Cikël me poezi nga Mustafa SPAHIU

0
470
Mustafa Spahiu

Nga Mustafa SPAHIU

PËR TY NËNËMADHE – NËNA TEREZE

– Shenjtëreshë na beko me shenjtërinë Tënde

Është një derë – derë humane
që rri hapur – fare pa reze,
Është zemra e nobelistës
e Nënës sonë Tereze.

Fluturat e lumturisë
vallëzojnë lehtë me rreze,
nëpër ballin e përndritur
të Nënës sonë Tereze.

Turtullesha shend e verë
degëve të një krekëze
Çerdhën thurte plot hare
me duart e Nënës Tereze.

Fisniklindur – bijë shqiptare –
shenjtore me sy bukureze
n’sofër buke – thërret – Gonxheja, –
Nënëmadhja jonë Tereze.

Plagët e shpirtrave t’thyer
si nënë, si motër dhe teze
I mëkonte me bukën e bardhë
Burim shprese – Nëna Tereze.

Me uratën Tënde – Diellin purpur
çdo skëterrë me zjarr e ndeze…
– Engjujt me kurorë trëndafilash
të stolisen Nëna jonë Tereze.

Me ngazëllim ecim meridianeve
ballin krenar në çdo tatëpjetëze!
Me fjalën e dashurisë na bekoi –
E pavdekura: Nëna jonë Tereze…


Nga Mustafa SPAHIU

Mirko Gashi POET I EKZALTIMIT HYJNOR

  • Mirko Gashi mbetet si një nga zërat më autentikë të poezisë së sotme panshqiptare, në 81 vjetorin e lindjes е 25 vjetorin e ndarjes nga jeta (2 shkurt 1939 – 5 qershor 1995)

Gjakim katër stinëve lulelotësh – derdh një dardhë, se –
Halla pret nipin e lirikës – idhtar opusi – kanë lidhur besë;
Me bosht e furkë tjerrë – urata Mirkos – për të ardhë – që –
Të mos zemrohen vestalet – ardhjepritja – guaskë shpresë.

Mbi kikë të Karadakut, n’arbor vitae netët duan dëshmi,
Feniksi ringjallet zemrës së poetit – kallen stërnishta…
Amaneti s’mundet përtej fundit të lumit nis motmirë – agimi,
Fëmijët ëndërrojnë të këndojnë – me bilbila zgjohet Selishta[1]

Gjarpëri shtëpisë rrokulliset odave me këmishën e leckosur…
– Mos ia puthni së kaluarës dorën – ju preksha për të mirë! –
Askush dy herë nuk ka qenë poet – flet poeti mllefosur; sepse –
Parathëniet e tija përbrenda ditës ardhmëritë ngecën dëshirë.

Rrënjët e tim eti, eshtrat e stërgjyshit i kam tokës diellore, pse
Fëmijëve s’ua thoni të vërtetën se lulet kanë qindra ngjyra…
Miku im fisniklindur me buzëqeshjete – vargjesh stërmadhore, Ti
“Mbete i përgojuar në qytet” – të gjorët i harroi natyra, meqë –

Çdo gjë parathoje saktë lindur në vorbullin e ardhmërisë…
Ylli poetit shihet pikëmesditës – o, farkatar i opusit, he –
Të lumtë!, mbete aristokrat suprem i vreshtit të bohemisë
Dhe kurrkushët u qullosën rragnicë – urritur fundit të pusit!
—————-
[1] Selisht ~ ë, a, fshat i zonës së thellë malore të Karadakut të Gjilanit, prej nga e ka origjinën poeti.


Nga Mustafa SPAHIU, Shkup

Aleksandri i madh, Shkup SIKUR TË KISHA LINDUR NË SHKUP

Asaj që bënte dritë me fanarin e arsimit

Së paku sikur të kisha lindur në Shkup,
Djalosh magji me pëllumba të bardhë në duar
Sytë do më shkrepnin dashuri, pranverë
Më kishin rritur ninullat e arta të Vardarit
Në djepin e ylbereve mbi tri urat e tij.

Pulëbardhat bukurinë ma çerdhnonin në zemër,
Mbjellë e kisha farën e dashurisë në sheshe
Me rrezet e ëndrrave diellore – qumësht lulesh –
Për sytë e njerëzimit me buzëqeshje të sinqerta
E – trëndafilash në këtë qytet të lashtë, sepse
Në këtë qytet kryqëzimi është metaforëbukur.

Sikur të kisha lindur në Shkup, prej ugareve
Me kallinj të nevojshëm në dorë të korrikut
Do ta kisha ndalë tërmetin e kobshëm
Edhe gjethet e shelgjeve brigjeve
Të lumit do kremtonin zgjidhjen e nyjeve
Me pogaçen e madhe sa Dielli,
Organoja me buzëqeshje agimesh jehon.

Agimet e ardhmërisë s’do ti ndalnin
Akrepat e orëve as si ndryshojnë rrugëdaljet
Edhe plepat e brigjeve të Vardarit do festonin
Dasmat me vashat dhe beqarët me fyej magjik
Të katër stinët do kishin një emër – pranverë.

Bari kurrë nuk do vyshkej për ëndrrat e fëmijëve,
Rriten mе madhështi, me nektarin e ditëve…
Unazat e nishaneve po rrokullisen – habertare
Deri te gishtat e margaritartë të nuseve
Të stolisura me yje të mileniumeve.

Sikur të kisha lindur në Shkup, zymbyl,
Do vrapoja me tufën e rrezeve të puthjeve
Pas hapave të mëndafshtë të Nënës Tereze,
I shoqëruar me poetin Ndue Bytyçin,
Me lirikun më të shquar Mateja Matevskin
Dhe poeteshen Danica Ruçigaj më e bukura vashë
(E mëkuar me qumështin e nënës shqiptare)
Ndalë ia kisha mordjen, për të stis vargje të reja!

Vonë erdha në këtë qytet – rrugët e këngës
Më gjetën vetmitar, jo rastësisht
U dashurova dhe u martova nga ky qytet
Me një vashë me zemër engjulli, fëmijëve
Ua mësoi gjuhën e bilbilave me kënatat e vesës
Gjysmën e shpirtit dhe gjysmën e diellit i bëri ABETARE.

Lulet s’zgjohen pa vargjet e mia në këtë qytet;
Oh, sikur të kisha lindur pak më herët në Shkup,
Historisë do t’ia ngallitja një faqe të re
Me shkronja drite, me shkronja platini
Kundërmimi mallit do të ndahej në dy anije
Kujtimi kurrë s’do shterronte si gurrat.

Oh, sikur të kisha lindur në Shkup,
Do t’i kisha hapur katinarët e dëshirave
Sytë dhe krahët e engjujve e ruajnë këtë qytet.
Sikur të kisha lindur në Shkup!

Shkup,
E shtunë, 6 janar 2018.


Nga Mustafa SPAHIU, Shkup

TAKIMI – LOTËT E ZEMRËS[1]

E i panjohuri të panjohurit dorën e pranverës ja shtrin.
                                                                    – poeti

Gjysmëshekulli na mblodhi me sytë e lëngëzuar,
Si zogjtë e kaltërt nëpër rreze të brengosur, shtegtojmë –
Enciklopedisë së kujtimit, emrat ishin të paharruar…
Pati mungesa gjumi – amshimit ndjesë paçin!, të pasosur…

Disa kishin vajtur nëpër galakse të reja, prore –
Të tjerët të magjepsur pas ëndrrave – pikë e pesë! –
Ruzhdiu e Tushi sapo ishin kthyer peligrin nga Qabeja;
Vetëm tri shoqe të gjeneratës erdhën dallëndyshe me besë.

…Bulëzuan ëndërrat e rinisë tonë të pështirë, e ne –
Nxënës e arsimtarë përgjanim se jemi një moshë…
Dhe jeta me thundra na kishte goditur pa mëshirë; sepse –
Rrahur na kishte me vaj e uthullë me sitë e shoshë…

Pa mburrje thamë: jemi prindër fëmijësh – natyrisht;
Një dyzinë mburreshin me nipër, njëzetë me mbesat…
Dy klasë të teta shpjegonin për jetën e vogël stërgjyshërisht,
Për blerimin e vonuar me brymë – na rrëfenin trajtash mbresat.

Të gjithëve hapërimet na shpienin moshës së tretë,
Pse qemë të behartë, moshëkaltërt – ofshe, para pleqërisë…
Se çka na ngeli në zemra është përdëllim i vërtetë, dhe –
Le të rrojmë me shëndet – t’urtë – stinësh të ardhmërisë!

Takimi – lotët e zemrës – bulëza ndjellamira të mugulluara,
E shtuna e qershorit vajti vijë dore në hare duke përlotuar.
Vallë, do kthehen ato çaste kurrë të paharruara, mbase –
Në takimin e gjashtëdhjetëvjetorit rrugës së ëndërruar?!

E shtunë, 21 qershor 2014
Në Rogoçicë, Anamoravë.
—————-
[1] Në edicionin IV të poezisë lirike “Në gjurmët Naimiane 2018” – Përmet. Me çmim të dytë u vlerësua poeti nga Shkupi, M. Spahiu, me poezinë me titull “Takimi – Lotët e zemrës.”