KËRKIM-FALJA E BURRËSHTETASVE SI AKT MORAL I SHPREHJES ZYRTARE PËR PENDESË KOLEKTIVE, APO SI AKT DOBËSIE

0
437
Kujtesë për krimet

Nga Ryzhdi Baloku

Ka kohë që kam dashur të shkruaj lidhur me temën e aktit të kërkim-faljes, të cilën ishte dashur ta bënin serbët ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve, për shkak se shteti i tyre gjatë luftërave pushtuese ka kryer akte të shfarosjeve kolektive, duke e involvuar edhe popullatën e saj në ato krime, por assesi të gjeja moment vullneti që t’ia nisja shkrimit. Mirëpo, bie diçka e ta përkujton temën, duke të jep njëkohësisht edhe motiv për të shkruar.

Para ca kohësh në Pejë, ekipet e çminimit nga Gjakova, nisën pastrimin e terrenit nga mjetet shpërthyese ushtarake, në zonën e maleve afër lagjes Kapeshnicë, sipër “shtegut të shëndetit”, andaj ky veprim që është shumë human por edhe i rrezikshëm për kryesit e punës, m’i përkujtoi masakrat e shumta ndaj shqiptarëve që i kanë kryer serbët në luftën e fundit. Mandej, m’u kujtuan edhe ato të mëhershmet, e që regjimet e njëpasnjëshme të atij shteti as që kanë shprehur ndonjëherë për to së paku ndonjë pendesë formale, madje as për ato të luftës së fundit, të njohura për opinionin e gjerë si gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga ta. Aq më keq, qeveria e Vuçiqit dhe ai vetë po i mohon këto krime të pamohueshme, për të cilat e tërë bota e di, e mos të flasim për kërkim-faljen nga ai, apo nga dikush prej qeverisë së tij.

Siç dihet, pas çlirimit nga Serbia, Kosova e shpalli pavarësinë e saj me përkrahjen ndërkombëtare të shumicës së shteteve demokratike dhe fuqive të mëdha botërore. Mirëpo, përkundër këtyre njohjeve që pasuan nga shumë shtete të botës, shteti i ri i Kosovës megjithatë mbeti në “geto”, pa liberalizim vizash, për çfarë Bashkësisë Evropiane as që po i bëhet vonë kjo çështje. Në anën tjetër, në vend që Serbia të ndëshkohej si agresor që i nisi luftërat gjatë viteve të nëntëdhjeta ndaj republikave të ish RSFJ dhe kreu gjenocid ndaj tjerëve, Bashkësia Ndërkombëtare sikur po e përkëdhel këtë shtet ! Sipas mendimit tim, ky veprim i çuditësh i saj, është për studim !

Të gjitha këto të dhëna që i ceka deri tash, janë një uverturë që lidhet ngushtë me temën e parashtruar.
Për ta kuptuar lexuesit më mirë esencën e saj, do ta vazhdoj shkrimin me përshkrim kronologjik të disa përjetimeve, duke i vënë ato në paralele me metodën komperative nga e kaluara historike që lidhen me Kosovën.

Gjatë dhjetorit të vitit 2019 dhe janarit të vitit 2020 isha në një vizitë njëmujore në Gjermani, te vajza ime dhe bashkëshorti i saj, që të dy mjek-kirurg, të cilët jetojnë dhe punojnë në atë shtet. Sa isha atje, i vizitova disa qytete më të rëndësishme të Bavarisë, madje edhe nga dy a tri here secilën prej tyre. Qytetet që i vizitova, ishin: München, Nürnmbeg, Bayreuth, Bamberg dhe Pegnitz.

Përshtypja e parë në Gjermani e cila më la mbresa ishte pastërtia e qyteteve dhe rregullat që mbretëronin në atë shtet. Te ta nuk vlente parimi si në Kosovë, “rrëno të vjetrën dhe ndërto të renë në vend të saj”. Atje, madje as fasadën e shtëpive nuk kishin mundësi ta ndryshonin pronarët e tyre, e mos të flasim për anekset dhe mbindërtimet në ndërtesat kolektive, siç veprohet tek ne, për të cilat veprime ata nuk do të guxonin as t’i shihnin në ëndërr. Pos kësaj rregulle të natyrshme urbanistike, brenda pjesës së vjetër të qytetit nuk mund të shihje ndërtesat e reja. Ato kryesisht ndërtoheshin në pjesën periferike të qyteteve.

Nga qytetet që i vizitova, më së shumti mbresa më la qyteti i Bambergut, i cili pos bukurisë së mahnitshme që e përshkonin ndërtesat me dekorime të stilit gotik, e nëpër të cilin kalonte lumi Regnic, me një madhështi të panoramës së papërshkrueshme, ky vendbanim ishe shpallur edhe qytet muze nën mbrojtjen e UNESK-os.

Derisa ecja nëpër trotuaret e rrugëve të këtij qytetit me shtëpi të arkitekturës së ndërtimit të ulët, më rënë në sy disa pllaka metali ngjyrë ari, me emra e mbiemra që ishin të fiksuara nëpër trotuare në trajtën e kubzave, afër dyerve të disa shtëpive, andaj iu drejtova vajzës dhe bashkëshortit të saj që të ma shqipëronin shkrimin, se çfarë shkruante në to.
Përgjigjja e tyre ishte se gjatë luftës së dytë botërore, nga këto shtëpi ishin deportuar familjet hebraike, pronë e të cilëve kishin qenë ato.

Ky shënim, jo vetëm që më bëri përshtypje, por edhe me nxiti të meditoj lidhur me filozofinë e të menduarit të udhëheqjes së sotme gjermane, si dhe për karakterin e moralit njerëzor në përgjithësi.

Këto shkrime në pllaka metali nga qyteti Bamberg, sipas mendimit tim shërbejnë për ta përkujtuar popullin gjerman, që mos ta lejojnë ardhjen në pushtet të njerëzve me mentalitet luftënxitës, që mund ta shpinin shtetin e tyre në humnerë.
Dihet po ashtu se shteti gjerman i pasluftës, për dekada me radhë ka paguar reparacione lufte, për shumë shtete. Pos kësaj, kreu i saj i ka kërkuar falje popullit hebre, lidhur me gjenocidin që e ka bërë makineria ushtarake e Vermahtit gjerman, gjatë luftës së asaj kohe.

Në anën tjetër nëse i kthehemi historisë së shqiptarëve, duke e vënë atë në paralele me Serbinë dhe Gjermaninë, mund të vërejmë se në memorien e familjeve të muhaxhirëve, endë është i freskët dëbimi i popullatës prej 714 vendbanimeve shqiptare nga Sanxhaku i Nishit. Pra, po të kishte qenë Serbia shtet me mentalitet gjerman të kohës së tashme, do të duhej që në hyrje të çdo fshati e qyteti që gravitojnë në territorin e Toplicës dhe Kosanicês, të shënohen pllaka përkujtimore me të dhënat se nga ky vend janë dëbuar kaq e kaq familje të shqiptarëve etnik, gjatë periudhave pushtuese të viteve 1876, 1878 dhe 1912 e 1913.

Nisur nga ky këndvështrim, mendoj se edhe udhëheqja e jonë ka një lloj faji në këtë drejtim, sepse është dashur edhe në Kosovë, në hyrje të çdo fshati e qyteti ta vendosë nga një pllakë përkujtimi, lidhur me krimet serbe nga lufta e fundit, me shënime mbi numrin e qytetarëve të vrarë, numrin e shtëpive të djegura dhe dëmeve tjera të luftës që i kanë shkaktuar paramilitarët, policia dhe ushtria serbe.

Shikuar si tërësi, nuk është i vetmi mëkat i serbëve, dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit. Shteti serb në mënyrë kontinuele ka hartuar programe kundër shqiptarëve.

– Në vitin 1844, Ilija Garashanin përpilon programin ekspansionist të quajtur projekti i madh “Naçertanije” ,
– Në vitin 1881, Serbia harton programin për dalje në det,
– Në vitin 1908, Vlladan Gjeorgjeviq harton programin për reformën agrare dhe kolonizimin e trojeve shqiptare,
– Në vitin 1920, Serbia harton programin për likuidimin e shqiptarëve,
– Në vitin 1937, Vasa Çubrilloviç harton elaboratin për zhdukjen e shqiptarëve me dhunë dhe terror,
– Në vitin 1939, Ivo Andriç (fitues i çmimit “Nobel”) harton programin për shpërnguljen e shqiptarëve, zhbërjen e Shqipërisë dhe kolonizimin e trojeve shqiptare,

– Në vitin 1941, kemi programin e Stefan Moleviçit, në të cilin parashihet zhdukja e Shqipërisë nga harta gjeografike dhe zhdukjen e shqiptarëve,
– Në vitin 1942, kemi programin e Drazha Mihajlloviçit për zhdukjen e shqiptarëve dhe boshnjakëve të sanxhakut.
– Në vitin 1944, Vasa Çubrilloviç harton përsëri edhe një program për zhdukjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës,
– Në vitin 1945, kemi “Masakrën e Tivarit”,
– Në vitin 1950, kemi programin jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë,
– Në vitin 1986, kemi Memorandumin e Akademisë serbe për “Kosovën serbe”,
– Në vitin 1998-1999, kemi gjenocidin e pandëshkuar të Serbisë kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Sipas librit “Akuza që ulërijnë” të dijetarit austriak Leo Freundlich, vetëm në veriun e Shqipërisë, gjatë të vitit 1912 u vranë në mënyrën më mizore rreth 250.000 shqiptarë nga pushtuesit serb dhe malazez, me ç’rast shtypi perëndimor i kohës shkruante se Luma nuk ekziston më, ndërsa gjatë periudhës së viteve 1912-1913, kur aleanca ballkanike i kishte sulmuar trojet shqiptare, u vranë dhe u masakruan rreth 500.000 shqiptarë.

Me bindje të plotë mund të konstatohet se politika serbe gjithmonë ka qenë e karakterit luftënxitës. Serbët janë ata që e nxitën luftën e parë botërore, me vrasjen e Franc Ferdinandit me 1914 në Sarajevë, i cili ishte trashëgimtarë i fronit të Austro-Hungarisë.
Për të gjitha këto të këqija që i ka bërë shteti serb, përfshirë edhe gjenocidin në Srebrenicë, bashkësia ndërkombëtare ka njohuri, andaj është çudi e madhe, pse nuk e ndëshkuan Serbinë sikurse Gjermaninë naziste.

Si përfundim të këtij shkrimi mund të them: Edhe pse askush s’mund ta laj veten për krimet e kryera, megjithatë, kërkim-falja e një burrështetasi është një akt moral i njeriut fisnik, i cili në mënyrë zyrtare e shprehë pendesën kolektive të shtetit që e përfaqëson, ku regjimi i mëparshëm i atij vendi ka kryer vepra të cilat cilësohen si krime kundër njerëzimit, vrasje kolektive apo gjenocid, me qëllim të pastrim etnik dhe zhdukjen e një populli, ngjarje këto të njohura nga historia, andaj mos kërkim-falja nga udhëheqja e shtetit serb tregon dobësinë njerëzore të tyre, e ndoshta kjo tregon edhe një dozë dobësie të udhëheqjes së Kosovës e të Shqipërisë për indiferencë ndaj sjelljeve neglizhuese të serbëve, e po ashtu edhe të shteteve Evropiane për mos ndëshkim të Serbisë.