PORTRET I SHKURTËR PËR MËSUESIN AHMET MULLIQI

0
546
Ahmet Mulliqi

Në foto: Mësuesi Ahmet Mulliqi

Gani I. Mehmeti

SHKRIM QË NUK DO DOJA TA BËJA

Hidhërimi për vdekjen e parakohshme të Mësuesit Ahmet Mulliqi është në kulm!
Ahmet Mehmet Mulliqi, njëri ndër nxënësit më të mirë, më të sjellshëm, më të pjekur. E mbaj mend që në klasat e larta të fillores në Zhiti, ku e pata nxënës. Ahmeti ishte ndër më të pafjalët por njëri ndër më punëtorët. Ishin vitet e shtatëdhjeta të shekullit që e lamë prapa. E mbaj mend fare mirë që nga atëherë, ishte një djalë i gjatë, pak si thatuk, i fshatit Sylevicë të Podujevës.

Kaluan kohërat, ne u ndamë dhe secili rrugës së vetë. Takoheshim si rrallë dhe përshëndeteshim.

Erdhi viti 2005, dhe ne u gjendëm bashkë, por tani në cilësinë e mësimdhënësit. Ai po punonte me ciklin e ulët të fillores, ndërsa unë erdha këtu, në fillim vetëm me klasat e nënta e më pastaj, me klasat e larta të fillores, kur u themelua Shkolla Fillore “Enver maloku”. Ndodhi që të marrë klasat e pesta. Ishin tri paralele, me të cilat më mjaftonin për normën e orëve të mia aso kohe.

Ajo që më bëri përshtypje për figurën prej një punëtori të zellshëm tek Ahmewti, ishte kur mora klasën e tij që e kishte përcjellur nga klasa e parë deri në të katërtën. Ishte klasa 5-2. Merre me mend, unë, ish arsimtari i Ahmet Mulliqit, tani edhe bëhem kujdestar i klasës së Ahmetit! Çfarë rastësie e këndshme! Figura e tij prej mësuesit u bë edhe më e madhe tek unë, kur në klasën e tij nuk kishte nxënës që nuk po dinte të lexonte! U ndjeva dy herë i kënaqur: një herë pse po dinin të lexonin nxënësit dhe nuk do të kem telashe me ta sa i përket leximit, dhe, hera e dytë që më emociononte ishte se kjo klasë kishte dalë nga ish nxënësi im, që ndjehesha edhe më shumë i kënaqur.

Me klasën e tij, shpeshherë kaloja planprogramin e fillores e shkoja me planprogramin e shkollës së mesme. Ashtu më dukeshin nga dituria, jo edhe nga mosha e trupi. Në këtë klasë kishte vetëm dy nxënës që kishin mbetur pakëz më prapa, por jo me fajin e Mësuesit Ahmet. Këta dy nxënës kishin mbetur më prapa, pse ata ishin më të vonë në kuptimin e mësimit. Dhe, tani, pak ditë më parë, lexova dhe i urova diplomimin në fakultet njërit prej këtyre dy nxënësve, për çka u ndjeva shumë i kënaqur dhe i emocionuar për arritjen e tij.

Në asnjë moment nuk munda të shihja një sjellje jo korrekte tek Ahmeti. Ai po punonte, po sillej me të gjithë në mënyrë kolegiale dhe kjo tek unë më linte përshtypje të madhe për një pedagog dhe mësues të vërtetë.

Di se Mësuesi Ahmet Mulliqi po ankohej prej kohësh nga një sëmundje, por nuk e kam menduar vdekjen e tij të parakohshme.

Po kam besimin se nxënësit e tij, do më plotësojnë në atë çka e kam lënë mangut…!
Me rastin e ndarjes nga jeta të mësimdhënësit të SHFMU “Enver Maloku” në Podujevë, Ahmet Mulliqi, një humbje e madhe për familjën, nxënësit e në përgjithësi arsimin, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, nxënësit, miqt, dhe kolegët!

Vdekja e Mësuesit Ahmet Mulliqi, më ktheu prapa për gati 50 vite!
U prehtë në paqe!

Francë, më 15 gusht 2020