Shkruan Prof. Zymer Mehani
Më shumë se një shekull e gjysmë – nga Abetarja e Parë Abetarja, libri i parë me të cilin i fillojmë hapat e parë në jetën edukative dhe arsimore, ka një histori të gjatë 172- vjeçare. Pra kanë kaluar më shumë se një shekull e gjysmë që kur populli shqiptar pati në duar abetaren e parë. Që nga ajo kohë, abetare të shumta kanë përcjellë gjenerata të tëra nxënësish. Por, libri i parë, me të cilin takohen njerëzit, për shqiptarët, ka një histroi në shumë raste të dhimbshme. Kjo histori është e mbushur me emra të shumtë të atyre që me tërë qenien e shkruan, por edhe të atyre që e mbrojtën edhe me jetë.
Abetarja ishte arma më e fuqishme për të shkëputur arsimin shqip nga varësia e arsimimit në gjuhë të huaja.
Fillimi i rrugëtimit të Abetares së Parë Ishte pikërisht viti 1844 që shënon nismën e kësaj ngjarje të madhe, kur u botua “Evetari shqip” i Naum Veqilharxhit, që është edhe abetarja e parë në gjuhën shqipe. Këto abetare, përveç që ndikuan në arsimim (mësimin e gjuhës shqipe), ndikuan edhe në edukimin e gjeneratave të shumta me përmbajtjen e tyre. Ato krijuan dhe zhvilluan ndjenja atdhetare. Abetarja ishte një pjesë e rëndësishme e luftës së popullit shqiptar për liri. Ajo ishte luftë në vete. E bënin pedagogët dhe e mbronin luftëtarët. Por, edhe shumica e këtyre pedagogëve ishin edhe luftëtarë. Në fakt, ndryshe nuk do të mund të mbijetonin abetaret, po të mos mbroheshin me armë.
Disa nga autorët edhe ranë dëshmorë si: Naum Veqilharxhi, Anastas Kullurioti, Luigj Gurakuqi, Jashar Erebara, Shefqet Daiu e shumë të tjerë. Abetaret bënë historinë e arsimit shqip në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët, por edhe një pjesë të madhe të historisë kombëtare. Ky libër që konsiderohet si i shenjtë, nuk ishte vetëm një mjet pune për të mësuar shkrim-leximin, por ishte edhe një shtytje për çlirimin kombëtar gjatë një shekulli e gjysmë. Me Abetaren nuk u lidhën vetëm mësimdhënësit, por edhe njerëz të fushave të tjera, njerëz të çdo shtrese, të çdo profesioni. Luftëtarët e mbanin krahas armës për t’i shpërndarë që të mësohej gjuha shqipe, që të viheshin themelet për të përgatitur më vonë njerëz të arsimuar, që do të kontribuonin për një jetë më të mirë, për një Shqipëri të arsimuar.
Vështirësi gjatë rrugëtimit të Abetares së Parë Por, me Abetaren u doli punë armiqve dhe atyre që ishin kundër kombit dhe arsimit shqip, prandaj ky libër edhe u vu në listën e botimeve të ndaluara për shumë vjet. Në disa raste u dogj. Naum Veqilharxhin e helmuan dhe u përpoqen në mënyra të ndryshme që librin e tij ta zhduknin. Por, lufta për të mbrojtur këtë libër të parë ishte më e fortë se dëshirat e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Dëshira për mbijetesën e abetares ishte më e madhe dhe dhuna që ushtrohej mbi të gjithë ata që merreshin me të nga përgatitje, botimi, e deri te shpërndarja.
Për të mbajtur gjallë e të freskët abetaren shqipe derdhën mundin, djersën e intelektin e tyre penat më të fuqishme të kohës, si: N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, D. Boriçi, S. Frashëri, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Vasa, A. Kullurioti, L. Gurakuqi, P. Qiriazi, N. Lako, S. Shuteriqi, A. Xhuvani, N. Paluca, Th. Papapano, J. Minga, M. Logoreci, G. Beltoja, L. Skendo, L. Lumezi etj. e deri më të rinjtë si Q. Guranjaku, K. Xhumari, Q. Batalli, M. Gjevori, Gj. Gjokaj, Xh. Gega etj. Shumica e autorëve të abetareve janë të njohur në analet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar si pedagogë të shquar, si didaktë të aftë dhe si metodistë të përsosur dhe origjinalë në mjeshtërinë e mësimdhënies. Të tillë kanë mbetur Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri, Gaspër Benusi, Jan Risto Terova, Parasqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Jani Minga, Simon Shuteriqi, Jashar Erebara, Nikolla Lako, Mati Logoreci, Gaspër Beltoja, Ndue Paluca, Aleksandër Xhuvani, Pertef Pogoni, Qamil Guranjaku, Kolë Xhumari, Mehmet Gjevori etj.
4
E nisi Naum Veqilharxhi me “Ëvetarin”
Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare. Naum Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar.
Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes. Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin “Evëtar”.
Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin “Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar”, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një “Enqiklikë„ (letër qarkore).”Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkëadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes.
Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit e të gjuhës shqipe, Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht të grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.
5
Abetarja e Parë tetëfaqëshe!
Naum Veqilharxhi e zgjidhi sipas pikëpamjes së tij çështjen e alfabetit, e më pas u mor me hartimin e abetareve për gjuhën shqipe. Në atë kohë nuk kishte një alfabet të vetëm të gjuhës sonë dhe nuk kishte shkolla në gjuhën amtare. Naum Veqilharxhi, fillimisht hartoi një abetare prej 8 faqesh me titull “Fort i shkurtër e i përdorshim Evetar shqip për çdo si cillë që do të mësonjë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”. Autori e shihte se pak faqe nuk ishin të mjaftueshme, por e ndiente të domosdoshme të bënte edhe ndonjë sqarim. Kështu në parathënien e botimit të dytë theksonte se “mos i vështroni të vogëlmit e ti, koha do t’i dëftenjë të mathtë e të rendit” (=rëndësinë e tij).
Një vit më vonë Veqilharxhi, më 1845 botoi abetaren e dytë prej 50 faqesh me titull “Fare i ri Ëvetar shqip për djelm nismëtor, nxjerrë e dhënë mbë dritë tani herën e parë për djem të vegjël me një të zgjedhur nga disa gjë të mirash e të fitimëshme”. Parathënia e botimit të dytë kishte si titull “E parthënme për mbi djemt e rinj shqipëtarë”. Ishte një manifest i vërtetë i lëvizjes sonë kombëtare. Përveç të tjerave, kjo parathënie kishte vlera edhe për mendimet që jep për zhvillimin e gjuhës dhe të arsimit kombëtar. Në Evetar ka dhënë edhe këshilla për të rinj, shumë prej tyre me përmbajtje praktike dhe edukative, si: Secili ka për detyrë të dojë vendin e tij. Më e madhe gjë se të mësuarit nuk ka mbë këtë jetë; Kush nuk mëson e nuk punon, nuk duhet të hajë.
6
Botimi i dytë i “Evetarit” me porosi
“Fare i ri evetar shqip për djelm nismëtar” Naum Veqilharxhi e kishte shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë, po ashtu edhe në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një “Enqiklikë”(letër qarkore). “Enqiklikën” ai ua drejtoi më
1846 bashkadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me “lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare”. Ata shqiptarë që shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të ishin “mirëbërës”, etër e mësonjës të atheut e të kombit tonë. Por, Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov e guxim.
Me një stil të shkathët, të figurshëm, e plot optimizëm ai shkruan: “Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojnë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë”. Veqilharxhi mendon se që të dalim nga gjendja e rëndë, duhet të shkruajmë gjuhën tonë e të përhapim arsimin shqip, të përhapim farën e diturisë, e cila do të sjellë gjithë të mirat më pas. Ai, po ashtu, mendon se padituria është fatkeqësi, që barazohet me skllavërinë. “Ato kombe që kanë mbetur në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve”. Një komb mund të dalë nga mjerimi dhe prapambetja, kur të fillojë të lëvrojë gjuhën kombëtare. Gjuhën tonë ne duhet ta shkruajmë me “shkronja të veçanta kombëtare”, sepse kështu, mendoi ai, se edhe ne do të vihemi në radhën e kombeve të qytetëruara. Veqilharxhi i kontribuoi edhe gjuhës.
Studiues të shumtë janë marrë edhe me gjuhën e përdorur në abetaret e Veqilharxhit, ku është vënë re një prirje për t’i afruar dialektet e shqipes, sikur edhe dëshira dhe përpjekja për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës, zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë të shqipes në përputhje me strukturën e gjuhës sonë. Disa nga shembujt në këtë drejtim janë: tërulmt -përulje, tërsjellt =përkthej, përgjykonj =rigjykoj, përflaç =përbuzësh, parfolmësi =profet, parpleqtë =stërgjyshërit, mfshersës =spiun, nxjerës -hartues, krerëtore=shkronjë e madhe, mëzëtore= bashkëtingëllore, vendlermi= atdhe, vendlehti= parajsë etj. Në Evetarët e tij gjallëroi edhe ndonjë fjalë të vjetër, si gërbje për kullë, ose i përdori me zgjerim kuptimi, si dora për fara, komitë për shërbyes, kuvënt për fjalë etj. Nga fjalët e krijuara disa u trashëguan, si fletore për libër, abetare, broshurë që më vonë u përdor për gazetë, e parthënme për parathënie, zëtore më zanore etj.
7
Abetarja është shtypur në vende të ndryshme Historia e abetareve është e lidhur ngusht me historinë e shkollës kombëtare shqiptare dhe ajo i ka hapur rrugë botimit të teksteve të tjera shkollore. Abetarja është shtypur jashtë vendit dhe brenda territorit tëe shtetit të pavarur shqiptar: në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Athinë, Napoli, Manastir, Bruksel, Paris, Ëorçester, Kajro, Aleksandri, Shkodër, Tiranë, Prizren, Prishtinë,Korçë, Vlorë, Shkup etj.Abetaret e botuara nuk janë përdorur vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët. Roli i tyre ka qenë shumë i madh, sepse fëmijët dhe të rriturit shqiptarë duke mësur shkrim-lexim u vetëdijësuan për vlerat e gjuhës shqipe, për historinë e popullit shqiptar, ndërsa u ndërgjegjësuan për çështjen kombëtare.
Por, Evetari i parë ishte vetëm një nga nismat e mbara dhe ky libër erdhi duke u përsosur dhe duke u përshtatur vazhdimisht me veçoritë e gjuhës dhe më metodat më të reja të mësimit të shkrim-leximit. Abetaret tona, në çfarëdo forme që janë paraqitur a botuar, si tekste të mirëfillta apo si një fletushkë, gjithnjë kanë pasur karakter funksional. Në këtë pikëpamje ato kanë ardhur gjithnjë duke u pasuruar dhe përsosur, duke dhënë kështu një ndihmesë në historinë e kulturës shqiptare. Me përmbajtjen e tyre, ato gjithnjë kanë shërbyer jo vetëm si mjete për t’i aftësuar nxënësit për të lexuar dhe shkruar gjuhën shqipe, por edhe si mjete të fuqishme edukimi. Me paraqitjen e tyre figurative ato kanë shërbyer edhe si mjete të fuqishme për edukimin etik, estetik dhe artistik të fëmijëve në këtë etapë të parë të shkollimit të tyre.
8
Abetaret që janë ruajtur në Bibliotekën Kombëtare Abetarja më e vjetër që është në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, është ajo që mban vitin 1911 dhe titulli i saj është “Abetare e gjuhës shqip me skronja e ra”. Një abetare tjetër, tetë vjet më e re është ajo e Thoma P. Pano me titull “Shkëndilat e para, abetar shtimi i ‘ti’”. Abetarja e radhës për nga vjetërsia, është ajo e vitit 1922 me titull “Abetar për shkollat fillore të Shqipërisë”, me autorë A.Xhuvani. ndërsa, e datës 1927 është abetarja e botuar nga Ministria e Arsimit e asaj kohe me titull “Abetar për shkollat fillore të Shqipërisë”. Në BKUK ekzistojnë edhe ekzemplarë të abetares së vitit 1947 të hartuar nga Mehmet Gjevori, Stathi Kastrati dhe Jani Gjino. Edhe abetarja e vitit 1950 ka për autor Mehmet Gjevorin, Shefqet Veliun, Stathai Kastratin dhe Talat Paçarizin.
Ndërsa, gjatë kohës së komunizmit Shqipria dhe Kosova punonin me abetare të ndryshme. Ramiz Hoxha ka qenë autor i Abetares së vitit 1966, ndërsa në 1977 abetaren e ka shkruar Mehmedali Hoxha. Në vitin 1978 abetaren që është përdorur në Kosovë e ka hartuar Xhevat Gega. Abetare janë hartuar edhe gjatë viteve ’90. Në vitin 2000, Abetarja për nxënësit e Kosovës u hartua nga Qamil Batalli e Agim Deva. Nëpër kohëra të ndryshme, Abetaret kanë pasur mision jo vetëm mësimin e gjuhës shqipe, por edhe misione të ndryshme deri te ato politike të kohës. Abetarja më e re, është punë e ko-autorëve nga të dyja shtetet, Mimoza Xhokutaj dhe Shezai Rrokaj nga Shqipëria, si dhe Saranda Pozhegu dhe Islam Krasniqi nga Kosova.
Very beautiful story (Nga anglishtja: Histori shumë e bukur)
Komentet janë mbyllur.