FASLLI HALITI
DASHURI
Dashuria ime
Aleatja ime
Le të vijë urrejtja
Me falanga grindjesh
Sherresh
Mërish
Të ndeshet me ne
Të dy
Përballet me ne ajo dot në dashuri?
1998
PLAGA
Plaga që më hape dikur…
M’u mbyll.
U mbyll krejtësisht,
S’kullon më as një pikë gjak,
Por një vranësirë e lehtë,
Një re e zezë,
Gri
Në qiell
Plaga më dhemb, plaga zë e më ther…!
Gusht, 2016
FARA
Fara
Çon bifkë.
Bifkës nuk i duket fruti
Pa buitur, pa çelur lulja
Mbi degën e vet
E strehon atë
Sythi
Duke e mbështjellë me pelush të blertë.
1998
MË HËNGRËT TË GJALLË
Erdhi vdekja e uritur
Të më hante
Me uri
Por
Më gjeti
Të tretur
Kock’ e lëkurë.
Ç’të hante e zeza vdekje
Lëkurën apo kockat të hante tek unë ?
1998
REFUZIMI
Unë kërkoj
Nga ju
Të më jepni
Të më shtrëngoni
Fort dorën e punës.
Ju më jepni gishtin e pushkës…!
Mars 2016
ASAJ VAJZE
Asaj vajze që ecën në trotuar
Ia hanë buzët,
Pulpat
Supet,
Vetullat me sy,
Edhe syrin ia hanë me sy.
Për syrin s’ka vija të bardha,
S’ka semaforë,
S’ka ngjyrë të kuqe
S’ka ngjyrë jeshile!
Syrin e kaltër,
Syrin e zi,
S’e ndal,
S’e ha,
S’e penalizon askush
Përveçse bukuria me bukuri,
Përveçse dashuria me dashuri…!
Maj, 2016
ATA VETË
Gropat i hapin vetë ata
Çdo ditë
Kudo.
Jo veten,
Të tjerë kërkojnë ata të fusin në to!
Mars 2016
FRIKA
Një jetë me shumë frikë,
Vetëm ca copëza
Gëzimi
Si vatra
Të blerta blerimi,
Si fije bari nëpër asfaltë.
Si fije bari në një tokë kripore.
Shpina:
Skllavja jonë
Trimëria:
Gjoksi
Ynë,
Zemra jonë
Që gjemimet s’i ka pushuar e qiejve emde gjëmon …!
Prill, 2016
SIGURISHT
Vetëm
Errësirë
Vetëm dritë
S’ka gjithmonë
Drita dhe errësira
Një ditë fiket, mbaron…
Tetor, 2015
KAKARISJA
Kakarisje
Kakarisje
Kakarisje
Kakarisja e pulës së kuqe
Kakarisja e pulës së bardhë
Kakarisja e pulës së zezë
Publicitet pulash,
Furriku pa asnjë vezë…!
Qershor 2016
DËGJOJ ÇDO DITË
(variant)
Dëgjoj morira kakarisje
Çdo çast
Çdo orë
Çdo
Ditë
Por nuk shoh vezë në furrik…!
TI DHE AJO
Ti
Pula e kuqe
Kakaris, kakaris
Por vezë nuk bën.
Furriku yt i zbrazët
Bosh
Furriku i pulës gri
Plot vezë,
Dhe jo vezë
Për omëletë,
Jo vezë për t’u skuqur,
Por me vezë plot zogj të bukur !
Qershor 2016
JUA ZUNË GOJËN ME BUKË
Jua zunë gojën me bukë,
Gati
Një jetë, të tërë
Nuk përtypët dot
Qoftë edhe një fjalë
Një fjalë sa një gjysmë kafshate
Fjala juaj
U myk,
Fjala juaj u tha
Si një copë bukë bajate !
Fjala juaj e mykur, nuk shtrohej më
As në tavolina mortore as në tavolina dasme…!
Qershor 2016
THONË
Guri i Mekës, thonë
Ishte i bardhë,
Por,
U nxi i ziu gur,
Sapo e preku një prosti, një kurvë…!
Qershor 2016
S’PO SHOH ENDE
Dëgjoj të këndojnë
Gjela
Mbi mure
Mbi çdo gardh
Çdo ditë çdo natë,
Po dielli ende s’po lind.
Dita e re ende s’po zbardhë …!
Korrik, 2016
TË KAPEN
Të kapen Peshqit e Mëdhenj!
Okej
Okej, okej,
Të kapen okej !
Okej sa më parë,
Okej sa më shpejt!
Po kush urdhëron kështu
Dhe kush duhet t’i kapë?
Unë peshku i vogël
Apo ti,
Peshk i Madh?
Të kapen Peshqit
E Mëdhenj
Okej
Okej
Po
Kush
T’i kapë,
Peshku i madh e ha peshkun e vogël
Apo peshku i vogël ha peshkun e Madh ?
Shtator 2016
PYESIN
Pse e ndjek Tomi, Xherrin
Apo do që ta kapë ?
Po pse kërkon
Që ta kapë?
Sepse Xherri është i vogël,
Dhe Tomi është i Madh?
Po kur Tomi e kap Xherrin
Dhe e shtrin përdhé,
Pse qeshni ju
Me Xherrin
Pse qeshni,
Përse ?
Pse qeshni me të?
Shtator 2016
FUSHA IME
Fusha ime
Ka vite
Që është bërë Saharë
Saharë Saharë Saharë
S’të sheh syri në të
Një fije blerim
S’të sheh syri një tufë me bar.
Ç’konvertim hata!
Sahara harbon
Në bar,
Në blerim,
S’të zë syri në të një copë shkretirë,
S’të zë syri në të as një kokrrizë rëre, për kujtim…
Shtator 2016
KËSHTU JANË NJERËZIT
«Ai është pa formim politik»
Kështu janë njerëzit e kësaj bote!
S’ka njerëz pa cene,
Pa të meta,
Pa vese.
S’ka
Njeri ëngjëll
S’ka njeri Zot.
Njeri jam edhe unë.
Si gjithë njerëzit dje dhe sot.
Pse kërkoni që unë të jem engjëll,
Pse këkoni që unë të jem perëndi, Zot ?
Shtator 2016
POLITIKANËT
Dielli s’mbulohet me shosh.
Por politikanët tanë
Mbulojnë
Me shoshë
Jo vetëm diellin
Por
Dhe hënën
Edhe yjet në qiej,
Krejt
Kozmosin,
Krejt Yllësinë.
Pa pyetur fare për Zotin, Jehovajnë, Perëndinë …
Shtator 2016
PA HERALDIKË
Pranverë
Verë.
Unë vulosja rrugët
Me vulën e zbathërisë sime
Mbi pluhur, mbi dhé
Erërat,
E fshinin atë.
Vjeshtë
Dimër.
Unë idetifikoja rrugët
Duke i vulosur me këmbët e mia
Të zbathura
Mbi baltë.
Rrebeshi,
Sqota, era
Lloha, stuhia
E fshinin vulën e këmbëve të mia
Me heraldikë, imazh opinge, prapë…
Dhe unë mbetesha pa vulë të njomë apo të thatë…!
1998
FLAKJA TEJ
Pjeshkës
I shijoj tulin
I flak bërthamën.
Kështu qershisë,
Kumbullës
Kështu mollës,
Dardhës
Kështu
Portokallit,
Pjeprit, karpuzit
Kështu arrës, bajames, lajthisë
I ha dhe i shijoj vetëm tulin
Kockën
E flak tej
Pa të keq gjithashtu
Mos jam mosmirënjohës që ha dhe flak kështu?
1998
ANTIDOTI
Mjalti
Më helmoi
Por
Më shpëtoi
Helmi prapë
Duke më dhënë
Një vdekje të ëmbël, mjaltë…
1998
HEDHJA
Detin
E hodha
Në det
Ia dhurova Posejdonit
Mosmirënjohësit, mbret.
Përroin
E hodha
Në përrua
Ia dhashë kuçedrës
Kuçedra thithi përroin dhe mua
Lumin
S’po
E hedh
Në lumë
Sepse e dua,
Sepse ia çmoj:
Thellësinë, vërshimin më shumë…
1998
PEMËT E MIA
Hapa
Gropa
Në akull.
Mbolla pjeshkë,
Shegë,
E qershi.
Dielli
Konvertoi
Akullin në ujë.
Pjeshkët shegët,
Qershitë, u mbytën,
Nuk çuan gjethe, nuk zunë rrënjë.
Nuk çelën as lule as fruta nuk dhanë…
1998
SHIKIMI
Me shikimin
E syve
Të saj
Blu
Ajo më futi në dhé
Në sallonin rozë të zemrës
E strehova
E mbajta
Dhe e mbaj unë atë.
1998
PIKA E HELMIT
Një pike helmi
Derdhur nga ne
Nga unë
Nga ti
Nga ju
Nga ata, nga ai
Edhe gjithë mjalti
I Euromakseve të botës
Nuk e ëmbëlson helmin tonë të zi,
S’gjendet për të
Antidot.
Mjaltin e bigmaketeve mos e harxhoni kot.. …
Shkurt 2016
SHUANI ETJEN
U zhduka kujtuat,
Avullova
Shtera
Si uji?
Ngriva
Humba esencën ujore, kujtuat?
U transformova në akull, në bore
U zhduka, kujtuat
S’e dinit ju
Që transformimi
Është baraz vdekje?
Shuani etjen me mua,
Pimëni si ujin e gurrës me etje!
1998
NUK DUA
Nuk dua t‘i hap gropën tjetrit
Ia hap vetes sime më mirë
Të prehem
Në varrin tim
Dhe jo në gropë
Aty dua ta gjej prehjen time, qetësinë…
2016
RËNKIMI IM
( variant )
Si ti
Baba
Darkë
Drekë
Mëngjes
Zgjuar,
Në gjumë.
Po rënkoj dhe unë:
Por
Si ti, baba,
Vdekjen
S’e thërras kurrë:
Ti e doje vdekjen baba,
Ajo s’të donte
Ty.
Unë
As e dua
As e thërras
Vdekjen kurrësesi ,
Veç po më thirri Onipotenza!
Shkoj dhe i dorëzohem me qetësi…!
Tetor 2015-2016
NJERËZIMI
Njerëzimi
Ka
Ditëlindje.
Ka dhe ditëvdekje
Jeta ka përjetësi të përjetshme.
Shkurt, 2011
SHOH
Shoh
Ata
Që vjedhin,
Por jo ata që mbjellin!
Prill, 2011
KREDO
Nuk
Futem
Në asnjë valle.
S’më pëlqen kurrën e kurrës
T’i hedh këmbët sipas daulles?
Janar, 1997
POPULL BLETË
Popull
Popull
Populli ynë
Populli ynë Bletë
Edhe ty s’të rrihet pa një mbret!
Janar, 1997
POPUJ TË BOTËS
Popuj të botës !
Mos u bëni kurrë kope,
Mos u bëni grigj,
Tufë
Bagëti !
Mos vdisni,
Mos u përgjëroni
Për për një çoban, bari
Mos u përgjëroni për mbret.
Përjetësisht ecni, dhe çani rrugët e fatit vetë… !
Janar, 1996
PARAJA
I shëmtuar, unë ?
Paraja
Bukuria
Ime !
Injorant, unë ?
Paraja !
Dituria
Ime
Unë i marrë ?
Paraja
Mençuria
Ime!
Frikacak, unë?
Paraja!
Trimëria
Ime
Unë plak?
Paraja
Rinia
Ime!
Unë i pandershëm?
Paraja
Nderi
Im!
Unë i pabesë?
Paraja
Besa
Ime!
Unë i padrejtë?
Paraja!
Drejtësia
Ime
***
Dua të dënoj dikë?
Paraja
Gjykata
Ime
Dua të vras njeri?
Paraja
Killeri
Im
Dua misbotën?
Në çast
Ma sjell
Paraja,
Më kërkonë duel
Nis
Në çast
Paranë !
Dua të fluturoj
Më bëhet
krahë
Paraja
Kërkon vdekja
Të më marrë
Nuk e lë
Paraja
Kërkoj
Përjetësinë
Ma sjell
Paraja!
Janar, 1997
Ç’TË BËJ
Shoh prapësira delikte
Prapësira
Me sy,
Në shtet,
Administratë
Në parlament
Nëpër rrugët tona
Më thuaj, pra ç’të bëj?,
T’i shoh apo të mos i shoh
Prapësitë
Apo më mirë t’i nxjerr të dy sytë me thikë?
Tetor, 2016
SYRI DHE FJALA
Sytë,
Të vetmit
Që s’penalizoheshin
Në diktaturë.
Të shikonin
Djathtas
Majtas
Lart
Poshtë.
Fjala
E sapodalë nga goja
Ndiqej, persekutohej,
I shkurtohej gjuha në vend,
I qethej koka bjonde, brune, tullë
Fjala rrinte në qeli me flokë të qethura
Qiellin e shihte nga dritarja, mbërthyer me hekura…
Tetor, 2016
MONOLOG
Je
I gjërë
Ngushtohu!
Je
I ngushtë
Zgjerohu!
Je
I hapur
Mbyllu!
Je
I mbyllur
Hapu !
Të mëdhenjtë,
S’kalojnë ngushticave
Që nëpër to ata të kalojnë
Zgjerohen ngushticat vetë ata i zgjerojnë…
Shkurt, 1997 – nëntor 2016
Ç’KA AI MË SHUMË SE NE AI
Ai është më i miri
Midis nesh.
Më i miri
Ai ?
Pse
Ç’ka ai
Më shumë se ne?
Mos ka dy koka dy gjuhë,
Tre sy, tre vesh;
Dy gjokse,
Dy zemra,
Tre
Mushkri,
Dy hundë, dy gojë;
Tre palë dhëmbë,
Tre duar,
Tre këmbë,
Mos ka dy jetë,
Dy djepe, dy krevate
Mbi këtë tokë, mbi dhé !
Mos ka dy vdekje?
Dy varre, dy arkivole në prehje?
Maj 2016