Vështrim rreth vëllimit poetik “Në vorbullën e kohës” të autorit Milazim H. Berisha

0
490
Milazim Berisha - Në vorbullën e kohës

Zymer Mehani

Libri “Në vorbullën e kohës” i autorit Milazim H. Berisha është sajuar prej poezish të strukturuara kryesisht sipas modelit tradicional të ndërtimit të poezisë, prandaj në këto poezi do të hasim vargje të lidhura, kryesisht të parimuara, të tipit të sfrofës katrenë, sipas një ritmi specifik dhe funksional, ngase pjesa dërrmuese e poezive të vëllimit në fjalë janë ndërtuar dekada më parë, madje ga koha kur autori ishte nxënës (vitet ’60 e ’70 të shek. të kaluar).

Për ta kuptuar poezinë e poetit Milazim H. Berisha duhet të përqëndrohemi në ndërtim të figuracionit poetik, në konceptim të ideve, si elemente të brendshme, që përbëjnë thelbin poetik, e kurrsesi të bazohemi në elementet e jashtme- formale. Gjithashtu, duhet të bazohemi edhe në shkoqitje të sistemit metaforik, në natyrën e përceptimit dhe të transponimit poetik, që kushtëzohen nga tematika dhe motivika poetike që autori i shtjellon në krijimet e veta.

Me dashuri të madhe autori Milazim H. Berisha do të këngëtojë për atdheun dhe për bukuritë e vendlindjes (poezitë “Atdheut”, Fshati im”, “Te lumi Llap” etj.). Poeti gjithashtu do të vargëzojë vargje përkushtuese edhe për prindërit (nënën e babanë) (poezitë “Duart e nënës sime”, “Babait tim”), por edhe për vëllanë dëshmor, Prof. Selim Berisha, i rënë në fushë të nderit, më 1999 (poezia “Malli për vëllanë”).
Sipas poetit Milazim H. Berisha natyra dhe elementet idilike janë vetëm mjete për ta ambientuar lexuesin me tematikën e trajtuar.

Poezia e Berishës është e tipit meditativ, ngase autori preokupohet me përditshmërinë në një kohë të pakohë (gjatë ish-sistemit). Në këto poezi autori paraqet aktivitetet preverse dhe devijante: demagogjinë, karrierizmin, egoizmin, burokracinë etj, duke vënë nën thumb shumë vese, por pa shkarë drejt banalizimit (poezitë “Shefit tim”, “E njoh një njeri”, “Mos u bërë vegël”, “Kur ndryshojnë njerëzit”, “Sa herë që vjen”).
Është konstatim yni se poeti Milazim H. Berisha ka prirje për të menduarit përmes figuracionit poetik, me ç’rast krahasimet, metaforat, alegoritë, antitezat etj., bëhen bartëset kryesore të ideve të tij.

Gjuha e pastër dhe fjalori i qartë janë elemente që poezinë e Milazim H. Berishës e bëjnë tërheqëse, ngase vargjet janë origjinale si preokupim dhe transponim.

Krejt në fund, duhet të themi se cilësi thelbësore e poezisë së Berishës është dominimi i imagjinatës së pastër, që shtrihet në vargje edhe në raste të evokimit të situatave, e që është tejet interesante gjatë tërë procedimit poetik.