POETI MIRKO GASHI KA SHKRUAR PAK, POR KA SHKRUAR BUKUR DHE PËR DALLIM NGA NJË NUMËR JO I VOGËL I POETËVE

0
446
Mirko Gashi

Nga Hysen Ibrahimi
Suedi, Förslöv, 29.07.2020

(Me rastin e 25 vjetorit të shkuarjes në amshim, të poetit të Madh Mirko Gashi)

Vargje të poetit Mirko Gashi[1]: ”jetoja zi e më zi, skamnor e i pasur, por i tëri në poezi”, – nxjerrë nga poezia e titulluar  ”Nisia e dashurisë-Atlanta ime”.

Marrë në përgjithësi, ne të gjithë krijuesit, poetët dhe historia e letërsisë shqipe i kemi mbetur borxh të madh poetit të madh Mirko Gashi, sidomos ndaj veprave të tij poetike. Them kështu, sepse dihet fare mirë për nivelin e lartë poetik të krijuar nga vet poeti Gashi, sepse poezia e tij edhe pse është kryesisht me tematikë preokupuese për kohën, intonacioni[2] lirika  atdhetare e tij përmes fushës poetike është model i shprehjes që reflekton rrënjësisht art të bukur poetik.

Ndaj, të tillë poetë të nivelit të lartë krijues, nuk duhen harruar, sepse me poezinë e tij të bukur ai futi vetën në mesin e poetëve më të mirë të letërsisë sonë. Ai e ka vendin e merituar në gjiun e letërsisë së letrave shqipe, ku ka mbetur shkrimtar i madh dhe sot ka mbetur e pa thënë dhe e pa shkruar në botën e artit letrar e poetik. Mirko Gashi, dihet tanimë, i cili ditët e fundit të jetës së tij i ka kaluar prej një jete bohemi[3] sidomos sa ishte në moshën e pensionit.

Të njejtën rrugë e kaloj po ashtu edhe Gani Xhafolli i Madh, botues i disa përmbledhje me poezi dhe romane për fëmijë, pa një përkujdesje të mjaftueshme, që asnjëherë Ganiu nuk e ka lëshuar nga goja poetin e madh Mirko Gashin, ka përjetuar te njejtin fat duke jetuar jetë bohemi. Dihet fare mirë, se poeti i Madh Mirko Gashi, ka shkruar pak, (kur themi pak, e themi sepse ka shkruar bukur dhe po t’i kishte shkruar edhe 1000 vepra tjera, pak janë për Mirko Gashin) por që ka shkruar bukur dhe për dallim nga një numër jo i vogël i poetëve, që kanë krijuar dhe që po krijojnë, kjo është e vërtetë.

Mirko Gashi u dallua për krijimin e poezisë së veçantë, ku burim thelbësor e ka pasur frymëzimin e sinqertë. Të rrallë janë poetë sikur Mirko Gashi, kur arrijnë me tërë qenien e vet të përjetojë dashurinë, Antlantidën, bukurinë, natyrën, muzgun e parë, orën letrare, gjuhën amtare e shpirtërore shqipe…!

Prandaj, duke lexuar krijimtarinë e mirëfilltë të poetit Mirko Gashi, çdo lexuesi do t’i bëjë përshtypje vargu poetik i ideuar nga vet poeti Gashi. Ndër poezitë e bukura të poetit Gashi, do të përqëndrohemi vetëm te poezia apo kënga e tij artistike e titulluar  ”Nisia e dashurisë-Atlanta ime[4], poezi-këngë kjo, e cila në aspekti letrar mund t’a nxjerrim në mendjen tonë në fund të poezisë, si pejsazhin, mozaikun, pikturën, figurën së Atlandës, tërësisht reale, krejt kjo nga zgjuarësia poetike e Mirko Gashit.

Po citojmë disa vargje, kur poeti shkruan:

shkrova
për renë e zezë
për nënën Terezë
por jo edhe këtë këngë
jetoja zi e më zi
skamnor e i pasur
por i tëri në poezi

Shofim karakterin e fuqishëm të poetit Gashi, në paraqitjen e tij të të shkëlqyer imagjinative, por me një dinjitet të pathyeshëm, kur ai e përjeton këngën, pikërisht në kohën kur ai ka qenë në pozitë të vështirë jetësore duke e bartur shpirtin e tij poetik nëpër vendet e përjetimit. Thënje në varg: jetoja zi e më zi, skamnor e i pasur, por i tëri në poezi, e shkruan nga një vend që dihet për fundin e jetës së tij të vështirë, por gjithnjë i pathyeshëm.

Fjala poetike e Mirko Gashit, në shumicën e rasteve, ke qenë reale për lexuesin duke e definuar në mënyrë të qartë ”kufirin” artistik se deri ku mund të shkojë poeti, kur shkruan:

me çdo varg
shkoj larg
e më larg

Këtu, Mirko Gashi, ka arritur të fitojë vlerë të re artistike që janë në bërthamën poetike të krijimtarisë së tij, që shumë shpesh del nga shpirti i këtij poeti dhe shndrrohet nga poezia në këngë dhe anasjelltas. Vargu i poetit Gashi, mund të nxirret si jehonë poetike me dedikim universal të artit poetik.

prej tavernës[5] më shpien
në orën letrare
atje poezia ime
qe abetare
e jetës së shkretë
e jetës së vërtetë

Në qoftë se lexohet me vëmendje, nga këndi i kritikut letrar, Mirko Gashi na del si njëri ndër poetët më të thellë në aspektin e formës së krijuarit poezi apo këngë, ku me pak vargje mund të shkruhet një histori e tërë. Aftësia për t’a përshkruar një ngjarje me pak vargje që reflekton në ide aty për aty konceptin e jetës në atë kohë duke e definuar me vargje artistike, këtë e gjejmë te Mirko Gashi. Sipas tij, jeta e shkretë dhe e vërtetë qëndron midis dy ekstremeve të skajshme, si: në mesin e jetës së shkretë dhe dashurisë.

Ai në vazhdim të këngës së tij, po të njejtës poezi të titulluar ”Nisia e dashurisë-Atlanta ime”, e thotë shumë bukur:

dhe aty
në odeonin e diturisë
zë fill i dashurisë
e gjeta

Gashi, nuk përdorë dozë hezitimi, ai e shpreh, e thotë, shpërthen duke i nxjerrë të zezën mbi të bardhën, në varg nga motivimi i vet ngjarjes së përjetuar në orën letrare, sa bukur e thotë, dhe aty, në odeonin e diturisë, zë fill i dashurisë.

Duke e konstatuar krijimtarinë e tij deri më sot, poeti Mirko Gashi, ka mbetur poet i Madh. Ai, me vetëdijën e tij të lartë, në fushën e krijimtarisë poetike, ka arritur në çdo kohë duke kërkuar forma të reja shprehëse, nga një bërthamë e re poetike që ka nevojë për t’u shkruar dhe për të mbijetuar të gjitha kohërave në fushën e letërsisë artistike. Dhe, sipas mendimit tim, këtë ia ka arritur, sepse poezia dhe puna në kuadër të çështjes kombëtare me guximin e Mirko Gashit, ka shpërfyer në jehonë deri te veshi i arsyes që kanë pasur një rrugë pa kthim.

Ja, ky është poeti i Madh Mirko Gashi, të cilin po e përkujtoj 8me shumë pak rreshta e që ai dhe vepra e tij meriton një studim rrënjësor) me rastin e 25 vjetorit të shkuarjes në amshim, por ai ka mbetur i pavdekshëm me punën dhe krijimtarinë e tij letrare.

R E F E R E N C A:

[1] Mirko Gashi i biri i atdhetarit Mark Gashi, u lind më 2 shkurt 1939 në KralevëSerbi. Shkollën fillore e kreu në Preshevë ndërsa Gjimnazin në Gjilan. Ka kryer edhe një shkollë për gazetarë. Ka punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës, pastaj gazetar në Radio Prishtinë, Në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor të Prishtinës e së fundit ka redaktuar gazetën “Kosova” të një ndërmarrje ndërtimore në Prishtinë. Me krijime letrare ka filluar të merret qysh herët. Është marr edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Punimet e Mirko Gashit janë përkthyer në gjuhët frënge, italiane, gjermane, arabe, sllovene, angleze, turke dhe maqedone. Është prezantuar në shumë vepra të autorëve që kanë shkruara për shkrimtarët shqiptarë. Ka kaluar një jetë prej bohemi, gjatë kohës sa ishte pensionist. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.                                                     Autor i gjashtë veprave poetike, si: “Në vorbullën e ujit” Prishtinë 1972; “Netët e bardha”, Prishtinë 1975; “Liberto për gjenetivin e ujit”(serbisht), Prishtinë 1977; “Gjarpëri i shtëpisë”, Prishtinë, 1980; “Arbror vitae”, Prishtinë 1988; “Plagë uji”, Prishtinë 1990;

Përkthyes i librave me poezi të autorëve: Ali Podrimjes, Din Mehmetit, Qerim Ujkanit, Sabri Hamitit, Ibrahim Kadriut, Anton Pashkut, Resul Shabanit, Teki Dërvishit, Ismet Shaqirit etj.

[2] Ngritja, ulja e forca e zërit, si edhe mënyra e shqiptimit a e theksimit të fjalëve, kur synojmë që të shprehim sa më mirë ndjenjat e qëndrimin tonë dhe të ndikojmë te dëgjuesi;

[3] Turmë njerëzish (zakonisht artistësh endacakë) në vendet kapitaliste, që bëjnë jetë të çrregullt e të dhënë pas qejfeve; mënyra e jetesës së këtyre njerëzve.

[4] http://poezishqiptare.blogspot.com/2012/12/poezi-nga-mirko-gashi.html

[5] Pijetore jo shumë e madhe në bodrumin a në katin e poshtëm të një ndërtese. Pronari i tavernës. Pinë në tavernë.