Zymer Mehani
(Përsiatje për vëllimin poetik “Dhembje e revoltë” të poetit, Fatmir Çitaku)
Fatmir Çitaku është publicist dhe nga ata poetë, që e ka të theksuar dhembjen dhe revoltën, i cili në horizontet e poezisë shqipe erdhi me një fizionomi dhe profil të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).
Fusha tematike dhe motivore e autorit në vëllimin “Mall dhe lotë” nuk është shumë e larmishme, por poeti ka evoluar me tematikat dhe motivet nga e kaluara, e sidomos nga aktualiteti.
Tri janë temat që shtjellohen më tepër në këtë vëllim poetik: tema e atdheut (të robëruar dhe të lirë); tema e vatrës (baba dhe nëna) dhe tema e dashurisë (e pakët në sasi).
Motivi atdhetar është më kryesori dhe poezitë atdhetare të bëjnë për vete jo vetëm për përmbajtjen e thellë, por edhe për nivelin artistik, për dinamizmin e brendshëm etj.
Tema e atdheut dhe motivi atdhetar edhe në poezitë fatmir Çitakut do të plekset me motivin e dhembjes dhe të revoltës. Në shumë poezi, poeti Çitaku do ta pasqyrojë vatrën, oxhakun, nënën, babanë, miqtë, agimet e zbardhëlluara, mbrëmjet, fshatin e fëmijërisë etj.
Tema e vatrës është e lidhur edhe me figurën e nënës, që zë një vend të theksuar në poezitë e Çitakut. Gjithsesi figura e nënës do të jetë prezente dhe jepet me ndjenja të veçanta poetike, me ngrohtësi dhe mall. Është ky tipi i nënës sonë shqiptare, e thjeshtë, e dashur, e dhimbsur, thellësisht humane, por edhe atdhetare, e shqetësuar për të birin, me dëshirë që ta shohë dhe ta përqafojë, ta ketë pranë dhe të çmallet me të.
Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) janë vërtet të bukura.
Edhe poezitë përkushtuese zënë vendin kryesor në vëllimin “Dhembje e revoltë”. Ato mund t’i ndajmë në dy pjesë: poezi përkushtuese për familjarët (për prindërit, fëmijët etj) dhe poezi përkushtuese për heronjtë dhe dëshmorët, si për Ali Ajetin, Zahir Pajazitin, Sandokanin, Antigona Fazliun, Bekim Berishën-Abeja, Bedri Ahmetin, Bylbyl Breçanin, Selim Berishën, pastaj për veprimtarët e çështjes kombëtare, Adem Demaçin, Anton Çettën, Ukshin Hotin, Sali Xh. Çitakun, Halil Haxhosajn, Bajrush Behramin, Bedri Gashin, Wiliam Woker-in etj.
Përgjithësisht në vëllimin “Dhembj e revoltë” do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm.
Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.
Me pak përjashtime poezitë e Çitakut shquhen me dendësi vargjesh e strofash, ngase shumë syresh i kalojnë 5-6 strofa. Kjo fuqi sintetike është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit.
Poeti Çitaku e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të poetit për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.
Poezia e Fatmir Çitakut merret edhe si polemikë e ashpër, e prehtë, duke marrë herë pas here edhe karakter rebelues. Prandaj poezia e tij shquhet edhe për revoltë ndaj aktualitetit.
Poeti Çitaku shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Pra, edhe për punë të fjalorit, ky autor ka treguar një kujdes të veçantë. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë. Kryesisht përpiqet që në vargjet e veta të përdor shprehje të përshtatshme, të marrura shpesh edhe nga gjuha jonë e përditshme popullore.