KONFERENCA E AMBASADORËVE NË LONDËR

0
648
Konferenca e Londrës, 2013
Xhelal Zejneli
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

(7 dhjetor 1912-maj 1913)

Nga trungu i atdheut “gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër”, siç u shpreh shtypi i kohës, shkëputën krahinat më pjellore dhe që kishin qenë vatra të rëndësishme të Lëvizjes kombëtare.

Me fillimin e konfliktit ballkanik, çështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Më të interesuara në këtë çështje ishin tri Fuqitë: Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Secila sipas mënyrës së vet. Dy të parat ishin për një Shqipëri autonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë, por nën ndikimin e tyre. Në rrethana të reja, të krijuara nga shembja e sundimit osman në Ballkan, Shqipëria merrte rëndësi të veçantë në politikën ballkanike:

– për Austro-Hungarinë, si një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në Gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik; ndërsa
– për Italinë, si një bazë për depërtimin e mëtejshëm drejt Lindjes.

Të dyja Fuqitë për njëfarë kohe bënë një front të përbashkët, që e fshihte deri-diku rivalitetin e tyre në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Rusia cariste i bënte llogaritë e veta. Ajo përpiqej të shtrinte ndikimin e vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.

Përballë kësaj gjendjeje, kundërveprimi nga ana e Austro-Hungarisë ishte i pashmangshëm.

Të shqetësuara për fatet “e paqes evropiane”, kancelaritë e Fuqive të Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme. Gjatë bisedimeve në prapaskenë u përcaktuan grosso modo, zgjidhjet e kompromisit:

– Rusia hoqi dorë nga plani i saj për ndarjen e të gjitha tokave shqiptare ndërmjet aleatëve fitimtarë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi) dhe u pajtua me idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Ajo pranoi të mos ngulte këmbë për daljen tokësore të Serbisë në Adriatik, por të kënaqej vetëm me daljen e saj ekonomike në det;

– Austro-Hungaria u bashkua me kërkesën e Rusisë, të përkrahur aktivisht edhe nga Franca, për të krijuar një shtet shqiptar autonom të varur nga Turqia, gjë që ajo e kishte parashikuar qysh më parë, si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare, krahas asaj të pavarësisë.

Rusia kërkonte që në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë të merrej parasysh edhe “e drejta e kompensimit territorial” të aleatëve ballkanikë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi), si shtete fituese në luftën për dëbimin e Turqisë nga gadishulli.

Në këtë mënyrë, populli shqiptar dënohej të vuante pasojat e një lufte që, as e kishte shpallur, as e kishte humbur.

Marrëveshja e arritur gjatë takimeve paraprake, ndërmjet dy kundërshtarëve kryesorë lidhur me çështjen shqiptare, shërbeu si një bazë për një veprim diplomatik të përbashkët të Gjashtë Fuqive (Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë) ndaj aleatëve ballkanikë – Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Tani jo vetëm Austro-Hungaria dhe aleatët të saj të Lidhjes Tripalëshe (Gjermania dhe Italia), por edhe Rusia me Fuqitë e tjera të Antantës (Britania dhe Franca), filluan të bënin trysni mbi shtetet ballkanike për të rishikuar synimet e tyre ndaj trojeve shqiptare.

Të ndodhur përballë trysnisë së Fuqive dhe të lëvizjes shqiptare për të mbrojtur truallin kombëtar, aleatët ballkanikë u detyruan të pranonin autonominë e Shqipërisë.

Duke e futur çështjen shqiptare në kuadrin e marrëveshjes së Fuqive të Mëdha dhe duke e lënë zgjidhjen e saj vetëm në kompetencën e tyre, asnjëra prej këtyre Fuqive nuk iu përgjigj drejtpërsëdrejti dhe zyrtarisht kërkesave telegrafike të udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare, themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar dhe Kryeministrit të parë të Shqipërisë Ismail Qemalit (Vlorë, 1844 – Peruxha, Itali 1919), të paraqitura më 28 nëntor 1912 për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Gjetja e një platforme disi të bashkërenduar për çështjen shqiptare në bisedimet e fshehta, bëri të mundur edhe marrëveshjen e Gjashtë Fuqive për mbledhjen e përfaqësuesve të tyre në Londër, e cila do të shqyrtonte problemet kryesore të shtruara nga Lufta Ballkanike.

Britania u përfaqësua nga ministri i jashtëm i saj Eduard Grej (Edward Grey, Viscount Grey of Fallodon, 25 prill 1862 – 7 shtator 1933), i cili ishte bashkërendues i punimeve të Konferencës së Londrës.

Pesë Fuqitë e Mëdha të Evropës u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre në Londër: Austro-Hungaria u përfaqësua nga ambasadori Mensdorf (Count Albert von Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein, 5 shtator 1861 – 15 qershor 1945). Gjermania u përfaqësua nga ambasadori Lihnovski (Karl Max, Prince Lichnowsky, 8 mars 1860 – 27 shkurt 1928). Italia u përfaqësua nga ambasadori Imperiali (Guglielmo Imperiali di Francavilla, 1858-1944). Franca u përfaqësua nga ambasadori Kambon (Pierre Paul Cambon, Paris, 20 janar 1843  – 1924), i dekoruar me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës. Kambon, veprimtarinë e vet diplomatike e paraqiti në veprën e tij Correspondence” 1870-1924, Grasset, Paris 1940.

Rusia u përfaqësua nga diplomati Benkendorf (Alexander Konstantinovich Benckendorff, 1 gusht 1849 – 11 janar 1917). Për “punën e zellshme dhe të suksesshme” në Konferencën e Londrës, u dekorua nga perandori rus Nikolla II Romanov (Nikolla II Aleksandroviç Romanov, 1868-1918, i vrarë bashkë me familjen nga bolshevikët gjatë Revolucionit të Tetorit).

Për disa aspekte të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) Sër Eduard Grej shkruan edhe në librin e tij “Memoires” (Kujtime), botuar nga Payot, Londër, 1925.

 Në Konferencën e Londrës nuk morën pjesë shtetet e interesuara drejtpërsëdrejti: as Shqipëria, as aleatët ballkanikë. Aleatët ballkanikë (Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi) kishin të drejtë t’i formulonin zyrtarisht kërkesat e tyre (sidomos ato territoriale) në një konferencë tjetëqë u mbajt në të njëjtën kohë në Londër, pra në Konferencën e Paqes ndërmjet shteteve ballkanike fitimtare dhe Turqisë së mundur.

Vetëm zëri i Shqipërisë mbetej pa u dëgjuar, për arsye se formula e pavarësisë vazhdonte të mos përfillej dhe Qeveria e Vlorës mund të vepronte pak a shumë nga jashtë, pa e obliguar fare Konferencën dhe Fuqitë pjesëmarrëse.

*   *   *

Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në Londër, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e përhershme të ministrit të jashtëm anglez Eduard Grej. Që në ditën e parë të punimeve të saj, Konferenca e mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Çështja u diskutua në dy aspektet e saj kryesore:

– e ardhmja politike e Shqipërisë; dhe
– caktimi i kufijve.

I. Mbi bazën e pikëpamjeve të shkëmbyera që më parë, Konferenca i mori edhe vendimet përkatëse. Për pikën e parë ambasadorët vendosën të krijohej një Shqipëri autonome “nën suzerenitetin e sulltanit”,që ajo të vihej “nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Gjashtë Fuqive” dhe të shpallej “asnjanëse”. Shënim: suzeren, suzerenitet – në epokën feudale, sundimtari më i lartë i vasalëve të varur; shteti që ka sovranitet mbi një territor.

Ky vendim i Konferencës, ndonëse e vuloste dështimin e planeve shoviniste të qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, ishte një hap prapa në krahasim me vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe binte në kundërshti me zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, prej nëntorit e këtej. Derisa Kuvendi i Vlorës e kishte shpallur shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe pavarësinë e saj të plotë, Konferenca e Londrës vendosi ta linte atë ende në kuadrin e Perandorisë, duke ia njohur vetëm të drejtën e autonomisë së brendshme.

Përveç kësaj, Konferenca e Londrës vendosi të mos përfillte asgjë nga gjithë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e vendit. Ajo ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë, si një lëshim për “interesat e tyre të posaçme” në Shqipëri, që të hartonin dhe të paraqitnin një projekt të hollësishëm të organizimit të shtetit autonom shqiptar.

II. Në lidhje me kufijtë, në seancën e saj të parë, Konferenca mori vetëm vendime të përgjithshme. Ajo vendosi në parimqë Shqipëria autonometë kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Kjo e kishte të mirën e saj ngase, duke e caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, i mbyllej rruga shtrirjes tokësore të Serbisë drejt Adriatikut. Por, kërkesa e vjetër e Serbisë për një “dalje në Adriatik” nuk u hodh krejtësisht poshtë. Ambasadorët ia njohën Serbisë të drejtën që të kishte një dalje tregtare në det nëpërmjet një skele shqiptare “të lirë dhe asnjanëse”. Ky ishte cungimi i parë që i bëhej sovranitetit tokësor të shtetit të ri shqiptar.

*   *   *

Konferenca e Ambasadorëve që filloi në Londër më 17 dhjetor 1912 zgjati deri në maj të vitit 1913. Ajo pati disa ndërprerje të diktuara nga rifillimi i Luftës Ballkanike. Konferenca u mor gati krejtësisht me çështjen e kufijve të Shqipërisë. Këtu u ndeshën, si kërkesat e palëve të interesuara drejtpërsëdrejti, ashtu edhe pikëpamjet e Fuqive që qëndronin prapa tyre.

Që në fund të dhjetorit e në fillim të janarit, qeveritë e shteteve aleate të Ballkanit ia paraqitën Konferencës pikëpamjet mbi ndryshimet territorialeqë duhej të bëheshin në Gadishull pas lufte. Krahas këtyre kërkesave, të mbështetura mbi parimin e kombësisë, aleatët ballkanikë shfaqën edhe pretendime, të nxitura nga lakmitë shovinisteKëto pretendime preknin në radhë të parë, tokat të banuara nga popullsi shqiptare.

Greqia, përveç krahinave greke të Thesalisë, kërkonte edhe viset e Shqipërisë së Jugut (të Vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e të cilave nuk cenohej nga grupet e vogla grekofone. Për aneksimin e këtyre tokave, diplomacia greke dhe shtypi shovinist grek zhvilluan një fushatë të gjerë brenda dhe jashtë Greqisë.

Qeveria serbe, nga ana tjetër, përfshinte në listën e kërkesave të saj edhe krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Edhe Serbia, njësoj si Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Rusia, përhapte në kancelaritë evropiane propagandën se shqiptarët nuk janë veçse mbetje turke në Evropë, se shqiptarët nuk kanë luftuar për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane, por se kanë qenë vasalë të saj, se shqiptarët funksionojnë me vlera e tradita  turke, arabe dhe persiane, se shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesave turke, arabe dhe iraniane në Ballkan dhe në Evropën e krishterë. Një propagandë e tillë mund të shihet sidomos në librin famëkeq “Arnauti i Velike sile”, Beograd 1913, të mjekut, shkrimtarit, politikanit, kryeministrit të Serbisë dhe ministrit të punëve të jashtme Vlladan Gjorgjeviqit (1844-1930).

Mali i Zi ngulte këmbë si më parë për aneksimin e Shkodrës me rrethe dhe kërkonte që si kufi i tij me Shqipërinë të caktohej lumi i Matit ose të paktën Drini, deri te derdhja e tij në Adriatik.

Konferencës së Ambasadorëve në Londër i paraqiti një Memorandum edhe Qeveria e Vlorës. Në të shtroheshin kërkesat e ligjshme të Shqipërisë. Kufijtë e rivendikuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi dhe do të përfshinin, bashkë me rrethet përkatëse, Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Mecovën dhe Janinën. Në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues me Turqinë deri në Prevezë.

Memorandumi përfundonte duke hedhur poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si kompensim territorial për aleatët që fituan në luftë. Theksohej edhe fakti se kryengritjet e vazhdueshme shqiptare kundër sundimit turk ishin një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit. Kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan.

*   *   *

Ashtu si për çështjen shqiptare në tërësi, edhe për çështjen e veçantë të kufijve të Shqipërisë, lufta diplomatike në Konferencë u zhvillua kryesisht ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Kuptohet, duke dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, Vjena aspironte t’i realizonte synimet e veta në Ballkan.

Sipas Vjenës, shteti i ri shqiptar do të ishte element i ekuilibrit të ri në Ballkan. Por, as Vjena nuk ishte për një zbatim absolut e pikë për pikë të parimit etnik. Monarkia e dyfishtë ishte vetë një konglomerat popujsh e kombesh në të cilin mohohej parimi i kombësisë. Madje, ajo edhe quhej burg i popujve. Idetë e veta për caktimin e kufijve Austro-Hungaria i konkretizoi në një projekt-hartë të Shqipërisë, që ia paraqiti Konferencës me kërkesën e kësaj të fundit për ta pasur si bazë për diskutim.

Një projekt-hartë e dytë iu paraqit Konferencës nga Rusia e cila parashikonte një cungim të madh të tokave të Shqipërisë.

Konferenca e Londrës nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik, qoftë edhe në trajtën gjysmake që mori ai në propozimin e Austro-Hungarisë.

Diskutimet kishin pamjen e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë, të cilët u grindën për çdo qytet a krahinë shqiptare të veriut.

Në sipërfaqe filloi të dalë çështja e Shkodrës, e cila u bë strumbullari i gjithë çështjes së kufijve në veri. Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtimin e vendosur të Rusisë, të përkrahur nga Franca, nga Anglia dhe, në këtë pikë, edhe nga Italia.

Në këto rrethana Austro-Hungaria i njoftoi Fuqitë e tjera se do të largohej fare nga Konferenca e Londrës, po qe se nuk arrihej marrëveshje për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë. Kjo trysni bëri që Italia të ndryshojë qëndrimin rreth çështjes së Shkodrës dhe të rreshtohej në anën e Vjenës.

Më 22 mars 1913 Konferenca u mblodh për të sanksionuar marrëveshjen përfundimtare të Fuqive mbi kufijtë e veriut. Në kundërshtim të hapur me parimin e kombësisë dhe të vullnetit të popullsive vendase, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova dhe tokat e Shqipërisë lindore (të quajtura Maqedoni perëndimore).

Nga fundi i prillit të vitit 1913, garnizoni turk i Shkodrës kapitulloi. Qyteti u pushtua nga trupat malazeze dhe kjo shkaktoi një pështjellim të ri në Konferencën e Londrës dhe në kancelaritë evropiane. Pafuqia e Konferencës së Londrës për të siguruar zbatimin e vendimeve mbi kufijtë e Shqipërisë u dha shkas Austro-Hungarisë dhe Italisë të lidhnin, më 8 maj 1913, një marrëveshje të fshehtë, me anën e së cilës parashikonin mundësinë e pushtimit të Shqipërisë me forcat e tyre të armatosura, duke e ndarë territorin e saj në dy pjesë të barabarta. Afrimi ndërmjet Vjenës e Romës i shtyri Fuqitë e tjera, përfshirë dhe Rusinë, të kapërcenin ngurrimet, të ndërhynin në mënyrë më energjike në Cetinë, me qëllim që trupat malazeze të  largoheshin nga Shkodra.

*   *   *

Konferenca e Londrës, me çështjen e caktimit të kufirit shqiptaro-grek filloi të merret vetëm nga gjysma e dytë e muajit mars të vitit 1913, pasi u arrit marrëveshja për kufijtë veriorë e veri-lindorë. Deri në këtë kohë çështja ishte diskutuar jashtë konferencës, sidomos ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë, të cilat kishin përcaktuar që më parë qëndrimin e përbashkët që do të mbanin në konferencë. Italia merrte rolin kryesor gjatë diskutimit të kufirit në jug. Më 19 mars 1913, përfaqësuesi i Italisë paraqiti në Konferencë projektin e bashkërenduar austro-italian. Propozimi i Romës dhe i Vjenës ndeshi në kundërshtimin e Fuqive të Antantës (Britanisë, Francës, Rusisë) të cilat përkrahnin aspiratat greke për të aneksuar krahinat e Korçës e të Gjirokastrës. Italia ndërkaq, në qëndrimet e Fuqive të Antantës lidhur me caktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë në dobi të Greqisë, shihte prekjen e interesave strategjikë të saj, ndaj nguli këmbë për pranimin e projektit të vet, të pranuar edhe nga Vjena.

*   *   *

Gjatë gjithë punimeve të saj lidhur me kufijtë e Shqipërisë, Konferenca e Ambasadorëve nuk i përfilli asnjëherë aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për të fashitur kontradiktat e tyre në këtë zonë dhe për të kënaqur pretendimet e shteteve ballkanike.

Me kufijtë që u caktuan në Londër, brenda Shqipërisë u përfshi afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare.

Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra (Kosova në veri, Çamëria në jug), të cilat, jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokën shumë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe kishin dhënë kontribut të çmuar në luftën me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane.

Eduard Grej, duke folur më 12 gusht 1913 në Dhomën e Komunave, lidhur me caktimin e kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, deklaroi:

“Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje do të japë shkas për kritika të mëdha nga kushdo që e njeh vendin… qëllimi kryesor ka qenë të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha… në të mirë të paqes në Evropë”.

Nga prononcimi i ministrit të jashtëm të Anglisë, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, pranohet tërthorazi padrejtësia e vendimeve për kufijtë e Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria duhej të ishte një “kurban” i domosdoshëm në altarin e paqes evropiane.

Konferenca e Ambasadorëve e rimori në shqyrtim çështjen e statusit të Shqipërisë dhe të organizimit të saj vetëm në fillim të majit të vitit 1913. Austro-Hungaria dhe Italia u ngarkuan nga konferenca të hartonin projektin e organizimit të shtetit shqiptar. Ato kishin arritur një marrëveshje për të propozuar shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Turqia. Më 8 maj 1913 Vjena dhe Roma ia paraqitën projektin Konferencës. Projekti qëndronte brenda caqeve të vendimit të 17 dhjetorit 1912 dhe akoma parashikonte suzerenitetin turk mbi Shqipërinë.

Por, kur u dhanë shpjegimet e rastit, ambasadorët e Austro-Hungarisë dhe të Italisë u shprehën për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Arsyet e këtij qëndrimi të ri ndaj çështjes shqiptare duhen kërkuar në vetë zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan, të cilat e kishin bërë të pavlefshëm vendimin e 17 dhjetorit 1912 mbi autonominë e Shqipërisë. Fuqitë e tjera, me përjashtim të Rusisëe pranuan këtë propozim, të bindura se prania e Turqisë në pjesën perëndimore të Ballkanit, tanimë ishte e pamundur.

Qeveria ruse nga ana e saj, ngulte këmbë tani për suzerenitetin e sulltanit mbi Shqipërinë. Nën trysninë e Anglisë, e sidomos të Francës, qeveria ruse e ndryshoi qëndrimin e vet.

Më 20 maj 1913 Konferenca arriti në parim marrëveshjen mbi pavarësinë e Shqipërisë. Pas kësaj, vëmendja e ambasadorëve u përqendrua në organizimin e brendshëm të shtetit shqiptar dhe në krijimin e një Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit. Më 29 korrik 1913 Shqipëria u njoh nga Konferenca e Ambasadorëve si “principatë sovrane”duke përjashtuar çdo lidhje vartësie nga Perandoria Osmane.

*   *   *

Me hapjen e punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në dhjetor 1912, mbërriti në Londër edhe një delegacion i qeverisë së Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali. Delegatët shqiptarë u takuan disa herë me përfaqësuesit e Fuqive në Konferencë, sidomos me ambasadorët e Austro-Hungarisë dhe të Italisë.

Fuqitë e Mëdha nuk e njohën asnjëherë qeverinë e Vlorës. Por, jo të gjitha Fuqitë e Mëdha mbajtën që në fillim një qëndrim mohues ndaj Qeverisë së Përkohshme. Vjena dhe Roma i dhanë asaj njëfarë përkrahjeje, duke shpresuar secila, se do të mund ta përdorte për politikën e vet në Shqipëri. Por, kjo përkrahje nuk arriti deri në njohjen zyrtare të Qeverisë së Vlorës nga ana e Austro-Hungarisë dhe e Italisë. Ato nuk mund të vepronin, veçse në marrëveshje me fuqitë e tjera.

Vjena dhe Roma mendonin se Qeveria e Vlorës mund të shërbente si bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar. Kjo pikëpamje ndeshi në kundërshtimin e rreptë të Francës dhe të Rusisë, të cilat kërkonin që organizimi i shtetit shqiptar të bëhej krejtësisht nga Fuqitë e Mëdha.

Më 15 korrik 1913 u paraqit në Konferencë një projekt i ri austro-italian, sipas të cilit, derisa të caktohej princi që do të qeveriste Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha do të duhej të bazoheshin në autoritetet kombëtare” të Shqipërisë. Ndërkaq, ambasadori i Francës Pol Kambon (Pierre Paul Cambon, 1843-1924) mendonte se me “autoritetet kombëtare”, Vjena dhe Roma nënkuptonin Qeverinë e Vlorës, të cilën ai e quajti pseudo-qeveri e kryesuar nga Ismail Qemali”. Bashkë me kolegun e tyre francez, edhe përfaqësuesit e Anglisë dhe të Rusisë e kundërshtuan prerazi njohjen e Qeverisë së Vlorës.

Porta e Lartë, ashtu sikurse Fuqitë e Mëdha, nuk e njohu vendimin e Kuvendit të Vlorës për pavarësi. Njoftimit të Ismail Qemalit – Veziri i Madh (kryeministri) iu përgjigj se qeveria e sulltanit mund të njihte vetëm autonominë e Shqipërisë, me një princ nga familja perandorake osmane në krye të saj.

*   *   *

Më 1912, trojet ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë (trungu etnik), rroknin një sipërfaqe prej gati 52 mijë km2, me rreth 1.550.000 banorë, nga të cilët rreth 1.330.000 shqiptarë. Përveç këtyre, në viset e brezit anësor banonin edhe rreth 185 mijë shqiptarë, që nuk përbënin shumicën e popullsisë së vendit në këto vise. Numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare të trungut etnik dhe të brezit anësor arrinte kështu në 1.515.000.

Mirëpo, kjo gjendje nuk u mor parasysh nga ana e Fuqive të Mëdha. Kufijtë politikë, që u caktuan më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, përfshinë brenda Shqipërisë afërsisht gjysmën e trojeve shqiptare, rreth 28 mijë km2, me një popullsi prej 740 mijë banorësh. Shumicën dërmuese (rreth 95%) e përbënin shqiptarët, kurse pakica përbëhej nga minoritete të vogla greke (2,6%), vllahe (2,1%) dhe maqedonase (0,3%).

Pjesa tjetër e trungut etnik, duke përfshirë edhe viset që u shkëputën nga Kongresi i Berlinit (1878) në vitet 1880, një popullsi prej 802 mijë banorësh (nga të cilët rreth 622 mijë qenë shqiptarë), mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.

Prej tyre, pjesa më e madhe hyri nën zgjedhën e Serbisë – gati 20.000 km2. Sipas disa studiuesve, nën sundimin serb kanë mbetur 24.000 km2 territor shqiptar. Në një masë më të vogël, nën atë të Greqisë – rreth 4000 km2 dhe të Malit të Zi – rreth 2000 km2.

Sipas Memorandumit të Qeverisë së Vlorës të vitit 1913, në Çamëri jetonin 75.000 shqiptarë, nga të cilët 18.000 shqiptarë të greqizuar.

Me këta kufij mbetën jashtë Shqipërisë trojet shqiptare të Kosovës, të Dibrës, të Maqedonisë së sotme perëndimore, të Çamërisë dhe viset e shkëputura më parë (Ulqini me rrethinën e vet, Tivari, Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Tuzi me Malësinë).

Këto vise përfaqësonin krahinat bujqësore më pjellore dhe zinin sipërfaqen agrare më të madhe të trojeve shqiptare. Me shkëputjen e tyre, brenda kufijve të Shqipërisë mbetën krahinat më të varfra, në pjesën më të madhe vise malore, kurse tokat fushore ishin kryesisht vise moçalore. Ka studiues që thonë se me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, mbeti jashtë Shqipërisë 2/3 e trojeve etnike shqiptare.

Shqiptarët, me vendimet antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) dhe të Konferencës së Paqes në Paris (1919) u bënë i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohet me vetveten, përkatësisht që ka për fqinj vetveten.

*   *   *

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, për shkak të nivelit të ulët të përfaqësimit, ishte një akt joserioz i Fuqive të Mëdha të cilat tentonin t’i zgjidhnin problemet serioze të Ballkanit, pas tërheqjes së Turqisë nga Gadishulli. Rikomponimi i hartës politike të gadishullit duhej bërë, jo në nivel të ambasadorëve, por në nivel të përfaqësuesve më të lartë të Fuqive të Mëdha, me pjesëmarrjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Rrjedhimisht, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, për shqiptarët duhet të jetë jolegjitime.

Kombi shqiptar në Ballkan ka të drejtë që çështjen e Konferencës së Londrës ta shtrojë para Gjykatës së Hagës, duke ngritur padi kundër politikës antishqiptare ruse, që në Konferencë u mbështet nga përfaqësuesit e Francës dhe të Britanisë.

Të njëjtën politikë antishqiptare, Moska vazhdon ta ndjekë edhe sot, kur thotë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se do ta parandalojë anëtarësimin e saj në OKB.

Politikën miope apo dritëshkurtër të kombit shqiptar e dëshmon fakti se pas Luftës së Dytë Botërore, Tirana, në emër të ideologjisë marksiste-leniniste dhe të internacionalizmit proletar u lidh me Moskën e Stalinit (Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, 1879-1953).

Kjo dëshmon se shqiptarët nuk e kishin të definuar interesin strategjik kombëtar.

*   *   *

A mban dikush përgjegjësi për copëtimin e trojeve shqiptare në Ballkan?! Tirana zyrtare duhet t’i paraqesë kërkesë Brukselit që Parlamenti Evropian të miratojë një rezolutë me të cilën do t’i kërkonte falje kombit shqiptar në Ballkan për vendimet antishqiptare të Kongresit të Berlinit, të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe të Konferencës së Paqes në Paris.

Në vitin 1999 Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur nga ShBA-ja e çliroi Kosovën prej kolonialistëve serbë. Me mbështetjen që ua dhanë shqiptarëve kancelaritë evropiane në Londër, në Paris dhe në Berlin, e përmirësuan vetëm pjesërisht fajin historik të tyre ndaj shqiptarëve.

Për politikën e saj antishqiptare, përgjegjësi morale dhe politike duhet të mbajë Moska dhe ajo duhet të ulet në tryezën e të akuzuarve.

*   *   *

Copëtimi i trojeve shqiptare në Ballkan është pasojë e drejtpërdrejtë e sundimit të Perandorisë Osmane mbi shqiptarët. Përgjegjësinë më të madhe duhet ta mbajnë në radhë të parë vetë shqiptarët që nuk ditën dhe nuk gjetën forca për t’u shkëputur me kohë nga Porta e Lartë. Të vonuar historikisht, dihej qartë se Evropa e krishterë do t’i konsideronte shqiptarët, asgjë më shumë se mbetje turke në Ballkan, përçues të interesit turk, arab dhe persian në Gadishull dhe popull që do të  funksiononte me sistem oriental të vlerave.

Shqiptarët kurrë nuk duhet të lejojnë e të bëhen regio inferiores e Turqisë në Ballkan. Ndryshe, mund të përsëritet historiaShqiptarët kurrë s’kanë për ta zgjidhur çështjen kombëtare përderisa shmangen nga Perëndimi dhe i drejtojnë sytë nga Lindja apo nga Orienti.

Si pasojë e padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, sa ka shqiptarë në Ballkan, po aq ka edhe në ngulimet historike të shqiptarëve dhe në diasporë – në Evropë, në Turqi, në ShBA, në Australi etj. Rast i rrallë në historinë e botës. Shqiptarët kurrë nuk do t’ia dalin t’i përmirësojnë padrejtësitë historike ndaj tyre, pa e mësuar historinë e vet kombëtare. Shqiptarët, vetë janë fajtorë për tragjedinë e vet kombëtare.

Ndaj gjysmës së kombit shqiptar që mbetën jashtë trungut të mëmëdheut, Shqipërisë, pushtuesit dhe grabitqarët serbë, grekë, malazias dhe sllavo-maqedonas ndoqën politikë kolonialiste, politikë aparteidi dhe gjenocidi, politikë shkombëtarizuese apo asimiluese, politikë të kolonizimit të tokave shqiptare, politikë të shfrytëzimit apo të eksploatimit, politikë dëbimi dhe deportimi për në Anadolli. Për të siguruar ekzistencën, shqiptarët u detyruan të emigrojnë për në Evropë dhe në ShBA.

Boshti antishqiptar famëkeq i krimit Shkup-Beograd-Podgoricë (Titograd) pandërprerë arrestuan shqiptarë, organizuan procese gjyqësore politike, i torturuan, i dënuan me dënime drakonike, i vranë. Ishte kjo politikë e burgjeve, e hetuesve, e gjyqtarëve, e prokurorëve, e gardianëve, e xhandarëve, e milicëve, e spiunëve, e syrvejuesve, e përgjuesve, e shpifësve, e militarëve, e paramilitarëve, e krimit dhe e kriminelëve.

Përkundër politikës gjenocidale, shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze, kurrë nuk e ndalën qëndresën, gatishmërinë për sakrifica dhe luftën për liri, demokraci, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

*    *    *

Gjymtimi territorial i Shqipërisë pati pasoja të rënda në jetën ekonomike të shtetit shqiptar. Me copëtimin e trojeve shqiptare u copëtua edhe tregu i brendshëm kombëtar. Më 1912, në 1 km2 banonin rreth 25 banorë. Pra, ajo kishte dendësinë më të ulët në Evropë. Në këtë kohë ajo kishte 740 mijë banorë; më 1923 – rreth 804 mijë banorë; më 1938 – rreth 1.040.000 banorë.

E ndarë në katër copa (pas vitit 1945 – në gjashtë copa), Shqipëria gjatë tërë shekullit XX ishte një gjysmë shtet i brishtë, e cila, si para Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe pas saj, s’kishte se si të mos hynte në diktaturë. Me fjalë të tjera, diktaturat në të, janë pasojë e padrejtësive historike shekullore, që arritën kulmin me Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Synimi i shqiptarëve për bashkim kombëtar është çështje historikisht e drejtë që e ka në zemër çdo atdhetar.