Pse hidhet baltë mbi Kadarenë?

0
459
Ismail Kadare

– Nga Ilir Gjini, FlasShqip.ca

U desh një rrëfim i ish-Kryehetuesit të Diktaturës Qemal Lame, për të provokuar një valë të re sulmesh mbi shkrimtarin më të spikatur të letërsisë shqipe Ismail Kadare. Emisione në studio, intervista të gazetarëve të njohur apo edhe “analistë” që prezantohen si të tillë, janë vënë në garë për të na “ndriçuar” mendjen se Kadare ka qenë një shërbëtor i pushtetit dhe jo një person i survejuar nga sigurimi. Madje këta analistë marrin përsipër të bëjnë edhe kritikun letrar, duke na kujtuar se edhe vepra e tij nuk paraqet vlera të qënësishme letrare, por ka qenë në shërbim të diktaturës?!

Si mund të flitet kështu për shkrimtarin që me artin e tij të shkrimit e bëri të njohur Shqipërinë e vogël anë e mbanë botës? Mos vallë të gjithë ata kritikë, shtëpi botuese prestigjoze e lexues, janë kaq naivë sa të mund të joshen nga shkëlqime të rreme që shiten si “perla” dhe në fund rezultojnë fallco? Përse gjithë këto çmime ndërkombëtare madje edhe nominime për çmimin prestigjoz “Nobel” i janë dhënë Kadaresë? Vetëm analistët shqiptarë janë kaq mendje ndritur, ndërsa të tjerët nuk dinë të vlerësojnë realisht?!

Nuk mund të them se sa të vërteta janë rrëfimet e Kryehetuesit Lame për arrestimin e Kadaresë, por faktet flasin se edhe Kadare ka qenë i survejuar nga policia sekrete si shkrimtar liberal me prirje që për kohën interpretoheshin si “dekadente”, kundër “Diktaturës së Proletariatit”. Është i njohur fakti që kompozitoria e mirënjohur Dhora Leka e dënuar pas “Konferencës së Tiranës”, qe rekrutuar nga policia sekrete për të survejuar shkrimtarin Ismail Kadare.

Kadare dhe arti i tij i madh nuk mund të bashkëjetonin në paqe. “Tirania nuk përshtatet askund më mirë se nën parrullat e lirisë” – thotë Walter Landor. I tillë ishte realiteti ynë i hidhur. Nën parrullat e lirisë e barazisë u manipulua shpirti i njeriut, duke e quajtuar atë “njeriu i ri”! Marrëdhënia e shkrimtarit me regjimin, është si një rrugëtim në një fushë të minuar ku mund të hidhesh në erë edhe nga një letër anonime, apo paranojë e diktatorit.

Jo rastësisht Kadare shkruajti kryevepren e tij letrare “Nënpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Nënpunësi i një pallati ëndrrash, një institucion që interpreton ëndrrat e gjithë frymorëve të Perandorisë, ishte aktakuza më e rëndë që i bëhej në mënyrë të tërthortë regjimit të Enver Hoxhës ku njerzit burgoseshin edhe për ëndrrat. Realiteti shqiptar ishte më diktatoriali nga e gjithë Lindja komuniste. Te ne nuk mund të kishte një Pasternak apo “Doktor Zhivago”, pasi do përfundonte në trekëmbësh dhe vepra kurrë nuk do shihte dritën e botimit.

Analistët e studiove televizive ngatërrojnë trillimin letrar me realitetin dhe historinë. “Figura artistike është një pasqyrim përmbysur i realitetit” – thotë Zigmund Frojd. Nuk mund të anatemohet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” se nuk pasqyronte me vërtetësi gjeneralin italian apo priftin?! Shkrimtari në varësi të mesazhit i skalit personazhet. Mesazhi i veprës është universal: fati i çdo agresori do të jetë një varr në tokën e pushtuar dhe një gjeneral fantazmash që mbledh eshtrat.

Kjo garë gazetarësh e analistësh për të hedhur baltë mbi shkrimtarin më ekzigjent të shqipes dhe një nga emrat më të mëdhenjtë të letërsisë bashkohore, s’di pse më kujtoi një personazh të rëndomtë si Piero Cannata, që me një çekiç dëmtoi ne këmbë Davidin e famshëm të Mikelanxhelos. Kur e pyetën për motivin ai u përgjigj: -Gjeta një mënyrë për të bërë bujë! A bëhen këto sulme nga pozita parimesh apo thjesht për të bërë bujë?

©Ilir Gjini