NË 50-VJETORIN E VDEKJES SË NEXHAT PESHKËPISË – LE TË NISEMI SË BASHKU

0
323
Nexhat Peshkëpia - Romë

Nexhat Peshkepia i pari nga e djathta, në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastritoit – Skenderbeut (Shejzat)

Një thirrje klasës politike anë e mbanë trojeve shqiptare

Nga Frank Shkreli

Viti 2020 shënon 50-vjetë nga vdekja e një prej figurave më të dalluara të diasporës shqiptare të shekullit të kaluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prof. Nexhat Peshkëpisë. Prof. Peshkëpia ishte dhe vazhdon të mbahet mend në komunitetin tonë këtu në Amerikë si një ndër kampionët dhe mbrojtësit e pazevëndësueshëm të lirisë dhe të demokracisë.

Prof. Nexhat Peshkëpia ishte një anëtar shumë aktiv i Komitetit Shqipëria e Lirë me qëndër në Nju Jork, që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi – organizatë kjo që mbështetej financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ishte anëtar ekzekutiv i Komitetit due njëkohësisht edhe redaktor i gazetës “Shqiptari i Lirë”. Komiteti Shqipëria e Lirë gëzonte njohjen dhe legjitimitetin si një ent i sanksionuar nga qeveria amerikane, si përfaques i komunitetit anti-komunist shqiptar në Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së ftohtë dhe, njëherazi, përfaqësonte Shqipërinë në komitetin e Përgjithëshëm të Asamblesë së Vendeve të Robëruara Evropiane, organiazatë umbrellë kjo, që si objektiv të veprimtarisë së saj kishte, përmbysjen e komunizmit në vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Nexhat Peshskëpia kryer shkollën e mesme dhe të lartë në Itali dhe Belgjikë. Më të këthyer në Shqipëri pas shkollimit jashtë, Nexhati qe emëruar mësues i matematikës dhe fizikës në Shkollën Teknike të Tiranës. Me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939, Prof. Peshkëpia iu bashkua forcave të rezistencës dhe ishte një prej organizatorëve të Ballit Kombëtar dhe një prej ideologëve të programit të kësaj partie. Me daljen e lëvizjes komuniste në skenën politike shqiptare dhe që ra nën ndikimin e shpejt të komunistëve jugosllavë, Nexhat Peshkëpia iu bashkua edhe luftës kundër komunizmit, duke shërbyer si redaktor i shtypit anti-komunist dhe anti-fashist.

Prof. Nexhat Peshkëpia ulur midis Mons Dr. Zef Oroshit dhe Inxhinjer Vasil Germenjit

Ndonëse, fatkeqësisht, nuk ia kam mbërrijtur ta takoja sa ishte gjallë këtu në Amerikë po e kujtoj Nexhat Peshkëpinë me rastin e 50-vjetorit të kalimit në amshim – me fjalët e një prej miqëve të tij më të ngushtë, Karl Gurakuqit, i cili në një shkrim me rastin e vdekjes në vitin 1970, e ka kujtuar kështu mikun e tij Nexhatin: “Ishte Shqiptar i mirë Nexhati. Atdhetar i kulluet, shembull për të rijt, njeri i ndermë; i kjante zemra kur vrente përçamje e mosmarrëveshje në mes bashkëatdhetarëve, bij të nji gjaku. Predikonte vëllaznim; për ‘të mjaftonte të ishe Shqiptar, prej çdo krahine dhe menjiherë e afronte dhe me të kjante hallet. Kur ia paten vra vëllain në Tiranë, Manushin e mjerë, më vjen keq më tha sepse nuk e kishte meritue, ka qenë shqiptar i pastër, e ka dashtë Shqipninë, do të kishte dhanë jetën për ‘të. E pra, u vra e u pushkatua, e për më tepër prej dorës së Shqiptarit”, i ka shkruar Nexhati, mikut të vet Karl Gurakuqit në lidhje me pushkatimin e vëllait të tij, Manush Peshkepisë ditën e 27 shkurtit, 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës, të akuzuar për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike.

“Si njëni vëlla ashtu tjetri, si Nexhati ashtu edhe Manushi ishin burra të padjallëzuem”, shkruan Karl Gurakuqi dhe vazhdon: “Të dy predikojshin dashuni ndërmjet vëllazënve shqiptarë, bashkim dhe njisi. Ishin gati tu shtrijshin dorën edhe kundërshtarëve, mjaftonte që veprimet e këtyre të përkojshin me idealet e kombësisë dhe të atdhedashunisë”, ka shkruar Karl Gurakuqi, albanologu, gjuhëtari, përkthyesi, dramaturgu, historiani dhe bashkpuntori më i ngusht i revistes Shejzat të Ernest Koliqit. “Ishte përnjimend Shqiptar Nexhati, me të gjitha virtytet, me të tana vetitë e bukura të racës”, ka kujtuar Karl Gurakuqi 50-vjet më pare, mikun e tij Nexhat Peshkepinë, me rastin e kalimit të tij në amshim.

Nexhat Peshkepia, shkrimtar e poet, në disa prej shkrimeve dhe poezive të tija, shihet se sa mall e kishte Atdheun, se sa shumë vuante në mërgim për Atdheun e tij të largët:

“O ti që vjen nga larg,
Nga vendi i lindjes
Më thuaj: Kur vjen vera
Atje në kopshtin tonë?
Te shtëpia në atë vend të mjerë,
Kumbulla dhe qershija
Çelin gjithmonë lule
Si njiherë?…”

Në çdo shkrim që lexoj për Nexhat Peshkepinë, ajo që dallon është fakti se ai e donte me gjithë shpirt Atdheun dhe i donte shqiptarët pa dallim feje, krahine a ideologjie, për derisa ata të ndanin me të, “Idealet e Kombësisë dhe të Atdhedashunisë”: Le të nisemi së bashku, e jo nji nga nji, i porosiste shqiptarët Nexhat Peshkepia sa ishte gjallë. Edhe sot 50-vjet pas vdekjes dhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ai ka të njëjtën porosi për brezat e sotëm të shqiptarëve, si në trojet shqiptare ashtu edhe në diasporë! Lexoni më poshtë, “Le të nisemi së bashku”, nga Nexhat Peshkepia:

Një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, në vitin 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth interesave të Atdheut due të shqiptarëve — jo një nga një –por të gjithë së bashku!

Eh, medet! T’i kishte sot Kombi Shqiptar vetëm 5 Nexhat Peshkepia, anë e mbanë trojeve shqiptare, besoj se ndryshe do të ishin punët e shqiptarëve!

Nexhat Peshkëpia ka lindur në Vlorë më 15 mars 1908 dhe ka ndërruar jetë më 8 shkurt 1970 në Dearborn të shtetit Miçigan, ku kishte shkuar nga Nju Jorku, ku edhe banonte, për të vizituar një kushëri të tijin që jetonte atje.


Nga Kujto.al

Manush Peshkëpia

Financier, poet, publicist, anëtar i Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi në vitin 1910, në Vlorë. Punoi si financier në Bankën Kombëtare. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, bashkë me të vëllanë, Nexhat Peshkëpinë, u transferua në Elbasan. Gjatë luftës qe redaktori kryesor i gazetës «Flamuri». Më 1944 drejtoi emisionin letrar të Radio Tiranës. U arrestua më 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg dhe punë të detyruar si «armik të popullit». U lirua pas katër vjetësh. U arrestua sërish më 20 shkurt të vitit 1951, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe, pas një jave torturash, duke u gdhirë 27 shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës.