

Ata i dhanë vendit të tyre kohën, pasurinë, mallin e gjënë, rininë dhe ëndrrat. Dhe në vend të panteonit të lavdisë, koha e intrigantëve dhe bashibozukëve të hurit e të litarit, të një kohe të pa kohë, iu rezervoi këtyre burrave të shquar rrugën e kalavarit, burgje, internime, konfiskime, vrasje e maskarime, në rrugën e mundimshme të Golgotës komuniste.

Bilal Kola, në kuptimin figurativ të fjalës, është kryelisi i këtij pylli të dendur, mbushur me lisa krenarie e qëndrese, përballë furtunave të kohëve, për liri dhe dinjitet njerëzor.

Jeta e tij nisi në fillim të shekullit të kaluar, në kapërcyll të Luftës së Parë Botërore, kur mbi pavarësinë e brishtë të Shqipërisë qenë vërsulur lukunitë sllave dhe bizantine, për të kulmuar në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore, kohë në të cilën ai spikati jo vetëm si luftëtar dhe nacionalist, por dhe si politikan vizionar. Ai mbrunte në personalitetin e tij lavdinë e të parëve, besnikërinë dhe bujarinë, fisnikërinë dhe humanizmin e tyre, gadishmërinë për t’u ngritur mbi interesat vetjake, familjare e farefisnore, në emër të një sistemi vlerash që nuk mësohet në asnjë shkollë e akademi, por, siç mund të thoshte Niçja, është pjesë e gjenetikës së brendshme arketipale.

Bilal Kola kishte intuitën për të parandjerë dhe kuptuar tradhëtinë e komunistëve pas Marëveshjes së Mukjes, tentativën e tyre për ta kthyer luftën kundër nazifashistëve në një luftë civile, siç e kthyen, duke e zhytur vendin në krim e ndëshkim të pa merituar.

Antikomunizmi nuk ishte një fiksacion i tij, as një qëllim në vetvete. Ishte një rezisetncë e vetëdijshme kundër një rrekje kryeneçe dhe me prapavijë kriminale të atyre që po vinin në pushtet me grykën e pushkës vëllavrasëse, për të devijuar sinoret e traditës, lirinë e individit, pronën dhe vetë shpirtin shqiptar. Ishte një devijim kolektiv, me pasoja tragjike mbi fatet e një kombi të ndarë me kufij artificialë në pesë shtete dhe ku shteti amë, në një kohë të ligë gjysëmshekullore për shqiptarët, në vend që të ishte një strehë e ngrohtë dashurie, u shndërrua, për fat të keq, në një fole grerëzash…

Bilal Kola ishte një atdhetar i vetëdijshëm, që do të vepronte kurdoherë mbi bazën e një sistemi vlerash e principesh, thelbi i të cilave ishte besnikëria ndaj atdheut dhe kombit, në çdo rrethanë të jetës, sado e vështirë qoftë ajo.

Bilal Kola i përkiste krahut monarkist, i cili gjatë kohës së Luftës do të organizohej në forcën politike të Legalitetit, të udhëhequr nga Abaz Kupi, një figurë karizmatike, sa elitare aq dhe popullore, me reputacion të fortë sidomos në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Njëri nga njerëzit më të afërt të Kupit ishte Bilal Kola, personi që në ato kohë të turbullta tejkalimesh të së drejtës dhe deliktesh, jo vetëm i mbronte kryet nga çdo rrezik, por me mprehtësinë e këshillave dhe sugjerimeve të tij, qe kthyer në kryekëshilltar i tij.

Gjurmët e Bilal Kolës në kërkim të botës së ideve dhe parimeve, me të cilat qe rritur dhe edukuar, në një mjedis patriarkal, ku kodet e nënkuptuara kanë më shumë rëndësi se fjalët dhe deklaratat, na çojnë në përballjet e tij morale e fizike, shpirtërore e humane, me devijimet më të skajshme të kohës, veçanërisht të asaj kohe, që përgjatë një gjysëmshekulli absurd, u kthye, nëse perifrazojmë Kadarenë, në një zezonë të tokës shqiptare.

Edhe në kushtet e mbijetesës me qefin nën kokë, maleve dhe shkrepave, i ndjekur këmba këmbës nga repartet e ndjekjes popullore, Bilal Kola arriti të tregojë maturinë dhe pjekurinë e tij, kodet e besës dhe të nderit së derës fisnike, duke mos bërë asnjë dëm jo vetëm ndër civilë dhe njerëz të pambrojtur, por as ndër ndjekësit e tij, të veshur me uniformë, kur nuk i kërcënohej jeta.

Kulla historike e Kolajve bëri gjithçka për atdhuen, u dogj e u rrënua nga komunistët, gur mbi gur u shkatërrua, por guri i themelit, ai gur simbolik, që ka të bëjë me mbijetesën e genit të lirë, genit të panënshtruar nga asnjë pushtues, qoftë nga brenda qoftë nga jashtë, mbeti i patundur. Atë gur Bilal Kola e trashëgoi nga të parët e tij dhe ua la trashëgim brezave, të birit Kurtit, një mandelë e burgjeve politike, nipave e stërnipave të tij, pinjollëve të asaj dere fisnikësh, të cilëve ai do t’iu prijë në shekuj e mijëvjeçarë, me jetën dhe vdekjen e tij krenare.

Koha pas vrasjes së tij tradhëtare është koha e rizgjimit më dinamik e më të të vrullshëm të vetëdijes nacionaliste tek pasardhëshit e Bilal Kolës. Është koha e verifikimit të atyre të vërtetave kapitale, për të cilat ky martir jetoi dhe dha jetën si hero, duke mbetur përjetë një gur kilometrik në kujtesën e brezave.

Ky libër, që botohet me rastin e 110 vjetorit të lindjes së Bilal Kolës, është një homazh për një luftëtar të shquar të progresit shqiptar. Për një fatos të nacionalizmit, që u dogj si flakadan në qiellin e ëndrrave të përgjakura të lirisë. Emrin e tij nuk e mban asnjë rrugë e shesh, asnjë shkollë e institucion. Ata janë mbushur me emra anonimësh, për më tepër, emra aventurierësh të dyshimtë, që kanë vetëm një meritë: ndërrimin e flamujve, sa herë që ua ka dashur interesi i tyre i ngushtë, interesi i klanit familjar e farefisnor, që gjithësesi nuk e kapërcen pragun e derës dhe të oborrit.

Jo rrallë, në këtë atdheun tonë të një mijë e një halleve, medaljet dhe dekoratat i tundin në supe pinjollë të etërve bastardë, për bëma turpi, që do të mjaftonin t’iu skuqej faqja brezave të tërë, nëse do të ekzistonte për ta, në sistemin e vlerave të tyre, ndonjë fije sedre e dinjiteti njerëzor. Etër e bijë vazhdojnë të përcjellin për shqiptarët të njëjtën filozofi, filozofinë e mashtrimit që tash shtatëdshjetë vjet ushqen me dogma e manipulime psikozat kolektive të përbaltjes së fisnikëve.

Bilal Kola ishte dhe mbeti një herertik, i sulmuar me tërë aresenalin leksikor dhe sintaksor të epiteve denigruese në Diktaturë, i rrethuar me heshtje dashakeqe, izolim dhe keqkuptim në këtë soj demokracie klanore e fisnore, që prodhon çdo ditë krizë e anarshi kolektive.

Një figurë e tillë e kulluar dhe me kaq rrezonancë humane dhe atdhetare, nëse dje ndiqej këmba këmbës nga killerët e kuq për ta asgjesuar, deri sa e ekzekutuan pabesisht në Kala të Shkupit së bashku me dhjetë familjarë të tij të derës e të gjakut, sot rrethohet me heshtje.

Më thoni, të nderuar lexues: A ka më cinizëm mizor se të heshtësh përballë të vërtetës dhe të hiqesh sikur ajo nuk ekziston?!