Pamflet nga Kolec P. Traboini
Studiuesit bizantolog e zograf Kara Mustafa Arapit i kemi dhënë një përgjigje që e meriton sëra e tij kur u kërlesh të na mbushte mendjen se “Motra Tone” nuk ishte vepër e Kol Idromenos, por e dikujt që fantazonte ky soj Arapi. Menduam se ai u squll, u zgërlaq e këndell diku me pantallona të shkurtra dhe e mbylli squpin me të cilin birbilonte si më e bukura qyqe behari. Mirëpo e kishim harruar proverbin “Prej arapit pjell arapi – lesh arapi“.
Këtë Mustafa Arapin në kauzën e tij denigruese për Kol Idromenon del e mbron një zonjë që pretendon të jetë studiuese, të ketë marrë edhe titullin Dr., një nga 10 mijë tituj të tillë që ka prodhuar deri në skadencë Shqipëria. Aty ku Kara Mustafaj e ka bërë lesh arapi, nis e shtrohet gërhana e Arapes tjetër. Kjo fare studiuese, një vit më parë, më 2 shtator 2019 në faqet e “Gazeta shqiptare” ka shkarrashkru çfarë i ka ardhur ndër mend, por ne e gjetëm vetëm tani vonë e po marrim mundim t’i gjegjemi në emër të gjithë të afërmeve të Kol Idromenos dhe pasardhësve të vajzave të Motrës Tone.
Sulm zulmin e saj kjo Dr. Arapja e ka lëshuar kundër Kol Idromenos duke i hequr këmishë e pantallona për ta nxjerr picak, si një mjeran i patalentuar, si një qyq që nuk dinte bënte art. Kështu kuptohen këto përpjekje mjerane prej bizantinësh të kara Arapëve. Kjo përpiqet që nga kuzhina e Arapëve të sjellë argumente kinse “shkencore”, se helbete e kanë vendos me detyrë në Ministri të Kulturës për trashëgiminë kulturore dhe patjetër në Akademinë e degraduar të Shkencave që e kanë nën zap ministri i diktaturës Skënder gjeneral Et’hem Gjinushi. Mjerë kultura e kësaj epoke mjerane. Po çfarë mollois kjo Arapja me shkrimin e vet “Disa konsiderata mbi krijimtarinë e Kol Idromenos”?
Kjo turr e vrapja kryekreje i bën dalje atyre që e kritikonin Kara Mustafa Arapin me këto fjalë: “…disa profanë, ku gjuha e tyre e ulët foli më shumë se mendja e tyre.” A thua se vetë kjo ka mend jo vetëm për kullën e Arapëve, por për tan botën dhe i teprojnë e ngase ka tepër me gazep, i shpenzon ca energji trunore për t’i zbërthyer pantallonat Kol Idromenos. Kësisoj këngë qyqesh ka vjeshta more shqiptarë. Kola i vdekun tashmë nuk mund të flasë. E ata që e mbrojnë me tituj Prof. e Dr. janë pak. Na ka mbet neve që jemi në lidhje familjare t’i themi ca fjalë jo vetëm Kara Mustafait, por edhe kësaj Arapes tjetër me doktoratë, që gjasat janë të jenë një familje. Punë e tyre.
Ajo që na vë në mendime është, pse ky sulm prej urithësh mbi figurën e Kol Idromenos. Përse ky pasion i verbër për të shkatërruar imazhin e një artisti të madh para të cilit përkulej me nderim Odhise Paskali duke e konsideruar artistin më të madh shqiptar. Mirë po është një fjalë e urtë “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. Kështu kjo tellallja e kulturës mjerane me titullin doktor lëshohet e shkruan marrëzi pa cak e pa doganë. Kjo arrin deri atje sa merret me nistoret e kaligrafinë e Kol Idromenos. Kjo konfuze arrin deri atje sa të shprehet si profane me titull Dr. “arti i piktorit shfaq një dekadencë artistike, që shkon në nivelet e një pune të dobët e amatore.” Dikush mund te thotë se është mendimi i saj.
Po është mendimi i saj, por si Kara Mustafai dhe kjo Arapja tjetër janë në një linjë, në një stil, me të njëjtën dorë e të njëjtin qëllim dhe kjo na shtyn të reagojmë e t’i themi si Kara Mustafa Arapit dhe pinjolles së tij “Kadalë beg se ka hendek!”. Nuk mundeni ju të tjetërsoni portretin “Motra Tone” të Kol Idromenos. Përpjekjet tuaja janë groteske, por të lidhura në aliazh demagogjik kinse po bëni studim të thellë si specialista që na qënkeni. Me çfarë logjike bufi kërkohet të tjetërsohet vepra e një autori të madh si Kol Idromeno me kësisoj paragrafësh ku analizohet firmosja që i ka bërë Idromeno pikturave të veta, sikur ai t’i ketë bërë pikturat në një ditë dhe duhet të jenë rreptësisht të njëjta.
Kjo nuk ka në konsideratë se në jetën e tij një artist mund të ketë ngritje dhe ulje të potencialit krijues për shkak të rrethanave në të cilat jeton, apo të tragjedive që përjeton. Çfarë dritë mund t’i jepte Kol Idromeno një pikture të cilën e punonte në kohën kur i vetmi fëmijë i tij, djali 2-vjeçar Zefi sapo i kishte vdekur. Njerëz që nuk studiojnë jetën e një artisti as mund ta kuptojnë se çfarë ndodhte me ta dhe nuk gjejnë një arsye për ndryshim, por thonë si profanë se papritur Kol Idromeno artistikisht kishte shterrun, me këtë rast doktoresha Arapi përdor fjalën dekadencë, për të dalë dukshëm e thekshëm si studiuese, de, duke harruar se dekadenca si fjalë ka qenë një rryme artistike para se të hynte në Shqipëri si një zhargon publicistik apo të bisedave të rëndomta “ti je dekadencë e gjallë”.
Po aq e ka edhe Dr. Dorina Arapi, më tej se Kara Mustafaj nuk shkon dot. Le të ndjekim logjikën e saj se pse mendon se Nicola Arseni, apo Kol Arsen Idromeno nuk e ka krijuar portretin “Motra Tone” por e ka bërë ndonjë Kara Mustafa në Venecia. Ja t’ia lemë paksa fjalën doktoreshës Arapi: “…dua të ndalem tek firma e Kolë Idromenos. Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga artisti në moshën 23 vjeçare. Kola e nënshkruan tablonë në pjesën e sipërme majtas të tabllosë mbi sfondin e errët duke nënshkruar me një kaligrafi dore elegante e të rafinuar. Ai e shkruan emrin e tij në gjuhën italiane: Nicolo. A. (Arsen emrin e babait) dhe mbiemri “Idromeno”. Poshtë tyre është shënuar “fece li 2 febbraio 1883”, pra “e realizuar më 2 shkurt 1883”.
Ndërsa në tablonë e parë të tij pasi kthehet nga Italia, në portretin e Mati Kodhelit, piktori shënon në italisht, në të njëjtën kaligrafi e në gjuhën italiane: Nicolo Arsenio 15 marzo 1881. Këtu firmos duke vendosur si mbiemër emrin e të atit. Ajo që vihet re në punët e Idromenos është një paqëndrueshmëri në kaligrafi, e njëjta gjë që vërehet dhe tek trajtimi i tablove.” E lexuat? E morët vesh. Me këto naivitete analizash të kaligrafisë na mbërrin jo pak, por në mohimin e veprës së Kol Idromenos. Po të shkonte kjo dr. në Rrmaj e ta lexonte këtë farë shkrimi, përmbys do të ktheheshin eshtrat e Dajës Kolës, se kështu i kemi thënë të gjithë të afërmit kur i referoheshim figurës së tij në biseda familjare.
E po të them ty se studiuesi Mikel Prenushi i tha grupit të filmit Kol Idromeno në vitin 1987 se ky skenaristi (dhe u drejtua nga unë), e ka emrin prej Kol Idromenos, ia ka ngjitur Dada Katrinë, vajza e Motres Tone (është dëshmitar operatori Ibrahim Kasapi), me siguri ti si ta lexosh këtë pasazh do të hapësh gojën si bufi në kënetë. Se aq di për jetën e rrethin e Kol Idromenos e jetës së tij. Ty të mjafton të rrish para një tabloje e të mendosh me skepticizëm bizantin e të shtjellosh terrinë aty ku ka dritë, aq të mjafton, …dhe sa më shpejt sigurisht.
Brumbujt nuk rrinë dot pa bërë toptha sa herë shtegut të livadhit kalon ndonjë lopë e lëshon të shkretën bajgë. E atyre lumëmëdhenjëve brumbuj u duhet një stinë për të bërë punën e tyre. Thoni po deshët se bajgat e lopës nuk janë zahiretë e tyre të dimrit. Për deri sa ata me tituj doktorë që merren me zhvirgjërimin e panteonit tonë të artit e trumbetojnë, e pse jo?!