Diskursi politik
Me datën 23 gusht në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Europa kujton me pietet viktimat e regjimeve totalitare të cilët likuiduan me miliona individë, ndërsa vendet e ish kampit socialist ende hezitojnë të denojnë krimet e tilla që dëshmon mungesën e vullnetit politik pothuaj në të gjitha vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore. Mungesa e shënimit e një datë të tillë në nivel shtetëror si dhe mungesa e një memoriali kushtuar viktimave të komunizmit në vendet e tilla, dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë. Në pjesën e tyre viktimave bëjnë pjesë edhe shqiptarët, si popull autokton të ndarë në disa shtete të cilët përjetuan golgotën nga sistemet e vendëve përkatëse, ku veçohet shteti amë Shqipëria ndër vendet me kriminale komuniste në regjion.
Dr. Nail Draga
Në sajë të Deklaratës së Parlamentit Europian nga data 23 shtator 2008, Dita e 23 gushtit në Europë është shpallur Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me një datë simbolike, sepse me 23 gusht të vitit 1939 është nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik.
Por, në rrethana të reja shoqërore pas falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit(8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish kampit socialist, filloj rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e përsekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare.
Dhe është kjo koha e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e tyre vendëve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.
Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave në Mal të Zi
Në lidhje me këtë çështje Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ënde nuk është përcaktuar. Nga një qendrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Europian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tu ballafaquar me të kaluarën.
Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.
Qasje të dyfishta të pushtetit
Me këtë rast duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën së shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut(1948), si dhe të dëmshpërblejë familjet e tyre.
Nga një qendrim i tillë del qartë se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, athu se krimet e komunizmit kanë fillu nga ajo kohë, e jo më parë nga instalimi i komunistave në nëntor të vitit 1944. Një qasje e tillë është diskriminuese sepse do të legalizoheshin krimet e më hershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të pa evidentuara ndërsa ekzekutorët të pa ndeshkuar.
Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur përmasa të mëdha varësisht rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit(1.4.1945), duke mbetur temë e pa trajtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi.
Krimeve nuk iu skadon afati kohor
Por, në deklaratën e Parlamentit europian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit thuhet se „në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm sepse për tash nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim më të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.
Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohen e komunizmit.
Shqipëria vendi me i përsekutuar në ish kampin socialist
Si askush tjetër në Europë, shqiptarët nga Shqipëria kanë arsy ta përkujtojnë këtë ditë, sepse nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike europiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që iu ka tejkaluar nazistëve, e ate nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri me tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione:
34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.
59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.
7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.
984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.
6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.
Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.
Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qellim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre.
Mungon memoriali kushtuar krimeve të komunizmit
Ndonëse po bëhën tri dekada nga faleminitimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë nderimin e sakrificës për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Mendoj se nuk mund të arsyetohet më asgjë mos inicimi i një memoriali përkujtimor në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Sepse është obligim moral dhe kombëtar të nderojmë sakrificën e atyre që kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe kombin shqiptar.
Çdo pakujdësi në këtë aspekt nuk është në favorin e vlerave humane dhe demokratike, por duhet vepruar si vepron bota e qytetëruar për të nderuar viktimat nga dhuna e sistemeve totalitare, ku edhe shqiptarët kanë qenë pjesë e vuajtëve të tilla, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.
Rezoluta e Kongresit të SHBA-ve
Pikërisht në lidhje me këtë çështje Kongresi i SHBA me 21 maj 2014 ka miratuar rezolutën në mbeshtetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste “për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit.
Memorial kushtuar gjenocidit kundër shqiptarëve
Duke marrë parasysh peshën shoqërore dhe historike në nivel kombëtar e ndërkombëtar nuk mjafton që një çështje e tillë të trajtohet vetëm me 23 gusht, si datë europiane, por të punohet vazhdimisht për të shpalosur e prezantuar dhunën e diktaturës ndaj qytetarëve në kohën e monizmit.
Në lidhje me këtë çështje dua të ceki se kur trajtohet kjo temë vazhdimisht merren parasysh vetëm shqiptarët në shtetin amë në Shqipëri, por janë harruar ata jashtë Shqipërisë politike në hapësirën e tyre etnogjeografike në ish Jugosllavi dhe Greqi, që kanë përjetuar gjenocid ideologjik e kombëtar nga viti 1912 e më pas, deri në ditët tona. Apo ndoshta për të tillët planifikohet ndonjë memorial tjetër, i cili do të ishte dëshmi e mbijetesës së shqiptarëve nga dhuna e shpërnguljet nga vendi i tyre.
Mision për brezat
Andaj përkujtimi i Ditës së Kujtesës ka për mision të ruhet kujtimi ndaj viktimave të komunizmit dhe nazizmit, siç ishin burgosjet, vrasjet me e pa gjyqë, deportimet, internimet, kampet e punës dhe te përqendrimit, izolimet etj., duke qenë dëshmi me argumente për brezat e sotëm e ato që do të vijnë më pas.
Nuk ka dilemë se çdo pushtet i dinjitetshëm, do të trajtonte me guxim çështjet e dhimshme nga e kaluara, duke prezantuar përgjegjësinë për kuadrin e kohës dhe rehabilituar viktimat e asaj kohe. Andaj, është koha për sjellje me pietet ndaj të gjitha viktimave, duke i nderuar sikurse bëhët në vendet demokratike, sepse ballafaqimi me të kaluarën është dëshmi e kapacitetit demokratik dhe humanitar në çdo shtet të konsoliduar.
(25 gusht 2020)