Prof. Nikë Gashaj
Pozita e shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër është njëra prej periudhave më të rënda në historinë e shqiptarëve. Më 1918 u bë themelimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve. Ky shtet ka qenë unitarist, i mbështetur në marrëdhënie borgjeze-feudale dhe i rregulluar në parimet e monarkisë e të etatizmit centralist. Për këtë shkak kjo krijesë shtetërore u bë instrument i robërimit dhe i eksploatimit të pamëshirshëm social e kombëtar, në rëndë të parë të nacionalitetit shqiptar.
Jugosllavia e vjetër u bë vendi më tipik i shtypjes kombëtare në Evropë. Kroatët, Sllovenët dhe Malazezët ishin të nënshtruar, Shqiptarët, Maqedonët dhe të tjerë, ishin të robëruar e të nënshtruar padrejtësive. Udhëheqësia hegjemoniste serbomadhe, në grykësinë e vet për pasurim, në krye me mbretin, sundoi 22 vjet Jugosllavinë, krijoi një regjim të xhandarëve, të gllavnjaçave, regjim të robërimit social dhe kombëtar.
Me çfarë nënçmimi dhe poshtërimi u trajtuan shqiptarët nga qarqet sunduese të Jugosllavisë së vjetër mund të shihet mirë nga një raport i komadës së përgjithshme të xhandarmerisë së Jugosllavisë më 1924, ë të cilin, ndër të tjera, Thuhet: “Nëpër shumë rrethe të Serbisë Jugore jetojnë arnautë, popull brutal, i pakulturë, i pabesë, dinak, i pagjunjëzuar, me norma juridike nga priudha më e vjetër e zhvillimit të së drejtës penale”.
Në Jugosllavinë e tillë antipopullore, kombësia shqiptare përjetoi robërim më të rëndë kombëtar dhe social. Ajo jo vetë që nuk gëzoi kurrfarë të drejtash kombëtare, madje as ato që pakicave kombëtare iu garantuan me Kushtetutën e Vidovdanit dhe me obligimet ndërkombëtare të Jugosllavisë, por mbi të u zbatua edhe shtypja totale e brutale, ekonomike, sociale dhe politike, deri te gjenocidi fizik dhe zbatimi i të gjitha metodave të njohura të diskriminimit e të robërimit nga arsenali i politikës së metropolave evropiane në vendet koloniale.
Duke vënë në pah pozitën specifike e më të rëndë të kombësisë shqiptare në Jugosllavinë e vjetër, Zhivko Avramovski tha: ”Në pikëpamje kombëtare, kulturore, ekonomike dhe politike shqiptarët ishin në pozitë më të rëndë se cilido pakicë kombëtare” në Jugosllavi.
Pozitën më të rëndë kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër e vunë në pah në mënyrë të vazhdueshme të gjitha dokumentet partiake të PKJ, që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare në këtë periudhë.
Duke theksuar pozitën e rëndë të kombësisë shqiptare në Mbretninë e Jugosllavisë, në rezolutën e Konferencës së Parë të Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kosovës e Metohisë, që u mbajt kah fundi i vitit 1943, ndër të tjera, thuhet: “Populli shqiptar në Kosovë e Metohi jo vetëm që u shtyp në pikëpamje politike, kombëtare e ekonomike, por i qe nënshtruar edhe çfarosjes fizike. Atij iu mohuan të gjitha të drejtat kombëtare. Përfaqësuesit e tij ishin agjentë besnikë të klikave hegjemoniste serbomëdha për plaçkitje dhe shtypje.”
Pra, fakte dhe qendrime të shumta nga dokumentet partiake të PKJ dhe deklaratat e revolucionarëve Kosta Novakoviq, Mosha Pijade, Josip Broz Tito, Eduard Kardel, Velko Vllahoviq, si dhe Llasllo Rehak, Zhivko Avramovski etj. Vërtetojnë se pozita e nacionalitet shqiptar në Jugosllavinë e Vjetër ishte më e rënda në krahasim me pozitën të të gjitha kombeve dhe kombësive të tjera në Jugosllavinë e vjetër.
Pra udhëheqësia politike serbe ndaj shqiptarëve në veçanti ka përdorur metoda koloniale dhe ka bë eksploatimin dhe robërimin e popullit shqiptarë në Jugosllavi.
Lëvizjet demografike të shqiptarëve
Sipas regjistrimit të popullsisë në Turqinë osmane në viset ku jetonin shqiptarët, kah mbarimi i shekullit XIX ka pasur rreth 550-600 mijë shqiptarë. Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë më 1921 në Jugosllavi atëherë jetonin 439.613 pjestarë të kombësisë shqiptare.
Megjithëse regjistrimi i popullsisë i vitit 1921 u bë 3-4 dekada pas regjistrimeve të përmendura turke, megjithëse është i njohur shtimi i madh natyror i popullsisë shqiptare, prapëseprapë sipas regjistrimit të vitit 1921 numri i shqiptarëve qe radikalisht i paksuar në viset ku jetonin shqiptarët në Jugosllavi. Kjo është pasojë e shumë shkaqeve:
1. Vetë regjistrimi i popullsisë në vitin 1921 nuk ishte real sa i përket gjendjes faktike, sepse qarqet sunduese të Jugosllavisë u përpoqën me qëllim të paraqesin numër më të vogël të shqiptarëve; prandaj në këtë drejtim bënë keqpërdorime të shumta gjatë regjistrimit të popullsisë. Kështu, shqiptarët u paraqitën turq ose thjesht myslimanë, duke keqpërdorur mosdijen ose mungesën e vetëdijes së qartë kombëtare dhe religjiozitetin e thellë të qytetarëve me rastin e dhënies së deklaratave gjatë regjistrimit.
2. Gjatë luftërave ballkanike dhe në kohën e Luftës së Parë Botërore një numër i madh shqiptarësh humbën jetën gjatë vetë operacioneve të luftës ose në masakrat dhe terrorin e njohur që zbatuan ushtritë serbe, malazeze e bullgare me rastin e arritjes në viset ku jetonin shqiptarët. Ekziston lista se vetëm me rastin e arritjes së ushtrisë serbe e malazeze në këto vise në vitin 1912, u vranë 12.777 shqiptarë.
Përveç kësaj, në prag dhe jatë vetë luftërave ballkanike, si dhe gjatë Luftës së Parë Botërore edhe menjëherë pas saj, një numër i madh shqiptarësh iku në shtete të tjera, e kjo solli në pakësim të posaçëm të numrit të shqiptarëve që u përfshinë në kufijtë e Jugosllavisë së vitit 1918.
Pra, edhe pse ekzistojnë shkaqe të shumta të paksimit të popullsisë shqiptare sipas regjistrimit të vitit 1921, prapëseprapë me numrin prej 439.613 pjestarëve të kombësisë shqiptare, kjo kombësi ishte pakica më e madhe kombëtare në Jugosllavinë e vjetër dhe, pas serbëve, kroatëve, sllovenëve dhe eventualisht myslimanëvet, ishte nacionaliteti më i madh në vetë Jugosllavinë e vjetër. Por përkundër të gjitha këtyre, siç theksuam, shqiptarët në Jugosllavinë e vjetër nuk gëzonin kurrfarë të drejtash kombëtare, por ndaj tyre u bënë presione totale e të pamëshirshme në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Pozita juridike e shqiptarëve
Edhe pse, siç theksuam, pakica kombëtare shqiptare ishte pakica më e madhe dhe territorialisht më homogjene në Jugosllavinë e vjetër, ajo faktikisht nuk gëzonte as ato të drejtat e pakicës, që ishin të garantuara me Kushtetutë dhe me obligimet ndërkombëtare të Jugosllavisë, por ndaj saj ushtroheshin presione totale.
Shqiptarët nuk gëzonin as të drejtat e pakicave të garantuara me Kushtetutën e Vidovdanit të vitit 1921. Në nenin 16 të kësaj kushtetute proklamohet se “pakicave të racës e të gjuhës tjetër u sigurohet mësimi fillor në gjuhën e tyre, sipas kushteteve që do t’i përcaktojë ligji”. Në ligjin e aprovuar më vonë, lidhur me këtë thuhet:” Në vendeet ku jetojnë në masë të konsiderueshme shtetas të gjuhës tjetër do të hapen paralele të shkollës fillore për fëmijët e tyre… Mësimet në këto paralele zhvillohen në gjuhën mësimore të nxënësve”.
Ndërkaq, pakica kombëtare shqiptare u diskriminua sa u përket të drejtave të përmendura kushtetuese dhe ligjore, sepse gjatë tërë kohës së Jugosllavisë së vjetër jo vetëm që nuk u bënë aspak të mundshme mësimet në gjuhën shqipe, por që kjo kombësi të lëhet analfabete dhe e pa dije, nuk iu bë e mundshme as përfshirja më e madhe e fëmijëve në shkollat në gjuhën serbokroate.
Edhe sipas traktatave të Sen Zhermentit mbi të drejtat e pakicave, Jugosllavia ishte e obligueshme të siguronte disa të drejta të pakicave edhe për pakicën kombëtare shqiptare, të cilat përndryshe ua siguroi disa pakicave të tjera kombëtare në këtë vend. Megjithatë qeveria e Pashiqit ua bëri të pamundshme çfarëdo të drejtash pakicës kombëtare shqiptare në Jugosllavi.
Politika e terrorit dhe presionit fizik mbi shqiptartë
Politika e terrorit dhe e presionit fizik ndaj kombësisë shqiptare në Jugosllavi ishte praktikë permanente e të gjitha qeverive dhe të gjitha organeve të pushtetit në Jugosllavinë e vjetër. Në këtë mënyrë synohej që popullsia shqiptare të detyrohej të lëshonte Jugosllavinë ose, të paktën, të shpërngulet në vise të tjera të Jugosllavisë, kështu që të eliminohej homogjenizimi i tyre në territoret përkatëse.
Me rastin e arritjes së ushtrisë serbe më 1918 në vise ku sot jetojnë shqiptarët në Jugosllavi pati më pak terror, gjenocid fizik dhe keqpërdorime të popullësisë shqiptare se në vitin 1912, në saje të pranisë së ushtrisë franceze në ato momente në ato vise. Mirëpo, pas tërheqjes së ushtrisë franceze, e gjatë qërimit të hesapeve me popullsinë e shumtë shqiptare, që u arratis në male në radhët e kaçakëve, në periudhën e viteve 1919-1924 u zbatua një terror i rëndë sistematik dhe keqpërdorimi i masave të gjera popullore të kombësisë shqiptare në Jugosllavi.
Qarqet sunduese ndërmorën gjenocid masiv fizik ndaj popullsisë shqiptare sidomos pas kryengritjes masive të shqiptarëve në Dukagjin më 1919, gjatë dhe pas kryengritjes së madhe në anën e Llapit më 1920, e gjithashtu edhe gjatë kryengritjeve të tjera që ishin karakteristike deri më 1924. Vetëm gjatë dhe pas kryengritjes së Llapit u vranë më se një mijë shqiptarë, ndër të cilët shumë gra, fëmijë dhe pleq.
Përndryshe, ka ekzistuar praktika permanente që zakonisht në çdo 2-3 vjet të organizohet i ashtuquajturi aksion për mbledhjen e armëve nga popullsia shqiptare. Në ato raste ushtria dhe xhandarmeria rrihnin në masë dhe publikisht shqiptarët, gjoja për dorëzimin e armëve, të cilat shpesh qytetarët nuk i posedonin.
Qëndrimi i administratës shtetërore ndaj shqiptarëve
Edhe pse administrata shtetërore në viset ku banonin shqiptarët ishte e ngjashme me atë në tërë Jugosllavinë, ajo prapëseprapë në këto anë qe specifike dhe u soll në mënyrë shumë brutale e më mizore ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare.
Në viset ku jetonin shqiptarët, në administratën shtetërore gati nuk kishte vend për shqipëtarët, e tërë administrata zhvillohej ekskluzivisht në gjuhën serbokroate, të cilën shqiptarët në shumicë dërmuese nuk e kuptonin. Pati diçka më shumë shqiptarë në funksione zgjedhore politike, në cilësinë e kryetarëve të komunave ose të deputetëve, por këta politikisht ishin bashkëpuntorë të qarqeve sunduese dhe instrument për manipulimin me organet lokale të administratës shtetërore.
Cilësitë morale e profesionale të nëpunësëve shtetërorë dhe sjelljet e tyre ndaj qytetarëve, sidomos të kombësisë shqiptare, ishin në shkallën më të ulët. Përveç disa përjashtimeve, nëpunësit shtetërorë ishin të ngarkuar me shovinizëm ndaj shqiptarëve dhe, vazhdimisht të nxitur nga qarqet sunduese të Jugosllavisë së vjetër, silleshin në mënyrë shumë brutale e jokoshiente ndaj qytetarëve, sidomos ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare. As në vetë parlamentin jugosllav nuk mund të fshehej ky realitet, prandaj një deputet deklaroi se në Serbinë Jugore “administrata jonë nuk është e mirë… nuk mbështetet në ligj, për fat të keq në shumë raste është e korruptuar”.
Në të vërtetë, punonjësit e kombësisë shqiptare nuk mund të kryenin asnjë punë pa dhënie të ryshfetit ose të të ashtuquejturit bakshish. Mbasi shqiptarët e varfër nuk kishin mundësi që, si ata të pasurit, t’u jepnin ryshfet nëpunësve, ata maltretoshin posaçërisht. U bënë keqpërdorime dhe malverzime të rënda, sidomos me ikasimin e shumfishtë të tatimeve, të taksave të ndryshme dhe të tagrave shtetërore.
Pra, mund të konstatohet se administrata shtetërore në viset ku jetonin shqiptarët sillej ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare në mënyrë gati identike me administratën e metropoleve evropiane ndaj popujve të vendeve koloniale.
Presioni ekonomik ndaj shqiptarëve
Një prej formave më të rënda të shtypjes së masave punonjëse të kombësisë shqiptare në Jugosllavi ishte presioni ekonomik bashkë me format e llojllojshme të eksploatimit të masave shqiptare, e sidomos të fshatarësisë së varfër, që përbënte pjesën më të madhe të kombësisë shqiptare. Në këtë drejtim gjëja më e rëndë qe marrja e tokës prej fshatarëve shqiptarë dhe kolonizimi i viseve të tyre. Me qëllim presioni ndaj masave shqiptare në përgjithësi dhe të shpartallimit të tërësive homogjene shqiptare, prej vitit 1912 u zbatua politika e të ashtuquejturës reformë agrare, përkatësisht e marrjes së tokave të shqiptarëve dhe sjedhja e kolonistëve në viset ku jetonin shqiptarët.
Vendosja e kolonistëve të kombësisë serbe dhe malazeze në Kosovë filloi qysh në vitin 1912, por u zbatua në mënyrë më intensive gjatë viteve 1919-1924, si dhe atyre 1934-1941. Në atë periudhë në Kosovë u vendosën më se 39 mijë serbë e malazezë dhe u krijuan 374 koloni, përkatësisht vendbanime të reja fshatare. Këto koloni u shpërndanë me plan dhe sistematikisht në ambientet homogjene shqiptare, në viset kufitare me Shqipërinë dhe në pikat strategjike e komunikative të Kosovës.
Fshatarët e varfër, që u sollën nga Serbia, Mali i Zi dhe Hercegovina, u mashtruan se në Kosovë do të marrin tokë të plleshme e do të kenë kushte ideale të jetës, duke i indoktrinuar me patriotizmin e rrejshëm se vijnë këtu të shpëtojnë Kosovën serbe. Mirëpo numri më i madh i kolonistëve u dëshpruan nga fakti se ata u vendosën në tokën që u ishte marrë fshatarëve të varfër shqiptarë ose nëpër mera që iu deshtën vite t’i hapin dhe t’i aftësojnë për prodhim. Gjithashtu, nuk iu ndërtuan shtëpitë e premtuara dhe ata, edhe vetë të varfër, u desht të bënin përpjekje shumë të mëdha për strehimin e familjeve të veta.
Megjithë procesin intensiv të vendosjes në viset ku jetonin shqiptarët në Jugosllavi, nëpërmjet të kolonizimit dhe të sjelljes së nëpunësve e të puntorëve publikë nga viset tjera të Jugosllavisë, për arsye të shtimit të madh natyror të popullsisë shqiptare, struktura kombëtare e popullësisë nuk u keqësua, por u përmirësua sa u përket shqiptarëve. Duke konstatuar këtë fakt në një diskutim teorik mbi metodat e eliminimit të kombësisë shqiptare në Jugosllavi, në Klubin kulturor të Serbisë më 1936, Vasa Çubrilloviq tha: ”Kolonizimi nuk mund të pengojë shtimin më të madh natyror të arnautëve ndaj serbëve, sepse qeveria nuk pati kurs të vendosur lidhur me arnautët dhe nuk u mori atyre tokën të plleshme… të rikapitulojmë, arnautët është e pamundshme t’i asgjësojmë vetëm nëpërmjet të kolonizimit. Prandaj rekomandoi që, si tha ai, “kolonistëve tanë, sipas nevojës, t’u jepen armë dhe në këto vise të plasohet aksioni i vjetër çetnik e të ndihmohet fshehtazi në detyrat e tij” të ndjekjes së shqiptarëve.
Politika kulturo-arsimore dhe fetare ndaj shqiptarëve
Me qëllim të pëngimit të afirmimit kombëtar e duke synuar asimilimin e pjesëtarëve të kombësisë shqiptare dhe eliminimin e tyre nga Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër zbatuan politikë arsimore diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ato nuk lejonin kurrfarë veprimtarie kulturore dhe arsimore në gjuhën shqipe. Përveç kësaj, që popullsinë shqiptare ta linin në mosdije dhe në analfabetizëm, qarqet sunduese sabotuan edhe përfshirjen e fëmijëve shqiptarë në shkollat në gjuhën serbokroate, kështu që më 1936 afro 95 për qind të popullsisë shqiptare ishin analfabetë.
Në vitin shkollor 1939/1940 prej afro 120 mijë fëmijëve shqiptarë, që përkah mosha duhej të përfshiheshin në shkollat fillore, u regjistruan vetëm 21 mijë sish, madje në mësimet në gjuhën serbokroate. Madje edhe qarqet më të larta ushtarake insistuan që “në lokalitetet thjesht shqiptare të mos kërkohet që fëmijët të ndjekin shkollën, përkatësisht të arsimohen”.
Përfshirja e fëmijve shqiptarë në numrin shumë të vogël të shkollave të mesme ekzistuese në viset ku jetonin shqiptarët ishte gjë shumë e rrallë , kryesisht nëpër qytete dhe prej familjeve më të pasura. Regjistrimi i shqiptarëve në fakultete dhe në shkolla të larta gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ishte dukuri shumë e rrallë. Kështu, më 1939 kishte vetëm 17 studentë pjesëtarë të kombësisë shqiptare.
Në kohën e Jugosllavisë së vjetër jo vetëm që nuk u lëjua kurrfarë veprimtarie arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe, jo vetëm që u ndalua rreptësisht përdorimi i kësaj gjuhe, por qarqet sunduese zbatuan edhe kontroll të rreptë rreth asaj se mos përdoret ilegalisht çfarëdo teksti në gjihën shqipe, që eventualisht do të depërtonte nga Shqipëria. Nëse dyshohej se ekziston ndonjë tekst i tillë, bëheshin kontrollime e bastisje të mëdha të banesave dhe nëse gjendeshin të tilla atëherë, pavarësisht nga përmbajtja e tyre, poseduesit e lëndës së tillë dënoheshin në mënyrë më të rreptë.
Politika fetare e qarqeve sunduese ndaj shqiptarëve ishte e përqendruar në zhvillimin sa më të gjerë të aktiviteteve religjioze, që vetëdija e punonjësve të ngarkohej me fanatizëm dhe mashtrime, e kështu të pengohej depërtimi i vetëdijes kombëtare. Përveç kësaj, nëpërmjet të klerit të korruptuar, sidomos të lartë e të mesëm, me zhvillimin e aktivitetit fetar duhej arsyetuar sa më shumë politikën e presioneve e të keqpërdorimeve ndaj shqiptarëve si të domosdoshme.
Për këtë arsye shteti nxiti ndërtimin e objekteve fetare dhe hapjen e shkollave fetare, u siguroi pastaj rroga të mëdha klerit të lartë e të mesëm (dr. Hajredin Hoxha). Qellimi ishte përfitimi i klerit për përkrahjen e politikës së shtetit, megjihëse ajo ishte në dëm të shqiptarëve si popull dhe kombë.
Pra, politika arsimore dhe fetare e Jugosllavisë së vjetër ndaj shqiptarëve u shërbeu intresave të qarqeve sunduese për denacionalizimin e shqiptarëve, për pengimin e depërtimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Politika e eliminimit total të shqiptarëve nga Jugosllavia e vjetër
Duke vazhduar pa ndëprerje politikën e qeverisë serbe e malazeze qysh nga viti 1912, qarqet sunduese të Jugosllavisë gjatë tërë periudhës së sundimit patën si qëllim strategjik eliminimin total të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën shpërnguljen e tyre në vise të tjera të Jugosllavisë me qëllim të shkatërrimit të homogjenizimit të jetesës së tyre në territore përkatëse. Gjithashtu, qëllimi strategjik u përqendrua në procesin e denacionalizimit dhe asimilimit të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Programin e këtillë të luftës kundër shqiptarëve qarqet sunduese e realizuan me metoda dhe forma të shumta, ndër të cilat po përmendim këto:
Qarqet më ekstreme dhe më reaksionare shoviniste të Jugosllavisë së vjetër synuan eliminimin e shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë edhe nëpërmjet të gjenocidit fizik. Ky qëllim u realizua nëpërmjet të masakrimit masiv të shqiptarëve më 1912 dhe prej 1918 deri më 1924, si dhe nëpërmjet të vrasjes e të likudimit individual të njerëzve deri në vitin 1941. Gjithashtu, pas sulmit të forcave fashiste kundër Jugosllavisë më 1941 u keqëpërdor ushtria për masakrimin e shqiptarëve në vise të Kosovës. Përndryshe, gjatë tërë kohës së sundimit të Serbisë monarkiste dhe të Jugosllavisë së vjetër këto forca ekstreme zbatuan terror dhe keqpërdorime permanente ndaj popullsisë shqiptare me qëllim të zhdukjes së tyre fizike.
Pjesët më liberale të qarqeve sunduese në Jugosllavinë e vjetër shpresuan se shqiptarët do t’i eliminojnë nga trualli i Jugosllavisë nëpërmjet të denacionalizimit dhe të asimilimit të tyre. Në këtë drejtim optimisti më i madh ishte Nikolla Pashiqi, i cili më 1918 deklaroi se në periudhën e 25 vjetëve të ardhshme shqiptarët do të eliminohen. Mirëpo, për arësye të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në rezistencën ndaj politikës së asimilimit, për arsye të vështirësive të mëdha në eliminimin e gjuhës shqipe dhe për arsye të kundërvënies së vendosur të masave shqiptare procesi i denacionalizimit, ky qëllim për asimilimin e popullsisë shqiptare nuk mund të realizohej gjatë tërë periudhës së Jugosllavisë së vjetër.
Duke parë se eliminimi i shqiptarëve me ndihmën e gjenocidit fizik dhe të asimilimit nuk dha rezultate të dëshiruara, qeveria jugosllave bashkë me shtatmadhorinë inicoi debatin “shkencor” në Klubin kulturor të Sërbisë më 1936, i cili duhej të gjente rrugë dhe mënyra të reja për eleminimin e kombësisë shqiptare nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën për eliminimin e homogjenizimit të saj në territoret përkatëse të të ashtuquejtura Serbi Jugore.
Konstatimi kryesor në këto diskutime u përqendrua në atë se nëpërmjet të asimilimit dhe të kolonizimit të deriatëhershëm të viseve ku jetonin shqiptarët nuk mundi të eliminohej homogjenizimi i shqiptarëve në territoret gjegjëse të të ashtuquejurës Serbi Jugore dhe se kjo do të mund të arrihej vetëm me shpërngulen masive e të dhunshme të shqiptarëve në botën e jashtme, në rend të parë në Turqi. Shpërngulja e këtillë, sipas debatit të lartpërmendur, kishte me pasë rëndësi të madhe kombëtare, strategjike dhe politike për shtetin jugosllav.
Alternativa më e pranueshme për eliminimin e shumicës së popullsisë shqiptare nga territoret përkatëse ishte ajo e Vasa Çubranoviqit, i cili për këtë diskutim përgatiti studimin më voluminoz, në të cilin u shkoqitën konkretisht të gjitha metodat dhe instrumentet që do të duhej të shfrytëzoheshin për eliminimin e shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, përkatësisht për shpërnguljen masive të shqiptarëve në botën e jashtme – në Shqipëri, e sidomos në Turqi.
Duke bërë fjalë për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, Çubrilloviqi thotë: “Duhet përdorur të jitha mjetet diplomatike që Tirana të bindet për të pranuar një pjesë të të shpërngulurve tanë”. Në këtë drejtim, sipas tij, duhej bërë presion mbi qeverinë shqiptare dhe “nëpërmjet të kanaleve të fshehta të angazhohen materialisht njerëz të dalluar”. Mirëpo, siç theksoi Çubranoviqi, gjasat për shpërnguljen më masive të shqiptarëve në Shqipëri nuk ishin reale edhe për shkak të rezistencës së Italisë ndaj kësaj shpërngulje.
Përndryshe, qeveria jugosllave nuk ishte shumë e impresionuar për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, sepse këtë nuk e konsideronte zgjidhje të përhershme për eliminimin e shqiptarëve prej trojeve të tyre nga se përvoja tregoi se ata, për arsye të afërsisë, ktheheshin përsëri në trojet e veta sapo u jipej rasti historik.
Për këtë arsye Vasa Çubrilloviq konsideroi se alternativa më reale për eliminimin e shqiptarëve nga Jugosllavia ishte shpërngulja e tyre masive dhe e dhunshme në Turqi. Duke bërë fjalë për këtë, ai thotë: ”Turqia është e gatshme që në fillim të pranojë afro 200 mijë të mërguar tanë, por kushtëzon që, çka për ne është gjëja më e pranueshme, këta të jenë arnautë. Dëshirën e turqëve duhet pranuar sa më parë me plot vullnet dhe të realizohet sa më shpejtë konventa mbi shpërnguljen”.
Qeveria jugosllave, duke vazhduar kontaktet dhe bisedat me Turqinë rreth çështjes së shpërnguljes së popullsisë nga Jugosllavia, të cilat filluan qysh në vitin 1924 e vazhduan intensivisht më 1935, arriti nënshkrimin ndërmjet dy qeverive të marrëveshjes mbi shpërnguljen e të ashtuquejturve emigrantë në Turqi. Me atë marrëveshje ishte paraparë shpërngulja e 250 mjë emigrantëve, përkatësisht shqiptarëve në Turqi. Mirëpo, me marrëveshje të fsheftë ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u vendos që në Turqi të shpërngulen afro 400 mijë banorë të Jugosllavisë.
Në bazë të subvencioneve që i jipte qeveria jugosllave, pala turke duhej të ndërtonte në Anadolli ndërtesa banimi dhe baraka për të shpërngulurit. Gjithasht, në Jugosllavi u morën masa që shqiptarët të shpërnguleshin me dhunë në Turqi. Ndër të tjera, në ligjin civil u përfshi klauzula se banorëve myslimanë mund t’u lëshoheshin lejet për shpërngulje në botën e jashtme brenda 24 orësh.
Në kuadrin e presionit të përgjithshëm mbi masat shqiptare për shpërngulje të dhunshme në Turqi më 1937 u ndërmorën aksione të reja për marrjen masive të tokës së punueshme shqiptarëve me qëllim të kolonizimit të ri ose të shitjes së kësaj toke serbëve vendas. Në studimin e përmendur të Çubranoviqit shkoqiten me precizitet metodat e llojllojshme të presionit mbi masat shqiptare, duke filluar prej marrjes masive të tokës së punueshme deri te zbatimi i presionit e të terrorit më brutal dhe gjenocidi fizik. Për këtë qëllim ai rekomandoi nxitjen e urrejtjes fetare dhe kombëtare ndaj mylimanëve shqiptarë, si dhe keqpërdorimin, maltretimin dhe fyerjen e tyre permanente në çdo pikëpamje.
Zbatimit efikas të politikës së shpërnguljes masive dhe të dhunshme të shqiptarëve në Turqi iu kundërvunë vendosmërisht masat popullore të kombësisë shqiptare. Ndërkaq, në fillim të Luftës II Botërore, e sidomos pas okupimit të Shqipërisë më 1939, në mbarë Jugosllavinë u krijua psikoza e luftës, prandaj qeveria jugosllave nuk mundi të zbatojë marrëveshjen e arritur me Turqinë rreth shpërnguljes masive të shqiptarëve dhe për shkak të rezistencës së shqiptarëve ndaj kësaj shpërngulje si dhe të përkrahjes që iu dha atyre edhe nga forcat progresive të Jugosllavisë.
Në anën tjetër, qeveria turke nën ndikimin e Gjermanisë dhe Italisë, nën presionin e inteligjencës shqiptare në ambasadën turke në Beograd, dhe me veprimtarinë e forcave demokratike në vetë Turqinë, vështirësoi e madje edhe sabotoi procesin e realizimit të marrëveshjes së përmendur mbi shpërnguljet nga Jugosllavia në Turqi.
Pra, megjithë zbatimin e formave dhe të metodave të llojllojshme të presioneve për eliminimin e popullësisë shqiptare nga Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër nuk arritën të realizojnë këtë qëllim strategjik për shkak të rrethanave përkatëse historike, shoqërore e politike, për arsye të rezistencës së vendosur të masave shqiptare ndaj politikës së tillë për arsye të përkrahjes shumë të rëndësishme që ua dhanë këtyre forcat progresive të të gjitha kombëve e kombësive të Jugosllavisë në krye me PKJ, Duke iu kundërvënë politikës së mohimit të të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të eliminimit të saj total nga trualli i Jugosllavisë.
(Autori është politolog)
Në Jugosllavine e viteve 1918-1941 ka qene periode shum e rende per Shqiptart …por ne Jugosllavine e viteve 1945-1990 poashtu ka qene shum veshtire dhe ne krahasim me jugosllavine e pare …kishte me shume te vrare, sepse ne vitet 1945-1948 u vrane 61 mije Shqiptar nga shteti i Jugosllavise, dhe u perjashtuan per ne Turqi 215 mije Shqiptar. Prandaj nuk mund te themi se njera apo tjetra Jugosllavi ishte me pak e poshter …sepse te dyjat ishin totalisht ANTISHQIPTARE.
Komentet janë mbyllur.