LINÇIMI I TEFTA TASIT

0
701
Dallëndyshe

LEKË TASI: fragment ditari nga “Grabjani rrëzë kodrave” (ditar internimi)

18 Tetor 1979

Tefta nuk është më me ne; e arrestuan dje. Në datën 15 i bënë “demaskimin” në sallën e kinemasë; pastaj, dy ditë me rradhë na hodhën gurë në shtëpi dhe dje erdhi gazi e mori.

Oborri është plot me gurë, copa tullash, xhama të thyera. i lamë pa fshirë që t’i shihte ndonjë hetues se ç’u punua në kurriz tonë. I bëmë telegram Ministrisë, po të gjitha dolën kot. Ky institucion vendosi kundra nesh.

Me radhë ndodhi kështu: të mërkurën mbasdite kishim dalë në apel me çunat për dore. Pritëm mjaft se s’po vinte njeri të na numuronte si përherë. Ora kaloi, po errej, kur në shesh të sektorit ndaloi një Gaz dhe zbriti Guri. Na hodhi një shikim si grup, i ngutur dhe menjëherë na urdhëroi të futemi në sallë për mbledhje. Deshëm t’i çonim fëmijët në shtëpi, meqë ishte vonë, por ai s’na la. I morëm në sallë por pastaj i çoi Danaj dhe u kthye. (S’di ç’do të kish ndodhur po t’i kishim aty).

Populli po mblidhej me shumicë, të sinjalizuar si duket që mbledhja ishte me rëndësi. U ngucëm në mes të gjindjes, dhe Guri na çoi në rreshtin e tretë, tamam përballë tryezës me beze të kuqe të përgatitur për presidiumin.

Atmosfera ishte e keqe. Para disa javësh, mund të ketë dy muaj, kanë demaskuar Dumet, para pak ditësh kemi bërë fjalë me Gurin, por sidomos fjala e kryetarit të Degës na ndillte për keq. Salla u mbush dhe turma vazhdonte të hynte duke plotësuar edhe hapësirën para të dyja portave. Zuri vend presidiumi, partia e Grabjanit plus Petraq Nushi, sekretar i partisë së ndërmarrjes. Turma gumëzhinte po kur u ngrit Filipi, sekretar i partisë, kureshtja e mundi zhurmën.

Jemi mbledhur sot tha gati i buzëqeshur, që të bëjmë demaskimin politik të Tefta Tasit. Ku është Tefta?” pyeti pastaj. Dëgjova time motër që u përgjegj: “Këtu jam”.

Ngrehu këtu para popullit. Atje te muri, të të shohë populli”.
Tefta u ngrit dhe vajti qëndroi tre metra larg presidiumit.

Ia dhanë fjalën Petraqit (zeshkan, faqekuq, arrogant). Filloi të lexonte akuzën e tij, të mbushur me fjalë fyese si e “poshtër, reaksionare, amorale, bushtër, kërmë”.

Ç’mund të bënim? Të ngriheshim? Ishte vonë, dyert ishin të bllokuara. Ai vazhdoi me ton të lartë dhe vazhdimisht e shtonte zemërimin, nga fundi edhe me shkumë në cepat e gojës … “I ati ka qënë ministër i Zogut, i dënuar nga partia si armik i popullit, po ashtu edhe xhaxhai i saj, po ashtu dhe daja, dhe i vellai… janë familje reaksionare. Nuk del në punë, vjell vrer, shan mallin e dyqanit. Duan përmbysjen e pushtetit, duan që të vijë imperializmi. Por populli u ka thyer kokën gjithmonë!” etj., etj.

Populli duartrokiste, brohoriste. Shpesh ia ndërprisnin fjalimin, dhe sa herë bëheshin këto ndërprerje, zëri i hollë i një skraparlliu flokëbardhë delte përmbi zhurmën me një klithmë Rroftë shoku Enver!!. Salla ngrihej në këmbë dhe shpërthente në urra të gjata. Një i rinisë m’u afrua mu në fytyrë, duke më zbardhur dhëmbët me zgërdhirje.

Vendosëm të mos çohemi nga vendi dhe kështu ne të tre këtu dhe Tefta atje ishin të vetmit që nuk rrihnim duart dhe e mbanim gojën mbyllur.

…Zhurma u ul. Presidiumi u vështruan me njëri – tjetrin dhe natyrisht nuk ngulën këmbë që ajo të fliste. (për ta nuk ka asnjë shkelje, që i akuzuari edhe të mos flasë fare.)

Ia dhanë fjalën popullit, por për ne kishte mbaruar çdo gjë; në menyrë demostrative u ngulëm në një qëndrim të heshtur, Tefta atje dhe ne të tre këtu.

Të gjithë sa folën, patjeter ishin të porositur, por mënyra se si u zhvillua mbledhja dhe sidomos fakti që ne nuk pranuam ndonjë faj, por reaguam, u dha dorë organizatorëve: Fjalimet e atyre që kishin porositur dolën tamam të zemëruar. Ata shprehën indinjatën sikur ne të kishim shkelur të drejtën!

Më i buti prej tyre, më i maturi të themi, një agronom me të cilin Tefta as ka këmbyer ndonjëherë një fjalë, tha: “Unë nuk e njoh personalisht Teftën, por ç’është ai të ecur në rrugë?! Sikur ka çliruar Shqipërinë!!” (ai në fakt me këto fjalë përmblidhte qortimin e rajasë, që i bën sjelljes më normale qytetare, dhe në këtë identifikohen shumë nga ata që e kanë ulur kokën përfundimisht në mjedisin tonë mbytës). Pas tij u ngrit vetë Nuria dhe tha: “Kjo këtu merr një fëmijë për dore dhe shkon serbes në postë”.

(Nënteksti: si guxon të më kalojë para?! Ajo vetë, Nuria, ka një frikë patologjike nga ata të sigurimit, megjithëqë u bën gjithë këto shërbime). Pastaj dy pleq dhe një i ri kërkuan i pari arrestimin e menjehershëm të Teftës, dy të tjerët jo vetëm të sajën por edhe tonin, meqë nuk duartrokitëm. (I dyti kishte një habi të thellë të vizatuar në fytyrë kur pyeste: Të mos duartrokasësh për shokun Enver! Si u bëka!?).

…Dritat ishin të dobëta në sallë, tymi i duhanit i mjegullonte edhe fytyrat, konturet. Isha shumë i tronditur që të mund t’i kujtoj të gjitha sa thanë. Mbas këtyre të parëve folën një sërë hipokritësh pa rëndësi dhe grash që janë me gisht në Sektor.

Njëra prej këtyre, një e shëndoshë me krahë të shkurtër, (…)