GazetaDita.Al, 25 korrik 2020
Në media janë publikuar të tjera detaje për një godinë të blerë së fundmi nga djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha.
Gazeta Shqip raporton se godina e blerë nga Berisha për 1.8 milion euro është ndërtuar nga ish-kryebashkiaku i Vorës, Fiqiri Ismaili. Më pas i është shitur një biznesmeni të njohur nga Fieri.
Godina, që ka brenda një fabrikë, ka vlerë rreth 4 milionë euro, pra sipas kontratës së shitblerjes rezulton të jetë shitur nën çmimin e tregut. Kjo fabrikë do të përdoret për ambalazhimin e frutit të boronicave me qëllim për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë.
Pikërisht ky është edhe biznesi i ri i djalit të ish-kryeministrit Shkëlzen Berisha, ku ai ka monopolin e grumbullimit, – shkruan gazeta.
Si për ironi fabrika ndodhet afër zonës së Gërdecit, vendi ku në mars të 2008-ës pati një shpërthim të fuqishëm, ku humbën jetën të paktën 28 persona dhe pati qindra të plagosur, mes tyre gra e fëmijë.
Kjo fabrikë demontimi kishte lidhje me familjarët e ish-kryeministrit Berisha dhe më së shumti me “sy-peshkaqenin” siç quhej Shkëlzeni në dëshmitë e hetimeve mbi rastin.
Tashmë afër vendit ku ripaketoheshin fishekë të vjetër kinezë për kallashnikovët afganë, sypeshkaqeni do paketojë boronica.
Përgjatë 15 viteve të fundit, askush nuk e di se çfarë pune ka bërë djali i ish-kryeministrit. Sali Berisha thotë në deklaratën e tij se ka një pasuri modeste, të përbërë nga vetëm një shtëpi dhe disa kursime që nuk i kapërcejnë 10 milionë lekë të vjetra.
Por nëse i hedh një sy pasurisë së Shkëlzenit, sheh me dhjetëra llogari bankare dhe prona nga Shqipëria deri në Suedi.
Shkëlzeni thotë se këto të ardhura janë siguruar nga puna si “konsulent”..
Vlerën e godinës së blerë së fundmi me një çmim prej 1.8 milionë euro, konsulenti i ka likuiduar menjëherë nga Shkëlzen Berisha, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë.
d.a./ dita