KËSHTU DUHEJ TË RRËZOHESHIN DIKTATURAT!

0
383
Protesta - Minsk, 2020

Minsk, 2020

Nga Frank Shkreli

Në Bjellorusi vazhdojnë protestat dhe demonstratat kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko dhe pretendimeve të tija se ai ka fituar zgjedhjet që u mbajtën në atë vend më 9 gusht. Protestuesit dhe vërejtësit e huaj thonë se zgjedhjet u mbajtën në një atmosferë manipulimesh dhe frikësimesh, ndërkohë që shtojnë se forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën dhe dhunën kundër demonstruesve paqësorë. Shtetet e Bashkuara (të cilat nuk kanë ambasador në Minsk ç’prej vititi 2008) dhe Bashkimi Evropian, i cilësuan zgjedhjet e 9 gushtit si jo të lira dhe aspak të drejta – zgjedhje të cilat, Lukashenko pretendon se i fitoi me mbi 80% të votave.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare thonë se regjimi i Lukashenkos ka arrestuar mijëra protetsues ndërsa po shtohen gjithnjë protestat kundër regjimit të tij. Siç e kanë zakon gjithmonë diktatorët kur u ngushtohen punët — edhe Lukashenko, me këtë rast, ngarkoi me faj për protestat kundër tij, influencat e jashtme, provokues nga Evropa dhe nga opozita ruse. Kështu raportojnë burime që citojnë diktatorin bjellorus, Lukashenko, i cili për 26 vjet rresht e mban atë karrigë — jo me votën e lirë të popullit bjellorus — por me manipulime të zgjedhjeve dhe i mbështetur nga regjimi i tij diktatorial, i cili konsiderohet si i fundit i tillë në Evropë.

Por kësaj radhe, diktatori Lukashenko u përball me një kundërshtare, në të vërtetë me një mësuese e pa përvojë në politike, e quajtur Svetlana Tikhanovska, e cila u fut në garë për president, pothuaj në minutën e fundit, por që siç duket megjithë fushatën e shkurtër, ajo siguroi mbështetje të gjërë në popull. Zyrtarisht, thuhet se Tikhanovska fitoi vetëm rreth 10% të votës, gjë që bindi mbështetësit e saj, brenda vendit si edhe ndërkombëtarët, se diçka nuk ishte në rregull me zgjedhjet e 9 gushtit në Bjellorusi. Se, sipas tyre ato ishin manipuluar tmerësisht, në favor të diktatorit Lukashenko, i cili për më shumë se një çerek shekulli qeverisë Bjellorusinë me një dorë të fortë. Kandidatja e opozitës, Zonja Tikhanovska, për arsye sigurimi dhe për arsye të kërcënimeve që iu benë, u largua nga Atdheu dhe kërkoi strehim në Lituaninë fqinje. Ajo kërkon dialog dhe që autoritetet t’i japin fund dhunës kundër protestuesve paqësorë, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër, veçse këmbëngulin në zgjedhje të lira dhe të drejta, të mbikqyrura nga ndërkombëtarët.

Ndërkaq, në këtë atmosferë tensionesh, Lukashenko, ka dhënë urdhër që tu jepet fund protestave kundër tij në kryeqytetin e vendit, Minsk, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të marrë pushtetin me forcë. Në këtë ndërkohë, Bashkimi Evropian ka vendosur të imponojë sanksione ekonomike kundër regjimit brutal të Lukashenkos. Mediat citojnë Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel të ketë thënë se Bashkimi Evropian nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi.

Populli i Bjellorusisë me këto protesta masive duket se ka shijuar frymën e lirisë dhe si përfundim, i janë shtuar edhe shpresat për mundësinë e ndryshimeve politike në vend. Kandidatja opozitare për president, mësuesja 37-vjeçare Svetlana Tikhanovska në një video mesazh nga Lituania, “për çfarë po ndodhë mu në mes të Evropës”, citohet të ketë thenë se Presidenti Lukashenko, ka “humbur gjithë legjitimitetin e tij në sytë e popullit e të botës”, dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbështesë, “zgjimin e Bjellorusisë”.

Jam i sigurt se komuniteti ndërkombëtar do të ofrojë të ndërtmjetësojë midis regjimit të Lukashenkos dhe opozitës së udhëhequr nga Svetlana Tikhanosvka, ndërkohë që Lukashenko është shprehur se Presidenti i Rusisë Putin i ka premtuar ndihmë për regjimin e tij, në rast të një ndërhyrjeje nga jashtë, sipas tij.

Kandidatja e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya dhe Presidenti-Diktator Aleksanër Lukashenko — dy alternativa krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e Bjellorusisë

Nuk jam i bindur se me ndërmjetësimin e tyre, ndërkombëtarët mund të sjellin ndonjë zgjidhje pozitive të pranueshme nga palët, të gjëndjes së tensionuar në Bjellorusi, si përfundim i zgjedhjeve jo të lira dhe të manipuluara nga regjimi i Lukashenkos, me 9 gusht në atë vend. Ironia që duket si tallje e rastit është se njëri prej këtyre “ndërkombëtarëve” është Kryeministri i Shqipërisë — vendi kryesues aktual i OSBE-së për vitin 2020 — Edi Rama i cili ofroi ndërmjetësim, ndërkohë që pak më parë ishte shprehur kundër “ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në punët tona”, jemi vend sovran, ka thenë Z. Rama, me 22 vjet në pushtet. Referencë kjo ndaj diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë, siç duket në radhë të parë ndaj ndonjë deklarate të ambasadores amerikane në Shqipëri.

Ka mundësi që edhe Lukashenko, me 26 vjet në pushtet, të përgjigjet me të njëjtën shprehje ndaj çdo propozimi për ndërmjetësim ndërkombëtar – përfshir Kryeministrin Rama — midis tij dhe opozitës bjelloruse. Nuk mund të thuhet se Shqipëria dhe Kryeministri Rama janë një shembull i mirë për ndërmjetsim për zgjedhje të lira (shiko zgjedhjet vendore 2019 në Shqipëri)—as për ndërmjetsim midis palëve politike në konflikt, si përfundim i manipulimit të zgjedhjeve në Bjellorusi (kur merr parasysh konfliktet midis partive politike në Tiranë). Që të jesh ndërmjetës duhet të kesh kredibilitet!

Analisti Veton Surroi, në një analizë botuar sot në Koha.net shkruan se “Shqipëria e mori kryesimin e OSBE-së dhe po e kalon lojën duke ikur nga topi”, dhe përfundon anlizën e tij duke thenë se, “Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të kthesës.” Ekzaktërisht, një vit më parë, në një shkrim timin paralajmërues në lidhje me kryesinë e Shqipërisë të OSBE-së, kam shprehur dyshimet – duke marrë parasysh vet situatën e brendëshme politike në vend – nëse, vërtetë, Shqipëria ka, sidomos, besueshmërinë e nevojshme në nivel ndërkombëtar dhe aftësitë diplomatike, si kryetare e OSBE-së, për të ndërmjetësuar situata krizash si kjo aktuale në Bjellorusi. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-shqiperia-ne-nje-pozite-te-veshtire-diplomatike-a-eshte-ne-rrezik-kryesia-e-shqiperise-ne-osbe-per-vitin-2020/

Është e qartë se bjellorusët, të zhgënyjer nga manipulimi i votave në favor të diktatorit Lukashenko dhe të shokuar prej dhunës së përdorur nga regjimi i tij brutal kundër protestuesve paqësorë bjellorusë, njerëzit në atë vend — ndoshta për herë të parë—e kanë humbur frikën nga regjimi diktatorial. Nuk kanë më frikë as nga regjimi brutal i një diktatori, i llojit Lukashenko. Kjo mund të jetë gjëja më e mirë afatgjatë për zgjedhje të lira dhe për të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në Bjellorusi. Humbja e frikës nga diktatura, nga një popull i shtypur për dekada, është mënyra më efikase për t’i dhënë fund njëherë e mirë një diktature kudo qoftë, dhe një regjimi autoritar si ai i Lukashenkos dhe për të vendosur, përfundimisht, vullnetin e lirë të popullit.

Duket se shumica e bjellorusëve, më në fund, e duan lirinë dhe janë gati të sakrifikojnë për ‘të dhe kanë si objektiv të përbashkët rrëzimin e regjimit diktatorial të Lukashenkos. Janë këta dy element të nevojshëm për të luftuar diktaturat e cilës do rrymë qofshin. Vetëm kështu rrëzohen diktaturat: gatishmëria për të sakrifikuar për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe duke dashur seriozisht lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, pa dallim. Por, nga shumica edhe duhet pasur një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit, ndryshe nga regjimi aktual. Asnjë diktator nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në fuqi, nëqoftse shumica e njerëzve vërtetë besojnë, e çmojnë dhe e duan lirinë dhe janë të gatsëshëm të sakrifikojnë duke e mbrojtur atë përballë kërcënimeve të diktatorit. Madje as me ndihmën e fuqive të jashtme ndërkombëtare mbështetse të diktatorit nuk mund të fitohet përballë vullnetit të masës së popullit.

Protestat e qindëra mijëra bjellorusëve që filluan para një jave në Minsk më kujtuan protestat anti-komuniste në fund të 1980-ave në Evropën Lindore, veçanërisht protestat masive në Pragë dhe në Bukuresht.

Megjithëse është një kohë tjetër, edhe Bjellorusia sot me këto protesta masive, mund të krahasohet deri diku me ngjarjet në Evropën komuniste të vitit 1989, sidomos për nga dinamikat shoqërore dhe politike që vihen në lëvizje kundër regjimeve autoritare, në raste të tilla dhe nga protesta të tilla masive, si ajo në Minsk javën që kaloi. Mjafton një proces, i cili ve në veprim një lëvizje që përfshinë masa të gjëra të shoqërisë, të mjaftueshme për të rrëzuar një tiran nga pushteti, një autoritar shpeshherë brutal – si Lukashenko.

Nëqoftse ka një krahasim midis suksesit të protestave anti-komuniste të Evropës lindore të 1989-ës dhe protestave sot në Bjellorusi, ai është se duket që — njerëzit vërtetë e kanë humbur frikën dhe mendojnë se — ia vlen të protestohet kundër diktaturës, megjith rreziqet që një një situatë e tillë mund të sjellë – por edhe të shtyrë nga besimi se një protestë e tillë mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm për vendin e tyre.

Filozofi, autori dhe gazetari francez, Albert Camus në Librin e tij “Kryengritsi” (The Rebel) ka pyetur: “Kush është kryengritës”? Duke iu përgjigjur pyetjes së vet ai ka thenë se, “kryengritës është ai i cili thotë Jo”. Është pra kjo pika, kur zhduket frika tek njerëzit dhe kur i mbarë vendi i thotë Jo diktaturës. Është atëherë kur bien tiranët. Kështu, pra rrëzohen diktaturat. Shumica e popullit të Bjellorusisë i ka thënë Jo, Lukashenkos por mbetet për tu parë nëse, si përfundim, ai do të heq dorë nga pushteti pa gjakderdhje.