Fatmire Duraku
I verbri i së bukurës
Lulja e çelur s`është më ëndrra
S` është fshehtësia e madhe enigma
Bukuria që e presim të flasë
Për ne, vdekatarët,
Ndoshta dhe flet kaq lehtë
Sa të mos e kuptojmë më
Sa të humbim ndjenjën për të bukurën
Për arritjen e plotë të lirisë
Në unazat e robërimit të bukur
O zot ç` rrjedhë e pafund enigmë
Ç`pritje e zhgënjim për të vetmuarin
Të verbrin e të bukurës
Apo vetëm ngushëllim
Lulja e çelur s`është më ëndrra
Fjala
S’i besoj askujt sall fjalës
E kjo më zë në fyt fjalën
As të më ndihmoj mimika, asgjë
Të më ndihmoj zot
Vjen pranvera dhe kot
Çelin lulet dhe kot
Kot bie aromë e barit mbi varr
A është fjala fillimi
Ndërsa të qenët memec
Është shpëtimi dhe vrasja
Në të njëjtën kohë
Të të shprehurit shpirtëror
Ja pse s’mund të më shpëtoj asgjë
Kurrë, asgjë kurrë zoti im
Pa vetvete
Të jesh i pa gojë
I pa vesh të jesh i pa sy
Të jesh
Të mos kuptosh asgjë
Të mos e ndiesh kënaqësinë
E fluturës nga digjet
Je i pa shpirt,
I pa buzëqeshje
Ecën i vdekur
Shikon i verbër
Pa e ndierë peshën e dhembjes
Pa e ndjerë peshën e mëkatit
Pa vetvete rrugës
Që nuk të kthen më
Hëna mbi kodër
Hije e ikur kthehet në pemën e tharë
E nata-mace e zezë sy zjarr në pritje gjahu
Viktima dhe vrastari i pakuptimtë
Kaq afër në erë gjaku
Janë përzier kuptime dhe ëndrra
Data në kalendarë nuk kanë rëndësi
As i dihet ditës më as natës
Ja herë bën vapë e herë ngrin
Kot provon ylli kot provon etja të digjet
Vetëm hëna e vdekur nën akull
Me unazën e vet të verdhë mbi kodër
E bie terr e bie zë kukuvajke vaj i qyqes
E fluturim zogu nëpër dhembjen e pafund
Zog i vrarë i ëndrrës nga kthehet në mua
Vaji, ja, sesi e merr gjithësinë
Këputja e lules
Kush e piku me gjak kloroifili lulen
Kush e preku t`i bëjnë gjethet muzikë,
Kush ia ndezi etjen e ia ngjalli shpirtin
Me aromë e ngjyra qielli në zgjim
Pikërisht një copë qielli me yje
Një kopje e gjallë besnike ylberi
Me hirin e zjarrin me palcën të njomë,
Me gjethet, petalet rëndë-rëndë
Nga ndrisin fillimin e fundin
E hëna njëjtë perit të vet përbiron
Unazës së verdhë me bukuri përrallore
Unë zbres nga kulla e këpus një lule
Larg në kohë aty tek etja e ka rrënjën
Ndërmjet rrjedh gjaku dhe jeta
Vonë është kaq vonë
vonë është kaq vonë
vetëm gjakun tim dëgjoj në vete
dhe orën nga bie mbi natë
të kujtoj e asgjë s` ndodh
të thërras e asgjë s` ndodh
të urrej e të dua
në të njëjtin çast
vonë është kaq vonë
ndërsa e kuptoj se s`mjafton vetëm të kujtosh
se nuk mjafton vetëm të urresh
se nuk mjafton vetëm të duash
vonë është kaq vonë