Pajtimtari i gjaqeve, prof. Behram Hoti për lexuesit shqiptarë nxori nga shtypi librin “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995”

0
573
Berham Hoti - Pajtimi i gjaqeve

Zymer Mehani

Libri i prof. Behram Hotit “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995” na sjell fakte, të dhëna dhe kujtime për Lëvizjen për Pajtim të Gjaqeve të viteve ’90 të shekullit të kaluar, periudhë kjo shumë e rëndë e historisë sonë të re, ngase Kosova po ngulfatej nga një okupim tejet i egër serb, përderisa në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë pamëshirshëm po përgjakeshin popujt joserbë (kroatët e myslimanët) nga makineria vrastare e armatës serbosllave e satrapit Milosheviq, që po tentonin për t’i shtypur edhe shqiptarët e Kosovës.

Ky libër është i konceptuar në 7 kapituj dhe trajton një temë me rëndësi historike e dokumentare, prandaj si të tillë ne do ta quajmë libër të mirëfilltë historiografik. Ngjarjet, personalitetet dhe figurat e mëdha historike të periudhës së viteve ’90, siç ishte Pajtimi i Gjaqeve, në krye me plakun e urtë Prof. Anton Çetta dhe me një vargan të tërë pajtimtarësh, minatorët e minierave të Trepçës, nxënës e studentë, intelektualë e bujq, profesorë e punëtorë krahu, gra e burra, djem e vajza etj. etj. janë kryetemë e librit, që autori Hoti e ka trajtuar denjësisht, duke e shpëtuar kësofare nga harresa e mundshme e kohës, e që në faqet e librit shkëlqejnë e shndrisin prore.

Ky libër, përveç ngjarjes historike në fjalë-Pajtimit të Gjaqeve, trajton në këndvështrime të ndryshme edhe figurën bosht të kësaj lëvizjeje kombëtare, sa humane, po aq edhe atdhetare të prof. Anton Çetta, i cili për interes të kombit po i shkrinte edhe vitet e tij të pleqërisë, por në këtë kapitull hasim portretizime edhe të figurave të tjera kombëtare.

Sipas penës së artë të autorit Behram Hoti, prof. Anton Çetta na del personalitet përmasash kolosale, ashtu si Prometheu i Antikës, punëtor i devotshëm, roje vigjilente dhe ndërgjegje përherë e zgjuar për komb dhe atdhe. Ai na del një profesor i palodhshëm, vizionar e atdhetar, që atdhedashurinë nuk e kishte vetëm në zemër, por edhe në gjak e në vena; vizionar i pajisur me njohuri të gjithanshme, urtak e humanist, i guximshëm e qëndrestar, që kurrë nuk thoshte “e bëra unë”, por përherë thoshte “ e bëmë bashkë”.

Puna me përkushtim dhe erudicion, vërtetësia, saktësia, dashuria dhe qartësia e autorit Behram Hoti për t’na i dhuruar në këtë libër një mal faktesh e kujtimesh nga periudha e viteve 1990-1995 ka arritur që ta ndriçojë këtë periudhë nga më të rëndësishmet të historisë sonë, duke arritur që asaj periudhe, më saktësisht asaj Lëvizjeje të Pajtimit të Gjaqeve t’ia ndërtojë një monument kulturoro-historiografik, siç është vetë ky libër i prof. Hotit, i titulluar “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995”, vepër unikate, krejt origjinale si nga struktura, ashtu edhe nga përmbajtja.

Siç u tha pak më parë, libri i autorit Behram Hoti përbëhet prej 7 kapitujsh, të lidhur mjaft mirë përnga semantika në një tërësi, ngase flet për një histori të plotë të viteve ’90, për Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, me reflektim të hollësishëm me argumente e fakte për atë periudhë. Ë tërë lënda e librit është mbarështruar sipas kronologjisë.

Në kapitullin e parë flitet për fillimet e marshimit të varganit të pajtimtarëve, duke filluar nga 2 shkurti 1989, në krye me minatorët heronj të Trepçës, pastaj për figurat e rëndësishme, siç ishte veprimtari Hoxhë Idriz Kosova.

Në kapitullin e dytë vazhdojnë kronikat për Lëvizjen për Pajtim të Gjaqeve dhe paraqitja e personaliteteve që morën pjesë në këtë aksion, siç ishte Hasan Jashar Hoti nga Likoci i Drenicës, ish-luftëtar i brigadës së Shaban Palluzhës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i prof. Anton Çetta në vitet ’90, i cili vritet duke rezistuar me armë nga armata serbe më 17 shtator 1998; pastaj është portretizuar edhe figura e Mulla Abdyl Tahirajt, që në popull njihet si Hoxha i Pajtimit të Gjaqeve, nga Tërdevci i Drenasit, i cili në vitet e fundit 80-87 shërbeu imam në Xhaminë e Llapit të Prishtinës, dhe që vdiq më 20 qershor 2004.

Në kapitullin e tretë përmenden mediet: “Rilindja”, “Zëri”, “Shkendija”, “Flaka e vëllazërimit”, “Bota Sot”, “Fjala jonë”, “Kosovarja”, “DojeçVelle”,”Radio Televizioni i Prishtinës”, “Zëri i Amerikës “Radio Televizioni Shqiptar”, “BBC”,… CNN… Zëri i Kosovës. Pastaj gazetarë, shkrimtarë, kamermanë, poetë, fotoreporterë, komentatorë… që kontrubuan në Lëvizjen gjithëkombëtare të Pajtimit të Gjaqeve.

Në kapitullin e katërt paraqiten shkrime të botuara në gazeta dhe kronika për veprimtarinë e Lëvizjes për Pajtim të Gjaqeve, pastaj portrete pajtimtarësh pas vdekjes, siç janë Avdi Daut Kelmendi e Xhafer Kabashi, pastaj komunikata, si ajo e UÇK, intervista të autorit të këtij libri z Hotit, veprimtar, poet, shkrimtar e së fundi edhe ish-luftltar i UÇK-së.

Kapitulli i pestë na sjell rikujtesën e vitit 1990, rolin e minatorëve dhe nismën e tyre për Lëvizjen e Pajtimit, misioni i pajtimtarëve, si dhe artikuj të botuar në gazetat e kohës rreth kësaj ngjarjeje.

Në kapitullin e gjashtë autori shkruan për rolin dhe rëndësinë e pajtimit të gjaqeve për popullin tonë, për organizimin dhe mobilizimin e tubimeve gjithëpopullore, pastaj autoi sjell edhe kujtesën për Masakrën e Tivarit etj.

Në kapitullin e shtatë autori Behram Hoti portretizon figurën shumëdimenzionale të prof. Anton Çetta, pastaj e gjejmë edhe vështrimin e prof. Hotit për veprën “Anton Çetta-figurë poliedrike e kulturës shqiptare” IAP, Prishtinë. Aty gjejmë edhe intervista e artikuj, pastaj pason një pasthënie e prof. Zymer Neziri për librin e prof. Behram Hoti “Lëvizja Gjithpopullore e Pajtimit të Gjaqeve”.

Librit në fund i shtohet edhe një album autentik historiko-fotografik 1990-2005, që ia shton vlerën edhe më tepër.

Përvoja e gjatë shkrimore, njohuritë e mjaftueshme dhe shkathtësia e penës së autorit Behram Hoti janë dëshmuar denjësisht në hulumtimin, në lidhjen, në absorbimin dhe në prezantimin e të dhënave nga periudha e Pajtimit të Gjaqeve, ku edhe ai vetë ishte protagonist i atyre zhvillimeve. Prandaj, ky autor në librin e tij na ka sjellë burime arkivore, publicistike, statistikore, historiografike dhe të kujtesës së tij dhe të të tjerëve, që ishin pjesëmarrës të ngjarjeve, të cilat prof. Hoti i paraqet me realizëm dhe korrektësi në faqet e librit.

Thamë se sy libër është historiografik, por për lexuesit është me interes polidimensional, ngase autori Behram Hoti është njohës i zhvillimeve të asaj periudhe, i terrenit, i kulturës, i etnografisë, i folklorit, i dokeve dhe zakoneve dhe përgjithësisht i traditës shqiptare, prandaj pasqyrimin e ngjarjeve dhe portretizimin e figurave të personaliteteve e ka lidhur fuqimisht me ambientin jetësor, me terrenin, duke pasqyruar edhe shumë momente psikologjike (emocionale) tepër të ndieshme për një paraqitje reale të ngjarjeve.

Objektiviteti, maturia në shkrime, argumentimi i çdo gjëje me fakte e me kujtimin historik, pastaj me faksimile e fotografi, me artikuj gazetash e revistash etj., ka bërë që libri i prof. Behram Hotit t’i kalojë caqet e një vepre historiografike, duke u ngritur në një monument të historisë dhe të kulturës sonë kombëtare. Prandaj, me përgjegjësi të plotë morale e intelektuale ne këtë vepër të Behram Hotit do ta quajmë Testament të Pajtimit Kombëtar, ngase këtu si askund tjetër i gjejmë të ulur gju më gju plakun dhe të riun, intelektualin e bujkun, nxënësin e mësuesin, studentin e profesorin, burrin e gruan, motrën e vëllanë etj., etj., në sofrën e madhe të pajtimit.

Krejt në fund, në veprën e prof. Behram Hoti “Pajtimi i Gjaqeve 1990-1995” kemi pasqyrën e ndërgjegjes sonë kombëtare, që është një dokumentim me fakte për periudhën e viteve’90 të shekullit XX. Nga kjo konstatojmë se libri është një korpus dokumentesh, intervistash, artikujsh, fotosh e faksimilesh, një kombinim i kronikës dhe i historisë, me interes për shumë disiplina të albanologjisë dhe të artit, për historinë, etnografinë, kulturën, traditën dhe për artin letrar.