Bebeka Dhima & Leonidha Dhima
I njoha në vitet ’70 të shekullit të kaluar në qytetin minator të Selenicës Vlorë. Kolegia e nderuar Bebeka Dhima jepte mësim në gjimnazin “Hajredin Beqari” dhe bashkshorti saj, kolegu im dashamirës Leonidha Dhima jepte mësim në shkollën “Todi Koçeli”. Ishin ndër studentët e hershëm që kishin mbaruar universitetin e Tiranës. Në ditët e para që kisha filluar punën shikoja me respekte admiruese perfomancën e tyre estetike në veshje dhe komunikimin e qetë e të heshtur paqësor e dashamirës. Kishin krijuar familjen e tyre solide duke rrezatuar në shoqëri modelin e një familje shëmbullore në edukimin e harmoninë e njësuar bashkshortore. Të dy kolegët ishin një çift i bukur me shumë kulturë qytetare. U jepja mësim dy djemve Fredi e Epaminonda, të cilët ishin më të urtë se Urtësia.
Kolegu im i dashur, i ndjeri Leonidha Dhima ishte shumë i përkushtuar për familjen.Shpesh më këshillonte se isha beqar, që kur të krijoja familjen time vendimarrjen e martesës ta konsideroja përgjegjësinë më madhe të jetës. Duke e respektuar nga mosha e përvoja e jetës kolegun e dashur Leonidha Dhima e konsideroja si prind dhe vazhdimisht konsultohesha. Në bisedat tona diskutonim problemet e punës mësimore e edukative. Ai kishte zgjuarësi që shikonte pas malit. Ishte jo vetëm i përgatitur shkencërisht, metodikisht por kishte edhe shpirtin e mirë për të përhapur përvojën në orët mësimore. Ai nuk kishte lakminë apo egon për tu mburrur, por me shumë thjeshtësi të fliste me sinqeritet. Megjithëse ishim në shkolla të ndryshme pak larg njera tjetrës, takoheshim çdo mbasdite në kohën e lirë dhe shpesh organizonim ndeshje futbolli me ekipin e gjimnazit, Shkolla “Qemal Hoxha” dhe “Todi Koçeli” krijoi ekipin e “Difave”, ndërsa gjimnazi ekipin e “Dinosaurëve”. Ndeshjet ishin një garë për të bërë gola, por kishin edhe shumë humor.
Në vitet më vonë organet e pushtetit të qytetit na caktuan së bashku me kolegun e dashur Leonidha Dhima të hartonim historikun e minierës dhe të qytetit Selenicë. Në këtë studim të përbashkët organizonim vizita në familjet për të marrë informacione dhe relike për të ndërtuar muzeun e qytetit Selenicë. Kollegu dashur Leonidha Dhima punoi me shumë përkushtim për hartimin e historikut. Me vullnet e këmbëngulje udhëhoqi punën për krijimin e muzeut duke bashkpunuar me piktorët e ardhur nga Vlora. Muzeu doli me stenda të bukura estetike dhe me vlera historike.
Ditën që do të bëhej përurimi muzeut i ndjeri Leonidha Dhima do ishte përgjegjësi dhe ciceroni i muzeut, sepse i takonte se kishte punuar me pasion. Kur shkuam në përurimin e muzeut u shtangëm. Kryetari pushtetit me ashpërsi e largon nga përurimi të ndjerin Leonidha Dhima duke mos lejuar të ishte përgjegjës e ciceroni muzeut që ishte shpallur Muze I rëndësisë të veçantë dhe përgjegjësi muzeut do punonte me 50% të normës mësimore si mësues në shkollë. Në ato momente e pashë të tronditur kolegun e dashur Leonidha Dhima, i cili e priti me heshtje dhimbje vendimin inaçi të kryetarit të pushtetit.
Me një revoltë të brendshme të shprehur me sy të zemëruar kolegu dashur Leonidha Dhima u largua duke vazhduar punën mësues në shkollën “Todi Koçeli”.
Në atë kohë më thërret kryetari pushtetit e më urdhëroi të merrja çelësat e muzeut. E kundërshtova vendimin e kryetarit arrogant të pushtetit duke argumentuar se përgjegjës muzeu është kolegu im Leonidha Dhima.
Kryetari pushtetit më përgjigjet me nervozizëm: “Nuk mund të jetë përgjegjës muzeu një mësues borgjez dhe po nuk pranon ti, do të pushojë nga puna.”
Në ato momente sinqerisht ndjeva trishtim për fjalën denigruese “mësues borgjez” që kryetari pushtetit etiketoi kolegun Leonidha Dhima.Shkova dhe e takova kolegun e dashur Leonidha Dhima, i cili me shumë dashamirësi më këshilloi duke më thënë si një prind i mire:
“- Qato, shko dhe mere çelsin e muzeut ,se ne jemi pa përkrahje partie këtu. Më kanë sulmuar shumë dashakeqas që u kam bërë vetëm të mira. Kanë ambicje të sëmurë që unë në kohën e lirë shkova me një kuti të vogël shkrepse, në të cilën kisha qumësht blete, tek një miku im që mbarështron bletë. Më raportuan si shfaqe mikroborgjeze, më thirrën duke më kërcënuar se do të më pushojnë nga puna.”
Disa vite më vonë më emëruan mësues në shkollën “Todi Koçeli”. Kolegu i dashur Leonidhha Dhima më mirëpriti me shumë dashamirësi.
Familja Bebeka e Leonidha Dhima
Ndjeja kënaqësi që jepja mësim në shkollën “Todi Koçeli”, punoja me përkushtim e pasion sepse edhe drejtori i shkollës i talentuari Novruz Abillekaj na vlerësonte punën mësimore-edukative me objektivitet shkencor.Një punë shumë e mirë bëhej me komisionin e lëndëve mësimore duke rritur bashkëpunimin midis mësuesve sipas profileve. Në komisionin e lëndëve histori-gjeografi punohej për rritjen e aftësisë metodiko-shkencore të çdo mësuesi.Kryetari komisionit Leonidha Dhima me thjeshtësi e dashamirësi kontrollonte orë mësimi duke nxitur punën e mirë mësimore edukative.
Shpesh në komunikim miqësor me kolegun Leonidha Dhima bënim edhe humor.Më erdhi në një orë mësimi gjeografie , ku spjegim kisha temën për Turqinë, e cila jepej me leksione sepse këto tema nuk ishin pasqyruar në tekstet mësimore.Duke folur për kushtet natyrore,zhvillimin ekonomik theksova arritjet e Turqisë në fushën industriale, në bujqësi e blegtori dhe nxënësit më dëgjonin me shumë vëmendje duke mbajtur shënime leksionin që referoja para tyre.Në fund të orës së mësimit kolegu Leonidha Dhima më tha gjithë humor.
“- Qato fole shumë arritje për Turqinë, aq sa nxënësit do ta kenë mëndjen për të shkuar në Turqi.” Qeshëm të dy miqësisht, sepse propanganda e partisë i paraqiste vendet kapitaliste të varfëra e me mjerim social.
Në atë kohë këndohej kënga “Bota vdes nga urija, uli çmimet Shqipëria.” Në fakt u ul çmimi i aspirinës. Ishte periudha e vështirë e tufëzimit ku jepej me racion çdo artikuj ushqimor.Sidomos ishte stresuese kur natën zihej radha për të blerë një shishe qumësht. Megjithëse njerëzit ushqeheshin me tollona tregonin dashuri për sistemin socialist, sepse qyteti Selenicës kishte një trajtim më të mirë nga shërbimi i ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve të nëntokës.
Për ta pasqyruar më mirë performancën e mësuesve të nderuar Bebeka e Leonidha Dhima i kërkova ndihmë miku tim të nderuar drejtorit të talentuar Nobruz Abilkaj, i cili me shumë dashamirësi më dërgoi këtë shkrim:
“Dhimbje për ndarjet, respekt për kujtimet
I dashur Qatip,
Më emocionon përkushtimi yt për të përjetësuar kujtimet e së shkuarës, për t’u ridhënë jetë marrëdhënieve me të afërmit, me miqtë, me kolegët.
Këtë herë je ulur në tryezë përballë të ndjerit Leonidha Dhima dhe bashkëshortes së tij të nderuar Bebi (Bebeka). Më ftove edhe mua, më rezervove një karrige pranë jush.
Faleminderit!
Njohja ime me dy mësuesit e nderuar të historisë është shumë më e hershme se sa të vije ti në Selenicë. Më 1 Gusht 1965 u bëra koleg i tyre në kolektivin pedagogjik të Shkollës 12 vjeçare “Haredin Beqari”.
Nuk i përdorja dot emrat e tyre. U drejtohesha me ndajshtimin PROFESOR dhe PROFESORE. Duke qenë disa vjet më të mëdhenj (Profesor Leonidha, të paktën plus 10 vjet) më joshte përvoja e tyre në jetë, në mësimdhënie dhe në marrëdhëniet me njerëzit. Sidoqë, Leonidha fliste pak në mjediset me shumë bisedues.
Bebeka aspak. Vetëm dëgjonte me vëmendje të lakmueshme dhe miratonte me buzëqeshje të lehtë. Në se kishte mendim të kundërt, heshtte duke shikuar me dashamirësi prej nëne biseduesin.
Kam në kujtesë veprimtaritë e përbashkëta jashtë kohës së punës. Leonidha luante futboll me brezin më të ri. Ishte luftarak në mbrojtje. Më 1 Maj 1966, ekipi i 12-vjeçares luajti me përfaqësuesen e Selenicës. Fituam. Sportdashësit veçuan entuziazmin dhe vendosmërinë e Leonidhës që ishte edhe më i moshuari në fushë. Kjo ishte shfaqje e karakterit të tij të fortë.
Lidhja ime më e ngushtë me Leonidhën u krijua në shkollën “Todi Koçeli”. Për dhjetë vjet resht bashkëpunuam; unë në rolin e drejtuesit të shkollës dhe ai në rolin e drejtuesit metodik të lëndëve shoqërore. Bashkëpunimi qe shumë rezultativ, nderonte punën e atij por edhe timen. I kam qenë përherë mirënjohës Leonidhës, Lutfiut, Violetës dhe mësuseve të ciklit të ulët që bënin punën e tyre dhe nderonin mua në shkollë, në qytet, në rreth, jashtë rrethit.
Kam veçuar një episod që nuk e harroj dot:
Ankohej prindi sepse i kërkohej llogari djalit. U përpoq Leonidha t’i mbushte mendjen se kërkesa e llogarisë ishte për të mirën e nxënësit dhe të familjes. Prindi ngulte këmbë në të tijën.
– Aq mundet djali, aq do i kërkosh.
– Dakord, derisa ti e do pa sy djalin, do ta plotësoj dëshirën, e satirizoi Leonidha.
– Si? Do i nxjerrësh sytë?!
– Jo, o baba i mirë, jo. Sytë do t’i ketë filxhan por nuk do mundet të lexojë dhe nuk do marrë vesh nga bota.
I kam lakmuar përpjekjet e veçanta për t’u siguruar jetesë sa më të mirë dhe të ardhme të sigurt fëmijëve të tij. Në kushtet që ishim, e arriti mjaft mirë synimin.
Me Bebekën i kam humbur lidhjet para vitit ’90. Informacioni për vitet e saj të pensionit më ka ardh nga e përsosura Edlira, vajza e tyre e vetme.
Për së fundi, Leonidhën e takova në Athinë. Epaminonda, djali i dytë, ishte baxhanak me një fqinjin tim. Aty erdhi profesori dhe u përshëndoshëm për herë të fundit.
Sikur malli dhe respekti të përcillen në botën e përtejme, do i nisja profesor Leonidhës një buqetë të madhe respekti.
Bebekës i uroj pleqëri të mirë dhe pastë gëzime të mëdha në familjet e fëmijëve!
N. Abilekaj”
Mësuesi Leonidha Dhima me kolektivin pedagogjik “Todi Koçeli” Selenicë
Në rrethin e parë:
P. Bombaj, Noke Abilekaj, Leonidha Dhima, Lutfi Mema, T.Mustaka, J. Gajo
Kur shkova mësues në gjimnazin e Selenicës kisha nxënësen shëmbullore Edlira Leonidha Dhima, bija e vetme me dy vëllezër e familjes intelektuale Bebeka dhe Leonidha Dhima, të cilët si mësues të dashur arsimuan dhe edukuan shumë breza. Janë mijëra nxënës që i kujtojnë me respekte, mirënjohje e mall mësuesit e nderuar Bebeka Dhima e Leonidha Dhima.
Ish nxënësja e kolege Natasha Llanja shkruan:
“- Mësuesit e dashur dhe të nderuar Bebeka dhe Leonidha Dhima do të mbeten të paharruar në kujtesën time dhe të motrave të mija. Portreti i bukur i profesoreshë Bebit me buzëqeshjen e embël na e bënte të veçantë, të kendshme orën e historisë. Një ekzaktësi e rrallë në volumin dhe shprehitë e kronikave të kohës që nuk lodhej kurrë duke na shpjeguar. Një edukatore model dhe mike e mirë mësuese Bebi me qetësinë e saj qëndronte pranë situatave ndonjëherë problematike në shkollë, nuk dinte të ankohej, komunikonte fisnikërisht me nxënësit dhe prindërit. Për të githa këto dhe me shumë do të mbetet në kujtesën tonë dhe të brezave dhe qytetarëve të qytetit tonë.
Bashkë me bashkëshortin e saj profesorin e nderuar Leonidhën dhanë modelin e një familjeje të bukur me Edlirën dhe dy vëllezërit e saj. Profesor Leonidha komunikonte lirshëm si prind me nxënësit dhe prindërit dhe qytetarët. Mbahet mend për analizën dhe vlerësimin e historisë njerëzore. Që atëhere kuptonim në heshtje mospajtimin e tij me varfërinë që mbizotëronte dhe ja kam kujtuar kur jemi takuar mbas viteve 90′ në M.Jashtme kur erdhi më takoi, “Zgjati shumë Diktatura tek ne tha, por shyqyr u shporr”. Sa shumë kujtime, Sa shumë respekt dhe mirënjohje për mësuesit tanë të dashur. Qofshi të paharruar në breza!“ Natasha Llanaj Perpunja
Në vitet ’90 të ndryshimit të sistemit politik kolegu i dashur Leonidha Dhima mirëpriti dhe përkrahu lëvizjen demoktarike.Edhe kur sundonte diktatura komuniste me kolegun e dashur Leonidha Dhima diskutonim në mirëbesim për jetën e vështirë dhe shumë herë me sy kuptonim mendimet për jetën e kufizuar. Kur erdha nga emigracioni i lodhur në Greqi, kolegun e dashur Leonidha Dhima e takova në Vlorë. E takoja shpesh në aktivitetin privat që shërbente për mirëqënjen e familjes të tij.
Diskutonim me mall për kohën që kishim punuar si mësues M[sova me shumë dhimbje largimin nga jeta të kolegut të dashur Leonidha Dhima. I ndjeri Leonidha Dhima është larguar nga jeta vetëm fizikisht sepse me shpirtin e tij dashamirës jeton në familjen e tij që e donte aq shumë, Është i gjallë në zemrat e djemve të tij Fredi & Epaninonda dhe të bijës të mrekullueshme Edlira Dhima që është një engjll Hynore e prindërve Bebeka & Leonidha Dhima.
Duke përfunduar këtë shkrim modest shprej ngushëllimet më të sinqerta për kolegen e nderuar Bebeka Dhima, për djemtë e tij dhe vajzën Edlira Leonidha Dhima,
U prehët në paqe!
Nderim e respekte kujtimit të kolegut tim të paharruar Leonidha Dhima
Qatip Mara
Nju Jork, 09-06-2020