TOMAS ELIOT
(Thomas Stearns Eliot)
1888 – 1965
Thomas Stearns Eliot (26 shtator1888 – 4 janar 1965), shkrimtar anglez. Me prejardhje amerikane. Është njëri ndër poetët më të njohur europian të shekullit të 20-të, fitues i shumë çmimeve, ndër to edhe të Çmimit Nobel për Letërsi më 1948 dhe i Goethes më 1954. Bartë doktoratave të nderit.
TEZE HELENA
Miss Helenë Slingsby, tezja ime, mbetur lëneshë
Banonte në një shtëpi të vogël pranë një sheshi elegant
Ku i shërbente një numër shërbëtorësh prej katër vetash,
Po kur vdiq, ajo gjeti qetësi në qiell,
Dhe qetësi në sheshin elegant…
Sipërmarrësi i funeralit mbylli shpenzimet
dhe fshiu këmbët – e dinte se gjëra të tilla kishin ndodhur
dhe më parë. Qentë u siguruan plotësisht për çdo gjë,
Por pak më vonë vdiq edhe papagalli.
Ora Dresden vazhdoi tik-takun e saj mbi oxhak,
Dhe asistenti me livre u ul në tavolinën e ngrënies.
Me shërbëtoren e dytë mbi gju – me atë që
kur zonja qe gjallë, kishte një sjellje të paqortueshme.
PERËNDIA IM, KA PLOT YJE
(fragment)
Gabim i madh: të besojmë se jemi vetëm,
që të tjerë erdhën dhe pastaj u larguan
si një shkëlqim i shpejtë kapur nga radarët,
megjithatë, ka të ngjarë që hapësira
të ketë qenë e mbushur me njerëz,
e mbushur deri në buzë me energji
që nuk mund t’i shohim, që nuk i ndjejmë
edhe pse na afrohen neve aq shumë
dhe jetojnë bri nesh duke u shpërbërë,
duke vdekur, duke pushtuar planete të tjera,
duke u bërë reveransë yjeve të tyre
arrogantë dhe të mëdhenj duke u hedhur
gurë të mprehtë hënave të veta. Dhe, edhe ata
s’pushojnë së pyeturi veten, nëse janë të vetëm,
dhe e vetmja gjë që dinë dhe duan të dinë
është se ka një pus pa fund të thellë
hapur midis dritave të tyre dhe tonave.
LIRIKË
Nёse hapësira dhe koha, siç thonё tё urtёt,
janë gjёra qё s’mund tё jenё,
miza qё jeton vetëm njё ditё
jeton po aq sa ne.
Por ndërkaq jetojmë sa mundemi,
ndërsa jeta dhe dashuria janë tё lira,
pasi koha ёshtё kohё dhe ikёn tutje,
ndërsa tё urtit mendojnë tё kundёrtёn.
Lulet qё tё dërgova kur vesa
dridhej mbi pjergull
u fishkёn para se bleta tё fluturonte
tё thithte trëndafilin e egër.
Por ndërkaq tё ngutemi t’i mbledhim akoma
dhe tё mos trishtohemi po t’i shohim tё thahen,
dhe megjithëse lulet e jetёs tё jenё tё pakta
mund tё jenё hyjnore.
Përktheu Faslli Haliti