PSIKO-LIRIKA E DASHURISË, ETIKËS JETËSORE DHE BOTËS SHPIRTËRORE

0
413
Feiz Demiri

Prend Buzhala Prend BUZHALA:

(Në vend të recensionit)

Poezia e të riut Fejz Demiri shquhet për drejtpërdrejtshmërinë e ligjërimit poetik. Sado që secili brez i ri kërkon të eksperimentojë me artin, për t’u dukur me çdo kusht risimtarë, një dorë krijuesish, si Demiri, duan të na thonë se koha jonë nuk kërkon ekzibicione të tilla gjuhësore-lirike, por e kërkon thellësinë e mesazhit poetik dhe përmasat e përjetimit të tematikës e lëndës së trajtuar poetike.

1.

E pra, dora e tillë e poetëve, duan të theksojnë se në poezi, përpos, pyetjes SI, poezisë i shtrohet edhe pyetja ÇKA? Jo vetëm poetika a mënyra e shprehjes (SI), por edhe lënda që përzgjidhet (ÇKa_, kanë vlerën e tyre. Nuk është e habitshme përse te libri i Fejzës, përpos tematikës së dashurisë, jetës dhe përjetimeve rinore, ka dhe një tuf[z poezish që kanë bosht tematik mendimin udhërrëfyes, mendimin pozitiv, kulturën etike, mbi vlerat e jetës. Kësisoj, përditshmëria dhe sferat e jetës intime, gërshetohen natyrshëm në këtë poezi. Imperativi estetik ndërkëmbehet me urdhrin etik-jetësor.

Vala e re e poetëve të rinj nuk përbën, pra, një manifest “shkollash” a “lëvizjesh” letrare, apo një koncept unik me pretendime “postmoderne”. Dhe fakti i tillë përbën një përparësi e jo defekt, sepse moda e kërkimit të lëvizjeve a rrymave konceptuale letrare, tashmë ka kaluar. Në vend të fluturimit imagjinativ nëpër re, në vend të dhënies pas iluzioneve dhe utopive, krijuesit e rinj janë tejet konkretë, pragmatistë:brez që zbresin me “këmbët mbi tokë”, por janë edhe kërkues: ku fuqia e mendjes dhe e frymëzimit meditativ-lirik, megjithatë, zbulon regjione të reja të përjetimit, tematikës dhe të thënies lirike.

Në poezinë e tillë, prandaj, ndërkomunikojnë njësoj si folësi lirik i mërzisë së jetës (poezia “Jeta më ka mërzitur”), ashtu si dhe subjekti lirik që shkurajohet përballë degradimit të vlerave njerëzore (poezia “Kot mundohesh”).

Mirëpo, pjesën kryesore e përbëjnë lirikat që zhdrivillojnë rruzullimin intim e objektiv të dashurisë, sikundër janë pjesa më e madhe e poezive e që titullohen: Dashuria ndien mall, Malli ndien dashuri, Zemra e shpirti ma ngushëllojnë veten, Ke parasys, Dashuria nuk njeh gjuhë, Një femër e pëlqyer, Kuptimet e dashurisë, Kur shpirti ka etje, Pa ty, Dashuri, Ajo që nuk mund të thuhet, Ti je, Diçka që nuk mund të thuhet, Shpirti i zbrazët, Të jesh në lëkurën time, Përtej dhembjes, Ndjenja me gjak, Ëndërrimi, Ti, Dije, Kujtimet dhe Shpëtim. Erosi, aq sa është një fuqi kozmike e hyjnore, po aq është dhe burim i pasur frymëzimesh, idealizimesh, fisnikërimesh, dhe ripërtëritjesh të dy qenieve të lumturuara.

2.

Në këtë raport burim-kërkimesh e idealizimesh, ka dhe plagoma shpirti e lëndime emocionale, ashtu si i dikton këto rrethana vetë dialektika emocionale e subjektit lirik, më saktësisht, e dy qenieve të dashuruara. Ndjenja e tillë nuk pikësynon copëzimin e qenies, por realizimin e saj të plotë, nuk synon ndarjen, ani se ndodhin thyerja, asimetria, paqëndrueshmëria shpirtërore… Nëse fjala eros rrjedh nga greqishtja për të shënjuar dashurinë e një mashkulli dhe një femre, ajo gjithashtu shënjon dritën në errësirë, ku ka dhimbje e ngritje, etje, gjakim dhe dëshirë:

Kur shpirti ka etje,
nuk sheh buzëqeshjen tënde,
nuk sheh qerpikët, vetullat, flokët,
nuk ndien zërin e ëmbël dhe të ngrohtë
nga një gjuhë e thellë dashamirësie,
ndien humnerën e zbrazëtisë, përmallimin, sylotlargimin,
pa bindjen e vetminë.

Etja për dashuri shndërrohet në shpirt që pi nga kjo etje, ku mbizotërojnë vlerat shpirtërore, shndërrohet në etje shpirti. Në gjakim shpirtëror. Shpesh dhe në vuajtje të brendshme psiko-dashurore. Psiko-lirika e tillë ka vlera të mirëfillta artistike, mbasi arrin të depërtojë në fshehtësitë e kësaj vuajtjeje, me përqendrim te përmasa intime, personale. Ka dhe mall e melankoli rinore në këto lektisje lirike. Por ka dhe shpresë, një thirrje për qëndresë e për mbështetje vlerash të brendshme.

Pikërisht ky kërkim i vlerave të brendshme të individit, merr një përmasë tjetër, depërton në sfera të tjera të jetës, në atë etike, sociale, familjare e ku kërkohet shëmbëlltyra e individit. Folësin lirik të kësaj poezie, e lëndojnë pa masë shmangiet nga rruga e drejtë e nga vlerat njerëzore, që po ndodhin kaq theqafas në shoqërinë tonë:

Këtu kam dyshime,
a është koha që ndryshoi kaq shpejt?
A bota qenka kështu,
a mos njerëzit po bëhen të padrejtë?!

Vargjet e tilla tematikisht rrumbullakësojnë idenë e poetit për ta kundruar jetën, etikën e shoqërisë e të individit dhe vuajtjen edhe nga një përmasë tjetër. Me patosin e mendimit pozitiv, spiritual. Janë dhe si udhërrëfyes personalë, për të mos i lejuar te vetja e te arti i tij ndotjet e botës së brendshme. Poetët e rinj krijojnë vargje që i përgjigjen gjendjes së tashme, tash dhe këtu. I tillë lexohet edhe ky libër poetik, ku individi ende vuan, ende përplaset në jetë, edne k ka të pakryera llogaritë historike me vetveten e me realitetin që e rrethon.

Kjo peozi, e krijuar në vargun e lirë, e shtrirë lirshëm në kultivimin e thënies, i hap rrugë poetit dhe për meditime e depërtime në misteret e fshehtësitë e jetës dhe botës së brendshme.