Mbrëmje letrare për romanin “Ura me tri harqe” të Ismail Kadaresë

0
536
Xhafer Leci - takim letrar për Kadarenë

TAKIM LEXIMI (LESE TREFF)

Në foto unë Xh.Leci, në mes gruas dhe vajzës time Refike e Afërdita Leci. Ishin 9 gra gjermane dhe, inxhinjer Gani Ismajli, por për shkaqe të pozitës së lokalit, aparati nuk ka mundur ti marrë të gjitha.

Nga Xhafer LECI

Më datë 5.9.2010 në Bibliotekën e Köngen-it, qytezë gjermane, ku unë jetoj me familjen time, nga një grup prej 9 grave gjermane, u organizua një takim leximi, si e quajnë gjermanët, për librin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare „URA ME TRI HARQE“ (gjermanisht “Die Brücke mit den drei Bögen“.)

Ky libër është përkthyer nga albanologu gjerman Joachim Röhm. Pëmes faqes së internetit të Komunës së Köngen-it u informova për takimin. Me shumë dëshirë mora pjesë në këtë takim, bashkë me mua edhe gruaja ime Refikja dhe vajza e vogël Afërdita, si dhe miku im Gani Ismajli.

Gratë gjermane na dëshiruan mirëseardhje. Ne u prezantuam se jemi shqiptarë nga Kosova.

Të 9 gratë gjermane kishin nga një libër në dorë “URA ME TRI HARQE“.
Njëra nga gratë gjermane që e udhëhiqte takimin, kërkoi nga ne që të flasim pak për Ismajl Kadarenë, Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne, në fillim, u thamë se kemi ardhur të dëgjojmë juve… Ato na luten që të flasim, “sepse shumë pak dimë për Shqipërinë”,thanë ato.

Gani Ismajli dhe unë Xh. Leci folëm në pika të shkurta për pozitën gjeografike dhe historikun e Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.
Vërtet, ato gra gjermane shumë pak dinin për Shqipërinë, shqiptarët dhe shkrimtarin Ismail Kadare.

Ato 9 gra dhe shumë të tjera, që kësaj radhe nuk ishin prezent, çdo 6 javë po takoheshin në Bibliotekë dhe ndonjëra prej tyre po propozonte që të marrin dhe lexojnë ndonjë libër të mirë të shkrimtarëve gjermanë e të huaj, e pastaj pas 6 jave përsëri takohen për ta komentuar dhe vlerësuar librin.

Komuna përveç lokalit po u jipte falas pije dhe ëmbëlsira

Një gjerman nga Köngen-i po bashkëpunonte me një agjensi shqiptare për turizmin. Ai kishte qenë disa herë në Shqipëri, i kishte folur nënës së tij për pritjen shumë të mirë që i kanë bërë në Shqipëri.Dhe nëna e tij u kishte propozuar shoqeve të veta që kësaj radhe ta marrin librin në fjalë të I.Kadaresë.

Njëra prej grave gjermane lexoi, foli për biografinë e I. Kadaresë.

Libri u kishte pëlqyer, por ende e kishin problem ta kuptonin se çfarë simboli karakterizonte „URA ME TRI HARQE“. Neve u përpoqem t`u tregojmë për sundimin e Perandorisë osmane, sundimin serb, shkëputjen nga Evropa dhe urat që përsëri duhet ta lidhin Shqipërinë me Europën, pjesë e së cilës jemi edhe ne.

Nuk përmenda asnjë emër të këtyre grave gjermane, sepse kur i pyeta a do shkruajë për këtë takim gazeta lokale “Köngener Anzeiger”, jo më thanë ato.

Është interesant për ta cekur pse në këtë takim nuk ishte prezent asnjë burrë gjerman? Nuk i pyetëm, ndoshta vet ato i kanë paraparë takimet vetëm të gjinisë femërore ? Ne u treguam se para 3 jave Kadare ka qenë në Stuttgart, ato u habiten dhe thanë: “Sikur ta kishim ditur edhe ne do të kishim marrë pjesë në atë takim”.

Gjermani-Köngen, 05.09.2010