Dr. ALEKSANDAR MATKOVSKI – BETEJA E KATLLANOVËS

0
478
Kryengritja e Dervish Carës

Kryengritja e Dervish Carës, krah për krahu me kaçakun e maleve Emin Çeliku (Xhambazi) hyjnë në Shkup (1844).

(Çlirimi i Shkupit, 18 maj 1844)

I trimëruar nga sukseset e veta, Dervish Cara planifikonte të pushtojë Velesin, e pastaj edhe Manastirin që ishte seli e vilajetit të Rumelisë, e prandaj kishte shumë ushtri. Mirëpo, kryengritësit nuk e kaluan asnjëherë grykën e Katllanovës. Nuk janë të sakta të dhënat e disa autorëve se kinse kryengritësit e kanë pushtuar Velesin e Prilepin dhe i qenë afruar Manastirit. Ata nuk e kaluan kurrë grykën e Katllanovës, por disa pararoje të tyre shkonin në vëzhgim edhe kah Velesi që shkaktoi frikë mes pushtetmbajtësve të Velesit. Populli u ftua të marrë masa preventive. Atëherë edhe myslimanët edhe të krishterët iu përgjigjen thirrjes dhe bashkërisht hapnin hendekë dhe fortifikime të tjera.

Të rinj dhe pleq, të krishterë e myslimanë shkonin në punë me aq frikë të madhe nga kryengritësit. Frika nga Velesi bartej në Manastir dhe kjo i detyroi pushtetmbajtësit osmanë të ndërmarrin aksion kundër kryengritësve para se të fillojë pranvera e parë. Nga Manastiri nisi Ahmed Pasha në krye të ushtrisë osmane, e pararojën e komandonte renegati dhe dezertori kroat nga ushtria austriake, Mihail Latasi, që pastaj e pranoi islamin nën emrin Omer Pashë Latasi. Në kohë, kur e komandonte avangardën e armatës osmane kundër kryengritësve, Omer Pasha kishte gradën e gjeneralmajorit, pra ka qenë mushir në varmatën e Rumelisë, ngaqë i bëni shërbime, të mëdha Turqisë.

Shumë autorë në letërsinë historike e përshkruan me disa fjali betetjën e Katllanovës, por asnjëri nuk e ka caktuar datën e saktë të kësaj beteje të rëndësishme, ku u vendos fati i kryengritësve. Kur pararoja osmane u takua me krynegritësit, menjëherë afër fshatit Katllanovë, Omer Pasha hyri në luftë vendimtare, pa e pritur pjesën kryesore të ushtrisë. Turma e çrregulltë e kryengritësve të armatosur luftoi me dëshpërim kundës armatës osmane, por nuk mundi t’i kundërvihet me sukses ushtrisë të rregulltë osmane. Një numër i madh të plagosurish dhe të vdekurish gjendej në të dyja anët. Shumë autorë mendojnë se kjo ka qenë beteja e vetme, që u zhvillua, në fushëm e Shkupit dhe se aty u zgjidh fati i kryengritësve dhe kishte shumë skllavër të kapur e, midis tyre, edhe vetë Dervish Carën. Në këtë luftë u kap skllav Dervish Cara e pastaj e çuan në burg në Stamboll, ku edhe vdiq si deklarojnë shumë autorë të cituar. E saktë është se lufta e Katllanovës ka qenë luftë e ashpër dhe e përgjakshme që vendosi fatin e kryngritjes. Miëpo, ajo nuk ishte beteja e vetme, por si do të shohim, ka pasur shumë beteja.

Përshkrim të bukur të betejës së Katllanovës ka dhënë Hr. Çoçkovi. Ai shënoi: “Bejlerët e Kumanovës, Vranjës, Gjilanit dhe Shkupit nuk donin të japin rekrutë për ushtrinë e rregullt. Për këtë shkak me kalorës të armatosur ata u nisën drejtë Velesit. Mirëpo, atëherë Frenk Omer Pasha me dy regjimente të ushtrisë së ërregullt dhe me dy topa arrtiti nga Manastiri në Veles. Ditën e dytë, pas “Ujit të bardhë”, pranë Urës së Katllanovës, u ndeshën dy ushtritë: 5.500 kryengritës me afër 2.000 ushtarë të rregullt. Gjatë kalimit të urës dhe të lumit u vranë disa ushtarë dhe një oficer bimbash. Omer Pasha urdhëroi që ushtria të rreshtohet në formë katrori në një livadh të madh, e topat nga të dyja anët të qesin kundër turmës së kryengritësve që e kishin nxirë sukën fqinje mbi ujin e ngrohtë termal. Kryengritësit në fillim mësynin trimërisht me kuaj kundër ushtrisë osmane dhe e rralluan rendin e tyre, por pas shpërthimeve të fuqishme të topave, ranë rreshtat e parë. Kryngritësit u frikësuan nga shpërthimet e topave, me të cilat nuk ishin mësuar dhe ikën të hutuar. Pastaj disa krerë kryengritës i prenë, e të tjerët në zinxhirë i dërguan për në Stamboll.”

Si Çoçkovi, po ashtu, edhe Toskovi, jep përshkrim të bukur të betejes së Katllanovës me të dhëna të sakta e të hollësishme dhe thotë: “Kundër Dervish Carës u dërguan Hajredin Pasha dhe Ismail Pasha me ushtri të fortë të sulltanit. Dervish Cara e mblodhi gjithë ushtrinë e grumbulluar të shqiptarëve dhe u përlesh me Hajredin Pashën në vendin e njëjtë në fushën e Shkupit, te fshati Katllanovë. Hajredin Pasha i mbarështroi ushtritë e tij në bregun e majtë të lumit Pçinja, por para kësaj e rrëzoi urën mbi këtë lumë, kurse Dervish Cara ishte në skajin e fushës, pas fshatit Katllanovë. Natën Hajredin Pasha e kaloi kalorësinë nëpër lumë, e pastaj edhe këmbësorinë në lartësinë mbi lumin Katllanovë.

Këtu ushtrinë e topat i vuri në rreth dhe hapi zjarr kundër Dervishit. Kaçanikasit e tetovarët, fuqishëm e sulmonin ushtrinë e sulltanit. Ismail Batalli me sulm të hovshëm u hodh kundër topave dhe arriti që disa topave t’ua presë rrypat. Në kohë të njëjtë, shokët e tij qitnin me pushkët. Emin Bojana nga Tetova e shumë trima të tjerë e ndoqën shembullin e Ismail Batallit dhe me tërbim të madh u hodhën kundër topave. Por, gjithë kjo trimëri ishte e kotë para fuqisë së topave dhe sulmeve sistematike të ushtrisë së rreglltë. Kështu u shkatërruan dhe filluan të ikin. Duhet shënuar se qyteti Shkup, i cili thuaja i tërë ishte në anën e shqiptarëve, nuk mori pjesë në betejë, ngaqë Kuçuk beu i ktheu topat e kalasë së Shkupit dhe i frikësoi qytetarët se gjithë qytetin do ta shndërrojë në hi e pluhur nëse dikush del nga qyteti. Pas fitores të Katllanovës, Hajredin Pasha, lë në Shkup pak ushtri dhe me ndihmën e Kuçuk beut, që doli nga kalaja, e la qytetin në gjendje rrethimi.

I siguruar nga ana e Shkupit, Hajredin Pasha vazhdoi t’i ndjekë shqiptarët. I ndoqi deri në Prishtinë e Prizren, pra, derisa i dërmoi e shpartalloi.” Toskovi ka lënë të dhëna të sakta e të rëndësishme që janë vërtetuar nga burime të tjera. Ai na la të dhëna se Omer Pasha dhe Hajredin Pasha e komandonin ushtrinë osmane, kurse kryengritësit ishin nën komandën e Dervish Carës, Ismail Batallit, dhe Emin Bojanës nga Tetova. Janë të rëndësishme edhe të dhënat e tij se kalaja e Shkupit nuk qe pushtuar nga kryengritësit dhe se atje ishte fortifikuar Kyçyk beu me ushtri e topa.

Përshkrim shumë të saktë të betejës së Katllanovës na ka lënë udhëpërshkruesi anglez dhe nëpunës i ambasadës angleze në Stamboll, Henri Osten Lejardi, që ishte në suitën e Omer Pashës dhe gjendej në kampin e tij gjatë luftës së Katllanovës, ku porsa kishte kthyer nga negociatat me Dervish Carën. Si dëshmitar nga ka lënë të dhënat vijuese: “Misioni im, te Dervish Cara, përfundoi pa sukses dhe ktheva tek Omer Pasha, të cilit i kumtova për çdo gjë që ngjau. Hëngra darkë me të, e pastaj u tërhoqa të pushoj në një çadër të vogël që gjendej afër çadrës së tij. Në mesnatë u zgjova nga të shtënat që dëgjoheshin në kamp. Për fat Omer Pasha u tregua vigjilent (përndryshe komandantët osman nuk janë të tillë) dhe mori masa në raste të sulmit eventual. Pararoja dha në kohë shenjë për afrimin e armikut. Urdhërat e tij u kryen me kohë. Ushtria osmane e rrethoi shpejt kampin e vogël, në kendet e të cilit ishin vënë topat. Sulmi i zgjërua në të gjitha anët. Shqiptarët në numër ishin superiorë, e tejkalonin numrin e osmanëve, por për shkak s’e s’ishin aq të armatosur dhe të padisiplinuar nuk mundeshin të ballafaqohen me ushtrinë e rregullt të sulltanit.

Kampin e sulmonin me trimëri të hatashme e vendosmëri, duke u vërsulur kundër bajonetave dhe duke i zbrazur pushkët e tyre dhe revolet para vetë fytyrave të ushtarëve osmanë. Filloi të agojë dhe shqiptarët duke mos mund ta thejnë rrethimin u tërhoqën në fortesat e veta malore. Gjatë luftës isha pranë Omer Pashës që nuk dyshonte në suksesin e ushtrisë së tij. Ai kishte besim në ushtrinë e vet që u dëshmua për nga disiplina e trimëria që e treguan gjatë sulmit. Si komandantët e tjerë, që ishin në ballë të ushtrive të veta osmane, ai thoshte se ata janë ushtri më e mirë në botë, se me ta duhet udhëhequr me urtësi që ta kryejnë çdo detyrë. Osmanët nuk kishin shumë viktima, kurse te armiku ishin shumë të rëndësishme se trualli rreth kampit tonë ishte plot me të vdekur e të plagosur…”). Ata ishin të armatosur mirë dhe trima, por pa kurrfarë disipline dhe kur gjendeshin në fushë ishin të paaftë të ballafaqohen, mandej edhe para njësive të vogla ushtarake osmane që ishin të pajisura me artileri para së cilës shqiptarët ishin shumë të dobët”).

Tani do të orvatemi të caktojmë vendin e saktë, ku u zhvillua Beteja e Katllanovës, cilën ditë ngjau dhe sa ushtri dhe kryengritës morën pjesë në të. Për shkak se autorët e deritashëm që shkruan për këtë nuk e kanë bërë, ne do të orvatemi me burime të reja, që nuk njiheshin deri më tani ta caktojnë këtë. Këtë mund ta bëjmë tani se disponojmë me burime të reja, kryesisht me raporte të konsujve të ndryshëm nga Selaniku, që e ndiqnin situatën dhe që ishin informuar mirë. Historiani shqiptar, Aleks Buda deklaroi “se në rrethin e Shkupit, te vendi Katllanovë… kryengritësit shqiptarë, të organizuar mirë u shpërndanë nga ushtria e rregullt osmane”). Edhe pse ky numër është me siguri i tepruar, Buda, si kolegët e cituar deri tani, nuk e cakton datën dhe vendin e saktë të luftës. Jovan Haxhivasileviqi shkroi se: “ në fund të prillit në Veles arriti komandanti i sulltanit Frenk Omer Pasha dhe nisi kah Shkupi, Kumanova e më tej. Shqiptarët e pritën te Banja e Katllanovës, pranuan betejën dhe të mundur filluan të tërhiqen.

Edhe sot flitet me përbuzje, sesi sa kishin filluar të qitnin topat, gjysma e tyre u shpërndanë. Edhe sot e kësaj dite për këtë këndohen shumë këngë”). Në bazë të një raporti nga një tregtar serb i cili mes 12 e 24 prillit 1814, udhëtonte nga Manastiri për në Aleksinac, kurse raportin e ka dhënë më vonë, autori Brestovci thotë se mes Velesit dhe Shkupit u tubuan afër 8.000 kryengritës dhe se kryengritësit e rrëzuan urën mbi Pçinjë dhe vazhduan të përqëndrohen rreth Shkupit e Katllanovës, se ushtria osmane në muajin maj (pa precizuar ditën) i sulmoi kryengritësit.”) Konzullatat nga Selaniku, dikur shumë kishin informata të sakta nga terreni dhe ishin të informuar mirë për çdo gjë që ngjau, por ndonjëherë edhe këto informata të tyre nuk ishin të sakta. Në një raport të konsullit francez nga Selaniku, dërguar ministrisë së tij, më 24 prill 1844 thuhet se “pararoja osmane sipas urdhërit të Omer Pashës, renegat kroat, përparonte drejtë Velesit 16 orë larg Manastirit dhe 8 orë nga Shkupi.

Ajo ishte përbërë nga 3.380 këmbësorë, 340 kalorës dhe 10 topa. Kjo grykë e Vardarit është shumë e rëndësishme. Po përhapen zëra të kobshëm për këtë sulm të parë dhe thonë se kjo ushtri ku qenë e rrethuar nga shqiptarët e shumtë, ashtu që nuk mund ta kalojnë grykën pa pasur humbje të mëdha”. Nga një raport i konsullit anglez, prej 3 majit 1844, marrim vesh se ura mbi lumin Pçinjë u shkatërrua. Në raport thuhet: “Shqiptarët e shkatërruan urën mbi lumin Pçinjë te Katllanova, ku gjenden 1.000 kryengritës. Është e pakuptuar se osmanët, që kishin ushtri 7.000 vetash në afërsi të Katllanovës, vetëm 12 deri më 15 mila largësi, lejuan që kjo urë të shkatrrohet pa luajtur vendin.” Pesë ditë pas këtij raporti, pra më 8 maj 1844, konsulli francez kumtoi se shqiptarët dëgjuan për ardhjen e pararojës në Veles, u tubuan në mumër të madh mes Velesit e Shkupit, e dogjën urën mbi Vardar dhe gjithkund proklamuan se erdhi koha që shqiptarët të mblidhen ta mbrojnë pavarësinë dhe të drejtat e veta kundër armikut të përbashkët.”

Autori Brestovci, duke cituar një dokument të zbuluar thotë: “Sipas burimeve arkivore serbe, beteja kryesore mes kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane ngjau para vendit Katllanovë pak më larg nga Shkupi dhe pikërisht në gjysmën e dytë të majit 1844. Duke e lajmëruar princin Aleksandar Karagjorgjeviq, në bazë të një raporti, të pranuar mes 11 e 21 maj Ilia Garashanini shkruan se fuqitë osmane, në krye me Hajredin Pashën dhe me feudalët shqiptarë Dali bej e Shahin bej korrën fitore mbi kryengritësit që u detyruan të ikin. Pas përleshjes së armatosur te Katllanova kryengritësit u tërhoqën kah veriu. Kurse fuqitë osmane u kthyen”. Është e sigurtë se pas këtij ngadhënjimi ushtritë ormane nuk kthyen, por e vazhduan përparimin drejtë Shkupit, e më tutje. Raport më të sigurt, me datë të saktë të betejës, na la konsulli francez nga Selaniku. Ai iu dërgua Drejtorisë politike të Ministrisë për punë të Jashtme të Francës. Raporti u shkrua, më 24 maj1844 dhe në të thuhet:

Letra ime e 8 majit shfaqte parandjenjë se së shpejti do të ketë përleshje mes trupave osmane dhe shqiptarëve kryengritës. Sipas situatës në vend nuk jam mashtruar, se më 13 dhe 17 maj kishte dy beteja mjaft të rëndësishme në të cilat kryengritësit ishin të detyruar të ikin, e ushtria e sulltanit hyri në Shkup. Kam nderin t’i parashtroj Madhërisë suaj detalet kryesore të këtyre ngjarjeve. Më 17 maj Omer Pasha mori urdhër të depërtojë nëpër Pallankë dhe të marrë pozicione para Shkupit. Ai nisi nga Velesi me 4.000 njerëz kënbësori të rregullt, 2.000 Shqiptarëve të jugut ushtri të çrregullt, një regjiment kalorësie dhe një bateri artilerie dhe hasi në vendin e përmendur në 7 deri më 8 mijë shqiptarë të mbrojtur nga lumi Vardar urën mbi të cilën e kishin shkatërruar. Beteja ishte e ashpër, kryengritësit luftonin me ashpërsi, por pas dy orë e gjysmë, deri më tri, ata filluan të ikin, duke lënë pas vetes 400 të vrarë, 200 të plagosur e 400 të kapur skllevër. Midis të cilëve ishte, një nga prijësit e tyre më të rëndësishëm, i ashtuqujturi, Emin Xhambazi, të cilin menjëherë ia prenë kokën sipas urdhërit të Omer Pashës. Pasi Dervish Cara me nam, një nga prijësit më të ndikueshëm të kruengritësve e pa dështimin e të vetëve, shkoi personalisht te Omer Pasha të kërkojë “aman”. Po asaj dite pararoja hyri në Shkup në mes të popullit të kësaj ane që kishte ardhur ta presë. Nuk u bë fjalë për të vdekurit dhe të plagosurit ndërmejt ushtrisë osmane, se si dihet, sipas zakonit, osmanët këtë e heshtin”.

Nga ky raport kuptojmë me saktësi se ushtria osmane prej 13 deri më 17 maj nuk ka mundur të depëtojë nëpër grykën e Katllanovës, ku kishin zënë pozicione kryengritësit. Më 17 maj me një manovër të zhdërvjelltë, Omer Pasha e tejkaloi Katllanovën. Betejat u zhvilluan nëpër luginën e Pçinjës, mes fshatrave Konjari e Katllanovë.

Konsulli anglez nga Selaniku, me letër prej 25 majit, lajmëron kontin Aberdin se “u bë sulm kundër kryengritësve më 19 km. te Katllanova, nën komandën e Omer Pashës, ku një nga prijësit me emrin Dervish Cara u kap, kurse tjetri, i quajtur Emin Xhambazi u vra, afër 200 shqiptarë u kapën skllevër e 450 u vranë. Unë nuk isha në gjendje ta vërtetoj humbjen në anën e osmanëve. Kryengritësit u tërhoqën kah Tetova dhe Vranja, ku në vendin e dytë ka afër 6.000 që e mbajnë qytetin.”

Ruhet edhe raporti i konsullit austriak i shkruar, më 25 maj 1844. Që fragmente nga ky dokument i rëndësishëm që po ashtu na jep të dhëna të hollësishme për betejën e Katllanovës që deri tani janë të pamjohura: “Më 22 të këtij muaji arriti lajmi zyrtat nga Shkupi deri te mushiri i këtueshëm se Omer Pasha (Latasi), duke e ditur se ura mbi Bregallnicë” te Katllanova është rrëzuar nga shqiptarët, mendoi ndryshe, të nisë kah Shtipi. Këtë edhe e kreu, duke nisur nga Qupërlia (Velesi) me 3.200 njerëz e 8 topa dhe duke kaluar afër udhës te Shtipi e shfrytëzoi terrenin malor që t’ju afrohet armiqve që gjendeshin te Kaplanti në numër pre 8.000 vetave, që të sulmuar me mjeshtri nga ana, kishin dyqind të vrarë, kurse 200 të tjerë të plagosur ose të kapur robër. Pë shkak të habisë së këtillë, shqiptarët u tërhoqën. Midis shqiptarëve të vrarë gjendet edhe një nga prijësit me emrin Emin Xhambazi. Pastaj Omer Pasha hyri në Shkup që nga i shpërndau rojet që ta ruajë e mbrojë lidhjen me prapavijën, deri atëherë të ndërprerë nga ana e kryengritësve. Si duket sulmi i Omer Pashës nuk ishte i lejuar nga seraskeri Reshid Pasha që kishte ndërmend t’ua fillojë armiqësive kur ai të vëhej në krye të armatës së madhe, të ardhur nga Manastiri në Qupërli, ku gjendej tani. Prandaj suksesi e ngjalli xhelozinë e Reshid Pashës që donte të ketë merita pët ngadhëmjimin”.

Për ngjarjet te Katllanova kemi edhe një dokument mjaft të rëndësishëm nga konsulli anglez në Selanik, Çarls Blanti, ku janë dhënë të dhëna mjaft të rëndësishme: “Më 18 ose 19 km. (maj 1844) Omer Pasha me dy batalione ushtri të Perandorisë, e sulmoi ushtrinë kryesore të kryengritësve te Katllanova, ku pas një përleshjeje të ashpër me humbje të ndishme në të dyja anët, kryengritësit u tërhoqën kah Tetova e Vranja, kurse Omer Pasha e vazhdoi marshin kah Shkupi, qytet, ku hyri, si thuhet, me 21 km. Gjatë betejës te Katllanova Dervish Cara, një nga udhëheqësit shqiptar, u kap rob, kurse një tjetër, që quhej Emin Xhambazi u vra. Unë nuk isha në gjendje të kuptoj diçka më afër sa ishte numri i vërtetë i të vrarëve në betejën e fundit, por ka persona që insistojnë se parësia që e fitoi ushtria e sulltanit u kërcnua nga ana e kryengritësve…”

Për këto ngjarje kemi edhe një dokument tjetër të rëndësishëm nga 8 qershori 1844. Ky dokument është nga arkivi i Zarës, i shkrur nga konsulli perandor-mbretëror austriak në Shkodër dhe i dërguar Doimës, komisarit të rrethit dhe udhëheqës të komandës qarkore austriake në Kotor. Nga ky dokument shihet se për humbjen e shqiptarëve te Katllanova u dëgjua shpejt nëpër gjithë Maqedoninë dhe Shqipërinë, deri në Shkodër. Në këtë raport thuhet: “Në korelacion me notëm nr. 60 vicekonsullare prej 22 majit në lidhje me disa pashallëqe kryengritëse në Rumeli, kam nderin t’ju informoj: Hajredin Pasha, gjeneral, nuk mundej të depërtojë në mënyrë miqësore në Shkup. Mori urdhër nga gjenerali Omer Pasha t’i sulmojë kryengritësit me ushtrinë që arrinte ndërkohë nga Selaniku e Manastiri. Lufta u zhvillua te banja e qujtur Kapllan” mes 6.000 nizamëve e 8.000 kryengritësve. Ata u mbrojtën me dëshprim, por mundnin t’i japin rezistencë artilerisë. Treqind kryengritës mbetën në fushën e betejës dhe 80 mizamë. Seraskeri i Rumelisë Reshid Pasha bashkë me Omer Pashën hyri në Shkup që e priti me dëgjesë e frikë.”

Ambasadori anglez Stratford Kening, për betejën te Katllanova, i kumtoi grofit Aberdin me letër prej 13 qershorit 1844. Në këtë letër flitet për përbërjen e ushtrisë osmane që mori pjesë në luftën te Katllanova. Në raportin thuhet: “Ushtria e tubuar përbëhet kryesisht nga arabë e baronë të Azisë së Vogël. Duket qartë se zgjedhjen e ka bërë Porta për shërbim të këtillë dhe me siguri ata janë më të mirët, me të cilët disponon ajo, e mendoj, mund të mbështetet krejtësisht mbi ta, për pastrim llogarish me shqiptarët. Omer Pasha më shprehu lavdërim të madh për trimërinë që e treguan ushtarët në luftën e Katllanovës”.

Në betejën e Katllanovës, në bazë të dokumenteve serbe, Jovan Haxhi Vasileviqi e ka shkruar këtë: “Si në pashallëkun e Vranjës, më 1844, u ngritën shqiptarët nga rrethi i Tetovës, Gostivarit e Shkupit. Ishin afër 1.500 veta, e pushtuan Shkupin e Bllatën dhe kërkuan ndërrimin e Hëvzi Pashës. Prijësit e tyre ishin Dervish Cara, Batall Pasha e Bakri Bojana. Duket se në Stamboll i dinin qëllimet e shqiptarëve. Ata hynë në Shkup, i zunë pozicionet në Baltën dhe vendosën administratën e tyre. Gjithkah kryenin zullume të mëdha. Kundër shqiptarëve porta e dërgoi Frenk Omer Pashën e njohur. Ai kishte 2.000 nizamë me katër topa. Omer Pasha me shqiptarër u ndesh më së pari në Baltë. Beteja u zhvillua te fshati Katllanovë dhe te hani i Katllanovës”.

Haxhi Vaileviqi ka disa gabime në këtë citat. Kryengritësit nuk mundeshin të jenë vetëm 1.500 persona, kur dimë me siguri se i pushtuan qytetet Gostivar, Tetovë, Shkup, Kaçanik, Prishtinë, Vranjë etj. Po ashtu ata nuk kërkonin të ndërrohet Avzi Pasha, por përkundrazi kërkonin që Porta ta kthente në Shkup Avzi Pashën e internuar. Nën terminin “blato” J. H. Vasileviqi mendon në fushën e Shkupit që atëherë quhej ashtu nga popullata maqedonase, më saktë “blatia”, se te Katllanova ishte moçali i Katllanovës. Ekziston edhe një dokument mjaft i rëndësishëm serb i 19 majit 1844, pra vetëm një ditë pas betejës së Katllanovës. Në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët u shkatrruan dhe u vranë 930 veta, kurse në një han e kapën të gjallë Dervish Carën, kryesori mes kryengritësve. Lidhën 300 dhe ia dërguan vezirit, kurse veziri perandorit. Kapën edhe 160 të plagosur në vendin ku u zhvillua beteja…”.

Beteja e Katllanovës nuk mbeti e pashënuar edhe nga analet maqedonase që lënë gjurmë në shënime e mbishkrime. Prifti Save, nga fshati Zubovci, rrethi i Gostivarit na ka lënë një shënim mjaft interesant. Duke e analizuar këtë shënim anal, prifti Save na ka lënë të dhëna shumë të rëndësishme. Ai na kujton se duke filluar nga viti 1843, d.m.th. në kohë të sulltanit Abdyl Mexhitit kishte turbullira të mëdha në gjithë Rumelinë, e posaçërisht në nahitë e Tetovës, Gostivarit e Shkupit. Për maqedonasit atëherë ishte shumë vështirë, ngaqë shumë vajza maqedonase u turqizuan e shumë u vranë në Taoravë”. Taor është fshat afër Katllanovës dhe prandaj grykën e Katllanovës e quajnë shpesh gryka Taore. Prifti Save shkruan se beteja ka qenë zhvilluar afër fshatit Taor dhe se pas saj, në Shkup, hynë 50.000 ushtarë nizamë, që është me siguri numër i tepruar, të cilët arrestuan shumë persona dhe i dërguan nëpër burgje të ndryshme. Pastaj sundoi qetësi pothuaj një vjet e gjysmë kurse pikërisht deri në rrethin e Gostivarit qeveriste Dali beu nga Dibra.

Më vonë edhe atë e internuan se veziri Hajredin Pasha nisi edhe kundër tij me 2.000 ushtri nizamë dhe ushtri tjetër. Shumë fshatra Hajredin Pasha i dogji në rrethin e Dibrës. Por, në kohë, kur nizami gjendej në rrethin e Gostivarit, kishte shumë lirësi në çmime, e çdo gjë u vu në rregull. Por kjo zgjati shkurt, sepse osmanët përsëri filluan të bëjnë zullume, e vranë shumë të krishterë. Më 1846 ishte shumë lirë dhe kishte shumë bereqet në rrethin e Gostivarit, ngaqë, sa u korr elbi, menjëherë u mboll misër dhe bëri më mirë se çdo vjet tjetër. Kështu u fituan dy të lashta, që do të thotë se kryengritja e Dervish Carës nuk ndikoi negativisht në popullatën fshatare të Pollogut. Kjo nuk ndikoi negativisht vetëm në popullatën krishtero-maqedonase se nuk mori pjesë në kryengritjen dhe mundej t’u kushtohet punëve bujqësore, kurse popullata shqiptare dhe maqedonaso-myslimane mbeti për shkak të kryengritjes pa fuqi pune.

Përshkrim për betejën e Katllanovës la edhe prifti Serafim. Shënimin e ka bërë në një libër në manastirin Deçani. Nëse analizohet ky shënim do të shohim se ka disa pasaktësi. Serafimi e ka gabuar vitin, në vend 1844, ka shkruar 1845. Veziri i madh, Reshid Pasha nuk ishte aziat, por afrikan. Përveç vezirit të madh, Rashid Pashës, përmend si kryesorë Hajredin Pashën, Omer Pashë Latasin dhe Murat Pashë Topçin. I cili në betejën e Katllanovës komandonte me artilerinë. I përmend Avni Pashën, Sabri Pashën, Mustafa dhe Emin Pashën. Për këta të tre në dokumentacionin tjetër nuk ka shënime. Përveç këtyre, para kryengritësve kishte edhe shumë pashallarë e bejlerë nga mbarë Shqipëria sa nuk u dihej numri. Nga ky shënim kuptojmë se, numri më i madh i agallarëve e bejlerëve shqiptarë, ishin me kryengritësit kishte edhe shumë pashallarë që ishin në përbërjen e armatës osmane, duke luftuar kundër kryengritësve shqiptar.

Kundër kryengritjes u ngrit ushtri prej 20.000 nizamësh e 5.000 bashibozukësh, gjithësejt 25.000 ushtri e sulltanit që luftonte kundër gjithë shqiptarëve. Edhe këtu teprohet me numrin e ushtarëve. Kryesori ishte Dervishi, kryengritës perandorak me të cilin ishin gjithë shqiptarët. Dervishin e kapën, e me 300 kryengritës të tjerë u dërguan në Stamboll, nga nuk u kthye kurrë. Veziri i madh, Rehid Pasha me anë të Shkupit, Prishtinës e Kosovës, shkoi në manastirin Deçani, ku kampoi në livadhet e Manastirit dhe u ndal tetë ditë. Nga rrethi i Pejës dhe Gjakovës afër 200 veta të lidhur me zinxhirë i dërgoi në Stamboll për pjesmarrjen e tyre në kryengritje. Kur shkoi ushtria, Omer Pasha igumenit i dha vetëm 100 groshë. Pakënaqsinë për këtë shumë e shprehte duke thënë se për mbajtjen e ushtrisë së sulltanit paguan 600 groshë kurse mori vetëm 100 sish. Nga shqiptarët e burgosur disa u kthyen nga internimi në gjysmën e vitit e disa pas një viti.

Nga gjithë kjo që u parashtrua deri tani mund të kuptojmë se arritëm të mbledhim shumë burime të njohura e të panjohura dhe ta caktojmë datën e saktë kur ngjau Beteja e Katllanovës si dhe lokacionin e saktë kur dhe ku u zhvillua beteja.

Beteja e Katllanovës nuk u zhvillua në një vend, por më shumë. Prej 13 deri më 17 maj, beteja u zhvillua në vetë grykën e Katllanovës (Taorës), ku kryengritësit kishin zënë pritë dhe i pritnin ushtritë osmane. Të vendosur mirë në shkëmbinj, kryengritësit plot katër ditë nuk e lejuan ushtrinë të kalonte nëpër grykë. Më 17 maj 1844 Omer Pasha mori urdhër të bëjë një manovër dredharake. E la mënjanë grykën dhe me ushtrinë doli afër fshatrave Konjare e Poshtme, e Mesme dhe e Epërme, e pasatj zbriti nëpër Pçinje dhe u duk mbi banjën e Katllanovës, ku i vendosi topat dhe kampoi.

Etapa e dytë e betejës së Katllanovës, që ishte edhe më e ashpër, u zhvillua më 18 maj nëpër luginën e lumit Pçinje nga banja e Katllanovës (toponimi Beli vodi) deri te gryka e saj në Vardar. Ushtritë osmane gjendeshin në bregun e majtë të lumit Pçinjë, kurse kryengritësit në të djathtin. Duke dalë te banja e Katllanovës, ushtria osmane u gjet pas shpinës së ushtrisë kryengritëse, që gjendeshin ende në grykën e Katllanovës, që nga u duhej të tërhiqen me urgjencë në bregun e djathtë të Pçinjës. Që të mos kalojnë ushtritë osmane në bregun e djathtë të Pçinjës, kryengritësit e rrëzuan që më parë urën mbi këtë lumë. Po atë ditë, më 18 maj, disa njësi osmane e kaluan Pçinjën dhe u dukën edhe në bregun e djathtë, ku u vendosën, por Omer Pasha i kujdesshëm kishte vendosur pararojë më larg nga kampi.

Beteja e Katllanovës filloi, më 18 maj1844 menjëherë pas mesnatës. Betejën e filluan të parët kryengritësit që e sulmuan pararojën e armatës osmane. Mirëpo, pararoja në kohën e duhur dha alarm. Kryengritësit ishin pak më shumë se 8.000, por pa disiplinë dhe me armatim të dobët. Ushtria osmane numëronte afër 7.000 ushtarë. Beteja u zhvillua deri në mëngjesin e 19 majit, kur kryengritësit rralluan të shtënat artilerike dhe filluan të tërhiqen dhe të rigrupohen. Në anën e ushtrisë së sulltanit luftonin edhe shumë shqiptarë të Jugut në krye me bejlerët e tyre. U dalluan bejlerët e Dibrës Dali beu e Shahin beu. Kryengritësit dhanë afër 300 të vdekur, 200 të plagosur dhe 400 të kapur robër, kurse ushtria osmane kishte vetëm 80 të vdekur.

Kur ushtria osmane i mundi kryengritësit në bregun e djathtë të Pçinjës dhe vazhdoi përparimin drejtë fshatrave Aezheniçino, Ibrahimovë, Mralinë e Bunarxhik. Rreth këtyre fshtrave Omer Pasha e solli dhe e vendosi artilerinë që shtinte kundër grupeve më të mëdha të kryengritësve që iknin të shpartalluar nëpër Bllato (fusha e Shkupit). Nga fshati Arzheniçino me topa, me urdhër të Omer Pashës qitej kundër hanit të Katllanovës, që kishte mbetur pas vijave të para osmane dhe u zhduk krejtë. Nga fshati Arzheniçino, e pastaj edhe nga varrezat e fshatit Mralinë artileria i qëllonte grupet më të mëdha kreyngritëse dhe shtinte kundër tyre. Që këtej qitej edhe në grykën e Katllanovës, ku disa kryengritës shqiptarë i mbanin ende pozicionet. Pastaj topat u bartën te fshati Bunarxhik dhe që andej vepronin.

Kështu ushtria osmane duke përparuar drejtë Shkupit u ndesh përsëri me kryengritësit mes fshatrave Arzheniçino e Mralino. Edhe këtu beteja ishte mjaf e ashpër dhe e përgjakshme se kryngritësit u orvatën, jo vetëm t’i ndalin ushtritë e sulltanit, por t’ua marrin edhe artilerinë. Kjo u bë afër orës 10 në mëngjes të 18 majit 1844. Për këtë ngjarje ekziston edhe një rrëfim nga një dëshmitar. Ai quhej Haxhi Bozhini nga fshati Qojleri, i cili rrëfeu se shqiptarët u tubuan qysh në mars për të luftuar kundër ushtrive të sulltanit. Në Katllanovë u zhvillua betejë e ashpër. Atëherë Omer Pashë Latasi nga fshati Arzheniçino mori dy persona që i shërbyen si kallauzë. Omer Pasha i vendosi topat te varrezat e fshatit Mralino dhe që andej shtinte kundër kryengritësve që i mbanin ende pozicionet në grykën e Kaçanikut.

U zhvilluan tri beteja: a) në vetë grykën e Katllanovës prej 13 deri më 18 maj, b) në bregun e djathtë të lumit Pçinje prej mesnatës deri në mëngjes të 18 majit dhe c) mes fshatrave Arzheniçino, Mralino e Qojlia rreth mesditës të 18 majit 1844, kur kryengritësit u përpoqën të japin edhe një rezistencë dhe u orvatën t’ua marrin topat. Ushtritë osmane të prira nga persona ekspertë, gjenerali Omer Pasha, i mundën kryengritësit që u shpërndanë nëpër fushën e Shkupit në tri drejtime kryesore. Një grup më i madh kryengritësish tërhiqej i organizuar drejt fshatit Jurumllari dhe Shkupit, dy grupet e tjera u tërhoqën njëri duke shkelur Vardarin drejt malit Kitkë, e grupi i dytë, që ishte më i madh, ikte drejt Malit të Zi të Shkupit. Në këto tri vende të përmendura u zhvilluan luftime që në letërsinë historike njihen si “Beteja e Katllanovës”. Te burimet e fshatit Katllanovë e hasim me emrin Kapllan, Kapllani, Kapllan han, Kaplantiera dhe kapllanovë.

Nga libri: Kryengritja e Dervish Carës, Shkup – 1985.

Dërgoi për publikim, Kalosh Çeliku, poet e shkrimtar