Besa nuk u paragjykua, por thjeshtë nuk ishte për atë punë

0
390
Rama - Besa Shahini

Mentor Kikia

Besa Shahini nuk preferoi të ikë në heshtje. Ajo ngacmoi një arsye si arsye, por që nuk mund të jetë arsye. Ajo tha se iku pasi ndjehej e paragjykuar si kosovare (për shkak të gjuhës, dialektit). Në fakt në Shqipëri të paragjykojnë për gjithëçka. Edhe Nënë Terezën t’ua sjellësh sërish të gjallë, do t’ia gjejnë ndonjë kleçkë jo vetëm gjuhe, por edhe morali po deshe. Por ky nuk është shkak të ikësh nga vendi.

Megjithatë, Besa nuk u paragjykua si kosovare, edhe pse ushtria e facebook-isteve mund të kenë patur vërejtje. Padyshim që nuk është mirëpritur në brigadën qeveritare të Ramës, ashtu siç nuk do të mirëpritesha edhe unë, pasi në parti funksionin parimi, që postet i merr ai që jep më shumë kontribut. Dhe në këtë drejtim, Besa dhe Gent Cakaj erdhën me lugë në brez, në një sofër të shtruar e të mbushur plot.

Në këtë këndvështrim ata që përpiqen të gjejnë arsye tek arsyeja më e paarsyeshme e kanë kot. Besa nuk është paragjykur. Por ajo, po, mund të gjykohet. Mund të gjykohet për pamundësinë për të bërë detyrën e ministres së arsimit. Ajo mund të jetë një grua e formuar mirë, nëpunëse e ndershme e korrekte, por s’kishte lidhje me një fushë kaq shumë të rëndësishme.

Kur mësova mbi eksperimentin “nacionalist” të Ramës mendova se tashmë Besa do të ketë për mision unifikimin e programeve mësimore, pasi mendoj se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të ndodhë, jo kur të hiqet trau në Morinë, por kur të bashkohet arsimi, kultura, ekonomia, e në fund edhe qeverisja.

Besa u ul në një karrige ku 100 vjet më parë ka qenë ulur Marash Ivanaj, një mendje madhështore që hodhi bazat e arsimit, të cilit ne sot s’po lëmë gjë pa bërë për t’ia shkulur ato themele. Arismi në Shqipëri nuk kishte nevojë për një “bojaxhi”, por për një “inxhinier” të fortë, që të mos projektojë lyerjen e shkollave, por të shtrojë një rrugë ku shkolla të ecë për dekadat e ardhëshme.

Sepse arsimi ynë ka degraduar.

Cilësia e mësimdhënies është mjerim, dhe prindërit kërkojnë ende mësuesit e ”komunizmit” në shkolla për t’ua besuar fëmijët.

Një sistem arsimor që ka zhbërë Skencat e Natyrës, deri në atë farë feje, sa për të studiuar Psikologji duhej të fitojë pikët e konkursit, ndërsa për Fizikë e Matemakikë, mjafton të shkruaje emrin, sepse auditoret ishin bosh.

Është një qark i mbyllur; “mësues të dobët – nxënës të dobët-studentë të dobët – dhe sërish mësues të dobët”.

Duhet një mendje revolucionare (nuk dihet kur apo nëse do ta gjejmë) që të mendojë për sot e 50 vjetët e ardhëshme dhe jo për sot deri në zgjedhjet e ardhëshme. Dhe Besa nuk kishte lidhje me këtë punë. Dhe jo sepse është nga Kosova.

Problemi është i Ramës, që ministrinë më të rëndësishme konsideron atë që jep PPP-të e rrugëve dhe jo atë që menaxhon arsimin.