Kuvendi tavolinë e pingpongut politik!

0
419
Kuvendi i Kosovës

Shkruan: Florim Zeqa, 25.07.2020

Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës flasin qartë për pozitën në të cilën është katandisur klasa jonë politike, e në veçanti parlamenti ynë. Niveli i ulët arsimor dhe mungesa e zhvillimit ekonomik janë dy faktor kyq që kanë ndikuar në mosngritjen e vetëdijes qytetare.

Pozicionimet e dyfishta të personaliteteve të dyshimta

Partitë politike janë shndërruar në korporata fitimprurëse për liderët dhe vartësit e tyre, kurse liderët partiak dhe sejmenët e tyre janë bërë shkelës dhe abuzues te besimit të qytetarëve.

Duke u ngritur në karrierë politike dhe pasuruar nga mashtrimet dhe kauzat e rrejshme, klasa aktuale politike (pushtet dhe opozitë) modelin e abuzimit e kanë ngritur në standard të politikës ditore.

Avancimi i agjendave partiake në Kuvend është në plan të parë, ndërsa mbrojtja e interesit të qytetarëve është vetëm sllogan mashtrues dhe hipokrizi e politikanëve të papërgjegjshëm.

Thënë të vërtetën, nëpër të gjitha partitë tona politike ka politikan të mirë dhe të përgjegjshëm, por numri i tyre është i vogël dhe nuk është në proporcion me numrin e anëtarësive të partive politike.

Protagonizmi dhe tendenca e personalizimit të çdo gjëje nga një pjesë e politikanëve të papërgjegjshëm, ka bërë që të bie imazhi i politikanëve të mirë në vendin tonë.
Gjuha denigruese dhe fjalori i papastër politik i përdorur nga ana e disa deputetëve në Kuendin e Republikës së Kosovës, po bëhet gjithnjë e më e neveritshme, e padurueshme dhe e padëgjueshme për veshin e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Thirrja në parime dhe mosmbajtja e tyre janë bërë dukuri e shëmtuar e klasës politike.
Pozicionimi pro dhe kundër personaliteteve të caktuara politike i disa deputetëve në kuvend, e ka kthyer kuvendin në tavolinë pingpongu dhe në “mishmash” parlamentarizmin kosovar, saqë më nuk po dihet më, se kush është pozitë dhe opozitë, kush i djathtë e kush tjetër i majtë në parlamentin e Kosovës.

Kur të djathtët bëhen të majtë dhe anasjelltas, kur të majtët bëhen të djathtë, është e njejtë sikur një makinë në lëvizje në komunikacion, që e jepë sinjalin për t’u kthyer në të djathtë, ndërsa në momentin e fundit kthehet në të majtë!

Për aq sa është e rrezikshme të ndjekësh në komunikacion një makinë me orientim të paqartë, po aq është sfiduese të mbështetës një politikan në skenën aktuale politike.
Mungesa e profilizimit të qartë politik dhe futja e disa politikanëve në rrugën e gabuar njëkahëshe, i ka vënë ne lajthitje qytetarët e vendit, e aq më tepër do i vë në lajthitje elektoratin kosovar në zgjedhjet e parakoshme, ngase nuk do dinë se si t’i votojnë politikanët e djathtë në subjektin e majtë politik dhe anasjelltas!?

Përderisa pasqyra më reale e politikbërjes kosovare është Kuvendi i Kosovës, marja e secilit me politikë e dëshmon katandisjen e shoqërisë sonë, ku të gjithë mendojnë se janë politikbërës të mirë, pa ofruar asnjë ide për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara.

Pozicioni apartiak, arma më e fuqishme e një analisti politik

Pozicioni apartiak në njërën ane dhe paanësia në gjykime anën tjetër, më bëjnë të ndjehem komod dhe pa asnjë ngarkese gjatë vleresimit të zhvillimeve politike.
Ndjehem me fat që nuk jam i varur nga politika dhe i pa ndikuar nga egoja për pushtet dhe privilegje pushtetore.

Kjo më bën të jam i lirë dhe i pavarur në mendime dhe vlerësimin e ngjarjeve.
Për dallim nga një pjesë e opinionistëve dhe analisteve, që e mbeshtesin një lider apo parti të caktuar politike, jo nga ndjenja e simpatisë por nga ambicia për t’u ngritur personalisht në karrierë politike (për të shijuar ndonjë post ministror apo diplomatik, këshilltar apo më pak se kaq),…mbështetja apo kundërshtia ime është e bazuar në vlerësimin e pastër analitik, pa ngjyrime partiake, pa ngarkesën e ambicies politike dhe as të urrejtjes personale ndaj një lideri apo subjekti të caktuar politik.

Edhe pse jo drejtpërdrejt të kyçur në politikë, me idetë dhe vizionin tim, angazhohem që gjërat të ndryshojnë më shpejtë, në të mirë të vendit dhe qytetarëve.

Ideali im nuk shitet dhe as nuk blihet nga askush, e aq me pak nga partite aktuale politike.
Ideali im i pastër për shtetin e Kosovës, për mirëqenjën dhe barazinë e përgjithshme qytetare, mbetet ideal i shënjtë dhe i panegociueshem deri në fund të jetës time.

Sa më parë ta çlirojmë Kosovën nga përbindëshat dhe matrapazët politik, në të dyja nivelet e qeverisjes, aq më e afërt do të jetë dita e ndryshimeve pozitive, dita e prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Çlirimi i vendit nga matrapazët dhe kusarët politik është i mundur të arrihet me vetëdijësimin e elektoratit për ndëshkim me votë, gjegjësisht me mosvotimin e politikanëve mashtrues dhe të papërgjegjshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale, të rregullta apo të jashtëzakonshme kurdo që do të mbahen ato.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti e bekoftë vullnetin e qytetarëve të vendit tim të shënjtë!