Rrëfim nga KOLEC P.TRABOINI
Sa i përket të pushkatuarve të Kryengritjes së Postrribës, nga Hoti ka qenë një mik e i afërt familjar i babait tim që, veç të tjerash, i lidhte dhe profesioni i mësuesit. Ky ishte mësuesi Pjetër Pali, i cili u lidh me kryengritësit e Postrribës me ndërmjetësimin e Mustaf Jakupit, që ka qenë furrtar në Rus Katolik në Shkodër, përballë kishës dhe kishte krijuar një grup në përkrahje të kryengritjes antikomuniste të 9 shtatorit 1946. Me ta ka qenë edhe Gjelosh Vat Maçi, nga Hoti i Ri, sakat ky e punonte nënpunës në Prefekturë, por mesa kujtoj nga tregimet familjare, edhe Gjon Leka, i biri i Luc Gjelosh Lekës dhe vëllai i kompozitorit Zef Lekaj ka qenë i lidhur me këtë kryengritje.
Kur është bërë një si punë gjyqi, mësuesin nga Hoti, Pjetër Prenush Pali e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan me 2 dhjetor 1947, ndërsa pjestarin tjetër të këtij grupi që siç thuhej ishte ndër kryesorët, drejtuesi i grupit Mustaf Jakupi, si bani 4 apo 5 vjet burg çuditërisht e lëshuan dhe e mbaj mend në fëmini, që vazhdonte të ishte furrtar në Rus Katolik, përballë Kishës. Ishte zijosh hijerëndë dhe kishte miqësi me shumë njerëz. Sa herë e shihja furrtarin me vinte ndërmend tregimi i Dadës Katrinë për mësuesin e pushkatuar Pjetër Pali, e seç me vinte një si dhimbje. Pse kishin pushkatuar pikërisht mësuesin nga Hoti?!
Por furrtarin Mustaf Jakupi jo, madje e kishin liruar shpejt dhe vazhdonte të kishte furrën që në atë kohë konsiderohej një burim i mirë fitimi. Edhe Gjelosh Vata e Gjon Lekaj nga Hoti i Ri kanë bërë burg politik të gjatë. Nga kujtimet e pakta fëminore për atin tim Palok Traboini është edhe udhëtimi që bënim bashkë me biçikletë për në fshatin Postrribë, ku ai kishte miq, me së shumti ish nxënës të tij të cilët e ftonin. Çdo festë Bajrami babai im ishte i ftuar të shkonte te miqtë e vet në Postribë dhe ndër këto festa më merrte edhe mua. Vdekja e babait e ndërpreu këtë miqësi me familjet postrribase.
Por ndodhi që më vonë të njihesha me një plak të vjetër nga Postrriba. Mund të ketë qenë nga Mes-Myslimi a Dragoçi por ne të gjithëve matanë urës se Mesit u thoshin postrribakë sepse emri i Postrribës ishte më i njohuri në Shkodër e rrethina. Quhej Haxhi, ishte sakat, një plak i moçëm hokatar, të cilin nuk kishte nevojë ta pyesje, sepse e fillonte vetë bisedën. E meqë ishim të rinj asokohe na thoshte, “bëji një nder plakut, ik na blej një bukë gruni se kollomoqin nuk e ha as dreqi.” Nuk e di e njihte apo nuk e njihte babain tim, por ai thoshte ”Mësues Palokën, po, e kam njohtë”.
Ndoshta Haxhiu i shkretë thoshte ashtu për hir të bukës se grunit, që shitësja atij nuk ja jepte ani pse rrinte me orë të tëra para dyqanit dhe priste që ne ta ndihmonim të mos ikte me torbat bosh në Postrribë. Gjithmonë kam qenë kureshtar dhe nuk kishin të mbaruar pyetjet që i bëja të moshuarve. Kur e pyeta një herë se a i dhimbtë këmba dhe a merrte ilaçe, ai bëri sikur nuk e dëgjoi pyetjen. Mesa dukej nuk donte të kujtonte diçka që ishte ma e fortë se dhimbja e plagës. “Ka keq e ma keq” – me tha një ditë. – “Unë te paktën e kam gomarin po një shoku jem nuk e ka as gomarin e ka mbet në shpi.”
Pastaj kalonte me hoka të cilat nuk e di pse na i thoshte dhe çfarë ishte kuptimi i vërtetë i tyre. Fshatarët shpesh kanë një kod të vetin në të folur, që ndryshon kuptimin e fjalëve. “Në mos marrsha sot bukë gruni me vedi do të shkoj puna si atij që shkoi në Domen” – tha një ditë. Dhe qeshi me vete. “Si asht puna e atij domnorit?” – e pyetëm. Nisi të recitonte ngadalë këto fjalë: “Ku ishe? Në Domen. Çka na solle? Kromen. Drishti qe i pat mendtë hangri ato që lanë qentë”. Padyshim që Haxhiu fliste në mënyrë të figurshme.
Nuk është se i krijonte vete këto shprehje, se ato ishin pjese e zhargonit popullor të krahinës, por mënyra si e thoshte dhe e lidhte me bukën e gojës na vinte në mendime. Haxhiu plak ishte burrë i mençur dhe hokat i bënte kinse për t’u dukur se ishte i kënaqur nga jeta. Nuk na u durua një herë pa e pyetur se çfarë kishte pësuar ai shoku i tij fatzi, që nuk dilte dot as nga shtëpia. Veç t’i shihje sytë e Haxhiut atë çast, si një vetëtimë në qiell të kthjelltë.
“Po more rrezikziu. E ngatërruan me do të tjerë fatzi dhe i morën t’i pushkatonin. Ishte ditë e të gjithë ata, 16- a 18 burra, si i pushkatuan i lanë aty në një gropë të madhe, ku i hodhën veç pak dhe përsipër që të mos i shqyenin qentë. Ky rrezikzi kishte marrë disa plumba në trup, por kishte mbet gjallë. Nisi me luajt mes trupave e në një farë kohe vuni re se kishte ra nata. Atëherë mezi doli prej gropës. Ju deshën disa orë sa të shkonte zvarrë deri në shpi të vet. Qeni lehi, por e njofti të zotin e nisi me kja si kjajnë qentë. Njerëzit në shpi nuk po mujshin me dalë jashtë në ërrësinë, por ma së fundi kur nisi me kris dera, e hapen e thirren “Po kush je ti more?”, Rrezikziu tha jam filani.
E kishin kja një herë për së dekuni e tash po e kjanin për së gjalli. E ngritën dhe e futën në shpi, i lanë plagët, i dhanë bukë e nuk po dinin se çka me ba me njeriun që e dinin në vorr të pushkatum. E pleqënuen mirë e mirë dhe nga frika se mos pushkatonin edhe pjestarë të tjetër të familjes, vendosen që të nesërmen ta dorëzonin. Dhe ashtu banë. Kur u mor vesh nga pushteti, u thanë të mos flisnin me askënd e të mos thoshin asgja. Rrezikziun e morën, i banë një gjyq tjetër te mshehtë e meqë e kishin marrë krejt kot, pa asnjë lidhje me kryengritjen dhe nuk i gjetën pushkë, vendosen t’i jepnin 20 vjet burg. Nuk bani veç gjysën e doli sakat prej plumbave që kishte marrë. Gjallë e për gazep asht edhe sot…”
Haxhiu i Postrribës na shikonte ne e ne e shikonim atë. Asnjë palë nuk reagonte se nuk donim të vinim njëri-tjetrin në pozitë të vështirë, aq me tepër se këto biseda ishin delikate. Gjithsecili kuptoi aq sa deshi. Aty u thanë e aty u lanë. Haxhiu merrte rrugën drejt verilindjes mbi gomarin e tij dhe hejbet me bukë dhe ne në Gjuhadol vazhdonin jetën në rutinën e përditshme.
Gjithmonë pyesja veten, por jo atë, ishte apo nuk ishte Haxhiu njeriu që kishte dalë nga varri. Kjo skene më rrëqethte. Edhe pse kaluan shumë e shume vite, kurrë nuk mu largua mendimi se këtë histori të treguar për një tjetër rrezikzi e kishte pësuar vetë Haxhiu sakat, që vinte nga Postrriba në Shkodër mbi gomarin e tij për të blerë ndonjë bukë gruri “se kollomoqin nuk kishte dreq që e hante”. Ashtu më ka mbet përgjithmonë në kujtesën time Haxhiu nga Postrriba.