VDEKJA – FSHEHTËSI KU GJALLON PËRJETËSIA

0
881
Fazli Syla

Anton Nikë Berisha

Në kujtim të mikut prof. dr. Fazli Sylës, i cili ndërroi jetë këto ditë

Vdekja nuk është gjë tjetër veçse kthimi ynë nga koha në përjetësi.
Wlliam Penn

E çmojnë fshehtësi të fshehtësive ku gjallon përjetësia
që ndodhet kudo, pa anë e pa fund,
me frymësi ngulmuese bredhëron pa reshtur
e mbëlton shurdhësi të rëndë, të ethshme
plazmën e jetës e zhbën, e shterpëron
të ndëshkon pakursim si me kthetra shqiponje;
i pajetëson rrënjët, frymëmarrjen e ndalon
si me shpatën e trimit të trimave kur
i sëkëlldisur i turret kundërshtarit
e godet pa mëshirë, i lëron lëkurës, mishit,
gjakun ia ngurtëson, ia bluan eshtrat
për t’ia baltuar mbretërisë së heshtjes;
hije e shpirtëzuar që asnjëherë s’pushon
së ngarenduri shfrenueshëm qëllimin t’i dalë –
pa asnjë brengë, pa asnjë ngurrim,
përbirohet tinëzisht, mbërthen me pahir,
i ngërdhez dhëmbët e turret me pakursim
ta shuajë urinë e të gjallojë më tej;
psherëtimë e athët që noton nëpër mote,
herë e thjermtë e herë e ngërthyer me mjegull,
shtjellë lëngate që shkon e rritet vazhdimisht
si vala valën kur njëra – tjetrën e mësyjnë
dhe pjellin tundimin, suvalët i zgjojnë
kacafytën mes vete si katallanë lashtësorë
se vdekja me vdekje e stërmbushur është:
kur vdes dikush secili nga të gjallët
një hap vdekjes më shumë i afrohet,
ndërsa kur të vdes një mik i dashur
një pjesë e frymësisë sate
vetvetiu e puth heshtjen e vdekjes;
e parëlindur, pa fillim e pa mbarim,
mbretëreshë si dje, si sot, si nesër.

Prishtinë, 30 korrik 2020