I madhi-valëmadhi, dijetari i papërsëritshëm Janko Pali

0
500
Laureta Petoshati

Nga Laureta Petoshati

Ndërsa po përktheja një poezi të Mevlana Xhelaladin Rumi-t dhe sidomos vargjet ʺAs i krishterë, as hebre ose mysliman, as hindu/ budist, sufi, ose zen. As i ndonjë feje/ose sistemi kulturor. Unë nuk jam as nga Lindja/apo nga Perëndimi…ʺ, mʹu kujtua një poezi, apo kuptimi i saj i përafërt në shqip. Mʹu kujtua intelektuali Janko Pali, të cilin e takova pak herë, por mësova shumë. Unë, këtë personalitet gjithëpërfshirës, e takova në një çast të trishtuar të jetës së tij.

Ishte nëntori i vitit 1989, kur ai i pat kaluar të nëntëdhjetat dhe sapo i ishte ndarë nga jeta bashkëshortja e tij. Në këtë kohë, punoja inxhiniere në Drejtorinë e Ujërave Vlorë, ku punonte dhe i biri i tij Petraq Pali, të cilit i shkuam si kolektiv për ngushëllim, për humbjen e nënës. Atje gjetëm dhe z. Janko Pali, të cilin të bijtë e kishin marrë nga Qeparoi në Vlorë për të bashkëndarë hidhërimin familjar. Kur bëmë prezantimin, më bëri përshtypje kujtesa e tij e jashtëzakonshme. Ai kishte qenë dikur mësues në shkollën e Skelës, afër të cilës kishte jetuar familja e babait tim, ndaj më pyeti se çfarë lidhje kisha me atë familje. Mësova se ai i kishte dhënë mësim xhaxhit tim Eqerem Petoshati.

Pa kaluar pak javë nga kjo vizitë, unë këtë fakt ia them xhaxhit tim, i cili jetonte në Tiranë, por ndenji atë kohë gjatë në Vlorë, pasi ndërroi jetë i ati i tij, pra gjyshi im. Mbaj mend që xhaxhai im më tha se Janko Pali kishte qenë jo vetëm mësues dhe drejtori i shkollës së Skelës, por dhe miku më i ngushtë i Neҫo Mukës, autorit të ʺVajzës së Valëve” dhe i “Korçares së Bukurʺ, që ne e mbajmë mend nga vargjet “O moj korçare se e bukur je/ me ato naze porsi nuse e re…” U habita shumë për këngën e dytë.

Xhaxhai im, Eqerem Petoshati, që ma tha këtë fakt befasues, pati studiuar në Rumani për inxhinier pyjesh, por shërbeu prapë në atë vend në shërbimin diplomatik dhe kishte krijuar miqësi me motrën e Tefta Tashko Koҫos, që jetonte në Rumani. Këtë miqësi ai e pati vazhduar dhe me të birin e vetëm të këngëtares së madhe Tefta Tashko Koҫo, dirigjentin e mirënjohur Eno Koҫo. Kur ishte botuar një shkrim për Neҫo Mukon në Tiranë, të gjithë që e patën lexuar ishin të vetëdijshëm se të dhënat e shkrimit ishin marrë nga Janko Pali, paçka se ai nuk figuronte si autor i atij artikulli.

Xhaxhai më kërkoi t’i bëja të fala mësuesit të tij dhe se priste një shkrim të gjatë për Neҫo Mukon. Unë të gjitha këto ia thashë Petraqit, që tʹia përcillte të atit, por ai më kërkoi tʹia thosha vetë se i bëhej qejfi kur e kujtonin ish nxënësit e tij. Mesa më kujtohet, e takova një ditë ndërsa po ecte në picorrugën e Karabashit. Dua të shtoj se godina, në të cilën kishte banesën Petraq Pali, ishte në fillin të picorrugës, ndërsa godina e Drejtorisë së Ujërave në fund të saj. Kështu që, atë ditë që e takova, po zbrisja me një grup shokësh, ndërmjet të cilëve ishin Enver Sorra dhe Jani Kondili, që ishin dhe miq të Petraq Palit. Bënte shumë ftohtë dhe Jani i foli disa fjalë në greqisht “Kani krio, kani krio/ ine o qeros ja dhio ʺ. Jani Kondili nuk dinte greqisht, por dinte përmendësh ca shprehje të greqishtes së vjetër, që nuk e mora vesh kurrë sesi e qysh i pat mësuar, por ajo që kuptova unë më vonë, kjo qe një mënyrë e tij për tu futur në bisedë me të urtin Janko Pali.

Pra, atë ditë i përcolla të fala e xhaxhit tim. Mbaj mend, që i shndritën sytë nga kënaqësia. Kishte ca sy të kaltër në gri, që më nxorën mallin e syve të tim gjyshi që sapo na kishte lënë dhe dhimbjen e kisha ende të freskët. Dua të kujtoj faktin, se në atë kohë unë kisha dhënë provimin shtetëror të italishtes dhe lexoja shumë libra në këtë gjuhë, që mʹi huazonte avokat Vangjel Karbunara, të cilin e pata njohur në shtëpinë e intelektualit disident Kudret Kokoshi, ku mora për një vit e gjysmë mësime private të italishte së avancuar. Kur bëja dezhurnin jashtë orarit të punës, unë këto libra i mbaja me vete dhe i lexoja. Një mbasdite vonë, ndërsa po kthehesha për në shtëpi, te fundi i picorrugës gjendem përballë me të urtin Janko Pali, i cili pa librin me kapakë të trashë dhe më pyeti se çfarë autori po lexoja. I tregova Dante Alighieri-n. Tundi kokën. Mbaj mend që më tha se zgjeroja njohuritë e gjuhës italiane, por nuk do ta kuptoja ʺKomedinë Hyjnore”.

– Më duket se e kuptoj. Di dhe pjesë përmendësh, – iu përgjigja.
– Mund të dish pjesë përmendësh, por ai libër është ndërtuar në bazë të doktrinës së krishterë. Ti ke qenë në shkollë me Liljanën, time mbesë… Pra, nuk e ke arritur kohën kur mësohej në kisha kjo doktrinë, trinia e shenjtë,- më tha dhe unë heshta duke miratuar me kokë.
Të them të drejtën, këto fjalë më turbulluan pak, ndaj shkrova me dorë Këngën XXVI të Ferrit dhe ia dorëzova librin avokat Vangjelit, duke marrë në këmbim një tjetër libër. Mbaj mend që ishte një libër i Benedetto Croce-s, i cili analizonte një sërë poetësh italianë dhe kisha dëshirë ta pyesja të urtin Janko Pali sesi i dukej ky libër, por nuk e pashë. Petraqi më tha se ai qëndronte dhe te dy vëllezërit e tjerë.

E pashë një ditë te picorruga. Siç duket priste Petraqin që vinte nga puna. Më bënte përshtypje meraku i një prindi si ai për të birin që ishte pothuajse mesoburrë. Prania e tij na jepte gëzim dhe na dukej si një baba shpirtëror. Nuk e di pse, në gjithë atë zymti të atëhershme që mbulonte Karabashin me shtëpi të rrënuara, ky njeri më dukej si një qiri që i bënte dritë gjithë asaj rruge. E përshëndeta me respekt dhe i thashë se Petraqi do të vinte më vonë. Më pyeti si një i njohur i vjetër se çfarë po lexoja. Nxora nga çanta librin tjetër.

Ishte Giosuè Carducci, nobelist. Kisha shkruar me dorë në një faqe letre poezinë “Pianto antico”. E pyeta vetvetiu se si mund ta përktheja fjalën “pianto” kur ka kuptimin edhe “qarje”, edhe “zi”. E lexoi. Iu mbushën sytë me lot. Nuk më ktheu përgjigje, por vazhdoi ta lexonte sërish. “Duket sikur e ka shkruar për dhimbjen time edhe pse ka pasur dhimbjen e tij”, vazhdoi dhe aty kuptova se dhe Janko Pali paskësh humbur një fëmijë në moshë të njomë si poeti Giosuè Carducci.

Të gjitha herët që e kam takuar kanë qenë takime rastësore, përshëndetëse, në ecje e sipër përgjatë picorrugës. Por herën e fundit e kam takuar në mjediset e Ndërmarrjes së Ujërave. E pati sjellë aty Jani Kondili, që e kishte takuar ndërsa po dilte nga oborri i Spitalit Rajonal të Vlorës, që ndodhej pranë ndërmarrjes sonë. Kishte bërë ca analiza dhe duhet të merrte përgjigjen pas nja dy orësh. Jani e kishte bindur që të priste te zyra e tij dhe të mos mundohej me vajtje-ardhje. Për fatin tim të mirë, atë ditë ndodhesha në zyrat e ndërmarrjes dhe jo në terren. Zyra ekonomike ku ndodhej Jani ishte përballë me atë teknike, në katin përdhe të godinës. E përshëndeta dhe ai më habiti përsëri me kujtesën e tij duke më pyetur pas përshëndetjes sesi e kisha përkthyer poezinë “Pianto antico”.

I thashë që nuk e kisha përkthyer dhe të them të drejtën, edhe sot e kësaj dite, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë qysh atëherë, unë atë poezi të trishtuar, që përloti një burrë plak, nuk e kam përkthyer ende. Jani Kondili, që nuk e dinte për çfarë poezie bëhej fjalë, bëri dhe një propozim nxitës që ta përktheja dhe unë dhe barba Janko (kështu e thërriste ai) dhe të shikonte se kush do të ishte varianti më i mirë, që do të shpërblehej prej tij duke na blerë librin më të mirë me poezi. Por as unë dhe as Janko Pali nuk e pranuam ofertën. Pastaj Jani, pa e kuptuar arsyen e refuzimit, po më thoshte se po më vinte në garë me një mjeshtër që kishte përkthyer shumë poezi, madje dhe të Neҫo Mukos nga frëngjishtja, greqishtja dhe italishtja.

Nuk ka ditur shqip ai? – e pyeta unë.

Ka ditur por shkollën nuk e ka bërë shqip. Poezia kërkonte shqipe të lëvruar. Kur e arriti këtë shkallë, ashtu i shkroi. Pastaj ai i shkruante në gjuhën e vendit ku ndodhej në çastin që i vinte frymëzimi. Neҫo Muko ishte sa shqiptar, po aq dhe qytetar i botës. Donte që arti i tij të ishte universal…- më tha Janko Pali me zërin e tij të qetë dhe bindës sikur të më jepte mësim.

Po këngën “Korçarja e bukurʺ, mos ia ka kushtuar Tefta Tashko Koҫos? – e pyeta unë pa u menduar gjatë dhe me një kuriozitet të tepruar e të patakt.

Këngën e pat thurur para se të njihte Teftën, me të cilën ka pasur thjesht dhe vetëm marrëdhënie profesionale e vëllazërore. Korça ka pasur plot vajza të bukura që kanë bërë dhe gara bukurie si në Paris. Dhe korçare ka pasur dhe në Greqi e Francë, se e kanë rrahur emigrimin shpejt, si ne bregasit. Nuk e di se kujt korçareje ia ka kushtuar se çdo frymëzim e ka një njeri konkret, që nuk i thuhet emri për ta bërë këngën universale. Neҫo Muko këtë ka synuar.

Po këngën ʺVajzë e valëve”, kujt ia ka kushtuar? Nga ka marrë shkas se kjo është kënga e preferuar e nënës sime…- i tha Jani Kondili, nëna e të cilit priti tërë jetën burrin e saj, pra babanë e Janit të mërguar në Amerikë nga ku nuk u kthye më kurrë.
Nga një valëmadhe si puna ime…- ia ktheu i urti Janko Pali dhe nuk foli më.

Ishte hera e parë që e dëgjoja fjalën “valëmadhe”. E kam dëgjuar prapë dhjetë vjet më pas nga Jorgo Polo, një qeparotas tjetër, ish nxënës i Janko Palit, që banonte me familjen e të bijës së tij Veronika Bitri, një fqinje e imja në Philadelphia të Amerikës. Dua të kujtoj, se në kohën që unë takova Janko Palin, nuk isha shumë kureshtare për këngët popullore apo qytetare që këndoheshin në masë si “Korçarja e bukur, apo ʺVajzë e valëve”, ndaj në atë qëndrim të tij te Ndërmarrja e Ujërave, unë e pyeta për esperanton si mjeshtër absolut i saj dhe se a kishte letërsi kjo gjuhë, që atë e kishte bërë anëtar të komisionit drejtues botëror të saj. Mbaj mend, që më foli për themeluesin e esperantos dhe ʺManifestin e Esperantos”, si dhe më recitoi disa vargje të një poezie, që ai e quante ʺFlamuri i Esperantos”.

Ishin pikërisht këto vargje që më dhanë të njëjtën ndjesi me poezinë e Rumit dhe më bënë që të kërkoj në internet me ato të dhëna të pakta që mbaja mend nga biseda me Janko Palin. I gjej të gjitha. Dhe themeluesin e esperantos Zamenhof, si dhe doktrinën e tij të quajtur në esperanto Homanarismo, që në shqip nënkupton humanizëm, apo njeridashje dhe që në themel të kësaj qëndron motoja që çdo njeri duhet ta shikojë dhe të dojë çdo njeri tjetër si vëllanë e tij. Madje dhe poezia që mbante mend Janko Pali, e titulluar jo ʺFlamuri i Esperantos”, por ʺBetimi mbi Flamurin e Blertë”, (natyrisht që Janko Pali nuk mund të fliste në atë kohë mbi atë betim, kur në Shqipëri bëheshin të tjera betime, që kishin të bënin me Partinë e komunizmin, se ndryshe kushedi se ku do të përfundonte me fis e me farë) më erdhi e freskët, me një spërkatje ndjenjash njerëzore, të tilla siː “Te ty nuk vijmë me ideologji nacionaliste/ me dogmat e zellit të verbër / tani hesht çdo mosmarrëveshje fetare/ dhe mbretëron besimi i zemrës.ʺ

Tani, pas kaq vitesh e kuptoj thelbin njerëzor dhe universal të Janko Palit. Për më tepër, tani kuptoj më mirë shpirtin poetik e artistik universal të Neҫo Mukos, veprën e të cilit e ruajti me fanatizëm derisa e nxori në dritë dijetari i shumanshëm Janko Pali. Tani dhe ʺVajzën e valëve” e shijoj ndryshe, e përjetoj ndryshe. Kur vendi im dhe unë e provuam emigracionin, e kuptova fare mirë dhe këmbënguljen e Jani Kondilit mbi këtë këngë. Ai thoshte se kjo këngë i kushtohej nënës së tij dhe të gjitha grave shqiptare, që pritën me besë burrat e djemtë nga mërgimi, por si pikënisje kishte pasur një vajzë shqiptare me bukuri të epërme, një bregase me sy të kaltër e flokë të zinj, të valëzuar dhe me trup selvi. Ajo quhej Angjelina, por shkurt i thërrisnin Melina dhe ishte një kushërirë e Janko Palit. Nga e mësoi Jani Kondili këtë fakt, kjo i përket Petraq Palit ta sqarojë nëse është legjendë, hamendësim, apo e vërtetë.

Mbaj mend se Jani thoshte se ajo kishte lindur pranë gadishullit të Karaburunit dhe emri Melina ishte paksa i ngjashëm me emrin Meliha të myslimanëve. Mendoja se bënte humor dhe donte të nënkuptonte se ʺVajza e valëve” ishte nga Dukati. ʺKa mundësi, se Dukati ka ende të krishterë që mund të jenë të afërm të Angjelinës”, i thosha unë për tʹia vazhduar humorin, meqë prindërit e mi kishin origjinën nga Dukati, ku dhe kishin lindur. Por ai, mbas reagimit tim, sqaroi se fliste për Karaburunin në Izmir. Ajo pat lindur atje. Ishin kthyer gjatë pavarësisë në bregdet dhe kishin emigruar përsëri, por në Pire të Athinës, Greqi. Atje i patën vdekur të dy prindërit, ndaj vëllezërit dhe kushërinjtë donin ta martonin me një pasanik që ishte i mahnitur, apo i luajtur mendsh nga bukuria e saj. Por ajo kishte ikur me një djalë nga bregdeti dhe ishte martuar pa pëlqimin e tyre. Djali emigron në Francë dhe e lë nusen e tij të re në fshatin e tij në bregdet, me të ëmën e tij.

Ndërsa punon që të bëjë ekonomi dhe ta marrë dhe gruan e tij në Francë, ai vdes gjatë punës në minierë. Angjelinës nuk ia thoshte askush këtë lajm të kobshëm. E mëson pas disa vitesh dhe i plas zemra nga marazi. Sipas Janit, kjo ngjarje tragjike e detyron Janko Palin që të tërheqë në Francë pranë vetes gruan dhe nënën e tij, sepse kishte merak se mos sëmureshin dhe ato nga mërzitja. Neҫo Muko, që në atë kohë ndodhej në Francë dhe jetonte me Janko Palin, i cili vazhdonte universitetin për inxhinieri mekanike pa shkëputje nga puna, (por që nuk arriti të mbaronte vitin e fundit dhe të jepte provimet e diplomës se u kthye ne Shqipëri) i kushton atij poezinë ʺInxhinieri” dhe mbas saj shkroi poezinë ʺVajzë e valëve”, i tronditur nga ngjarja e Angjelinës dhe vdekja tragjike e burrit të saj në moshë të re. Ai, i pati njohur fare mirë të dy. Por Angjelina nuk ishte shkas vetëm për këngën e papërsëritshme ʺVajzë e valëve”, pasi emrin e saj Angjelina, apo shkurt Melina shumë shqiptarë emigrantë, apo dhe arvanitas të Pireut, ua vendosnin që në gjallje të saj vajzave të tyre, për të qenë aq hirplota dhe engjëllore sa dhe ajo.

Gjithsesi, për mua, quhej Melina apo diçka tjetër, nuk ka rëndësi. Me rëndësi për mua mbeti fjala “valëmadhe”, që është sinonim i fjalës “lumëmadhe”. E kërkova kuptimin e saj në Fjalorin e Shqipes së Sotme dhe përveç kuptimit të parë ʺqë vjen me valë të mëdha; valëshumë”, jepte dhe një kuptim te dytë figurativ e shprehimisht ːʺQë i ka ndodhur një fatkeqësi e madhe në shtëpi; që ka parë shumë vdekje e fatkeqësi; fatkeq.” Pra, ʺVajzë e valëve” ka kaluar disa fatkeqësi, apo dhe vdekje dhe zemra nuk ia mban dot më të tjerat, ndaj poeti shkruanː “Vajz’ e valëve, zemra më s’të mban”.

Por Neҫo Muko nuk përdor fjalën “valëmadhe”, por vendos fjalën “valë”. Sepse ai, ishte i madh , i papërsëritshëm. Duke përdorur fjalën “valë”, siç thotë kritiku dhe filozofi i madh Umberto Eco, autori ka dashur të japë një “trëndafil nënkuptimesh”. Vala më e madhe quhet dallgë, por Neҫo Muko nuk flet as për valë të vogla, dhe as për valë të mëdha, duke lënë misterin brenda vargut. Hamendësojmë për një çast se nuk bëhet fjalë për një vajzë, por për një njeri si Janko Pali. Fjala “valë” nënkupton dallgët e detit, ku u lind në Izmir, ku u rrit në bregdet në valët e Jonit, ku hodhi shtat në Pire, ku u rikthye ne bregdet, ku mërgoi në Francë.

Pra tregon dhe vend, që është breg dhe zhvendosje. Është valë migrimesh, valë njerëzish nëpër valë deti, që i çon në të tjera brigje. Janë valë jete, ku njeriun e zë rrjedha e valëve të fatkeqësisë. Janë dhe flokët si valë, janë dhe ndjenjat dhe emocionet si valë, por mbi të gjitha janë vështirësitë, shtrëngatat dhe ndryshimet e njëpasnjëshme, që vijnë në mënyrë të pandërprerë e të papritur në jetën e një njeriu. Këto valë dhe mund të përballohen, por dhe mund të mos përballohen. ʺVajzë e valëve” nuk e përballoi dot më valën e fundit, sepse zemra nuk duroi dot më dhe nuk e mbajti dot më peshën e fatkeqësisë.

Kjo poezi e kjo këngë është një kryevepër edhe pse nuk i përmendej me zë të lartë autori. I madhi Janko Pali e ruajti nga dorëshkrimet e Neҫo Mukos, se të mëdhenjtë e ndjejnë, e njohin dhe e mbrojnë njëri-tjetrin edhe kur janë ʺvalëmëdhenj”. Valëmadhit Neҫo Muko zemra sʹi mbajti më nga sëmundja, por valëmadhi Janko Pali duroi, u mbijetoi valëve, jo vetëm për të shpalosur veprën e tij, por dhe për të mbajtur gjallë veprën dhe kujtimin e pavdekshëm të shokut të tij, se në fund të fundit, kush është Neҫo Muko, përveç se vepra e tij që e bën të pavdekshëm.

Them se jam me fat, që e kam njohur intelektualin Janko Pali edhe pse fare pak. Ndoshta, këtë fat e kam përveçse nga providenca edhe nga Drejtoria e Ujërave të Vlorës e sidomos nga Jani Kondili, i cili ishte ekonomisti i lartë që dinte aq shumë poezi përmendësh të poetëve shqiptarë e botërorë sa asnjë mësues letërsie. Ai, më rekomandoi që të përmirësoja italishten tek intelektuali Kudret Kokoshi – ʺNder i Kombit” e nga ky i fundit njoha avokat Vangjel Karbunarën, që më huazonte libra që i pat blerë në Itali kur ishte student. Librat dhe Jani Kondili më zgjeruan njohjen dhe miqësinë me Janko Palin.

Që të dy, edhe pse në diferencë moshe si babë e bir, e ndjenin dhe e mirëkuptonin njëri-tjetrin, sepse kishin pasur të njëjtin fat në jetë dhe çdo gjë e kishin arritur me përpjekjet e tyre. Ndaj, sa herë që dëgjoj ʺVajzën e valëve”, i kujtoj njëherësh të tre: Neҫo Mukon, Janko Palin dhe Jani Kondilin. Sepse ʺVajzë e valëve”, për mua nuk është një këngë, por një valë hyjnore që i përfshin të tre dhe u këndon të treve. Tani e kam studiuar dhe trininë e shenjtë sipas porosisë së të madhit- valëmadhit, dijetarit të papërsëritshëm Janko Pali.

Vlorë më 17 Maj 2017

Dërgoi për publikim, Petraq Pali