Kur Gruevski del lakuriq

0
1852

Dionis Xhafa

Ish-kryeministri Nikola Gruevski, aktualisht nuk është në krye të Qeverisë së Maqedonisë. Por, hija e tij është e rëndë në shtetin maqedonas. Edhe pse për momentin nuk është kryeministër, Gruevski ka pushtetin e vërtetë. Kreu aktual i qeverinë në Shkup, Emil Dimitriev është kukull, sa për të kaluar trubullirat e krijuara. Gruevski është lideri i vërtetë. Ai e ka forcën, pushtetin dhe ka krijuar sistemin në mbarë Maqedoninë.

“Shkupi 2014” është projekti famoz i projektuar nga Gruevski; dhënia e përparësisë e zonave të banuara nga maqedonasit, është projekt i Gruevskit. Jo vetëm kaq, por burri shtatshkurtër me tipare të diktatorit, ka shtënë në dorë mediet, duke i përdorur ato si makineri propagande gruevskiane.

Së fundmi, u shfaq një video, ku truproja i Gruevskit, godet një qytetar në zonat e përmbytura, thjesht pse ky kishte pakënaqësi ndaj pushtetit të Gruevskit dhe shau ish-kryeministrin. Mediet kamikaze maqedonase, të kontrolluara nga pushteti gruevskian, nuk e transmetuan ngjarjen, për rrjedhojë dhunën e pushtetit. Ata e fshinë, e harruan dhe i “thanë” qytetarëve se kjo ngjarje kriminale e kanibale nuk ka ndodhur.

Mediet bullgare, të shtetit “armik” të Gruevskit, e transmetuan ngjarjen çnjerëzore. E çfarë duhet më shumë për të thënë se Gruevski me këtë veprim dhe të tjera si ky, i ngjan si dy pika uji diktatorëve dhe shpirtkatilëve të tillë si Millosheviçi, Tuxhmani, Mlladiçi e Erdogani. Mendja gruevskiane nuk është vetëm. Atë mendje e mbështesin inxhinierët e statujave, arkitektët e projekteve të ethshme etnike, ekonomistët që thonë se Maqedonia është parajsë, e deri gazetarët, si letër higjenike.

Të gjithë këta punonjës të shtetit, kanë zgjedhur rehatinë përpara të vërtetës. Nikola Gruevski i izoluar vazhdon të shpallë armike të gjitha shtetet fqinje dhe të rrudhet në hollin e vet. Ai nuk ndalet me fuqinë e pushtetit. Gruevski iu përket atyre liderëve që shohin te ndërkombëtarët “të ligun”, “të keqin”, pa guxuar kurrë të bëjnë autokritikë. Kjo sepse Gruevski është i interesuar të rrisë pushtetin e vet.

Gruevski vijon të mbetet “koka e sistemit” politik në Maqedoni. Ai është “koka e sistemit” mjeran të “kombit të lashtë e të ndriçuar maqedonas”.