KONVULSIONET NACIONALISTE TË SERBISË, DËSHTIMI I NJË IDEOLOGJIE ANTIHISTORIKE

0
448
Ushtarët serbë, Kosovë

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Pseudoshkenca serbe – Për ta justifikuar hegjemonizmin, ekspansionizmin dhe ideologjinë kolonialiste serbe, qysh në fillim të shekullit XX u vu në veprim shkenca serbe. U vunë në veprim sidomos qarqet akademike dhe ato universitare. Filluan me mitin mesjetar – betejën e Kosovës (1389), pikërisht për dy arsye:

– e para, t’i tregojnë Evropës së krishterë, se serbët në një të kaluar të largët, duke u vetëflijuar, kanë mbrojtur vlerat e krishterimit evropian. Këtë e kanë shfrytëzuar për të treguar idiosyncrasy perëndimore të tyre;

– e dyta, për të dëshmuar para kancelarive të fuqive të mëdha historike të kontinentit, se ata janë të pranishëm në Kosovë qysh në mesjetën e hershme, ndaj ajo (Kosova) është serbe, djep i Serbisë, shpirt i saj, tokë e shenjtë serbe.

U vu në veprim shkenca e historisë, e gjuhësisë, e etnologjisë, e gjeografisë, e antropologjisë, e gjeologjisë, e arkeologjisë. U ndërtua pseudo-shkenca serbe, laboratorët e së cilës u shndërruan në fabrikues të kuazi-argumenteve.

Në vitet ’30 të qindvjeçarit XX, elita intelektuale serbe tubohej në Klubin Kulturor Serb në Beograd, të drejtuar nga teoricieni i së drejtës Slobodan Jovanoviq (Novi-Sad, 1869-1958, Londër), profesor i së drejtës së shtetit në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Beogradit.

Sipas kësaj elite të shkollës retrograde serbe:
– Shqiptarët nuk ishin komb, por myslimanë dhe mbetje turke në Ballkan;
– Maqedonasit po ashtu s’ishin komb. Maqedonia ishte Serbi jugore;

– Malazeztë nuk mund të ishin komb për arsye se gjuha që flisnin, s’ishte veçse një dialekt i serbishtes, sipas konceptit: e kujt është gjuha, i tij është edhe territori;

– Maqedonasit dhe malazeztë, duke qenë pjesë e popullit serb, s’mund t’i kishin as institucionet e veta kishtare;

– Serbët, malazeztë dhe maqedonasit kanë të njëjtën kishë, të njëjtin kler dhe të njëjtat varreza. Rrjedhimisht, sipas parimit: e kujt është feja, i tij është edhe territori, s’mund të kishte komb malazez apo komb maqedonas;

– Bosnja ndërkaq, ishte term gjeografik, ndaj s’mund të kishte komb boshnjak, aq më tepër kur një e treta e popullsisë së saj ishin serbë;

– Myslimanët e Bosnjës dhe të Sanxhakut s’ishin veçse serb të islamizuar;

– Në Bosnjë jeton popullsi serbe, e ndarë në tri besime fetare: ortodokse, myslimane dhe katolike, sikundër ishte rasti edhe me shqiptarët.

– Sa u përket kroatëve – të Kroacisë – edhe këta s’kishin identitet të qartë, për arsye se gjuha që flisnin, ishte një dialekt i serbishtes. Edhe këtu vlente koncepti: e kujt gjuha, i tij territori.

Lidhur me Vojvodinën, Serbia ndërmori masa, që nëpërmjet kolonëve, kryesisht malazez, ta ndryshonte strukturën etnike të saj, duke i shndërruar hungarezët (dhe kroatët) në pakicë. Kur është fjala për gjermanët e Vojvodinës (rreth katërqind mijë sish), në vitin 1944-45, Serbia, nën akuzën se paskëshin qenë kolaboracionistë, për një i dëboi nga trojet e tyre. Njësoj siç veproi edhe Greqia me çamët.

Më vonë historia do të dëshmojë se në diatribën e madhe historike, ndërmjet shqiptarëve gjoja jo-perëndimorë dhe serbëve kinse perëndimorë, pa kurrfarë mëdyshjesh, Perëndimi do të marrë anën e shqiptarëve.

*   *   *

Sa i përket Betejës së Kosovës (1389) diplomati i famshëm amerikan Riçard Holbruk (Richard Charles Albert Holbrooke, 1941-2010) do të deklarojë: “Serbët e aspirojnë Kosovën bazuar në një luftë të largët, e cila kushedi sesi ka ndodhur dhe një Zot e di se a ka ndodhur”. Ndërkaq, sekretarja amerikane e Departamentit të Shtetit, Kondoliza Rajs (Condoleezza Rice, 1954), për të njëjtën betejë thotë: “…Serbët flasin për një betejë të vitit 1389, po e përsëris – të vitit 1389!”

*   *   *

Krijimi i Serbisë së madhe – Serbia e madhe u krijua me ndihmën e aleatëve të saj – Rusisë, Francës dhe Anglisë, në momente historike të caktuara, pa e respektuar fare, parimin historik, parimin etnik, parimin demokratik dhe atë të vetëvendosjes së popujve.

Në dëm të territoreve shqiptare, Serbia filloi të zgjerohet pas luftës ruso-turke (1877). Në këtë luftë në të cilën Serbia luftoi në anën e Rusisë, Turqia doli humbëse. Për pjesëmarrjen në luftë, Serbia u shpërblye me toka shqiptare. Si pasojë, filloi pastrimi etnik i trojeve shqiptare në të cilat banonin ndër shekuj e mijëvjeçarë, që nga lashtësia. Shqiptarët u dëbuan në mënyrë represive nga Nishi, Leskovci, Toplica, Prokupla etj.

Luftërat ballkanike – Lufta e Parë Ballkanike (tetor 1912 – maj 1913) ishte luftë e Lidhjes Ballkanike, d.m.th. e aleancës politike dhe ushtarake që lidhën Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali I Zi kundër Turqisë për ta dëbuar nga Ballkani dhe për t’i ndarë në mes tyre zotërimet osmane në gadishull. Në themele të Luftës Ballkanike u vu traktati i aleancës serbo-bullgare, i lidhur nën nxitjen dhe me ndërmjetësimin e Rusisë në fillim të marsit 1912. Traktati serbo-bullgar pati edhe një “shtojcë” sekrete e cila përcaktonte mënyrën e ndarjes midis tyre të tokave shqiptare dhe maqedonase. Pas mbarimit të Luftës I Ballkanike, ndërmjet aleatëve ballkanikë u shfaqën pakënaqësi dhe kontradikta politike. Më 29 qershor 1913 Bullgaria sulmoi Greqinë dhe Serbinë. Shpërtheu Lufta e Dytë Ballkanike.

Ajo përfundoi më 31 korrik 1913 me humbjen e Bullgarisë. Ushtria serbe hyri në trevat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, ndërsa ushtria greke vendosi nën kontroll Çamërinë, përfshirë edhe Janinën. Kërkesat për të aneksuar në kufijtë e shteteve të tyre tokat shqiptare, aleatët ballkanikë ia paraqitën Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913). Në fund të dy luftërave ballkanike 1912-1913, pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve dhe Protokollit të Firences, Fuqitë e Mëdha lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar një pjesë të madhe të territoreve veriore, lindore dhe jugore, duke ia aneksuar ato Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Në këtë bellum omniem in omnes, Bullgaria, Serbia dhe Greqia luftuan kundër njëra-tjetrës, për ta ndarë edhe krahinën me emrin antik Maqedoni. Ballkani u quajt fuçi baruti.

Pas luftës ruso-turke (1877) dhe pas dy luftërave ballkanike (1912-13) Serbia u zgjerua kryesisht në dëm të hapësirave etnike historike shqiptare si dhe në dëm të Maqedonisë.

Serbia në këtë kohë pretendonte të luante në skenën politike rolin e një Piemonti, që po i bashkonte në një shtet të vetëm të gjithë sllavët e jugut. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), më 1 dhjetor 1918 u krijua Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve e cila më vonë do të quhet Mbretëria Jugosllave. Nën sundimin e Serbosllavisë ranë: Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Vojvodina, Sanxhaku, përkatësisht malazeztë, boshnjakët, myslimanët e Sanxhakut. Në Vojvodinë ranë nën sundim hungarezët, kroatët dhe gjermanët. Që në Konferencën e Ambasadorëve, nën pushtimin serbomadh dhe malazias patën rënë trojet etnike historike shqiptare si dhe Maqedonia. Procesi i krijimit të Serbisë së madhe – u finalizua.

Serbia e madhe është produkt  i politikës ekspansioniste, hegjemoniste  dhe i luftërave pushtuese të saj. Pas politikës serbomadhe ka qëndruar Rusia. Serbët në këtë kohë gëzonin mbështetjen e pakursyer edhe të Parisit. Ky është rast unik në historinë e Evropës, në mos edhe të botës, që një popull i vogël si serbët, të arrijë një zgjerim territorial kaq të madh.

Mbretëria Jugosllave nuk ishte veçse Serbosllavi, d.m.th. Serbi e Madhe. Mbretërinë Jugosllave historianët kroatë do ta quajnë Jugosllavi e Versajës, krijim artificial dhe burg i popujve. Ky krijim artificial do të jetojë 23 vjet për t’u shpërbërë në një luftë civile të përgjakshme.

Serbia në atë kohë pushtoi territore:
– të popujve të pambrojtur, siç ishin shqiptarët;
– të popujve, që sipas serbëve, ishin me identitet të diskutueshëm: sllavo-maqedonasit, malazeztë, boshnjakët apo myslimanët e Sanxhakut;
– të popujve që u përkisnin shteteve, humbëse të luftërave, siç i konsideronin  hungarezët dhe gjermanët e Vojvodinës.

Për ta krijuar Serbinë e Madhe, serbët e shfrytëzuan konstelacionin apo raportin e forcave ndërmjet Fuqive të Mëdha të Evropës, në dy dekadat e para të shekullit XX. Vendet e ANTANT-ës, ku bënin pjesë Anglia dhe Franca, mbështetëset e Serbisë (dhe të Greqisë), ishin ngadhënjyesit e luftës botërore. Faktori antiserb ndërkaq – Gjermania dhe Austro-Hungaria ishin humbëse të luftës botërore. Ndërsa rusët, mbi bazën e përkatësisë familjes sllavo-ortodokse, ishin dhe mbetën aleatë të natyrshëm të serbëve.

Me rastin e krijimit të Serbisë së Madhe Parisi, Londra dhe Moska nuk respektuan kurrfarë parimi: as parmin historik as parimin etnik, as parimin demokratik, as atë të vetëvendosjes. Serbia e Madhe ishte produkt i kompozimit të hartës politike të Ballkanit, sipas interesave të Parisit (dhe të Londrës), pas përfundimit të luftës botërore, në të cilën pala antiserbe – fuqitë e Boshtit Qendror – doli humbëse.

E përkëdhelur tej mase nga Parisi, Jugosllavinë e Versajës, Serbia do ta shndërrojë në dominion të vet.

Lajthitjet e serbëve qëndronin në faktin se forca e tyre kurrë nuk u bazua në mundësitë reale të brendshme, por në mbështetjen te faktori i jashtëm. Përveçse të dominojë mbi popujt që ishin përfshirë në shtetin e sllavëve të jugut, Serbia ka pretenduar të bëhet edhe faktor relevant në rajon. Ambiciet e serbëve për të dominuar në shtetin jugosllav apo në Ballkan, gjithmonë kanë qenë në shpërpjesëtim me mundësitë reale të tyre.

Problemi i serbëve mund të formulohet edhe si: Ëndërr e madhe e njeriut të vogël. Serbia e pas luftës botërore është një vend me shkallë të ulët të zhvillimit të përgjithshëm. Në anën tjetër, dy popujt e tjerë shtetformues të Jugosllavisë së Versajës – kroatët dhe sllovenët, në krahasim me serbët, kishin shkallë ekonomike më të lartë dhe tradita kulturore më të mëdha. Serbia kishte dalë nga sundimi i të sëmurës së Bosforit – Turqia, ndërkaq Kroacia dhe Sllovenia kishin dalë nga sundimi i një perandorie të qytetërimit evropian, atij austro-hungarez.

Dhe ja paradoksi i parë: Serbët me civilizim më të ulët, qeverisnin dy popuj me civilizim evropian, siç ishin kroatët dhe sllovenët. Shpejt u pa se kreatura e VersajësJugosllavias’ishte veçse një sajim artificial i Parisit. Si e tillë, ajo qëndronte mbi këmbë të qelqta. Paradokse të tilla nuk do të duhej të përpiheshin në Evropën e shekullit XX, qoftë edhe në fillim të tij.

Të ballafaquar me një paradoks të këtillë, që në krye të herës, serbët hasën në vështirësi qeverisjeje. Për ta bërë të mundur dominimin e vet, filluan të përhapin idenë e jugosllavizmit, d.m.th. të krijimit të kombit jugosllav, përkatësisht serbosllav. Për ta kryer homogjenizmin etnik të sllavëve të jugut, ata filluan ndërtimin e shtetit sipas konceptit unitarist. Kjo do t’u siguronte atyre hegjemoni mbi popujt e tjerë.

Jugosllavia e Versajës kishte në kufij të vet tre popuj shtetformues: serbë, kroatë, sllovenë; si dhe popuj, të cilëve nuk u njihej kombësia, siç ishin: shqiptarët, sllavo-maqedonasit, malazezët, boshnjakët, myslimanët e Sanxhakut, hungarezët, gjermanët.

Në këtë bashkësi sllavësh të jugut, kishte edhe popuj josllavë, siç ishin shqiptarët, hungarezët, gjermanët. Se kujt do t’i njihej kombësia dhe kujt jo, për këtë vendosnin serbët. Mbi të gjithë këta popuj sundonin serbët. Jugosllavia e Versajës ishte perandori serbosllave, që të përkujtonte atë të car Dushanit (Stefan Dushani, 1308-1355). Duke qenë se të gjithë popujt e saj, përpos serbëve, ishin të privuar nga të drejtat e tyre kombëtare dhe njerëzore themelore, ajo u quajt burg i popujve.

Planet e ideologëve serbë për të krijuar kombin jugosllav s’arritën të realizohen për arsye se:

– Procesi i krijimit të kombeve homogjene në Evropë kishte përfunduar qysh para disa shekujsh;
– Kombi homogjen nuk mund të krijohej në shekullin XX, siç pretendonin serbët;
– Kombi homogjen nuk mund të krijohej me masa represive, diskriminuese, administrative, opresive;

– Serbia është e vogël për të luajtur rolin e Piemonit;
– Serbia është e pazhvilluar për të pasur forcë bashkuese;
– Serbia ka shkallë të ulët të kulturës për të qenë faktor dominues;
– Serbia nuk ka ekonomi për të qenë forcë sunduese.

Një prej mënyrave të domosdoshme të krijimit të kombit homogjen është integrimi i qytetarëve në shoqëri dhe jo margjinalizimi i tyre.  Por, nuk duhet harruar se mund t’i integrohet shoqërisë një minoritetet por jo edhe popuj të tërë.

Popujt autoktonë nuk shkrihen lehtë dhe nuk heqin dorë nga identiteti i tyre. Kombi homogjen nuk krijohet në Evropën e shekullit XX apo XXI, siç pandehnin serbët. Kombi më homogjen në Evropë janë francezët. Por ata këtë proces e kanë kryer para shumë shekujsh dhe jo në shekullin XX.

Turqia, Irani, Iraku dhe Siria kurrë nuk do të mund ta shkrijnë popullin kurd në turq, iranianë, irakianë apo në sirianë. Beogradi nuk mund ta krijonte kombin jugosllav, d.m.th. serbosllav, për arsye se serbët nuk kishin potencial të mjaftueshëm, as demografik, as ekonomik, as kulturor. Si të tillë, ata nuk posedonin forcë integruese dhe kohezive. Serbët, në çdo pikëpamje ishin nën nivelin e kroatëve dhe të sllovenëve.

Popujt josllavë siç ishin shqiptarët, hungarezët dhe gjermanët e Vojvodinës, kurrë nuk hiqnin dorë nga identiteti i tyre. Popujt me fe katolike siç ishin kroatët dhe sllovenët, kurrë nuk shkriheshin në jugosllavë me dominin serbo-bizantin. Popujt me fe islame siç, ishin myslimanët e Bosnjës e Hercegovinës dhe të Sanxhakut, kurrë nuk shkriheshin në jugosllavë me mbizotërim serb-bizantin.

Duke qenë se shqiptarët nuk ishin sllavë, asnjëherë nuk mund të integroheshin në bashkësinë e sllavëve të jugut. Pikërisht për këtë arsye Serbia ndaj tyre ndërmori masat e pastrimit etnik, siç veproi Greqia ndaj popujve jogrekë.

Realizimin e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, e parandaloi edhe fillimi i Luftës së Dytë Botërore, ndonëse procesi i shpërnguljeve u riaktivizua edhe pas luftës, në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit XX.

Raporti ndërmjet popullsisë serbe dhe asaj joserbe në Mbretërinë Jugosllave ishte diku rreth 30% ndaj 70%. Me fjalë të tjera, popullsia 30 përqindëshe e shtetit qeveriste – me diktaturë – sipas konceptit  aparteidit, popullsinë 70 përqindëshe të tij. Për ta zbatuar administrimin sipas konceptit të aparteidit, të gjitha potencialet e veta, serbët i përqendruan në forcimin e aparatit shtetëror represiv: ushtrinë, policinë, administratën, gjyqësinë, burgjet. Para këtij burgu të popujve, Parisi (dhe Londra) rrinin symbyllur.

Popujt e përfshirë në këtë amalgamë të shtetit unitarist dhe centralist i bënin rezistencë dominimit serb. Shqiptarët, duke mos qenë sllavë, konsideroheshin trup i huaj në bashkësinë e sllavëve të jugut. Ata ishin pjesë e panatyrshme e këtij konglomerati po aq të panatyrshëm. Për ta mposhtur qëndresën e shqiptarëve, të kroatëve, të sllovenëve etj., Nikolla Pashiqi (1845-1926) dhe karagjorgjeviqët vendosën mbi ta edhe diktaturë. Beogradi i shkelte liritë dhe të drejtat e njeriut, mohonte ekzistimin e popujve të tërë, madje të popujve historikë dhe politikë, të popujve me tradita të mëdha, me shkallë të lartë të qytetërimit, më të lartë se vetë sunduesit serbë.

Pashiqi u shqua në zbatimin e politikës ekspansioniste të Serbisë në Ballkan dhe ndaj territoreve shqiptare në veçanti, në fund të shekullit XIX dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX. Si ministër i jashtëm dhe si kryeministër për vite të tëra punoi për realizimin e projektit të krijimit të Serbisë së Madhe. Ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera ndoqi politikë gjenocidi, shkombëtarizuese dhe kolonizuese.  Nëpërmjet Esat pashë Toptanit (Marrëveshja e vitit 1914), Riza bej Kryeziut etj. thurte komplote kundër shtetit shqiptar.

Atentati në Kuvendin Popullor – Serbët janë i vetmi popull në historinë e njerëzimit, të cilët në kuvendin e shtetit kanë vrarë deputetë për arsye se ata në dhomën ligjvënëse, mbronin në rrugën politike, të drejtat e popullit të vet. Atentati ndodhi në Kuvendin Popullor në Beograd, më 20 qershor 1928, në orën 11 e 25 minuta. Deputeti i Partisë Popullore Radikale (serbe) Punisha Raçiq, nga foltorja e Kuvendit, me revolen parabelum shkrehu pesë plumba ndaj deputetëve të Partisë Fshatare Kroate: Dr. Ivan Pernar, Dr. Gjuro Basariçek, Ivan Grangja, Stjepan Radiq dhe Pavle Radiq. Brenda më pak se një minute, që të pestit i shtrin për toke. Vriten në vend Gjuro Basariçek dhe Pavle Radiq, ndërsa kryetari i Partisë, Stjepan Radiq, i cili ka qenë shënjestra kryesore, vdes pas dy muajve si pasojë e plagës. Që të pestët janë qëlluar me nga një plumb. (Libri: Rudolf Horvat, “Hrvatska u mučilište” (Kroacia në burgun e torturës), Školska knjiga, Zagreb, 1992, f. 389-390). Shënim: Rudolf Horvati (1873-1947) është  historian, shkrimtar dhe politikan kroat.

Nacionalizmi serb determinoi primitivizmin dhe provincializmin e shkollës serbe, të shkencës serbe dhe të mendimit politik serb. Shkenca serbe nuk krijoi kapacitet për të ecur në hap me kohën, me shkencën evropiane apo perëndimore. Potencialet demokratike të shoqërisë serbe të Jugosllavisë së karagjorgjeviqëve, ishin minimale. Nën ndikimin e ideologjisë nacionaliste, shoqëria serbe e Jugosllavisë së Versajës, s’kishte forcë për të prodhuar mendim politik alternativ apo ide demokratike.

Megalomania serbe  Serbët e konsiderojnë veten popull më luftarak të Ballkanit. Sipas tyre, ata paskan bërë luftë antiosmane, “në mbrojtje të vlerave evropiane”, qysh para gjashtë shekujsh. Kjo betejë që ka zgjatur vetëm një ditë, është instrumentalizuar, për qëllime nacionaliste dhe ekspansioniste, si asnjë luftë tjetër në histori. Dhe është shtrembëruar. Dihet mirëfilli se në këtë betejë ka marrë pjesë koalicioni i krishterë i popujve të Ballkanit, përfshi edhe shqiptarët.

Serbët krenohen: me Kryengritjen I serbe (1804-13), me Kryengritjen II serbe (1814-15), me pjesëmarrjen në Luftën ruso-turke (1878), me Luftën I Ballkanike (1912), me Luftën II Ballkanike (1913), me pjesëmarrjen në Luftën I Botërore (1914-18), me pjesëmarrjen në Luftën II Botërore (1941-44).

Për të gjitha këto luftëra,  historiografia serbe jep të dhëna të diskutueshme. Serbët gjithmonë qenkan rreshtuar në anën e drejtë të historisë dhe në atë të ngadhënjyesve. Pseudo-shkenca serbe i ka stërmadhuar përmasat e këtyre luftërave, e ka zmadhuar rolin e serbëve në to dhe i ka shumëfishuar viktimat serbe. Duke qenë se roli i serbëve në luftëra paska qenë i madh dhe çmimi që paskan paguar paskësh qenë shumë i lartë, rrjedhimisht edhe shpërblimi për ta u dashka të jetë i madh. E ky shpërblim qenka dashur të jetë krijimi i Serbisë madhe.

Me këto ide të mëdha se serbët janë popull luftëtar dhe i viktimizuar i Ballkanit, janë ushqyer breza të tërë. Të ledhatuar nga kancelaritë e fuqive historike të kontinentit, ngadhënjyese të luftës botërore, nga Franca (dhe Anglia), serbët e ngritën ndjenjën e megalomanisë, të arrogancës dhe të mendjemadhësisë. Megalomania u ngulit në mentalitetin e tyre. Ata e shpallën veten popull i zgjedhur dhe popull hyjnor, me mision për t’i qeverisur, jo vetëm sllavët e jugut, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit. Me arrogancë u thoshin të tjerëve: Fol serbisht, që edhe Zoti të të kuptojë! Ose: Zoti, po serbët!

Për ta rritur potencialin e vet ekonomik, serbët ndërmorën shfrytëzimin e viseve joserbe të Jugosllavisë së  karagjorgjeviqëve. Beogradi, në forma të ndryshme, e shfrytëzonte Kroacinë (dhe Slloveninë), ndërsa viset e tjera joserbe, që i quante Serbi, i shndërroi në tregje kolonialiste. Për ta mbajtur këtë sistem kolonialist, doktrina serbe ndërtoi sistem juridik diskriminuesrestriktiv dhe aparat represiv, duke vënë në veprim edhe masat opresive. Serbët u bënë zotër të Jugosllavisë dhe sundimtarë të pakontestueshëm të saj. Beogradi u bë metropol dhe u shndërrua në zonë tërheqëse për të tjerët, sidomos për malazeztë. Çdo i treti qytetar i Beogradit – thotë legjenda – është malazias.

Në shkollën retrograde serbe u formuan pjesëtarë të popujve të tjerë të Jugosllavisë, përpos kroatëve dhe sllovenëve, të cilët i patën shkollat e veta. Shkolla sllavo-maqedonase, tej mase antishqiptare, është produkt i shkollës nacionaliste serbe.

Serbët janë popull me shprehi e tradita mesatare pune. Domethënë, nuk janë popull shumë punëtorë. Duke qenë jo aq të zellshëm për punë, në një anë dhe duke i destinuar potencialet e shtetit kryesisht në forcimin e aparatit represiv, serbët kurrë nuk arritën të shënojnë zhvillim ekonomik efektiv. E gjithë Serbia, përpos Beogradit, mbeti pallankë (provincë) e pazhvilluar.

*   *   *

Politika hegjemoniste serbe hasi në qëndresën e popujve të Jugosllavisë. Më 1934, në Marsejë të Francës u krye atentat ndaj mbretit Aleksandër I Karagjorgjeviq (Cetinë, 1888 –Marsejë, 1934). Për këtë vrasje u fajësuan nacionalistët kroatë. Sipas serbëve, pas këtij atentati po qëndruakan Berlini dhe Roma.

Dekompozimi i Serbisë së Madhe – Më 1939, në fillim të Luftës II Botërore, u shemb Sistemi i Versajës. Bashkë me të, edhe kreatura artificiale e tij, Jugosllavia. Hegjemonia serbe filloi të dobësohet. Pas Luftës së Dytë Botërore lind Jugosllavia e AVNOJ-it (KAÇKJ – Këshilli Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë), përkatësisht Jugosllavia Titos. Ideologjia unitariste, hegjemoniste, centraliste dhe etatiste serbomadhe vazhdoi të jetonte. Në formën e saj rigide, kjo ideologji zgjati deri në vitin 1966, kur në ishullin Brioni të Adriatikut, u largua nga skena politike Aleksandër Rankoviqi-Leka (1909-1983), politikan me tetëvjeçare, i cili e kishte marrë në Beograd zanatin e zhguntarit (abaxhiut). Rankoviqi ishte simbol i unitarizmit, i centralizmit dhe i etatizmit serb. Largimi i tij nga skena, bëri të mundur federalizmin e Jugosllavisë, e cila deri atëherë ishte federatë vetëm në letër.

Më 1974, me Kushtetutën e re, bëhet edhe një hap kundër dominimit serb, pikërisht në dy pikëpamje:
– e para, Serbisë së Madhe i shkëputen Kosova dhe Vojvodina;
– e dyta, unitarizmit serb i jepet grusht vdekjeprurës.

Megjithëkëtë, serbët në Jugosllavinë e ANVOJ-it, apo të Titos nuk kaluan keq. Duhet pasur parasysh faktin se:

– në një Jugosllavi të tillë, federaliste, të gjithë serbët jetonin në një shtet;

– Josip Broz Tito (1892-1980), duke i shfrytëzuar antagonizmat e ndarjes së botës në blloqe si dhe kontradiktat midis dy super-fuqive, SHBA-së dhe BRSS-së gjatë luftës së ftohtë, arriti të siguronte mbështetjen ekonomike, financiare, politike dhe ushtarake, si të Lindjes ashtu edhe të Perëndimit.

 

Në vendet e botës së tretë, Josip Brozi gjeti tregje, naftë dhe lëndë të para me favore e privilegje. Por, edhe në Jugosllavinë e Titos, si në atë të karagjorgjeviqëve, shumë popuj ishin të pakënaqur.

Në vitin 1967, akademikët serbë i penguan myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës që të identifikoheshin si boshnjakë. Për t’u mbrojtur nga dominimi serb, myslimanët e BH-së të udhëhequr nga Alija Izetbegoviq-i (1925-2003) u promovuan në komb mysliman.

Në maj të vitit 1968, në metropolet evropiane – Paris, Londër, Berlin, Romë shpërthyen protestat studentore. Frymëzues i këtyre protestave ishte filozofi, sociologu dhe teoricieni politik gjermano-amerikan Herbert Markuze (Herbert Marcuse, 1898-1979). Protestat u mbështetën nga elita intelektuale majtiste e kontinentit. Protestat e majit shpërthyen edhe në Beograd dhe Zagreb. Regjimi komunist i Titos iu përgjigj studentëve dhe profesorëve të tyre në dy mënyra: me represion dhe me demagogji bolshevike.Njëri prej shpirtëruesve të protestave studentore, profesori i filozofisë në Universitetin e Beogradit Miladin Zhivotiq (1930-1997), më vonë kundërshtar i paepur i nacionalizmit serb, vdiq i anatemuar prej perëndive të luftërave, në krye me Sllobodan  Millosheviqin. Frymëzuesi tjetër i studentëve, edhe ky profesor i filozofisë në po atë universitet, akademiku Mihajllo Markoviq (1923-2010), ndoqi rrugën e projektuesve historikë të idesë së Serbisë së Madhe.

Konsiderohej se Jugosllavia mund të ekzistonte vetëm në saje të raportit serbo-kroat të forcave. Për ta forcuar kohezionin jugosllav, u sajua edhe sintagma gjuhësore, me prapavijë politike, e ashtuquajtura gjuhë serbo-kroate, përkatësisht kroato-serbe, e cila kurrë s’u njoh nga shkenca kroate.

Në fillim të viteve ‘70 të qindvjeçarit XX, për shkak të shfrytëzimit të Kroacisë nga Beogradi, e ngriti zërin e protestës lëvizja masive kroate e njohur si MASPOK (Masovni pokret, 1971). Nacionalistët kroatë pyetnin: “Ku shkojnë miliarda dollarë të turizmit kroat?!” Serbia s’kishte as det, as industri të përpunimit të naftës. Përveç kësaj, serbët nuk shquhen si popull shumë punëtor. Vetvetiu shtrohej pyetja: “Në ç‘mënyrë serbët, në veçanti beogradasit, ia dilnin të jetojnë në një standard të lartë?!”

Në atë Jugosllavi pra, të gjithë ankoheshin se janë të shfrytëzuar. E kundërshtonin, si Jugosllavinë e para vitit 1974, ashtu edhe atë të pas këtij viti. Kroatët dhe sllovenët shfrytëzues i konsideronin serbët, ndërkaq këta (serbët), për ngecjen e vet i fajësonin republikat e veriut.

Një gjë dihej saktë: më të shkelur ishin shqiptarët, më e shfrytëzuar – Kosova. Në këtë periudhë, shqiptarët thoshin: “Trepça punon, Beogradi ndërton”.

Edhe në Jugosllavinë e Titos një pjesë e madhe e buxhetit shkonte për ushtrinë, për policinë, për shërbimet sekrete dhe për administratën përmasash vigane. Legjenda thotë se armata e Jugosllavisë së Titos, për nga forca e vet, paskësh qenë e katërta në Evropë.

Pakënaqësia e popujve me Jugosllavinë e Titos dëshmon se ky shtet ishte një sajim artificial i ngritur mbi gërmadhat e Jugosllavisë së Versajës, kreaturë kjo po aq artificiale e   Moskës dhe e Parisit.

Faktor koheziv i Jugosllavisë së AVNOJ-it nuk ishte as Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ-LKJ), as e ashtuquajtura Armatë Popullore Jugosllave. Figurë integruese e vendit ishte personaliteti i Titos. Kjo të lente të kuptoje se me vajtjen e tij nga skena, amalgama jugosllave do të zhbëhej. Kulti i personalitetit i Titos filloi të ndërtohej qysh gjatë të ashtuquajturës Luftë Nacional Çlirimtare (1941-44).

Sfida e parë e zhbërjes së RSFJ-së erdhi prej shqiptarëve në vitin 1981.

– Shqiptarët, ndonëse popull i tretë për nga numri, ishin të pabarabartë;
– Kosova, edhe pse kishte pasuri nëntokësore, ishte tej mase e pazhvilluar.
– Në bashkësinë jugosllave, shqiptarët ishin popull josllavë. “Jemi shqiptarë, s’jemi jugosllavë”;
– Bashkësisë së sllavëve të jugut shqiptarët i ishin bashkëngjitur kundër vullnetit të tyre;

– Banorë të përhershëm të burgjeve jugosllave ishin kryesisht shqiptarët;
– Kujtesa historike nuk i lejonte shqiptarët për ta njohur legjitimitetin e shtetit jugosllav;
– Kufizimi me Shqipërinë, ua përkujtonte se ata të huaj ishin në këtë dhe;
– Jugosllavia për ta s’ishte veçse njerkë;
– Shqiptarët, ndonëse popull i tretë për nga numri, nuk e gëzonin statusin e kombit.

Ndërkohë, komb konsideroheshin malazeztë, që ishin gjashtëfish më pak se shqiptarët. Për nga numri, shqiptarët ishin më shumë se sllovenët, se myslimanët e BH-së, se sllavo-maqedonasit dhe se malazeztë. Megjithëkëtë, konsideroheshin qytetarë të dorës së dytë, ndaj përfshirjen  në një bashkësi të tillë e shihnin si të panatyrshme dhe e konsideronin robëri.

Ringjallja e unitarizmit serb  Në vitin 1985 filloi në Serbi ringjallja e doktrinës serbomadhe. Qarqet akademike, universitare, intelektuale, klerikale, politike dhe ushtarake serbe u vunë në shërbim të idesë së madhe serbe. Akti i dramës tragjike po fillonte. Është koha post-titiste. Nacionalistët serbë vajtonin fatin tragjik të popullit të vet. “Atë që serbët e fituakan në luftëra, e humbkan në paqe”.

Fajtor i tragjizmit serb na qenkësh agjenti i Vatikanit, Josip Brozi, për arsye se:

– Në Mbledhjen II të AVNOJ-it, të mbajtur në Jajce  të BH-së më 29.11. 1943, ia paskësh marrë Serbisë: Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë;

– Më 1974, me kushtetutën e re, ia paskësh marrë Serbisë të dyja krahinat, Kosovën dhe Vojvodinën dhe i paskësh bërë pjesë konstitutive të federatës jugosllave, duke i barazuar de fakto me gjashtë republikat e tjera;

– Me kushtetutën e re, e paskësh federalizuar shtetin, duke i lënë në mëshirën e fatit serbët e Kroacisë, të Bosnjës e Hercegovinës dhe të Kosovës;

– Në Kroaci na qenkëshin ringjallur Ante Paveliqi (1889-1959) dhe MASPOK-u; në Bosnjë dhe Hercegovinë – muxhahedinët e Izetbegoviqit, në Kosovë – irredentistët dhe separatistët;

– Serbët na qenkëshin viktima. Gjithmonë dhe kudo viktima. Të tjerët qenkëshin shtypës të tyre.

A s’të  përkujton vallë kjo anekdotën midis ujkut dhe qengjit?!

E verbuar, shkolla nacionaliste serbe s’ishte dot në gjendje t’i parashikonte zhvillimet politike, demokratike dhe ekonomike në plan të gjerë. Akademikët serbët nxorën një memorandum që parashikonte rikthimin në kohën e karagjorgjeviqëve. Ky pamflet me rreth 200 faqe doli në janar të vitit 1986, si një libër anonim, pa asnjë emër të autorëve. Në të kishin punuar tetë akademikët më të njohur të ASSHA-s. Midis tyre, edhe profesori i filozofisë akademiku Lubomir Tadiq (1925-2013), baba i kryetarit të Serbisë, psikologut Boris Tadiq (1958-) dhe mik i ngushtë i Dobrica Qosiqit (1921-2014).

Ky memorandum:
– mohonte federalizmin e Jugosllavisë, sipas Kushtetutës së vitit 1974;
– suprimonte autonomitë e dy krahinave – të Kosovës dhe të Vojvodinës;
– injoronte Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën;
– Jugosllavia duhej të rikthehej në unitarizëm, në centralizëm, në etatizëm dhe në dominion serb.

Si dikur, të shndërrohej në Serbosllavi. Rrota e historisë të kthehej prapa, në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XIX, madje thellë në mesjetë, në kohën e car Dushanit. Të aktualizohej projekti kombëtar serb i vitit 1844, “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1812-1874). Të ringjalleshin idetë e akademikëve serbë të fillimit të shekullit XX, Jovan Cvijiqit (1865-1927), të Vladan Gjorgjeviqit (1844-1930), autor i librit famëkeq “Arnauti i Velike sile” (Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha, Beograd, 1913). Të aktualizohet elaborati famëkeq “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve) i akademikut Vaso Çubriloviq (1897-1990), që e paraqiti në Klubin Kulturor Serb në Beograd, në mars 1937. Shkrimtari Dobrica Qosiq, i mbiquajtur pater patriae, akademik me shkollë të mesme bujqësore, ishte truri i memorandumit të sipërthënë.

Prishjen e baraspeshës politike të vendosur në vitin 1974, që synonte Serbia, Sllovenia dhe Kroacia nuk e pranuan. Sapo doli në dritë, pamfleti i lartpërmendur, nga kroatët dhe  sllovenët u quajt nekrolog i Jugosllavisë.

Shembja e komunizmit (e pansllavizmit)  Në fund të viteve ’80 të shekullit XX, komunizmi d.m.th. pansllavizmi u shemb në përmasa planetare. Tani Serbia, si dikur me rënien e Sistemit të Versajës, e humbi mbështetësin e saj të fuqishëm. Raporti i forcave në Evropë dhe në planin global – ndryshoi. U krijua një konstelacion i ri që nuk shkonte në favor të serbëve.

Me fjalë të tjera, kemi:
– Shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e perandorisë sovjetike;
– Shpërbërjen e Traktatit të Varshavës;
– Nga BRSS-ja e shpërbërë doli një Rusi e pakonsoliduar;
– Rënien e murit të Berlinit dhe ribashkimin e Gjermanisë;
– Shpërbërjen e RSFJ-së;
– SHBA-në, si superfuqi të vetme;
– Zgjerimin e NATO-s;
– Zgjerimin e BE-së.

Në vitin 1991 Serbia i filloi luftërat pushtuese në ish-Jugosllavi, pa i përfillur rrethanat e sipërthëna. Luftërat e viteve ’90 në Jugosllavi e sollën SHBA-në në rajon. Humbësja e dy luftërave botërore, Gjermania, bëhej një prej faktorëve të rëndësishëm të zhvillimeve të reja gjeopolitike. Në vend që t’i vërenin ndryshimet që i sillte fundi i shekullit XX, inteligjencia serbe, e rritur në frymën historikisht hegjemoniste dhe e bazuar në potencialin ushtarak serb, vazhdoi me idetë anakronike të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Ajo e homogjenizoi shoqërinë serbe të pallankave dhe e ngriti atë në jogurt-revolucion dhe në balvan-revolucion. Miti mesjetar i betejës së Kosovës u ringjall si fantazmë. Kthim prapa s’kishte.

Si reagim, Sllovenia dhe Kroacia ndërmorën hapin e shkëputjes nga kthetrat e Beogradit. Politika populiste serbe dhe retorika luftënxitëse u shndërruan në agresion luftarak. krijimi artificial shpërbëhej në gjak. Shpirtrat serbë të luftës do të thonë: “Serbia shtrihet deri aty ku ndodhet varri i fundit i serbit”. Etërit e kombit, shumë prej tyre intelektualë të dalë jashtë kohës, do të tentojnë ribërjen, me luftë pushtuese, e Serbisë së Madhe të vitit 1913, përkatësisht të vitit 1918. Nëpërmjet armatës pushtuese jugosllave, gjithmonë të komanduar prej serbëve, Serbia luftoi kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës. Sajim artificial i quajtur Jugosllavi u varros përgjithmonë. Luftërat e sipërthëna të Serbisë për territore të huaja, dështuan radhazi. Vitet ‘90 të shekullit XX janë turpi i historisë serbe.

Para kësaj golgote të popujve, Evropa plakë, e sidomos Franca e kohës së Fransua Miteranit (Françoi Mitterrand, 1916-1996), i mbylli sytë.

Jugosllavinë, në të cilën të gjithë serbët jetonin në një shtet, e shkatërruan pikërisht serbët. Ata shkaktuan mbi 100 mijë të vrarë, mijëra të plagosur, të zhdukur, dhjetëra mijë refugjatë, dëme materiale. Serbin që s’mendonte si zotat e luftës, e përpinte terri. Shpejt pas këtij dance macabre, falangat e Sheshelit dhe të Millosheviqit, më 12 mars 2003 do ta ekzekutojnë kryeministrin demokrat, Zoran Xhinxhiqin (1952-2003).

Serbia nuk deshi të kuptonte se Sllovenia, Kroacia dhe tre milionë shqiptarë ishin kafshatë që s’do të mund t’i gëlltiste. Serbia ishte e vogël për të qenë e madhe. Tragjedia e serbëve qëndron në faktin se elita akademike dhe politike e tyre asnjëherë nuk e kuptoi se Serbia, më parë se produkt i realitetit historik të brendshëm, ka qenë sajim i faktorit të jashtëm, në momente historike të caktuara.

Për disfatën që pësuan, irracionalët serbë fajësuan Vatikanin, Berlinin, Vjenën, CIAnë dhe agjentin e Vatikanit – Titon, kufomën e të cilit deshën ta zhvarrosnin për ta hedhur në Sutjeskë apo në Kumrovc.

Procesi i shpërbërjes së Serbisë së Madhe ende s’ka përfunduar. Serbia me Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), me Vojvodinën ku jeton popullsia autoktone hungareze dhe 26 minoritete të tjera, me Sanxhakun të banuar nga myslimanë, vazhdon të jetë e madhe. Edhe vetë serbët thoshin: “Kështu si ia kemi nisur, një ditë do të mbetemi sa Pashallëku i Beogradit”.

Për dëmet e bëra gjatë një shekulli:
– Serbia duhet të dalë para gjykatës ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit;
– Kuvendi serb duhet t’u kërkojë falje popujve të ish-Jugosllavisë, në veçanti shqiptarëve;
– Të paguajë reparacion lufte si dhe dëmshpërblim për politikën shekullore kolonialiste dhe gjenocidale;

– Për të përjetuar katarzë, serbët duhet të nxjerrin një Orhan Pamuk (1952-), i cili tha se në vitin 1915 Turqia ka bërë krime ndaj  armenëve. Flitet për vrasjen e 1 deri 1.5 milionë armenëve. Është quajtur holokaust i armenëve, ndërsa 29 shtete kanë marrë qëndrim zyrtar se ky ka qenë një gjenocid.

Dikur Serbia e injoroi Kosovën-Republikë, tani do të duhet ta njohë Republikën e Kosovës.

Në atë kohë, mbështetës të vetëm të Serbisë ishin Zhirinovski, ish agjenti i KGB-së, Putini, Fidel Kastroja, koloneli Muamer el Gadafi, Hugo Çavezi, kryetarja e Partisë Komuniste Greke, Aleka Paparija dhe Vietnami. “Më thuaj me kë shoqërohesh, të të tregoj se kush je! Nga sa më sipër shihet se Serbinë e mbështetin elementet më të diskredituara të historisë dhe të rruzullit. Qarqeve intelektuale dhe politike të Beogradit u vinte turp t’i tregojnë popullit të vet se kush ishin ithtarë të Serbisë. Për serbët duhet të jetë indikativ fakti se nacionalizmi serb nuk përkrahet madje as prej aleatëve të dikurshëm të tyre.

Rruga e serbëve drejt humbëtirës vazhdoi me Vojisllav Koshtunicën (1944-), me Tomisllav Nikoliqin (1952-) dhe me Boris Tadiqin. Tani vazhdon me Aleksandër Viçiqin (1970-) dhe me Ivica Daçiqin (1966-). Serbia me ta po shndërrohet në koloni të re të Rusisë në Ballkan. Nëpërmjet tyre, ariu i veriut synon t’i realizojë aspiratat strategjike në rajon. Perspektiva e rinisë serbe është shpëtimi prej konvulsioneve nacionaliste dhe integrimi perëndimor.

Serbia do të demokratizohet:
– kur të heqë dorë nga ëndrrat garashaniniste; dhe
– kur interes kombëtar i saj të jetë integrimi në strukturat euro-atlantike.

Njohja e pavarësisë së Kosovës si dhe e tërësisë tokësore të saj, është conditio sine qua non i demokratizimit të Serbisë dhe i integrimit të saj në BE.

Proceset historike të sipërthëna janë të favorshme për shqiptarët dhe të disfavorshme për serbët. Faktori proshqiptar, ShBA-ja dhe Berlini është mbizotërues. Shekulli XXI patjetër të jetë shekull i shqiptarëve. Këtë moment historik të papërsëritshëm, shqiptarët duhet të dinë ta shfrytëzojnë.